LEGJENDA E KUMRIES
Kumria kumria
Me atë incizim prerës mavi
Si gjak i piksur përreth qafës së brishtë
E vetmuar dhe
E pikëlluar,
Zbret nga qielli mes njerëzve në trotuar,
Mes tryezave nëpër kafene zbret
Apo tërhiqet në muzg e fshihet
Mes qerpikëve të pishave…
Kuku – ku
Zbret kumria herë – herë
Dhe në parvazet me vjollca të dritareve;
Diç kërkon e do të pyesë…
Ngjitet dhe mbi muret qiklopikë të kalasë
Dhe,trishton…
Kuku – ku
Eshtë shpirti i një motre
Tronditur thekshëm,
Që fluturon i trupëzuar te ky zog
Engjëllor.
Në herladikën e Elbasanit mungon kumria,
Por,në heraldikën e poezisë
Ka qenë përgjithmonë…
Kuku – ku
Fluturon shpirti i një motre
Me perin kaluar qafës së hollë,
Që thurte e thurte me dhembshuri
Një triko të ngrohtë për vëllanë,
Ai pe që dridhej përkëdhelisht
Ndër flokët krela krela,
Ishte për motrën
Përfrqafim ngashërues…
Ah,motra
Kuku – ku
Ishte fejuar ajo dhe gëzonte !
Çelur ishte,e ajthme ishte dhe,
M’e bukur ,
Mërzitej veç herë – herë tek ndërmendte
Se vëllanë do ta linte.
E për të më,s’do përkujdesej,
Me t’u martuar e me t’ikur
Në shtëpinë e re…
Brenda mureve si koracë të kalasë
Kërkëllitën mbi kalldrëmin spërdredhës
Rrotat e një karroje,një mëngjes pa dritë !
Vëllai iku
Kuku – ku
U lëshua motra e përhumbur
Udhëve ;
Peri mbetur qafës së pjerrët
Sa s\e mbyste !
Por, ç’karro e ç’kalldrëm;
Dale dale…
Mos ishin rrotat e një makine
Që fërshëllyen ankthshëm
N’asfalt,një mëngjes xixëllues ?
Vëllai iku
Kuku – ku
Ah,por mos ishte një dallgë përpirëse
Që ndeshej në bash të gomones
Gjithë shkulme e gjëmime
Në një det furtune ?
Kumria
Kuku – ku
Kuku – ku
Motra
Me perin qarkuar qafës
N’udhën që s’të shpinte
Gjëkundi …
Kuku – ku
Motra
Kumria
Kuku – ku
Kush tha se ishin ca turbina uturitëse
Të një avioni që thithi qiejt
E u zhduk ?
Vëllai iku
Kuku – ku
Motra
Me perin në qafë…
1997
ELBASAN
Si rrathët e ferrit dantesk
Kthesat e Krrabës
Ankthshëm zbres.
Poshtë Kombinati Metalurgjik,
Ndryshk gurë dhe shi acid.
Dhe oxhakë të lartë
Që godasin diellin
Si vullkane
Me tym të rëndë shfarosës.
Por t‘ emëruarit poetë zyrtaristë
Vargje thurnin ditë e natë
Për tymin
Dhe këta oxhakë…
Por dhe për lejlekët,që foletë
Tashmë s’i bënin më
Mbi pemët shekullore,
por mbi shtyllat e tensionit të lartë…
Prodhon ky kombinat
Më të çuditshmen në botë,
Markën Çeliku i Partisë !
Nuset e bukura
Me këtë markë
Monstra të frikshme lindën
Me turinj ujku;
Lopët pollën viça me dy koka,
Me katër këmbë zogjtë dolën nga veza…
Smogu i kuq që u përhap
Si flamuri i Internacionales Socialiste,
I thau trëndafilat dhe sytë e dashurisë;
Ullishtat me drurët e spërdhredhur
Si gërsheti i rëndë
I së bukurës së Ditës së Verës,
I pikëlloi dhe hirnosi;
Yllin e Mëngjesit
Dhe kumrien e verbër
I këputi nga qielli…
Hej, Elbasan;
Nisi përsëri nga e para
Këngët e tua të dashurisë!
1990
RRAPI I VOJVODES
Një monument prej bronzi
Apo prej mermeri
Për ty n’Elbasan
Askush s’do të mund ta ngrinte më madhështor se ky
Rrapi gjigant që kreh retë
Dhe sjell një pranverë farfuritëse në mars,
Siç sjell gjithashtu një peizazh të artë
Në tetor, në britmin e dytë…
Këtë monument shtatlartë dhe të gjallë
Shtatëqindvjeçar
S’ta shkuli dot asnjë kundërshtar,
Komandant!
Në trungun e tij si në një bazament të sigurt
Ndodhet një zgavër e thellë rrethore
Dhe e errët si enigma
Që të kujton sa e sheh një grykë të stërmadhe topi
Për të hedhur gjyle të rënda lart edhe larg
Gjyle, sfera të frikshme gjëmimtare
Si meteorë të shkrumbuar që sillnin nga qiejt mikrobe
Si mallkim
Ashtu siç sollën murtajën e ku ta dish ç’tjetër…
Njerëzimin mëkatar për ta shfarosur
Kudo që do të binin…
Nën hijen e rrapit, nën tendën flladitëse,
Gjer edhe karvanet e nisur nga Bagdadi i largët
Ndaleshin të preheshin.
Veç beharnave ndezës, tylrave si mjegull
Shishkave me lëngje magjie, jermi dhe dehës
Shërues dhe eliksirë, vallë ç’prunë tjetër
Këta karvanë të pluhurosur me rërë shkretëtirash?
Mos ndoshta një syzezë
Shkrumb të djegur nga epshet erotike
E cila do të marramendte mbarë qytetin,
Për të shpërthyer në këngë
Dashurish ekzotike të panjohura?
Por ndoshta karvanet nuk sollën një syzezë
Që di të tërbohet e të spërdridhet
Në kërcimet haremike
Si kobra që të josh e të helmon.
Ndoshta karvanet morën një vashë syblu
Leshradiell,
Që rrugën mbrapsht, drejt Skampinit
Kurrë s’e bëri!
Te Rrapi i Vojvodës,
Gjer edhe sot, në Ditën e Verës
Qytetarët artistë t’Elbasanit
Tek këndojnë e kërcejnë në vallet,
Q’erdhën mes diellit dhe hënës,
Presin t’u shfaqet në rreth
Vashëza syblu e legjendës
Flu flu siç shfaqet e tretet një dritë,
Një re lëbyrëse në qiell,
Apo shamia drithëruese n’er’
E valles…
1992
BEZISTAN
Bezistan n’Elbasan
Me një tellall të palodhur mespërmes,
Tenor të përkryer
Që del me dielllin pagan në Pazar
Dhe jep kronikat e ditës
Tek rrëfen dhe ku mund të blesh ç’të duhet…
Është një Bezistan i njëmendtë oriental
Aqsa beson pa mëdyshje
Se e kanë sjellë nga Azia e mëndafshtë…
Ngarkuar pjesë – pjesë mbi karvan
Si t’ishin çadrat e një cirku
Me magjistarë çudibërës
Dhe kafshë të përbindshme emblemore
Tigra pantera luanë…
Eh, Bezistan,
Sa fëmijë rendnin mëngjeseve drejt teje
Të blinin një bugaçe të ngohtë.
Sa vajza të reja i panë vallë
Ëndrrat e tyre flakëruese :
Fustanin e bardhë nusëror si paprekshmëria,
Madje pajën të tërë,
Çarçafë si re, jorganë e vilarë pa fund basmash
Përplot lule si pranvera,
Sjellë gjer edhe nga Japonia
E tejlargët…
Të gjitha të gjitha te ty
I panë Bezistan vajzat e bukura
Nga ëndrrat me dasmat dhe krushqit
Mes vajit të gërnetës dhe lotin
Zehersheqer të nënave…
Plot bereqet Bezistani aqsa një çast
Besoje përnjëmend se varfëria asqë ekzistonte …
Plot gëzim të rrëmujshëm Bezistani
Me matrapazë zanatçinj sarafë e sarhoshë
Gjithfarësoj gjithfarësoj…
Akçinj e njëherësh tellallë pas mallit të tyre
Tepsi e sahanë me pirgje pilafi,
Mbi të cilët nguleshin si grushte kofshë gjelash;
Kabuni me qafë dashi, me kanellë e stafidhe,
Kuze të thella me çorbë paçë e groshë,
Pirgje të tjerë të vërtetë, pastaj
Me beharna pikantë, spec i kuq e piper i zi,
Rigon e nene, shafran narden e pistil,
Qypa me vaj ulliri e gjalpë djathë e gjizë
Gjithashtu në pirgje konike.
Pas tyre shitësit e palodhur
Çdo herë me qeleshe të bardhë
Poshtë së cilës fusnin paret…
Në fund gjëja e gjallë,
(pa përfshirë sigurisht njerëzit …)
Keca e qinjgja lopë e derra
Kuaj e gomarë që hingëllinin e pallnin të dalldisur
Në pikë të diellit…
Por edhe pula hini e të kuqe, rosakë gushylberë,
Pata si ndrikulla e gjela deti të gufuar,
Që kakarisnin e gagarisnin në kor si në përralla…
Eh, Bezistan n’Elbasan,
Ç’ngasje e ç’yshtje e pandalshme
Për të hyrë te ty tejembanë tejembanë…
Mes zhumhurit dallgëzues
Gjer tutje ndër shtëpitë dhe rrugët er qytetit.
Si të mos hyje te ty, Bezistan
E të mos përlaheshe nga gazmendi!
Prej teje askush s’dilte pa gjësendi,
Te ty çdo ditë kishte bamirësi!
Mes fshatarëve që zbrisnin të shisnin
Gjeje dhe gjuhëtarin mitik
Konstandin Kristoforidhin
Që grindej enkas me ta tek i ngacmonte,
Që të mësonte prej vetë gojës së tyre
Formula të panjohura
Sharjesh mallkimesh dhe urimesh
Të gjitha të shprehura në dëshirore.
Herë – herë në mesin tënd, Bezistan
Vetë Simbad Detari shfaqej,
Djaloshi i pashëm rebel
Me çallmën e lartë
Me diamant rrëzëllitës në ballë
Si sy qikllopi që e mbronte.
Ky s’është thjesht vegim i çmendur;
Gjithë dekori përreth e mirëpriste Simbadin…
Dhe ja, në Bezistan
Gjithë shqetësim prej krijuesi
Shfaqej dhe ashiku shik Isuf Myzyri!
Zoti vetë e zbriti nga qielli
Mes rrezeve drithëruese të diellit
Si telat e violinës së tij…
1992
SHKUMBIN
Një libër me lirika për Shkumbinin
Poeti intimist shkroi gjithë mall.
Mbi ujë tashmë tek shtrij vështrimin,
Çdo valë që feks për mua është një varg.
Fusha ndanë zallit , male më tej,
Fshatra fshehur mjegullash diku…
Shkumbon Shkumbini;
Shelgjet brigjesh
Si shatërvanë derdhen, dridhen flu.
Ah, lumë përplot rima të stërkalta,
Që mugesh dimrit, pranverës qesh e ndrin.
Si rrjedha jote ,
Këngët rrjedhshin,
Shkumbin
Shkumbin …
1973
SKAMPIN
Vitet të tërë, Shkumbin
Kam udhëtuar përkrah
Rrjedhës tënde zigzage
Vite të tërë…
Por veçse një ditë dimri
Me re të rënda që shembeshin
Mbi ty;
Një ditë me vetëtima
Që shkrepnin shkrep më shkrep
Sikur lidhnin polin negativ
Me pozitivin,
Emrin tënd krejt papritur
Ta shqiptova Skampin !
O, thashë i ngazëlluar,
Emrin antik, Elbasanit
Ti ia paske vënë
Skampin Shkumbin …
1975
PUSI QE LAHET VETE
Dy turq e një arab,
Si në përralla
Na ardhkan një ditë e ngritën një xhami
Dhe pranë saj
Një pus të thellë happen,
Te një mëhallë e varfër,
E djegur nga etja,
Këtu,këtu n’Elbasan
Eh,pesëqind vite më parë…
E hapën pusin dhe ngritën xhaminë
Me minarenë gjer te Zoti
Dhe,ikën…
Veglat e vyera të punës:
Mistrinë dhe sqeparin
Në pus i fundosën
Si akt flijimi…
Ato vegla ,ekskluzivisht
Elbasanit i përkisnin…
Shpëtoi mëhalla e këputur nga etja
Dhe besimtarët pastroheshin ritualisht
Që në faljen e namazit të mëngjesit;
Arabi,siç duket,
Kish and prej hidrologu
Si gjithë bashkëkombësit e tij,
Që nxorën ujë gjer n’Andaluzi…
Pusi që ndeshi në shtrat burimesh
Më të gdhirë, kur gjindja ende flinte
Fryhej me ujë gjer në grykë
E më pas shfrehej e në truall derdhej
Ah ç’pus,ligjëronin njerëzia,
Kur nisnin të mbushnin kovat e para,
Ja,i bekuari, lahet vetë…
Kështu pesë shekuj…
Por erdhën komunistët
Dhe pusin me gurë e zunë krejt,
Tek prishën dhe xhaminë pas tij
Pa u menduar dy herë…
S’bëzani veç,kurrkush,
Frikë të gjithë
Kishin nga dhuna dhe dënimet
E të pafeve .
Si kështu ? Besimtari i mirë
Dhe i vërteti,s’trembet
Dhe jetën e jep si martir.
Shqiptarët pragmatistë,që fenë
Lehtësisht e ndërrojnë edhe sot,
Me duart e tyre,kishat dhe xhamitë
Ngado q’ishin i hodhën përtokë…
Ah, pusi që lahej vetë…
Shtatëmbëdhjetëvjeçar,unë atëherë,
Për vendin e vetëm në botë,
Ku feja ndalohej me ligj rreptësisht,
Një poemë entuziaste shkrova;
Çmim të parë për të m’akorduan
Në konkursin kombetar të radhës…
Ah,pusi…
Veç parave të thata,me dhuruan
Tri vepra t’Enverit,sa ç’ishin shtypur
Me gjasë n’atë kohë…
Më dhanë dhe një stilograf kinez
Shtatëqindlekësh ,imitim i Parker –it
Kinse me majë floriri…
Ende sot këtë poemë
Ma kujtojnë e ma lëvdojnë pa drojë
Kolegët e mi,tashmë të moshuar.
Si të mos e lëvdojnë ? Ata vetë
Në krye të turmave marshonin
T’hidhnin në zjarr
Të parët Librat e Shenjtë …
Ah,pusi që lahesh vetë…
Mes gërvimës së çikrikut
Që ngjistezbriste kovën,
Drama njerëzore dëgjoje,krime po se po,
Tradhti gjithfarsoj e thashetheme pa fund…
Nga goja e grave që mblidheshin te ty
Siç mblidheshin gratë dhe te kroi i fshatit…
Ah,pusi…
Në mbyllje të ditës,në vend t’ujit,
Mbushur ishe me mëkatet e njerëzve,
Ndaj,siç duket,vetëlaheshe n’ag
Plot shpërthime shkulmesh që s’mbaheshin.
Ta prishën shtëpinë e Zotit
Që kishe pranë,por sakaq
Uji yt ishte shenjtëruar,
Pusi që lahet vetë…
1992
Komentet