Fotografia e fundit e Liridonë Ademaj
Pak histori për origjinën e nënës Zyrafete të Liridonës:
Origjina familjare e Zyrafete Ademaj, nëna e Liridonës, vjen nga familja Meshi nga Kusuri i Hasit, e arratisur nga Shqipëria në Kosovë, në vitet `50-a. Kjo familje, fillimisht, u vendos në Podujevë dhe që andej u bart në fshatin Lubozhdë, për t`u vendosur, më vonë, në Banjë të Istogut, Ganiu me familjen e ngushtë, njëri nga djemtë e plakut Hysen Meshi dhe tre djemtë të tjerë në vendbanimet përrreth. Familje e shkolluar, u punësuan, kryesisht, në arsim, përfshirë edhe vajzat.
Kryefamiljari i Meshëve, me gjithë dyshimin se po ndahej përjetësisht nga vajza e tij e fejuar, në natën e ikjes nga Shqipëria diktatoriale, nuk deshi ta linte -fjalën peng- dhe lëndimin e miqëve. Vajzën e dërgon, fshehurazi, në familjen e të fejuarit. “Përhajr të qoftë çika jeme, mik i nderuar”, dhe lotët i rrëshqitën faqeve, nga kjo ndarje e trishtë!
Dhe, vetëm pas 45 vitesh, vëllezërit do të takoheshin me motrën, por, jo edhe babai, tashmë, i amëshuar! Ndërkohë që, UDB-a dhe Sigurimi kriminal shqiptar, pavarësisht zënkave në mediat eterike, bashkëpunimi i tyre ka qenë i përhershëm dhe gjithmonë në dëm të shqiptarëve, në të dy anët e kufirit, që therte si heshtë zemrat e shqiptarëve.
Familja Meshi e mbetur në Shqipëri, me dajallarët e tyre të fisit Paci, u goditën rëndë nga regjimi fashizoid-stalinist i Enver Hoxhës. Një i ekzekutuar me plumb zyrtar, një i varur dhe 150 vjetë burg politik të vuajtura. Në vitet `70-a dhe `80-a kemi vuajtur burgun e Burrelit, me njërin nga anëtarët e familjes të martirizuar Meshi.
Në Luftën e Kosovës, dy djemtë e familjes Meshi, Bashkimi dhe Afrimi, në Lubozhdë të Istogut, në përleshje ballore me policinë serbe, ranë dëshmorë. Ende -pa dhënë shpirt- ata, vëllai i tyre, Kujtimi, fyta-fytas, i rrëmben armën policit dhe i vret dy policët. Një hakmarrje dhe shpagim i përflakshëm, pa një rast të dytë në Kosovë! Ai me dy kunatat e veja, i rritën, edukuan dhe shkolluan të 6 (gjashtë) fëmijtë bonjakë, të dëshmorëve të lirisë.
Nisur nga kjo lidhje e tërthortë, sapo mësova për monstrumët vrasës të Liridonës, shkrova se trupi i pajetë i Liridonës të zhvendoset nga varrezat e Cërmjanit, për t`u rivarrosur në fshatin lindak Rracaj. Jo pse fshatrat kishin 25 km., distancë, por nuk kishte asnjë kuptim që Liridona të prehej atje, së bashku me jetëmarrësit e saj kriminelë brutalë.
Komunikimi ngushëllues me familjen e Liridonës
Ndërkohë, në Facebook, ngushëllova familjen e Liridonës, tashmë, vetëm Ademaj, siç lëshoi porosinë xhentile emërtuese, juristja e diplomuar Doarsa Kica-Xhelili, duke shënuar edhe numrin e telefonit tim. Në mbremjen e asaj dite, me telefonoi Leonardi, vëllai i Liridonës: “Kemi kërkuar nga Prokuroria zhvarrimin e Liridonës në varrezat tona”,- më tha ai. Ishim të një mendje që vendin e hakmarrjes, ta zejë drejtësia, me besimin e një trajtimi korrekt ligjor.
Çështja e dy fëmijëve të Liridonës, një brengë që brenë, për gjyshërit Ademaj. Pasja e tyre në përkujdesje, lehtëson dhimbjen, sikur ta kenë gjysmë Liridone në familjen e tyre. “Vëllai me familje jeton në Gjermani, tri motrat në Zvicër dhe një në Kosovë. Unë jam i fejuar, prindërit e moshuar nuk mund t`i lëmë të vetmuar. Aktualisht, fëmijtë janë te gjyshërit Murseli, sepse në familjen tonë gjendja është tmerruese, gjithë lot e vajë dhe fëmijtë do ta kuptojnë tragjedinë e nënës së tyre. Zgjidhja e pranueshme e tashme, do të ishte përkujdesja shtetërore suedeze”, – sqaroi Leonardi, përmes dhimbjes të skajshme.
I bashkohem opinionit gjithëshqiptar se vrasja e nusës-nënë, Liridonë Ademaj, është përjetuar dhimbshëm e përvajshëm. Akti i shëmtuar vrastar, i planifikuar ngeshëm dhe me gjakftohtësi sadiste, është shokues dhe unik. Edhe pse krim familjar, përmasa e krimit është e jashtëzakonshme, me veçantinë dalluese, ngaqë skenari është i bashkëshortit, duke paguar dorasin. Asnjë ndjesi për dy fëmijtë e mitur, tashmë, të mbetur bonjakë, pa nënën e tyre të dashur dhe fort përkushtuese në rritjen e tyre.
Rivarrimi i Liridonës – një lamtumirë mortore unike
Si dëshmitar okular, së bashku me familjarët e mi, në rivarrimin e Liridonë Ademaj, shumëçka ishte origjinale në këtë ceremoni mortore, ndoshta, e papërsëritshme, sidomos dhimbja e thellë, e heshtur kolektive, e shprehur me lot e dënesje të përmbajtura, të menaxhuara dinjitetshëm, nga prindërit, motrat, vëllezërit dhe njerëzit e afërt dhe të largët, nga Kosova dhe Shqipëria. Fotografitë e shumëta të Liridonës, një fotogjene me natyrshmëri proverbiale, të cilat rrezatonin mirësi, bukuri, fisnikëri dhe dashuri të pakufishme, me shikimin maxheps, kryqëzoheshin me mijëra sytë e pjesëmarrësve në ceremoninë madhore mortore.
Shumësia masive e njerëzve, në shprehjen e ngushëllimeve, për disa orë radhazi; sjellja e trupit të pajetë të Liridonës, e shoqëruar nga zyrtarët prokurorë dhe policorë; përcjellja e arkëmortit ke varrezat; përgaditja e përkryer e ceremonisë mortore; nxënësit me bluzat uniformë, me fotografinë e ëngjellores Liridonë në gjoks dhe shkrimin -Drejtësi për Liridonën- në shpinë, flisnin më shumë se mijëra fjalë.
Mësuesja Teutë me fjalë prekëse për nxënësen Liridonë
Drejtoresha e nderuar e shkollës së fshatit Rracaj, Teutë Haxhiu, shpalosi kujtimet dhe cilësimet epërore, për nxënësen e saj të shumëdashur – Liridonë:
“U tmerrova për vrasjen e Liridonës. Ende jemi të trishtuar nga vdekja mizore e saj kaq e hershme, e porositur nga njeriu i kthyer në përbindësh, nga një frikacak dhe i pa burrë. Ka qenë vajzë shumë e hareshme dhe shumë e zgjuar. Ka reflektuar gjithmonë pozitivitet. Asnjëherë nuk do të largohet prej mendjes time. Nuk e harroj momentin kur Naimi me ftohtësi, vendosi tre gishta në ballin e saj dhe nuk e përqafoi. Nuk nxori një lot. U thashë kolegëve, si është e mundur që bashkëshorti nuk e përqafon nusen, në këtë ditë, kur ai nuk do ta shohë më?!
Nuk do e largoj kurrë prej mendjes time. Zëri i motrave që e thirrnin: “Liridonë, çohu se ka ardhë mësuesja Teutë!”
Liridonë e dashur, sot në këto momente të rënda, për gjithë ne, kur jemi të detyruar të themi lamtumirën e fundit, krahas dhimbjes së madhe, që na gërryen, e gërryen edhe gurin”, – tha, në mes tjerash, mësuesja e Liridonë Ademaj, Teuta Haxhiu.
Femrat, krijuese të njerëzimit, i përgjakë drejtësia e dështuar
Trajtimi kriminal i grave, deri në vrasjen e tyre, padyshim, është shqetësues, në shoqërinë shqiptare, në përgjithësi, dhe në Kosovë, në veçanti. Trajtimi i grave si -pronë private-, ngujimi i tyre në shtëpi dhe bredhja e shfrenuar e burrave, pa dhënë llogari askujt, madje as bashkëshorteve të tyre, ndaj të cilave, me rastin e kurorëzimit kanë marrë obligime, madje me nënshkrim, kur bëjnë atë deklaratën e famëshme, të përbotshme, për besnikëri dhe përkujdesje reciproke, para personit zyrtar dhe, të paktën, në prani të dy dëshmitarëve.
Krimet ndaj grave, femrave, krijuese të njerëzimit, gjinisë së bukur e hyjnore, të shprehura në shifra, në Kosovën tonë, të memëzi pame të lirë, janë jo vetëm shqetësuese, por edhe tmerruese. Rasti kulmor tragjik, siç është vrasja sadiste e Liridonës, shton dozën e krimit, sepse përfshihen njerëz nga politika dhe me uniformën zyrtare, të cilët janë të thirrur për mbrojtjen e qytetarëve dhe të Atdheut-Kosovë!
Dështimi i drejtësisë në mbrojtjen e femrës-nënë, madje edhe atëherë kur është denoncuar dhe kërkuar mbrojtja nga organet përkatëse, krimi ka ndodhur. Për çudë, edhe pse krimet ndaj grave janë përsëritur, nuk janë marrë në përgjegjësi organet e thirrura, për mbrojtjen e tyre, nga partnerët kriminelë!
Amnestimi i kriminelëve, inkriminon shoqërinë kosovare!
Pyetja e shtruar nëse besojmë në veprimin dhe gjykimin e drejtë, ndaj kryersve të vrasjes të Liridonë Ademaj, pavarësisht lidhjes së tyre politike, duhet pritur rrjedhën e mëtejme të procesit në hetim e sipër. Fillimi i këtij procesi hetimor e zbulues, është premtues, falë veprimeve amatoreske në kryerjen e krimit dhe të fshehjes së tij. Për rastin në fjalë, drejtësia është vënë nën llupën e opinionit të gjerë. Por, përvoja e hidhur në bërjen e drejtësisë, të pas çlirimit të Kosovës, nuk na liron nga skepticizmi dhe zhgënjimi i mundshëm.
Në Kosovë, sikur nuk mjaftuan krimet masive të pushtuesit serbo-sllavë, me vrasjet dhe masakrat numerike. Lufta për pushtet dhe para, e disa “biçim komandantëve”, të instruktuar nga oficerët-mbeturina të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, hapi një front të dytë, luftimin e egër të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Me përkrahjen logjistike e njerëzore të Tiranës zyrtare social-komuniste, përndoqen, burgosen, dhe maltretuan, deri në vrasje, në burgjet rurale, në Shqipëri dhe Kosovë, luftë-berësit e FARK-ut dhe veprimtarët atdhetarë, kundërshtarë politikë të komandantëve vrastarë.
Për të pamundësuar ndalimin dhe ndeshkimin e krimeve, komandantët të thirrur në luftën e pabërë, rrënuan sistemin e drejtësisë në Kosovë. Shumë mijëra dosje të krimeve faktike, u arkivuan pa i trajtuar fare, në pritje për t`u parashkruar dhe skaduar afati, sepse pjesë e krimeve serike, ishin edhe komandantët, të cilët, me dajak e plumb, rrëmbyen pushtetin e përgjakur në Kosovë.
Kosova është rast unik në botë, që shifra e vrasjeve politike ndërshqiptare, gjatë dhe pas luftës, tejkalon atë të dëshmorëve, të rënë në mbrojtjen e Atdheut. Drejtësia e pas luftës dështoi në luftimin e krimit dhe të kriminelëve. Dhe, amnestimi i kriminelëve, vazhdon ta inkriminojë shoqërinë kosovare. Bojkotimi, deri në bllokim, të -Vettingut -, nga rrënuesit e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, është kambanë alarmi: “Que vadis Kosovë?!” Sllogani fushator: “Kriminelët dhe hajnat në burg”, u harrua, pa u lëndëzuar fare! E dhimbshme dhe, skajshëm, zhgënjyese!
Andaj, pavarësisht pritjes shpresuese, për jetësimin e drejtësisë, në rastin e Liridonës tonë, tashmë, pjesë dhimbjes kombëtare, zhgënjimi është i mundshëm, siç ka ndodhur me shuarjen e dhunshme të jetëve të shumë -liridonave- tjera, simotra të saj dhe të mijëra krimeve të pandeshkuara, përgjatë 23 viteve të shkuara.
Megjithatë, shpresa vdes e fundit, na ngushëllon urtësia.