Përveç zërit të lindur, kujt ia dedikoni suksesin tuaj si këngëtare?
Suksesi i çdo njeriu ne jete eshte i lidhur me shume aspekte. Ne jeten time si muzikante suksesin tim ia kushtoj talentit, punës, këmbënguljes time të vazhdueshme, pasionit tim për të kënduar, ja kushtoj bashkëshortit tim muzikant, Andreas. Asnjëherë nuk do të arrija aty ku kam arritur pa dashurinë, mbështetjen, inkurajimin dhe kujdesin e tij të përhershëm si dhe familjes sime, prindërve, vëllezërve e motrës sepse të gjithe ata kanë passur pasion dhe vazhdimisht e kanë dashur e dashurojnë muzikën. Nuk mund të le pa përmendur këtu dhe të gjithë ata miq e dashamirës që me kanë ndihmuar dhe inkurajuar pa kushte në rrugen time të bukur, por dhe të vështirë.
Une rrjedh nga një familje që ka vuajtur persekutimet e sitemit komunist. Babai im ka qenë i burgosur politik e për pasojë kam vuajtur ligjet e ngurta të regjimit diktatorial të Hoxhës. Ashtu si shume te tjerë të deklasuar kam hasur pengesa të shumta që kanë lenë gjurmë të zeza të paharruara në kujtesen time. Dua ta harroj cdo gjë nga ajo e kaluar e zymtë, por eshte shume e veshtire te zhduken gjurmet qe ka lene ne qenien tone humane ai system makaber dhe i lare ne krime!.
Çka duhet të ketë një këngëtare e suksesshme përveç zërit?
Kuptohet të dalësh në skenë e të interpretosh përpara publikut të shumëllojshëm e aq më tepër në repertorin operistik, një këngëtari të kompletuar i duhet të kete kombinacionin e shumë cilësive. Zëri i bukur është shumë i rëndësishëm, kultura muzikore, muzikaliteti, intelekti, teknika vokale dhe pamja fizike. Për mendimin tim një këngëtar inteligjent e i formuar muzikalisht dhe me njohuri të mjaftueshme artistike e muzikore është në gjendje të paraqitet në skenë me të gjitha cilësitë dhe të bëjë përvete publikun që më në fund ai është qëllimi i suksesit.
Si i kujtoni hapat e parë kur filluat të këndoni nga largësia e sotme kohore?
Një histori e gjatë…do më duhej të shkruaja një roman lidhur me historinë time dhe të familjes Mezini… Rrjedh nga një familje e vjetër dhe me shume tradita qytetare vlonjate me mbiemrin Mezini. Në Vlorë është shumë i njohur pasi nga kjo familje kanë dalë vazhdimisht njerëz të shquar patriote në breza, por dhe në shume fusha të tjera te jetës. Te gjithë pjestarët e familjes time mund të shquhen për talentin dhe dashurinë për artin dhe muzikën. Unë që e re u dallova për zërin tim të bukur natyral të një sopranoje të ardhshme dhe vetë ne shtepi shpeshherë këndoja dhe imitoja këngëtaret dhe melodi nga operat që dëgjoja në radio. Nuk kam vazhduar shkollë muzike, por jam aktivizuar në aktivitetet e shkollës dhe të qytetit me tradita kulturore te Vlores. Me shumë vështiresi arrita te kem te drejten te studjoj në Konservatorin e Tiranes pasi siç përmenda dhe më lart vuaja nga sëmundja e pashërueshme e biografisë së keqe dhe nuk kisha te drejten te konkuroja si gjithe te tjeret…… Gjatë viteve të shkollës në Konservator gjithmonë jam vecuar si soliste në koncertet me orkestren e Institutit të Arteve dhe shpesh profesorët dhe muzikantët që më rrethonin më uronin per muzikalitetin e për zërin tim shumë të bukur… Mbasi mbarova Konservatorin më emëruan si mësuese e përgjithshme në shkollen fillore të një fshati të largët të Vlorës. Pas shumë përpjekjesh e falë ndihmës së disa miqve të mij që përherë do t’i kujtoj me shumë mirënjohje e respekt arrita të filloj punë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Menjëherë në Teatrin e Operas filluan të më aktivizonin si soliste dhe me ndihmën e Artistes së shquar Edit Mihalit arrita të këndoj me orkestrën dhe mund të permend këtu si debutimin tim veprën e Aleksandër Pecit për zë, kor dhe orkestër të shoqëruar nga balerinët Ilir Kerni e Lindita Ahmataj. Aktiviteti ne Teatrin e Operas dhe Baletit ne Tirane ishte nje periudhe e shkurter pasi ndërkohë linda djalin tim te vetem Edi. Ne ate periudhe gjendja në Shqipëri u bë shumë e vështire ku mungonin gjërat më elementare për të jetuar …ashtu si dhe shumë artistë të tjere dhe unë bashkë me familjen time vendosem te marim rrugën shumë të veshtirë e të dhimbshme të mërgimit….
Çka konsideroni si suksesin tuaj më të madh në muzikë?
Për çdo artist sa herë që del në skenë para publikut është një sukses cfardo lloj i vogël apo i madh. Ka një përgjegjësi, të respektojë publikun që ka ardhur të shpenzojë kohën dhe të argëtohet e kështu që për mua sa herë që dal në skenë është privilegj dhe sukses. Pasi u largova nga Shqipëria, në vitet 90, mund të them se sukses i madh për mua ishte fitorja e konkursit në Greqi për të punuar në Radio Televizionin Shtetëror të Greqise në sektorin e muzikës dhe pastaj po një konkurs tjetër për të kënduar si soliste në Operan Kombëtare Greke dhe më vone në Megaron Muzikis një Institucion Artistik shume presticioz tjetër i rëndësishëm. Gjate kohes ne Greqi kam pasur rastin te jap shfaqje te ndryshme dhe ne shume shtete te tjera te Evropes. Kuptohet ishte sukses per mua pasi arrita të vlerësohem për talentin dhe nivelin tim artistik te shquar në një vend të huaj e pa ndihmën e askujt.
Me ardhjen time në Amerikë, një sukses i madh për mua qe fitorja e konkursit për të kënduar rolin e sopranos në Carnegie Hall në New York City, në Simfoninë e 9 të Beethovenit me orkestrën dhe korin e orkestrën St Cecilias nën drejtimin e Dirigjentit të shquar David Randolph. Në programin e koncertit është cituar se “Lindita ka nderin të konsiderohet si artistja e parë shqiptare të interpretojë në këtë sallë”. Kur e lexova kete mesazh, ndjeva një emocion të veçantë si shqiptare në radhë të parë, por dhe si artiste. Ishte nje vleresim shume i madh per mua.
Kam kënduar gjithashtu në shumë salla te tjera si: të Gjermanisë, Francës, Kanadasë, Finlandë, Egjypt, Qipro, Amerikë dhe kam pasur nderin e fatin të bashkepunojë me shumë artistë të shquar botërorë si: John Dornemann, Loretta Di Franco, Dan H. Marek, Richard Woitach, Vanessa Redgrave, Lukas Karitinos, Vladimir Ashkenazi, Neil Schikof, Ileana Cotrubas, Mikis Theodorakis, Dimitris Tiliakos, Tomas Bagwell e shumë artiste të tjerë.
Si e vlerësoni jetën kulturore në komunitetin tonë kur dihet se këtu jetojnë një numër i madh artistësh e krijuesish të njohur?
Komuniteti shqiptar në Amerikë është i konsiderueshëm dhe mund të them se organizon aktivitete të shumëllojshme. Kam pasur nderin të takohem e të bashkëpunoj me disa artistë shqiptarë të stileve të ndryshme duke përmbledhur ketu të vjetër e të rinj. Ata janë të shumëllojshëm dhe kjo është bukuria e jetës, larmia dha variacioni. Mund të permend këtu se shqiptarët e duan muzikën, por më shume janë të pasionuar mbas muzikes folklorike, pasi është më popullore.
Si këngëtare e muzikës klasike mendoj se publiku shqiptar është më pak i interesuar dhe mbështetës në këtë fushë, por shpresoj e uroj se brezi i ri ndoshta do ta kalojë këtë boshllëk dhe do të jetë më i interesuar për këtë muzikë të kultivuar.
Keni kënduar dhe këndoni në shumë mbrëmje të bashkatdhetarëve tanë në Amerikë, cilën do ta veçoni?
Në të gjitha mbrëmjet që kam qenë ftuar mes shqiptarëve ndjehem kënaqshëm, mirë, dhe falënderoj nga zemra të gjitha organizatat shqiptare që kanë pasur kenaqësinë të më ftojnë dhe publikun që më kanë duartrokitur me dashuri e respekt në aktivitetet e tyre të shumta. Mund të përmend këtu Fadil Berishën dhe koncertet e shumta që kam bërë për të ndihmuar Kosovën në vitet e vështira të luftës për Pavarësi e midis tyre mund të veçoj Koncertin në Kombet e Bashkuara dhe në Katedralen “St George de Divine” në New York City, në bashkëpunim me aktoren e famshme Vanessa Redgrave e shumë artistë të tjerë amerikanë të njohur. Mund të përmend dhe mbrëmjet shumë të këndshme që ka organizuar gazeta “Illyria” për nivel të lartë artistik e kulturor.
Nje rendesi te vecante ka gjithashtu Koncertin me muzike klasike që hapi siparin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë organizuar nga TV Alba Life dhe një grup artistësh, në Manhattan Ishte një koncert shumë i këndshëm dhe me nivel shumë të mirë artistik.Nuk mund te le pa permendur ketu dhe komunitetin e shqiptareve te Bostonit qe me kane pritur me ngrohtesine dhe dashamiresine shume te madhe.
Ku këndoni më me dëshirë, në mërgim apo në vendlindje dhe cili eshte kompozitori juaj më i preferuar?
Kjo pyetje eshte pak e vështirë për t’u përgjigjur per mua, pasi unë pothuajse e kam zhvilluar karierën time si artiste jashtë Atdheut dhe pothuajse publiku shqiptar nuk më njeh. Të vetmit që më njohin janë muzikantët, moshatarët e mi që kemi mbaruar Konservatorin së bashku. Do të kisha dëshirë shumë të kendoja mbas kaq vitesh njëherë në skenën shqiptare, por e shikoj pak të vështirë pasi fatkeqesisht atje mbizotëron përsëri miku dhe mikesha, që kanë egzistuar dikur dhe e kanë marrë me tapi skenën shqiptare. Kudo ku kam kënduar jashtë Atdheut kam qenë më se e mirëpritur nga i gjithë publiku dhe mund të them se jam shumë e kënaqur, ndjehem shumë mirë dhe këndoj me shumë passion. Kompozitorët e mi të preferuar janë te shumte por mund te veçoj Beethoven, Mozart, Pucini.
Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar shqiptarë dhe botërorë?
Këngëtarja që më ka lenë gjithmonë mbresa për nga zëri i bukur,muzikaliteti dhe natyra e saj e një artisteje të vërtetë është Vaçe Zela, ndërsa në botë idhujt e mi janë Enriko Caruso, Maria Callas dhe Luçiano Pavaroti.
A është vështirë të jesh nënë, bashkëshorte dhe këngëtare njëkohësisht, kur dihet se profesioni juaj kërkon përkushtim të vazhdueshëm?
Që të bësh një karierë te bukur artistike në skenë padiskutim kërkon përkushtim dhe shumë favore të tjera…. Në pozitën time duke qenë një nënë vazhdimisht e lidhur me familjen e fëmijën, pa asnjë ndihmë dhe në një kohë që gjatë gjithë kohës së karierës sime kam jetuar jashtë Atdheut perreth 25 vjet, ka qenë shumë e vështirë dhe plot sakrifica. Për mua ashtu si dhe për shumë bashkatdhetarë të tjerë që lamë vendlindjen dhe morëm rrugën e mërgimit ishte padiskutim e veshtirë, pasi na u desh të ballafaqehemi me një botë të re dhe një kulturë të panjohur. Vështirësia bëhet më e madhe kur arrin të konkurosh në majat e botës ku konkurenca është në ekstrem.
Ne repertorin tim mund te permend operat : La Boheme në rolin shumë të bukur e brilant të Mimisë, nën drejtimin e Richard Woitach, Yolanda rolin e Yolandës, Operan “Neda” në rolin e Nedes, Donna Anna an Donna Elvira nga Opera Don Giovanni, First e second lady nga Flauti Magjik e shumë role të tjera. Të gjitha këto i kam arritur me shumë sakrifica që siç e thashë dhe më parë pa ndihmën e askujt, por me zotësine punen e palodhur e kembengulese dhe talentin tim. Koha e mosha bën të vetën….Unë vazhdoj dhe jam akoma në gjendje shumë të mirë vokale dhe kam shumë plane për të ardhmen. Njëkohësisht dua të permend këtu se kam mbaruar dhe jam diplomuar me Master Diploma nga Mannes College of Music in New York City për performancë dhe jam licensuar si mësuese në shtetin e New Jersit dhe aktualisht jap mësim në shkollë te mesme publike.
Cila është ëndrra juaj muzikore?
Endrra ime është të vazhdoj të këndoj deri sa të kem frymën…Jam duke punuar për disa Albume me muzikë të zhanreve të ndryshme. Porsa kam mbaruar Albumin e parë me romanca klasike me piano qe mud ta promovoj së shpejti në New York e Boston. Në planet e mia është gjithashtu dhe shkrimi i një libri për historinë, zhvillimin e evolimin te teknikës vokale.
Faleminderit shumë për intervistën
/ ILLYRIA
Komentet