MBRITJA
Lash viset e buta jugore
Me jugën mbështjellur si shall,
Në viset e kaltra veriore
Me lartësit’ u gjenda përballë;
Korabi vështronte hijerëndë
Sikur qiellin mbante mbi shpinë,
Hazis Ndreu më priste me këngë
Zjarr e ndizte ai çiftelinë…
Veriun e freskët kam përpara,
Prapa lashë jugën e butë
S‘e di kur unë jam ngjizur,
Por kam lindur në muajin shkurt;
Krahët tani kam shtrirë
Pëllumb mbi Shqipëri
Nënë kam larg në jug
Shpirtin kam nderur në Veri….
PREZANTIM
Shtator ish atëherë, qielli ende pa një re,
Plazhet boshatisur, deti prehej i menduar,
Me një valiçe në dorë u nisa për atje
Mes nxënësve do të ndihesha i gëzuar…
Të nesërmen përballë Korabit u gjenda
I pakrehur, flokët të dendur me onde,
Dhe një mall i qetë nderej përbrenda
Për nënën larg dhe vajzën time bjonde…
Me droje e kapërceva pragun e shkollës,
I drojtur, i matur drejt nxënësve po shkoja
Siç shkon besimtari para faltores,
Me zjarrin e tyre shpirtin do të ndriçoja…
Mirmëngjes u thashë me zë të mekur,
I panjohur, pa fjalë ata po vështroja…
Krejt i përpirë nga syt’e bukur, të etur,
Që ndoshta atë aq shumë e dëshiroja…
Nxënësit me shpirtin e gjerë si deti
Nga maja e Korabit i zbuan ata retë,
Ai takim i parë në zemra na mbeti
Pa shume fjalë, plot gas edhe jetë…
MENGJESI I SE DIELES
Qëndroj i heshtur në dritaren e shtëpisë
Qielli mbi majën e Korabit qëndron,
Nën të fluturojnë zogj të harlisur
I shoh i përmallur dhe zemra gufon;
Njëlloj është qielli mbi Korab e mbi Jon
Njëlloj zogjtë cicërojnë në dritare…
Tani njëlloj edhe zemra më gëzon
Se nuk jam i ndarë nga bota për fare…
Koha që s’ndalet njëlloj ikën revan
Dhe dashuritë në zemra bredhin me furi
Dhe lulet një lloj çelin anembanë
Dhe nxënësit më të bukur më duken tani
Eh, rini, fluturo ti krenare përherë ,
Se lotë s’më zbresin më në fytyrë
Se dhe dimrin ma kthejnë në pranverë
Gjimnazistët çapkënë me zemrën e dlirë …
NJE MENGJES I TE DIELES
Një mëngjes i vetëm pa mendime.
Tej dritares ç’më lëkundet plepi.
Kjo dhomë e ngrohtë e kaq intime
Më nanuris me këngë djepi;
Mbi luginë borë, mjegull e kaltër,
Kreshtat lëpinë me gjuhë agimi,
Beni trazon prushin në vatër
Ku bubullon një flakë hutimi;
Më iku dhe kjo natë dimërore
Dhe drita vërshon e qetë në konak;
Më kujtohen kokoshkat gazmore
Si kërcenin mbrëmjes në oxhak;
Thinjat e nënës se ç’më përhihen,
Me reflekse brengash si shenjtore,
Dhimbja e qetë si lule kujtimi
Më kthen prapë në vitet foshnjore…
JUGE E BUTE
Një brengë malli po më përpinë
Për vëndlindjen larg në Jug.
Dal e pres tej në kodrinë,
Pres e pres jugën e butë;
Damarët, shpirtin të m’i shkrijë,
Të sjellë vlagën për të mbjellë;
Breg më breg kur të arrijë
Aromën e nënës të më sjellë;
Aromën e ftoit në sepete,
Aromën e leshrave të rime,
Gjithë aromat që ka mbi vete
Futa blu e nënës sime.
MALL PER UDHET E LARGETA
Më mori malli për udhët e largëta
Për udhët që të shpien në Veri,
Më mori malli për liqenin e Ulzës,
Më mori malli për Drinin e Zi;
Më mori malli për urat me tela,
Ku kalonin pa frikë nxënësit e mi
Si zogu sokol i ajrit të kthjellët,
Me lule bjeshke për mësuesin e ri;
Më mori malli për shokët e thjeshtë
Për shkollat ku lashë mall’ e gjurmë,
Ku dhashë gjithë ç’kisha të shenjtë
Pa sqimë, pa bujë e pa zhurmë;
Më mori malli për viset e largëta,
Për peizazhet e ngrohta e të qeta
Si një dashuri e heshtur, e ngadaltë
Në vetminë e netëve të shkreta…
LETRAT E NENES
– Ietra e parë-
Vështroj letrat mbi tavolinën ovale,
Këtë lexoj më parë s’e vendos dot.
Si në vendet e shenjta ulem e falem,
Letrën ma njollosin ca pika lotë;
Marr të parën mes të tjerash seri,
Shkruar si surrealistët, pa presje, pa pikë.
“Bir, mos harxho lekë pa karar në Veri
Se kemi dhe dasmën e nusja do prikë.”
Po pse të çuan aq larg, o bukuroshi im,
Në ato vise alpine me re e me borë?
Sa bukur do të bëje ti këtu mësim,
Me vjershat do shndrisje si një yll jugor…
Dhe mos m’u përziej me çupëlina,
Thonë se kanë zakone të rrepta atje…
Fytyra e saj më shfaqet dritë-hije,
Trishtimi më mbush syt’ e ulur përdhe…
E sa porosira të tjera më dërgon nëna:
Pranë llafazanëve e nursëzve mos rri
Le të jetë fjala përpara se zëmra
Se ti je, o bir, dhe pak sedërli…
Prej kohësh i mbetur shkrimi në fletë
Si një copëz ëndërre e trishtuar.
Tani që e shikoj me mallë e me dert
E thinjur më ngjan karta, e shfytyruar…
PERENDIM MBI LURE
Sa here vij në Lurë, shpirti mbushet plot.
Një lumturi që kurrë s’e kam ndjerë!
Më duket se çdo gjë që është në këtë botë
Vështron tek unë si kurrë ndonjëherë.
Kaloj buzë liqenit, pemët që përkulen
Më prekin fytyrën me ëndje, plot hare
Dhe urimi i largët i diellit, që po ulet,
Kumbon në ajër si një simfoni e re.
Ulem prek ujin, një perde ngjyrë rozë
Shpërhapet rreth meje, mbi letër zbret ngadalë.
Vargjet fluturojnë si dallandyshet nëpër botë
Dhe ajrin e mbushin zogjtë këngëtarë.
MBREMJE BUZE DRINIT
Pa ditur ende të ankohem,
I njomë si lastar trifili,
Vendit tim i përgjërohem
Nëpër këngë me zjarr bilbili;
Dal shetis nëpër kodra,
Larg veshëve dhe larg syve,
Yjet larg më duken lodra
Si dhuratë e perëndive;
Me gas në shpirt e fishkëllimë
Deri poshtë te lumi zbres,
I flas jehonës tej në brinjë
Mos t’ma pres këmgën në mes;
Nëpër shkrepa mugëtire
Hëna del me ujrat lot,
Një varg i artë më vetëtin,
Ma merr vala dhe s’e kap dot…
DREJT JUGUT…
-nga Lirikat e Veriut-
Për në Jugë po garend treni,
Për në Jugë dhe era shkon,
Për atje vetiu dhe zemra
Pas gjëmimit po vrapon!
Ah, atje vendlindj’e shtrenjtë
Një katund plot bukuri,
Rreth tij pyje, zogj e fletë,
Rretheqark plot hijeshi.
Anës fshatit ngrihet heshtur
Një shtëpi me pak ndriçim,
Brenda fërgëllon pa reshtur
Zemra ime plot trishtim!
Plot ndriçim ngre valët lumi,
Erërat fryjnë jugë e veri,
I shket koha shpejt si plumbi
Gjyshes sime në vetmi!