MEMORIAL: INGRID BERGMAN (29 Gusht 1915 – 29 Gusht 1982)
VOAL – Inkandeshente e quante kritika Ingrid Bergmanin, ose rrezatuese, ose dritëdhënëse, sepse rolet e saj ishin të përkryera, aq të sinqerta dhe të natyrshëm. Një shkrimtar i magjepsur prej saj e përshkruante si “një puhi fshikëlluese mbi kreshtat Skandinaviane„. Ndërsa specialistë të kritikës nënvizoin faktin se fjala e saj përçonte një lloj elektriciteti, ndërsa fytyra e saj kishte një lloj bukurie manjetike të cilën operatorët e Hollivudit e quajnë “bulletproof angles„, që ka kuptimin bukuri që të rrëzon për tokë nga çdo kënd që mund të të vështrojë. Me pak fjalë ylli me origjinë nga Suedia është një monument i kinematografisë botërore. Sytë e saj shprehës me ngjyrë të kaltër, goja me buzë të plota, faqet me mollëza të ngritura, gusha e butë dhe balli i plotë rrezatonin një ndjeshmëri magjike që ndërthurej me talentin shpërthyes dhe kreativ. Për vlerat e saj interpretative, Ingrid Bergman është nderuar tri herë me çmimin Oskar si aktorja më e mirë në rolet kryesore tek filmat “Gaslight„, në 1944; “Anastasia„ më 1956 dhe si aktorja më e mirë në rolet episodike në filmin “Vrasje në linjën e Orient Ekspresin„ – “ Murder on the Orient Express„ në 1974.
Një jetë e përjetëshme pa fund?
Ingrid Bergman, 3 herë fituese e çmimit Oskar, duke luftuar 8 vite rresht me metastazat e kacerit, vdiq 33 vite më parë në shtëpinë e saj në Londër, kur kishte vetëm 2 ditë që kishte festuar 67-vjetorin e lindjes. Në periudhën kur ishte e sëmurë, ajo ka interpretuar dy nga rolet e saj më të fuqiplote: atë të pianistes në filmin e regjisorit të famshëm Ingmar Bergman ‘Autumn Sonata’- ‘Sonata e Vjeshtës’, dhe roli i saj i fundit ka qënë ai i Golda Meier-it, Kryeministres Izraelite, në filmin ‘Një grua me emrin Golda’ – ‘A Woman Called Golda’. Në intervistën e saj të fundit, Ingrid Bergman kishte thënë se ajo nuk e kishte lejuar sëmundjen që t’ia hiqte gëzimin e të shijuarit të asaj që i kishte mbetur për të jetuar. ‘Viktimat e kancerit që nuk e pranojnë këtë fat, të cilët nuk mësohen dot që të jetojnë edhe me praninë e tij, shkatërrojnë edhe atë pak jetë që u ka mbetur.’ Lars Schmidt, një producent Suedez, me të cilin Bergman u divorcua më 1975, ishte me yllin deri në çastin e fundit.
Inkandeshente e quante kritika Ingrid Bergmanin, ose rrezatuese, ose dritëdhënëse, sepse rolet e saj ishin të përkryera, aq të sinqerta dhe të natyrshëm. Një shkrimtar i magjepsur prej saj e përshkruante si ‘një puhi fshikëlluese mbi kreshtat Skandinaviane’. Ndërsa specialistë të kritikës nënvizonin faktin se fjala e saj përçonte një lloj elektriciteti, ndërsa fytyra e saj kishte
një lloj bukurie manjetike të cilën operatorët e Hollivudit e quajnë ‘bulletproof angles’, që ka kuptimin bukuri që të rrëzon për tokë nga çdo kënd që mund të të vështrojë. Me pak fjalë ylli me origjinë nga Suedia është një monument i kinematografisë botërore. Sytë e saj shprehës me ngjyrë të kaltër, goja me buzë të plota, faqet me mollëza të ngritura, gusha e butë dhe balli i plotë rrezatonin një ndjeshmëri magjike që ndërthurej me talentin shpërthyes dhe kreativ.
Ingrid Bergman në filmin ‘Gaslight’
Për vlerat e saj interpretative, Ingrid Bergman është nderuar tri herë me çmimin Oskar si aktorja më e mirë në rolet kryesore tek filmat ‘Gaslight’, në 1944; ‘Anastasia’ më 1956 dhe si aktorja më e mirë në rolet episodike në filmin ‘Vrasje në linjën e Orient Ekspresit’ – ‘Murder on the Orient Express’ në 1974.
Si karakter Ingrid Bergman ishte krejt ndryshe nga të gjitha yjet e Hollivudit. Ajo nuk u ngjitej regjisorëve, ndërsa gjatë pauzave ajo çlodhej duke mbajtur këpucë me taka të ulëta dhe sa më pak grim. Më 1949 ajo ra në dashuri me Roberto Rozelinin (Roberto Rossellini), dhe pati një fëmijë me të përpara se të divorcohej me bashkëshortin e saj dr. Peter Lindstrom dhe të bënte martesën zyrtare me regjisorin e famshëm italian. Kjo ngjarje ishte një skandal për Bergmanin, tek e cila miliona Amerikanë, që ishin dashuruar pas sukseseve të roleve të saj nëpër filmat ‘Intermezzo’, ”For Whom the Bell Tolls’, ‘Gaslight’, ‘Spellbound’, ‘The Bells of St. Mary’s’, ‘Notorious’ dhe ‘Kasablanka’, shihnin tek aktorja simbolin e moralit të shkëlqyer. Më 1949, publiku Amerikan i bëri bojkot idolatrisë dhe roleve të saj dhe sjellja e saj u dënua edhe prej Senatit të SHBA. E detyruar të largohet nga SHBA, ajo kthehet pas shtatë vitesh rishtas, për të mbledhur duartrokitjet e publikut i cili ia kishte harruar ‘gabimet’.
Ingrid Bergman në një skenë nga filmi ‘Casablanca’
Ndërsa ajo e kaloi një pjesë të madhe të karierës artistike në Europë, shpesh herë duke interpretuar role të shoqërive filmike Amerikane, megjithatë lavdia e roleve të saj ishte aq e plotë, se Senatori Republikan nga shteti Ilinois ka hyrë në kujdesën e Kongresit më 1972, duke i bërë një apologji të hatashme aktores për sulmin që 22 vite më parë i ishte bërë në Senat.
Ingrid Bergman ndërkohë i kishte shprehur publikisht ndjenjat dhe filozofinë e saj. Me rastin e rikthimit të saj pas shtatë vitesh në SHBA, ajo që në aeroport kërkoi të binte në kontakt me gazetarët përmes një konference për shtyp, e cila u zhvillua në gjuhët anglisht, suedisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht me të cilat ikona komunikonte lirshëm. Prej asaj konference do të kujtohen këto fjalë të shqiptuara nga Bergman: ‘Kam pasur një jetë të mrekullueshme. Asnjëherë nuk jam penduar për çfarë kam bërë, jam penduar për çka nuk kam bërë. Të gjitha vendimet në jetën time i kam marrë në çast, prandaj ato nuk harrohen kurrë, sepse kanë dashur pak trimëri, një sens aventure por edhe pak humor. Unë nuk mendoj kurrë që dikush ka të drejtë të ndërhyjë në jetën e tjetrit, sikur kanë vepruar me mua. Unë do t’u kërkoja njerëzve që të dinë të ndajnë jetën e aktores nga jeta e gruas.’
Ingrid Bergman me Roberto Rozelinin
Megjithëse pas dy vjetësh edhe martesa e saj me Rozelinin u përmbyt, Ingrid Bergman fitoi të drejtën që të përkujdesej për tre fëmijët që i lindën gjatë kësaj martese: Robertino, Isabella dhe Ingrid, duke mos ndryshuar qendrimin e saj mbrojtës për të gjithë perandorinë e saj, ku futej jeta private dhe profesioni, ku përfshihej edhe mbrojtja që ajo pas ndarjes u bëri filmave të Rozelinit, pas një falimentimi të regjisorit.
Sepse kur ajo kishte rënë në dashuri me Rozelinin, ajo në fillim kishte dashuruar veprën e tij artistike, pra filmat e tij, pasi Ingrid Bergman si dimension të karierës së saj, shihte si domosdoshmëri përsosmërinë profesionale. Rozelini njihej si mjeshtër i neorealizmit, dhe Bergman kishte interpretuar me dëshirë filmat e tij ‘Open City’ dhe ‘Paisan’, sepse Bergman më tepër se për para ndjente nevojën që të përkryhej si artiste. Të kishte para për Bergman nuk do të thoshte asgjë thelbësore. Bile edhe Oskarët për të nuk ishin mjaft, nuk mjaftonin. Nevoja për t’u perfeksionuar bëri që Bergman t’i drejtohej skenës teatrore, Broduejit (Broadway), ku ajo portretizoi Zhan D’Arkën, në dramën e Maxwell Andersonit ‘Zhana e Lorenës’- ‘Joan of Lorraine’, rol me të cilin fitoi çmimin më të lartë të teatrit Amerikan që njihet me emrin ‘Antoinette Perry’. Ajo nuk entusiazmohej as nga pritja e ngrohtë, nga admirimi apo adhurimi që audienca dhe kritika kishte kur ajo interpretonte në krah të Hemfri Bogartit (Humphrey Bogart) tek ‘Kazablanka’, apo në krahë të Keri Grantit (Cary Grant) tek filmi ‘Famëkeqi’- ‘Notorious’.
Ingrid Bergman me Cary Grant në filmin ‘Notorius’
Por edhe shiu i lavdërimeve nuk mjaftonte përsëri për Ingrid Bergmanin. Asaj i interesonte arti dhe nevoja për art të mirëfilltë. Në kërkim tä artit të mirëfilltë ajo u njoh edhe me Rozelinin, të cilit iu drejtua me një letër ku i shkruante: ‘Do të jem gati që të bëj çdo sakrificë mjafton që të luaj në një film ku ju jeni regjisor. Natyrisht regjisori kishte brofur sepse i kishte arritur e mira në derë, dhe menjëherë i përgjigjet se rolin që e kishte paramenduar për t?ia dhënë aktores së famshme italiane Ana Manjani, ishte gati që t’ia jepte Bergmanit, nëse ajo pranonte dhe menjëherë ai dhe
ajo bashkë me ekipin shkuan në ishullin Stromboli të Italisë, për të xhiruar filmin me të njëjtin titull. Pikërisht në këtë ishull lindi edhe dashuria dhe ajo atëherë i kërkoi të shoqit divorcin. Ndërsa bashkëshorti i parë Dr.Lindstrom, një neurokirurg kërkoi që të kujdesej për vajzën e tyre, Pian e cila më vonë u bë një reportere televizive shumë e njohur. Më 1956, ajo dhe Rozelini u ndanë, por ndërkohë Ingrid Bergman kishte filluar një fazë të re të karierës së saj. Ajo kishte interpretuar filmin ‘Anastasia’ me shoqërinë e famshme kinematografike 20th Century-Fox dhe më 1956 kishte
fituar çmimin e dytë Oskar, duke interpretuar një grua misterioze, e cila edhe mund edhe nuk mund të ishte vajza që kishte mbijetuar nga familja e Car Nikolla II, të cilën e shfarosi pushteti bolshevik i sovjetëve. Bergman fitoi çmimin Emmy, më prestigjioz të televizionit në një dramatizim të Henri Xhejmsit (Henry James) të titulluar ‘The Turn of the Screw’- ‘Vërtitja e
një Vidhe’. Më 1958, ajo u martua me Lars Schmidt, një producent suedez shumë i suksesshëm.
Bergman, kryevepër në tri Media
Bergman ishte e përkryer në tre Media: Kinematografi, Televizion, Teatër. Dhe ajo ndonëse nuk pranonte që të jepte argumenta për mënyrat e saj të interpretimit, nuk harronte të shtonte se i shijonte deri në fund që të treja këto mediume: ‘Në kinema, unë interpretoj vetëm për një sy që është kamera e operatorit; në teatër për mijëra sy që përbëjnë audiencën e spektatorëve;
ndërsa në televizion, është mrekulli fare, kur sheh se si thith përqindjen më të madhe të teleshikueshmërisë.’ Ndërkohë sa më tepër që përkryhej profesionalisht, aq më përzgjedhëse bëhej në rolet e saj. Kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore që Bergman iu rikthye edhe një herë Broduejit më 1967, pas 21 viteve mungese, për të interpretuar rolin e një nëne që urrehej prej të birit,
në dramën e Eugene O’Neill-it ‘More Stately Mansions’- ‘Më tepër Kështjella të shkëlqyera’.
Një nga periudhat më të shkëlqyera të Ingrid Bergmanit është kur ajo iu përkushtua komedive dhe dramave të shkruara nga George Bernard Shaw dhe Henrik Ibsen, si dhe roli i një milionereje hakmarrëse në një version të filmit ‘Vizita’- ‘The Visit’, me regjisor Igmar Bergmanin, të cilin Ingrid Bergman e adhuronte. Me rolin në filmin ‘Sonata e Vjeshtës’, ajo u kandidua për të katërtën herë më 1978 për Oskar, duke thënë vetë se ai do të ishte edhe roli i fundit i karierës së saj. ‘Unë nuk dua’, do të thoshte me gojën e saj Bergman, ‘që sëmundja të ma mbyllë jetën duke luajtur role të vogla’. ‘Sepse kjo do të thoshte për monumentin e gjallë që të vdiste përpara se vdekja t’ia merrte shpirtin.
Prologu dhe Epilogu
Ingrid Bergman kur ishte 14 vjeçe
Ingrid Bergman lindi në Stokholm të Suedisë më 29 Gusht 1925. Nënën e kishte nga Hamburgu. Ajo e la jetime tri vjeçe. Duke qenë fëmijë e vetme, Ingrid kishte mësuar të krijonte rrethin e shokëve dhe shoqeve të saja imagjinative. I jati kishte një dyqan fotografësh, dhe duke e adhuruar të bijën i bënte asaj vazhdimisht fotografi. Ndoshta prej të jatit ajo mori mësimet e para
se si të qendronte përpara objektivit të kameras. I ati i vdiq kur ajo ishte vetëm 13 vjeç. Një kohë të shkurtër jetoi tek një teze e pamartuar, ndërsa në moshën 17-vjeçare, meqë Zoti i kishte dhënë si talentin ashtu edhe bukurinë, fitoi një bursë nga shteti për në Shkollën Mbretërore Dramatike. Pasi kishte refuzuar disa herë kërkesat e Hollivudit, më 1939, në moshën 24-vjeçare pranon një rol në filmin ‘Intermezo’ me regjisor David O. Selznick. Pas një suksesi të menjëhershëm, ajo fill kthehet në Suedi, ku e prisnin bashkëshorti dhe vajza e tyre Pia. Por suksesi i filmit ishte aq e furishëm sa që Selznick, ishte i bindur se kishte zbuluar ‘një Garbo të re’. Bergman detyrohet që të rikthehet në Hollivud, për arsyen që e thoshte vetë: ‘Nuk isha unë që e zgjodha skenën, por ishte skena që më zgjodhi mua’. Dhe ajo iu dedikua skenës deri në momentin e fundit të jetës. Të 4 fëmijëve të saj u la trashëgimi artin e saj, që e ka bërë të pavdekshme. Një nga dëshirat e saj të fundit,
ishte që hirin e trupit ta kthenin në Suedi, sepse shpirti i saj nuk ndalet së fluturuari./ELIDA BUÇPAPAJ
Ingrid Bergman në rolin e parë në një film
Komentet