Pasi demokracitë e Atlantikut të intensifikojnë lidhjet e tyre me demokracitë e Paqësorit për t’iu kundërvënë ekspansionizmit të Kinës dhe për të menaxhuar copëtimin e Rusisë, linja e Trans-Paqësorit do të jetë dinamika e së ardhmes. (Bashkëpunimi) trans-Paqësor, ashtu si ai trans-Atlantik, bazohet mbi një koncept që vë theksin mbi vlerat dhe interesat e përbashkëta për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.
Në të njëjtën kohë, kjo është një platformë anti-imperialiste dhe anti-kolonialist për të gjitha kombet e Paqësorit, përfshirë ato shtete që do formohen pas rëniës së Rusisë
Japonia është një nga vendet më të rëndësishme të linjës së trans- Paqësorit, dhe ndikimi i saj do të rritet me rënien e ndikimit të Rusisë. Rusia është një entitet perandorak i dështuar, e cila nuk ka mundur të shndërrohet në një shtet-komb apo në një demokraci të qytetyruar shumëkombëshe. Meqë regjimi nuk është i aftë ta transformojë këtë strukturë të vjetëruar koloniale në një federatë të mirëfilltë shumë-rajonëshe, zgjidhja e vetme e qëndrueshme është shpërbërja e Rusisë.
Kur shteti nuk mundet të ofrojë më siguri dhe stabilitet ekonomik, atëherë qytetarët do të përpiqen për zgjidhje të reja. Dhe të gjithë fqinjët e Rusisë duhet të përfshihen në menaxhimin e këtij procesi historik, duke punuar së bashku për të ruajtur sigurinë ndërkombëtare.
Në Deklaratën e Vankuverit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, më 4 korrik 2023, u theksua se Moska është e angazhuar në “nënshtrimin me forcë, të vazhdueshëm dhe të qëllimshëm të kombësive indigjene dhe pakicave etnike brenda Federatës Ruse, të cilave u mohohen të drejtat e barabarta dhe vetëvendosja dhe të cilat janë subjekt i abuzimive dhe shfrytëzimit, çfarë bie në kundërshtim me Parimet e Helsinkit dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
Shtetet embrion të çliruara nga Federata Ruse mund të rrisin stabilitetin në mjaft rajone të Europës dhe Euroazisë. Mënyra më efektive për të parandaluar çdo ringjallje perandorake nga ana e Moskës është njohja e pavarësisë së të gjitha republikave dhe rajoneve që kërkojnë shtetësinë. Shtetet që lindin mund të kthehen në aleatë të rinj të demokracive perëndimore dhe lindore, qoftë përgjatë Oqeanit Atlantik, atij Paqësor apo Arktikut.
Udhëheqësit perëndimorë dhe lindorë nuk duhet të kenë frikë nga shembja e një perandorie të dështuar, por ta përqafojnë këtë si një mundësi për të luftuar imperializmin, për të intensifikuar bashkëpunimin shumëkombësh, për të hapur tregje të reja dhe për të ndihmuar progresin e demokracive në zhvillim.
Japonia është një shtet kyç në rajonin e gjerë të Paqësorit dhe mund të luajë një rol konstruktiv e strategjik në shpërbërjen e Rusisë. Më 1-2 gusht, në Tokio u zhvillua Forumi i 7-të i Kombeve të Lira të Post-Rusisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa kombeve dhe rajoneve të nënshtruara prej Rusisë. Deklarata e Tokios, lëshuar në mbështetje të pavarësisë kombëtare dhe demokracisë për shtetet e çliruara, u nënshkrua nga shumë anëtarë të parlamentit (te Japonisë).
Kryeqytetet perëndimore duhet të punojnë ngushtë me të gjitha demokracitë e Paqësorit për t’i hapur rrugën bashkëpunimit diplomatik, politik dhe ekonomik me të gjitha shtetet e reja post-ruse. Rajonet dhe republikat në Lindjen e Largët të Rusisë do të kërkojnë lidhje politike, njohje shtetërore dhe investime ekonomike nga jashtë dhe ashtu si shtetet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ato do t’i rezistojnë përfshirjes në perandorinë ekonomike kineze në zgjerim.
Kina do të jetë një sfidë për të gjitha shtetet e Paqësorit, por ambiciet e saj mund të bllokohen nga një koalicion i kombeve anti-perandorake të Paqësorit. Pekini do të kërkojë të përfitojë nga shpërbërja e Rusisë duke shtuar praninë e vet në mesin e entiteteve në zhvillim në Siberi dhe në Lindjen e Largët, apo edhe duke u munduar të rimarrë territoret që u pushtuan nga perandoria ruse gjatë shekullit të 19-të.
Aspiratat ekspansioniste të Kinës do të refuzohen nga shtetet e reja, të cilët nuk do të duan që nga një nënshtrim ndaj Moskës të kalojnë në një nënshtrim ndaj Pekinit.
Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida mori pjesë në samitin e fundit të NATO-s në Vilnius dhe deklaroi se Japonia dhe NATO u dakordësuan për një program të ri partneriteti që do të përfshijë bashkëpunim më të thellë, ndërsa NATO do të rrisë angazhimin e saj me rajonin Indo-Paqësor.
Kjo përbën një pengesë të rëndësishme kundër Kinës ekspansioniste që po zgjeron ndjeshëm ushtrinë e saj dhe agresivitetit të Koresë së Veriut me programin e saj kërcënues bërthamor dhe raketor. Ndonëse Japonia nuk ka plane të bëhet anëtare e NATO-s,
Aleanca po përgatitet të hapë një zyrë në Tokio – e para në Azi – në mënyrë që të lehtësojë konsultimet në të gjithë rajonin. Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka pohuar se “asnjë prej partnerëve nuk është më afër NATO-s sesa Japonia” dhe se “Azia ka rëndësi për Europën po aq sa rëndësi ka Europa për Azinë”.
Kina ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj çdo forcimi të rolit të NATO-s në Azi e Paqësor. Por kundërshtimi i Pekinit, ashtu si ai i Moskës, shpreh, në fakt, se NATO është një organizatë efektive e sigurisë. Të gjitha shtetet e pavarura që lagen nga Paqësori, veçanërisht demokracitë e forta si Japonia dhe Koreja e Jugut, kanë nevojë për një strukturë të ngjashme trans-Paqësore e cila është në gjendje të mbrojë plotësisht sigurinë dhe pavarësinë e tyre.
https://gazetadita.al/linja-e-trans-paqesorit/