As shiu i rrëmbyer nuk e pengoi dot të dielën festën për pritjen e Lionel Messit në ekipin Inter Miami. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Rod James, fytyra e re e kampionatit amerikan të futbollit “Major League Soccer” iu prezantua një stadiumi të mbushur plot e përplot me tifozët e entuziazmuar.
“Dua t’iu paraqes numrin 10… Numrin 10 të ekipit ‘Inter Miami’… Numrin 10 të Amerikës. Numrin 10 më të mirë të botës, Lionel Andres Messi!”, njoftoi pronari i klubit “Inter Maiami”, Jorge Mas.
Vetëm shtatë muaj pasi udhëhoqi Argjentinën drejt lavdisë së Kupës së Botës në Katar, Lionel Messi iu paraqit tifozëve gjatë një aktiviteti spektakolar në stadiumin e Majamit.
I veshur thjesht me një bluzë dhe xhinse, fituesi shtatë herë i Topit të Artë eci përgjatë një platforme i shoqëruar nga projektorët e dritave. Atij iu prezantua bluza e tij e re me numrin 10, përpara se t’i drejtohej shkurtimisht tifozëve në gjuhën spanjolle.
“Jam shumë i lumtur që zgjodha të vij në këtë qytet me familjen time, që zgjodha këtë projekt dhe nuk kam asnjë dyshim se do ta shijojmë së tepërmi. Do t’ia kalojmë mirë dhe gjëra të shkëlqyeshme do të ndodhin. Ju falenderoj shumë, ju falenderoj të gjithëve për këtë ditë”, tha ai.
Sipas një personi të afërt me të, klubi saudit Al-Hilal i pati dërguar Messit një ofertë zyrtare për sezonin e ardhshëm me një pagesë rreth 400 milionë dollarë në vit, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
U fol gjithashtu për një rikthim të tij tek “Barcelona”, klubi spanjoll që ai e ndihmoi të fitonte 10 herë në kampionatet kryesore, katër herë “Ligën e Kampionëve” dhe tre herë “Club World Cups”.
Por në fillim të qershorit, Messi njoftoi vendimin e tij për t’iu bashkuar ekipit “Inter Miami” gjatë një interviste me revistën “Mundo Deportivo and Sport”, megjithëse në atë periudhë nuk ishte nënshkruar ende kontrata.