Procesi i helenizimit të jugut të Shqipërisë po ecën me hapa të shpejta. Dalja e tabelave rrugore të shkruara në greqisht dhe shqip, është thjesht një “aksident” prej të cilit vështirë të shpëtojë pala shqiptare. E shumta do të ndërrohet vendi i shkrimeve. Përpjekjet për të zyrtarizuar gjuhën greke nuk janë të sotme. Organizata Omonia e ka ngritur këtë problem në muajin gusht të vitit 2008, duke kërkuar hapur njohjen e greqishtes si gjuhë të dytë në Shqipëri. Këtë e quan detyrim të qeverisë shqiptare, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkruar si palë edhe Tirana zyrtare. Athina vetëm kërkon, përherë në sulm, duke u kapur rreth çështjes së minoritetit etnik grek në Shqipëri, nga minoritetet më të mirëtrajtuara në botë.
Greqia nuk njeh për minirotet qindra mijëra shqiptarë të mbetur brenda kufirit grek, për shkak të vendimeve të Kongresit të Berlinit, 1878, dhe të Konferencës së Londrës, 1912-1913. Shqipëria detyrohet të qëndrojë gatitu për rreth 30 mijë minoritarë grek, që mund të jenë me banim brenda territorit shqiptar. Për këto dhe arsye të tjera, populli shqiptar është viktimizuar nëpër shekuj, për shkak të urtësisë dhe përçarjes, për shkak të mirëbesimit dhe paditurisë së tyre. Shqipëria etnike, para ardhjes së turqve në Ballkan, zinte një sipërfaqe prej rreth 90.000 km2. Por nga ai moment, asaj iu mbyllën Portat e Europës për gati 5 shekuj. E shkatërruar dhe e plaçkitur, mbi të fshikullonin shpatat dhe flakët e luftës. E denigruar në aspiratat e saj kombëtare dhe në gjuhë, djemtë e saj rekrutoheshin për të luftuar në beteja, të cilat jo rrallë ktheheshin në luftëra vëllavrasëse. Jo vetëm kaq, por Turqia ka ndihmuar në tkurrjen e territoreve shqiptare, në favor të fqinjëve ballkanikë. Pas luftës së vitit 1876-1877 me Rusinë, qeveria osmane dhuroi në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit, rreth 25.500 kilometra katrore nga sipërfaqja e tokave shqiptare.
Helenizimi gradual i banorëve shqipfolës të Epirit është një ndër shkaqet e cungimit të trojeve shqiptare. Ky process u intensifikua, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë, kur administrata dhe kisha ortodokse greke, nisën një fushatë sistematike për këtë qëllim. Duke i dhënë rëndësi përherë e më shumë faktorit fetar, në vend të atij etnik, ky proces ka përparuar me hapa të shpejtë. Mjafton të citojmë artikullin e botuar, më 7 maj të vitit 1853, në “Theatis” [Spektatori], ku thuhej: Është e sigurt se vetëm fakti i aneksimit të viseve shqiptare në mbretërinë greke, së bashku me vendet që varen prej tyre në mënyrë të natyrshme, Thesalinë dhe Maqedoninë, do të bëjë që elementi i krishterë të fitojë karshi elementit myslimanë një epërsi të tillë, që do të sjell si rrjedhim zhdukjen e çdo mundësie antagonizmi ndërmjet dy feve. Në çastin e vet aneksimit do të ketë aty 3 milionë të krishterë, karshi rreth 900 mijë myslimanëve, ndër të cilët duhet të llogariten që ka mijëra kriptokristianë [Persona që kanë ndërruar besimin, por që ende shpirtërisht vazhdojnë të jetojnë si të krishterë]. …Në Lindje, me përjashtim të sllavëve, çdo njeri që ka fenë e grekëve, është duke u shkrirë në kombësinë e madhe greke… Feja u mësohet greqisht… Gjuha greke, si gjuhë e kultit, është një nga elementët kryesorë të shkrirjes. Çdo banor në Lindje, që dëshiron të marrë mësim, është i detyruar të fillojë nga mësimi i greqishtes, gjë që shpjegon ekzistencën e shkollave të mëdha greke, jo vetëm në Shqipërinë e Poshtme, por edhe në Gjirokastër, Berat, Elbasan dhe në Ohër…Po të kemi parasysh që njerëzit në këtë gjuhë mësojnë, i falen Zotit, shprehin me shkrim mendimet, kuptohet lehtë se kjo e bën për vete të gjithë qënien morale të tyre, i transformon dhe i bën një me atë kombësi, shprehja më e gjallë e së cilës është gjuha. Ky efekt i gjuhës do të ishte edhe më i madh kur Shqipëria t’i aneksohej Greqisë, pasi do të mbulohej me shkolla të shumta dhe më mirë të organizuara. Përveç kësaj, një mori kushtesh të tjera shoqërore e politike do të nxitin këtë lëvizje dhe do të shumëfishojnë mjetet e shkrirjes. (“Theatis”, 7 maj 1853, f. 11-21).
Goditja e kombit shqiptar e ka zanafillën në planet e thurura në Patrikanën greke të Stambollit, ku servilizmi i klerikëve fshihte poshtë veladonit, planin e copëtimit të Shqipërisë. Për të fituar besimin e perandorëve turq, Patrikana ka bërë një punë të madhe për shuarjen e lëvizjeve kryengritëse të shqiptarëve kundër kësaj perandorie. Në një letër që i dërgon kadiut të Filatit, në emër të Padishahut, Shën Kozmai, një prej atyre që ka punuar me shumë zell në këtë drejtim, shkruan: “Unë, imzot, si i krishterë i padenjë dhe shërbëtor i sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për t’u mbushur mendjen të krishterëve, të ruajnë besën e Zotit dhe t’u binden urdhrave të Sulltanit, siç kam porosi edhe prej Patrikut e prej të parëve të Kishës”. Ai shkruante: “Pushteti turk është më i mirë se çdo pushtet tjetër. Turqit na lanë të lirë fenë dhe vetëqeverisjen, na lanë tregtinë dhe shkollat, gjë që nuk e bënë francezët e as venecianët. Prandaj Zoti ua hoqi pushtetin të krishterëve dhe ua dha turqve, për të mirën tonë”.
Në të vërtetë, dekada më pas, ndjekja e shqiptarëve prej trojeve shekullore ishte e tmerrshme. Në vitin 1611, peshkopi grek, Maksimi i Peleponezit, mallkoi kryengritësit shqiptarë nga Paramithia, dhe kreun e tyre, Dionisin, për faktin se guxuan të ngrenë krye kundër pashait të Janinës. Të njëjtin veprim kreu edhe patriku i Stambollit, Grigori V, i cili e mallkoi dhe e shkishëroi kryengritjen antiosmane të shqiptarëve.
Ndihmesën osmane në favor të helenizimit, e shpreh mjaft qartë Sevasti Qiriazi: “Mund të duket e çuditshme, por është realitet që pushtimi turk, më 1453, ishte në dobi të Patrikanës greke. Mehmedi II, pushtuesi i Kostandinopojës, duke shfrytëzuar urrejtjen midis Papës dhe Patrikut, u ngazëllye prej faktit që Kishën Ortodokse të Lindjes, ta konsideronte bamirëse dhe mbrojtëse të vetën. Ai i dha Patriark Genadit gradën e pashait dhe nxori një dekret që njihte atë dhe pasuesit e tij si krerë shpirtërorë dhe civilë të të gjitha bashkësive ortodokse. Përveç grekëve, juridiksioni i tij përfshinte të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe sllavët. Me fjalë të tjera, ky dekret perandorak e shndërroi Kishën Ortodokse të Lindjes në një shtet brenda shtetit. Ai e vuri atë nën kontrollin e plotë të grekëve që banonin në Fanar. Që prej asaj kohe, forcat e kishës përdoreshin si armë politike në shërbim të Idesë së Madhe (Megaliidesë), helenizimit të kombeve të tjera të Ballkanit”.
Duke qenë se Patrikana e Stambollit bashkëpunoi ngushtë me krerë të Portës së Lartë, këta të fundit i krijuan mjaft lehtësi, me pretendimin mbi origjinën “greke” të popullsisë shqiptare. Më 26 maj 1881, zëvendës konsulli francez në Janinë, Viet, i raportonte qeverisë së tij: “Kleri i lartë ortodoks, i cili varet nga kryeqyteti osman, ka interesa të shumta, që të krishterët shqiptarë, sllavë dhe vllahë, t’i quajë grekë”. Nga njëra anë, kleri ortodoks grek përpiqej të mbante larg kryengritjeve antiosmane shqiptarët ortodoksë, nga ana tjetër, përpiqej të tërhiqte pas vetes krerët e kryengritjeve, herë pas here edhe duke i raportuar te Porta e Lartë. Ky veprim kryhej jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri.
Diplomati francez, Le Conte, nënvizonte: “Nën sundimin turk, peshkopët e emëruar nga Patrikana e Stambollit në krahinat jo greke, ishin në përgjithësi grekë, që nuk kishin asnjë dashuri për vendin ku kryenin funksionet e tyre. Gjithçka ata e prisnin nga Stambolli, shfrytëzonin së bashku me pashallarët dhe kadilerët krahinën, e cila mbetej për ta një vend i huaj dhe jetonin në marrëveshje të plotë me nëpunësit e tjerë të Portës. Me këtë nuk duam të themi, aspak, se këta peshkopë dhe gjithë fanariotët, e kursenin popullin punonjës grek, se edhe këtij, ata i rripnin lëkurën”. (Shih: Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (Dokumente arkivash franceze vëll. I 1876-1879, përgatir nga Ligor Mile, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1978; Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (Dokumente arkivash franceze vëll. II 1880-1881, përgatir nga Ligor Mile, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1986).
Për të siguruar mbështetjen e Greqisë, për sundimin e mëtejshëm mbi Shqipërinë, Porta e Lartë i dha privilegje të shumta kishës greke, për të hapur faltore ortodokse me orientim grek dhe për të përhapur gjuhën greke, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Me këto privilegje, ajo i dha shansin mbretërisë greke të justifikonte pretendimet e saj më të volitshme, përpara Europës, ndaj trojeve shqiptare, duke përzier besimin me kombësinë, nën parullën: Të krishterët janë grekë, myslimanët janë turq. Kjo u dha dorë qarqeve të caktuara greke dhe sidomos kishës ortodokse, për t’u hedhur në ofensivë, me pretendimin e të qenit grekë, të tërë ortodoksëve shqiptarë. Një sajesë e tillë ka mëse dy shekuj që mbahet gjallë dhe ushqehet dita-ditës, për t’u shndërruar në një realitet, të cilit t’i besojnë pastaj edhe vetë shqiptarët ortodoksë.
Historia, në dëm të shqiptarëve, është tjetërsuar në vite, duke iu përshtatur interesave të fqinjëve, me objektiv: paraqitjen e kombit shqiptar si një pakicë e ardhur në trojet e Ballkanit. Por, për fat, gjenden dokumente autentike që tregojnë këtë shpërdorim, me qëllim zhdukjen e kulturës fetare shqiptare. Një tjetër problem që lidhet me tendencën për helenizimin e Shqipërisë është ai i konsiderimit prej kishës dhe politikës greke, të gjithë ortodoksëve shqiptarë, në jug të vendit, si grekë. Turqit, me të ardhur në pushtet, vendosën parimin fetar si të vetmin që dallonte kombësinë. Të gjithë ata që kishin një fe, për ata ishin në të njëjtën kombësi. Ja pse të gjithë ortodoksët ata i quajtën grekë dhe të gjithë myslimanët turq, kudo që të ishin. Nacionalistët grekë e rrokën menjëherë këtë parim për ta përdorur rënien e Autoqefalisë së Ohrit dhe nëpërmjet kishës dhe patriarkëve të vet synuan, fortësisht, idenë e greqizimit të të gjithë popujve të tjerë të Ballkanit, me devizën – të gjithë ortodoksët të quheshin grekë, ashtu siç thoshin turqit. Shkatërrimi i Mitropolisë së Ohrit dhe arkivave të saj ishte një gjëmë kombëtare për shqiptarët, sepse i hoqi të gjitha barrierat e mundshme fetare dhe historike ndaj furisë së lëvizjeve helenizuese. Shqipërisë së zhveshur nga tradita e një kishe autoqefale – për aq sa qe e mundur deri në ata shekuj – dhe dorëshkrimet e kësaj tradite, i mbeti për të mbrojtur vetëm Shpirti i kombit
Kavtanzoglu: Të mbajmë nën kontroll gjendjen në Shqipëri
Në mënyrë të veçantë, ashpërsia e këtij procesi është vërejtur gjatë helenizimit të Epirit, ku bën pjesë edhe Çamëria. Kjo u bë masive pas vitit 1912, me shpërnguljen e detyruar të shqiptarëve myslimanë drejt Turqisë. Jani Vreto, në ato vite të vështira, thoshte se, “po të vazhdojnë grekët të ngrenë pretendimet e njohura territoriale ndaj Epirit, atëherë do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë që ranë për lirinë e grekëve dhe që kanë kontribuar jo më pak se grekët, në themelimin e mbretërisë greke”. Ndërsa Fan Noli, duke parë qëndrimin armiqësor të fqinjëve, për lirinë e të cilëve shqiptarët kanë dhënë kontribute të çmuara, thoshte: “Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona, janë armiqtë tanë më të këqij”.
Qeveria greke kishte mbështetjen e vazhdueshme të Rusisë dhe Francës, ndërsa në krah të shqiptarëve nuk ishte asnjë fuqi e madhe europiane. Perandoria Osmane kishte perënduar, ndërsa Austria dhe Italia, të cilave u cënoheshin interesat e tyre, ishin në konflikt me njëra-tjetrën.
Në kohën kur kryengritjen antiosmane të viteve 1910 – 1912 u shpeshtuan dhe morën karakter kombëtar, Athina e rriti kujdesin ndaj ngjarjeve dhe punoi për të shmangur pavarësinë e Shqipërisë. Politikani i lartë grek, Kavtanzoglu, më 26 tetor 1911, i shkruante ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Jani Gripari, për masat që duhej të merreshin për të kontrolluar gjendjen në Shqipëri. Ishte koha kur u tentua të nënshkruhej një marrëveshje me Faik Bej Konicën, i cili, sipas Kavtanzoglu, duke besuar se luftohej ndershmërisht kundër një armiku të përbashkët, merrte përsipër të nënshkruante marrëveshjen, ta shumëfishonte atë tipografisht dhe të shpërndante falas fletushkën, ku do të evidentohej marrëveshja e pakushtëzuar midis Greqisë dhe Shqipërisë; të vepronte nëpërmjet miqve të tij dhe të propagandonte te batalionet shqiptare, që ato të mos pranonin të luftonin kundër Greqisë. Aty behej fjalë dhe për shpenzimet, duke caktuar shifra konkrete që nevojiteshin për të korruptuar njerëz brenda territorit shqiptar.
Më 22 shkurt të vitit 1912, në një letër të firmosur nga Koromilla, drejtuar Ministrisë së Jashtme dhe Drejtorisë së Përgjithshme Greke, për problemet politike, thuhej se lartëmadhëria e tij, Mbreti i Greqisë, me kënaqësi e pranon frakën e simpatisë së shqiptarëve për të, dhe se qeveria e tij dëshiron me të vërtetë dhe ndërgjegje të lartë bashkëpunimin, mbi bazën e njohjes së kombësisë shqiptare. Por nisur nga zhvillimet e përgjithshme në gadishullin e Ballkanit, nuk ekziston preteksti për formimin e shtetit shqiptar, sipas dokumentit të hartuar për bashkimin e dy vendeve, sepse këto veprime vazhdimisht konsiderohen të parakohëshme dhe tronditin themelet e paqes. Për momentin, kombësia shqiptare duhet të qëndrojë asnjanëse dhe të jetë kurdoherë konkrete dhe e ndërgjegjshme, që ky ndryshim mund të krijojë shumë probleme.
Sipas tyre, rreziku që u kanosej shqiptarëve të shkëputur nga Perandoria Osmane, ishte i madh, sepse dy fuqi të mëdha fqinje e rrezikonin Shqipërinë, për ta ndarë atë nga Perandoria Otomane, dhe sipas relacionit, ajo menjëherë, dhe në mënyrë të pandreqshme, do të skllavërohej nga një zgjedhë tjetër e huaj. Pra nuk ishte rrezik Greqia, por të tjerë. Shqiptarët duhet ta kenë parasysh se zgjidhja e vjetër apo e re, nuk ka ndryshim për ta, prandaj ata nuk duhet të krijojnë asnjë shkak te më të fortët e tretë, sepse dhe ata do t’i shfrytëzojnë për të njëjtin qëllim. Tani për tani, shoqëria shqiptare, e udhëhequr me urtësi nga bajraktarët e saj dhe drejt lëvizjes, padiskutim të mrekullueshme, të zgjimit kombëtar, duhet t’i mënjanohet provokacioneve të huaja si dhe veprimit të tyre e ndërhyrjes për ta ndarë Shqipërinë nga Turqia tjetër. Energjia e shqiptarëve duhet të inkuadrohet në këto dy drejtime kryesore: a) edukimi me çdo mënyrë i ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, nëpërmjet përhapjes së arsimit; b) nën udhëheqjen e drejtuesve të kombit shqiptar të ndjekim politikën e programuar për sigurimin e të drejtave të kombësive në Turqi.
Më tej në letër thuhej se grekët janë të predispozuar të afrojnë ndihmën e tyre si fqinj dhe të afërm të shqiptarëve. Kjo duhet të bëhet e njohur te udhëheqja shqiptare, ose në analogji duhet të propagandohet te populli i pacivilizuar shqiptar, nevoja dhe interesimi i tij për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me grekët. Sipas autorit të letrës, qeveria greke dëshiron të shikojë të përparuar në çdo gjë kombësinë shqiptare, të cilën e konsideron myslimane. Sipas tyre, ka qenë idea e Faik Bej Konicës për krijimin e një shteti të ri greko-shqiptar, që do të ishte një prototip në situatën e krijuar, e pranuar kjo, dhe nën udhëheqjen e Qeverisë Greke. Në letër thuhej se, po të kishte ndonjë problem tjetër të të çmuarit në drejtim të memorandumit, ose të mbështetjes që shqiptarët mund t’i jepnin Greqisë në rast lufte kundër ndonjë sunduesi, çështja të shihej me përparësi. Ne duhet ta konsiderojmë të vlefshme maksimalisht përpjekjen e shqiptarëve për pajtim, si dhe qetësimin e situatës, thuhej në të. Natyrisht kjo do të bëhej me ndërmjetës, pasi “për ne nuk është mundur të bisedojmë me ta, për këtë dhe atë shkak të politikës sonë kundrejt Turqisë, me të cilën është e pamundur që ne të bëjmë paqe të përbashkët”. Më se fundi, thotë Koromilla, theksoj se, po të nevojiten sakrifica materiale e financiare ndaj sigurimit të bashkëpunimit me shqiptarët, qeveria greke e ka për detyrë të ndërhyjë brenda fuqive të mundshme të saj dhe kuadrit të interesave, dhe brenda këtyre sakrificave unë mundem të parashtroj mbështetje për shkollën e Elbasanit, me kushtin e mësimdhënies në të të gjuhës greke. Dhe nuk mjaftohen me kaq. Në një tjetër letër, datë 20 gusht 1912, dërguar ministrit përkatës, Kavtanzoglu lutet që të miratohen shpenzimet e nevojshme për përhapjen e propagandimin e idesë së Shqipërisë për bashkëpunimin me Greqinë. Nëse pretendimet janë të pranueshme, qeveria është plotësisht e predispozuar që të bëjë sakrifica. Ai i lutet ministrit të ndërhyjë, me qëllim që ambasada të aprovonte sa më shpejt shumën financiare për shqiptarët në Amerikë, që kanë krijuar shoqërinë Vatra dhe që kanë ndikim të fuqishëm në Shqipëri. Ambasada greke nuk duhej të vepronte në mënyrë të ngadalshme për zbatimin e planit, apo në mënyrë të pavendosur dhe të mos e vështirësojë zbatimin e programit. (Κοσμα Θεσπρωτου και Αθανασιου Ψαλιδα, Γεωγραφια Αλβανιας και Ηπειρου, εξ ανεκδοτου χειρογραφου του Κοσμα Θεσπρωτου και γεωγραφικους χαρτας του…Προλεγομενα και σημειοσεις, Αθαν. Χ. Παπαχαριση ‘Εκδοσεις “Ιωαννινα”, 1964 (Kozma Thesproti dhe Athanasiu Psalidha, Gjeografia e Shqipërisë dhe Epirit, dorëshkrim i Kozma Thesprotit me skica topografike dhe harta gjeografike. Parathënia dhe shënimet nga Athanasios H. Papaharizu, Botimet Janina, 1964, f. 3-40. Kozma Thesproti, Plotësim i përshkrimit gjeografik të bërë nga Athanasiu Psalidha për Epirin dhe Shqipërinë, Libri II (Përshkrimi gjeografik i Shqipërisë: Kufijtë), Janinë, 1964).
Ikonomi Jerothe: Hapja e një gjimnazi në Përmet, garanci për helenizimin e jugut tëShqipërisë
Politika greke u ka kushtuar dhe vazhdon t’u kushtojë shumë rëndësi hapjes së shkollave greke dhe meshimit në greqisht. Ofensiva e tyre intensifikohet në momente të veçanta historike. Kështu, në fillim të shek. XX, kur u shtuan përpjekjet e shqiptarëve për dituri dhe autonomi, u aktivizuan gjerësisht qarqet antishqiptare të Athinës. Krahas politikanëve, edhe gazetat greke i bënin apel qeverisë helene të merrte masa të shpejta për të parandaluar krijimin e një shteti shqiptar të pavarur. Gazeta “Panellinios” shkruante se qëllimi i shqiptarëve ishte të ngrinin sa më shumë çeta, të kapnin qendrat më të rëndësishme për ta dhe të realizonin vetqeverisjen e Shqipërisë. Autori i shkrimit shqetësohej se çetat shqiptare kishin marrë nën kontroll të plotë trevat e Kolonjës, Përmetit, Beratit, Gjirokastrës e Leskovikut. Nëse ata do të liheshin të lirë, shumë shpejt do të realizonin qëllimin pasi “edhe Janina ruhej nga 700 ushtarë, një e treta e të cilëve ishin shqiptar”. Ndërsa politika zyrtare e Athinës shprehte frikën se me shpalljen e autonomisë së Shqipërisë, grekët dhe në tërësi ortodoksët që banonin në territoret që shqiptarët do t’i përfshinin në shtetin e tyre, nuk do të kishin mundësi të mësonin gjuhën greke.
Gabriel Louis-Jaray shkruante se Austro-Hungaria ishte caktuar përgjegjëse për çështjen shqiptare dhe nëpërmjet këtij misioni synonte të ruante interesat e veta në Ballkan. Ajo i trembej shpërbërjes së Perandorisë Osmane për shkak të rrezikut të shthurjes së perandorisë dualiste, ndaj synonte që otomanëve t’u zgjatej jeta, ndonëse kjo taktikë nuk rezultoi e favorshme për shqiptarët. Rusia mbronte me këmbëngulje popullsinë ortodokse dhe përpiqej të ndihmonte në zgjerimin e trojeve sllave, pavarësisht nga pasojat që binin mbi popullsinë shqiptare. Franca nga ana e vet ruante aleancën me Rusinë, por shprehej pro autonomisë së shqiptarëve në një territor të kufizuar, duke kundërshtuar zgjerimin e Italisë, edhe pse marrëdhëniet diplomatike midis tyre ishin të mira. Ndërkohë shqiptarët vuanin varfërinë dhe tmerrin e luftës, pasi ushtritë e vendeve fqinje kishin pushtuar tërë trojet e tyre. (Gabriel Louis-Jaray, Au jenne Royaume d’ Albanie, (Ce qu’il a été = Ce qu’il est), (Chapitre IX, Conclusion l’Albanie Autonome et l’Europe), Paris: Hachette et Cie, 1914, page, 191-244).
Në kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë dhe Fuqitë e Mëdha kishin marrë për herë të dytë bisturinë në dorë për të “krasitur” thellë trupin e kombit shqiptar, Ikonomi Jerothe i mitropolisë së Korçës, që kryente edhe funksionin e arqimandritit të Përmetit, i dërgoi një letër kryeministrit të Greqisë, J. Theotoqit, ku shprehte shqetësimin për hapjen e shkollave shqipe. Sipas tij, lëvizja për rritjen e numrit të shkollave shqipe në Përmet qe më e dukshme. Ai kërkonte me çdo kusht që të ngrihej një gjimnaz në Përmet, pasi në këtë mënyrë mund të shpejtohej helenizimi për katër rrethe që kufizoheshin me Përmetin, Tepelenë, Leskovik, Skrapar dhe Gjirokastër. Meqë letra ka vlerë për të kuptuar qëndrimin antishqiptar të klerikëve, të cilët emëroheshin nga Athina dhe miratoheshin nga patrikana, po e japim të plotë përmbajtjen e saj.
“Shumë i nderuar Kryetar i Këshillit të Ministrave të Greqisë! Ju drejtohem si drejtues shpirtëror në zonën e Përmetit, i cili ka një pozicion qendror mes qyteteve të asaj ane të Epirit, ku flitet gjuha shqipe, dhe ku agjentë të paguar antigrekë të Austro-Hungarisë e Italisë, kanë bërë për vete shumë muslimanë. Tani, për shkak të lirisë së mendimit dhe të tolerancës së autoriteteve, po punojnë fare hapur për arritjen e qëllimeve të tyre. Në këto kushte, Përmeti është sot i vetmi vend ku mund të mbrohen të drejtat e mëmës Greqi në Epir, në kohën kur Lëvizja Shqiptare priret të zgjerohet, për shkak të përpjekjeve të mëdha që po bën propaganda shqiptare, për të ngritur shkolla shqipe dhe institute për kujdesin ndaj të vobektëve.
Përmeti rrethohet nga katër rrethe të mëdha, të banuara nga shqipfolës: Tepelena, Skrapari, Leskoviku dhe Gjirokastra. Pra, megjithëse ka një shkollë greke me 6 klasë, Përmeti nuk mundet të mbrojë me sukses të drejtat greke dhe të realizojë misionin e tij në një rreze kaq të shtrirë. Udhëheqja e Kishës, e cila deri tani ka vigjiluar duke marrë të gjitha masat për shmangien e rreziqeve të tilla, aktualisht nuk di si të veprojë, pasi nga koha kur i paharruari Anagnostopullos nga Papingji, fali gjithë pasurinë e tij për ngritjen e një gjimnazi në ndonjë qytet të Epirit, ne kemi dërguar letra të njëpasnjëshme, e ndër to, letrën e parë ia dërguam përunjësisht qeverisë suaj të nderuar, nëpërmjet konsullit tonë në Gjirokastër. Aty shpjegonim rëndësinë e posaçme të qytetit tonë, i cili nëpërmjet ngritjes së atij gjimnazi, do ishte në gjendje t’u shërbente më së miri interesave kombëtare dhe të bënte hi e pluhur veprimet e nacionalistëve shqiptarë.
Letrën e dytë ia nisëm Patrikanës së Shenjtë, së cilës iu bashkëngjit një telegram, i nënshkruar edhe nga muslimanët. Këtë telegram ia përcollëm edhe qeverisë suaj të nderuar… Ju lutemi, i nderuar z. Kryetar i Këshillit të Ministrave, bëni ç’është e mundur, që ky gjimnaz të ngrihet në Përmet dhe jo në Konicë. Kjo e fundit banohet nga grekofonë dhe ka afër qytetin e Janinës, ku mund të dërgohen të rinjtë që të studiojnë. Prandaj, i nderuar z. Kryeministër, thirrini urtësisë suaj politike dhe bëni që nëpërmjet gjimnazit “Anagnostopullos”, apo ndonjë shkolle tjetër, të fuqizohet qyteti i Përmetit, i cili nëpërmjet arsimit, mund të kthehet në bastionin dhe në fanarin e helenizmit”.(V. Kondis: Elenizmos tou Voreiou Epeiroi kai elleno-alvanikes scheseis, vëll. I, Athinë 1995, f.143-144).
Jemi armiq të vetvetes
Greqia nuk ka hequr dorë për asnjë çast nga “Vorio-Epiri”. Nëse në Kongresin e Berlinit, u tha se Greqisë iu bë nder i madh duke i dhënë Prevezën, tërësisht shqiptare, nuk mund të miratohej dhënia e Janinës, kryeqendra e Shqipërisë së Jugut. Por Athina nuk u ndal. Punoi për helenizimin dhe atë e realizoi pas 25 vitesh, në Konferencën e Londrës. Aty kërkoi tërë “Vorio-Epirin”, por nuk iu dha. E përsëriti kërkesën në Konferencën e Paqes së Versajës në Paris, më 1919, dhe sërish në Konferencën e Paqes së vitit 1946, po në Paris. Dhe vazhdon ta kërkoj edhe sot. Helenizimi i jugut të Shqipërisë nuk po ndalet, madje ka përparuar në një masë të tillë, sa habitet dhe vet politika e Athinës. Janë hapur një numër i madh shkollash, nëpërmjet të cilave përcillet te fëmijët shqiptarë kultura greke, kultivohet ndërgjegja kombëtare greke, dhe mbi të gjitha zbehja e atdhedashurisë. Programet e këtyre shkollave, sipas burimeve nga institucione përgjegjëse, janë tërësisht të pakontrolluara. Klerikët e përzgjedhur nga kisha ortodokse greke vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Shteti vetëm hesht. Varrezat e ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke, 1940-1941, kanë ravijëzuar vijën Venizellos. Politika shqiptare është pajtuar me çdo hap të hedhur nga politika e Athinës.
Mithat Frashëri, në një artikull të botuar në revistën “Diturija”, nr. 2, korrik 1916, thotë se armiqtë e Shqipërisë, dëmin më të madh na e bëjnë duke përdorur shqiptarët për interes të tyre. Pra “të ligën më të madhe e sjellim vet, duke u bërë vegla e të huajve, e atyre armiqve që na kanë pështjellë si një rreth prej flake”. Më tej ai thotë se nuk është mirë që njeriu të shaj veten e vet, por në këtë rast është fjala për qortim, të hapim sytë dhe të shohim më mirë për t’u shëruar nga kjo sëmundje e rrezikshme. Sipas Mithat Frashërit, tendenca për të gjetur një mik, që të na marrë nën mbrojtje, nuk është dhe aq shpresdhënëse, pasi po nuk deshe veten, nuk ka si të dojë dhe të ndihmojë tjetri. Po të bëhemi të zot e të bashkuar, edhe armiku detyrohet të na respektojë, në të kundërt, ai tenton të zhvasë sa më shumë prej teje. Ajo që thotë Mithat Frashëri 102 vjet më parë, ndodh edhe sot. Qortimet e tij vlejnë në ditët tona për të gjithë ne. Ja çfarë shkruan ai: “Mos rrini si Buda të kënaqur prej kotësisë dhe mefshtësisë suaj; mos u madhështoni pse krihni leshrat dhe dini të vishni kollaro të zbardhura me niseshte. Hyni në prekje me popullin, njihni dhe studioni shpirtin e tij, ndritoni dhe ndihni mendjen e tij. Mos i flisni fjalë të kota, mos i epni mendime të dëmshëm, mos e bëni gjendjen e gjorë më enarshike dhe më të egër nga ç’është. Po shikoni ta zbutni, t’i epni ndjenja njerëzore, parime dhe virtyte shoqërore, ta bëni të butë dhe të mirë, të mëshirshme dhe të dashur”. Mësoheni popullin të shmangi cmirën dhe egoizmin, sedrën e rreme dhe inatin e tij; bëjeni që të dhurojë, të fal, të dojë dhe të mëshirojë; të shkoj me shokun dhe me vëllanë. Me një fjalë të bëhet miku dhe dashamiri i Kombit e i truallit, dhe jo armiku i tij”. (Revista Dituria, nr. 2, korrik 1916, f. në: Mid’hat Frashëri (Lumos Skëndo), Vepra të zgjedhura, vëllimi i parë, përgatiti për botim Uran Butka, Tiranë: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, 2017, f. 366-368).
Vazhdon të thuhet edhe sot se jugu i Shqipërisë është dygjuhësh. Duke bërë fjalë për dygjuhësinë që flitej në Himarë, William Martin Leake, 180 vjet më parë, shkruante se greqisht flitej nga shumë njerëz, italisht nga ata që udhëtonin jashtë vendit dhe gratë flisnin vetëm gjuhën shqipe. (William Martin Leake, Travels in Northern Greece, V. 2, London: J. Rodëell Neë Bond Street, 1835, f.86-90). Pra kuptohet që gjuhët që flisnin banorët ishin gjuhë tregtare, gjuhë të cilat ua kërkonte interesi i punës, dikujt italisht për tregtinë me Italinë, të tjerëve greqisht për lidhjet me Korfuzin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kazanë e Delvinës dhe të Gjirokastrës, me përjashtim të një pakice banorësh me kombësi greke, të ngulitur aty për arsye ekonomike. Edhe sot flasin greqisht shumë shqiptarë, por a janë grek edhe ata? Varet si ndihen, – thotë politika e ditës. Dhe arrijmë deri aty, sa në Himarë të japim certifikata pronësi në gjuhën greke. Vetëm politikë nënshtrimi.
Dhe po e mbyll me dy fjalë. Në një konferencë të zhvilluar, në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, u ndodhëm në një tryzë me dy historianë grekë. Ne po vazhdonim të flisnim për lashtësinë e kombit shqiptar, për Athinën që dikur fliste shqip, për banimin edhe të Kretës nga shqiptarë, për heronjtë shqiptarë të Greqisë, për mite dhe këngë të moçme, për NATO e Bashkimin Europian etj. Ata vetëm dëgjonin. Pastaj, njëri prej tyre tha: Të gjitha janë të vërteta. Ju mbani mitet, mbani këngët, heronjtë, ta gëzoni dhe lashtësinë, ne nuk flasim, veç hapim krahët.
Komentet