SHKODËR/TIRANË – Shqipëria njihet në rajon, por edhe në Europë për pasuritë e saj ujore, ku pjesë e kësaj pasurie natyrore janë liqenet, lumenjtë, liqenet artificialë, etj. Këto janë të shpërndarë pothuajse në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mozaik liqenesh me diversitet bëjnë pjesë liqenet e Lurës, Bleshit, i Shodrës, Ohrit, Prespës, Butrintit, etj.
Anadolu Agency (AA) ka realizuar një vëzhgim në Liqenin e Shkodrës, që i përket dy shteteve, ndarë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku gjithashtu ka marrë edhe prononcimin e ambientalistit të njohur Sazan Guri, i cili flet për vlerat natyrore, por edhe dobitë e tjera të këtij liqeni, si dhe për rreziqet që i kanosen.
Ky liqen i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan ka një faunë të pasur e shumëllojshme e përbërë kryesisht nga shpendët dhe llojet e ndryshme të peshqve.
Guri shprehet se Shqipëria është ndër vendet më të pasura në Europë, sa i përket prezencës së liqeneve dhe diversitetit të tyre, sepse sipas tij nuk ka vetëm një tip liqeni, siç janë liqenet vullkanike, por ka disa lloje liqenesh, si akullnajorë, artificialë, etj.
“Liqeni i Shkodrës është një liqen me një vjetërsi sa vetë populli i Shkodrës dhe nuk i është ndryshuar emri. Ka qenë liqen i lundrueshëm sepse bashkë me Lumin e Bunuës bëhej lidhja me pjesën detare. Rrethohet nga male dhe ndodhet pranë një qyteti që është po aq historik sa vetë liqeni. Për nga vlerat natyrore bën një rregullim të shkëlqyer të klimës, dhe prandaj klima e Shkodrës është e ekuilibruar. Ai ka faunë të pasur, pasi ka malet, ndikimin mesdhetar dhe ka dhe gjerësinë gjeografike veriore”- shprehet ambientalisti Sazan Guri për AA.
Sipas tij për Liqenin e Shkodrës është i rrezikuar nisur nga disa faktorë, ku ai rendit derdhjen në të të ujërave të zeza, pesticidet e tokave bujqësore përreth tij, derdhjen e mbetjeve metalore nga pjesa e Malit të Zi, si dhe peshkimi pa kriter.
Guri ndër të tjera shprehet se: “Ne nuk sillemi mirë me ujin. Liqeni është diçka e bekuar dhe populli pranë tij po ashtu është i bekuar, por në këto vitet e fundit marrëdhënia njeri-ujë ka ndryshuar. E them këto se në këto 20-30 vite, për herë të parë ky liqen ndotet nga ujërat e zeza të njeriut dhe ende nuk kemi një depurator pastrimi të ujërave të këtij qyteti. I vetmi hap i mirë është që në komunitetin e Shirokës është ndërtuar një depurator që pastron ujërat e zeza në këtë komunitet. Ndërkohë liqeni kërcënohet edhe nga një prurje tjetër inertesh që janë pjesa metalore të një fabrike nga Mali i Zi, duke patur ndikim. Është në një kërcënim të vazhdueshëm si nga pjesa e Malit të Zi dhe ajo e Shqipërisë”.
Për të larguar çdo rrezik që i kanoset liqenit në fjalë ai pohon se duhet të shmanget derdhja e çdo ndotjeje në liqen si ujëra të zeza, pesticidet e tokave përreth, apo mbetje metalore. Gjithashtu vlerëson se duhen impiante pastrimi (depurator) që ujërat që derdhen në të të jenë të pastër.
Guri tregon se në Shqipëri ka edhe 625 liqene artificialë dhe sipas vlerësimit të tij kanë një ndikim në jetën e banorëve ku ato gjenden. Këto janë liqene me diga të ndërtuara nga dora e njeriut, që nga koha e Mbretit Zog, por sidomos më shumë janë ndërtuar gjatë kohës së diktaturës. Guri shprehet se këto lloj liqenesh janë vetërregullues, që ndikojnë në klimën, jetën e peshkimit, etj.
Komentet