LIRIA
O shqipe, o zogjët’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maje?
Mbi bjeshkë t’ thepisuna e n’ ograjë,
Ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokund, kah fluturoni
Ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!
“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah Malcija.
A ka lirim ky dhé qi na shklet kamba,
A veç t’ mjerin e mblon anë mb’ anë robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çilet lama,
Siellju maleve përreth qi ka Shqipnia,
E vështroje ku i del lirimit ama.
***
V
Lirin’ e keni ju! Na hekra kemi.
Na terr e njegullë deri në dit’t ma të vona;
Na pa emen kerkund, pa atdhe; na jemi
Sherbtorët e të huejve neper vende tona.
Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’ dona.
Ahte t’ ankueshme neper buzë polemi
Vaj e mjerime qet këjo tokë e jona.
E kot duhija e trimenis malcore
Neper fusha të molisuna plandosi
Si kokerr rrfeje prej nji rêje lëshue.
Çuditë prei peshës së nji pushtedes mizore,
Kot Dukagjini e Skanderbeg fatosi
Shpupurisin nder vorre eshtna të harrue.
VI
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqiptaria:
Lodhun prei hekrash që mizori i njiti,
Lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
Shpreson me e zgjue fluturim mënija.
E këqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija
E lirimit t’ Atdheut; mshehtas shëtiti
Kësoll’ për kësollë rreth buneve e soditi,
Frymë të re tue shprazun për gjithkahna, hija
E Skanderbegut. Qé ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmënin’ ushtore
E idhnim n’armikun nëpër gji ju qisin.
E nalt, nder maje, bukuri mbretnore,
Hapi flatrat e mnérshme qi pershndrisin
Me thoj t’ harkuem Shqypeja Arbënore.
Shenim nga Fritz Radovani: Kjo poezi e Don Ndre Mjedjes, asht shkrue në vitin 1911…
Mungesa e studimit nder shkollat Shqiptare të Figurave të Mëdha të Letersisë së Veriut,
po sjellë si pasojë ngjarjet e ditëve të fundit.
Melbourne, 3 Shtator 2017.
Komentet