Ajo që “fluturoi” si rrallëkush në tokë, në skenë, qysh dje u nis të fluturojë drejt përjetësisë. Lili Cingu nisi kështu fluturimin e fundit, duke krijuar një pështjellim emocional mbarë popullor si herët në kohë, kur largimi për njerëzit që shoqëria i kishte lakuar gjatë dhe regjistruar për së gjalli në memorien kombëtare, kur sado e rëndë gjendja shëndetësore, lamtumira përjetohet e papritur.
Në këto pak orë që kaluan në natën e fundme, ku mjellma u zhyt pa ndalur në vallen e saj të dhimbshme, nxituan të gjithë të jenë në hapësirën ujore të saj me gjithçka të mundshme, me zemër disa, me mendje jo pak, me komunikime simboleve shumë dhe përkufizime të identitetit artistik të saj. Në këto ditë të vorbullës së përjetimit të lamtumirës, çdo vlerësim në masën njerëzore ka fuqinë e verdiktit përcaktues të vendit që të shquarit zënë në regjistrimin e fundit.
Dhe Lili mori atë që e kishte dëgjuar prej vitesh në çdo mjedis, ku ajo me autoritetin artistik trajtonte lëvizjet magjepsëse të valles së saj që mbledhur vijueshëm ishte jeta e saj. Jo të gjithë të ngjashmit e saj e kanë këtë fund që sado tragjik për mjellmën vet, mbetet i pashtyeshëm në përjetimin publik, që në fundin e pashmangshëm merr dhe duartrokitjet më të sinqertë dhe masive të jetës së saj të gjallë se kjo nuk ka vend në skenën, por eterin e pamatë të frymës së kombit! Lili zbriti dje fizikisht për herë të fundit shkallët e gjëra mbi kolonadën ku shkruhet OPERA, pikërisht ato shkallë që i ngjiti gati 60 vite më parë. Vetë Pallati kishte diçka më shumë se një vit që ishte përuruar dhe skena e madhe e Shqipërisë impononte dhe trupa artistike muzikore më të kompletuara.
Mjeshtri i drejtimit koreografike Panajot Kanaçi filloi ethshëm procesin e përzgjedhjes së talenteve të vallëzimit, që do të krijonin brezin e dytë të vallëzuesve të Ansamblit Popullor. Si esteticien i përkorët, ai zgjodhi ashtu si kish nisur udhëtimin vallëzimi shqiptar etalone që përfaqësonin denjësisht tiparet e racës, temperamentin dhe karakterin që do mishëronte krijimet e tij që vallet burimore i lartësoi në nivel tablosh autentike, por të para me syrin e personalitetit të tij krijues. Koha e centralizuar e pushtetit që kishte parametra siç dihet rigoroze në vizionin e Kanalit dhe mirëkuptimin e shefit të institucionit, grupi shpejt zbuloi elementin premtues, ku spikaste Lili me aftësinë natyrore të vallëzimit dhe ndjeshmërinë e përjetimit.
I ndodhur në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend kam ndjekur rrugëtimin e saj dhe të grupit të ri si shok brezi dhe shumë shpejt si drejtues artistik i institucionit. Jeta në atë kohë zhvillohej në mënyrë të ndryshme, ku gjiri i kolektivit të gruponte detyrohem me të tjerët. Përzgjedhja e miqësive, simpatia për aftësinë më bëri përkrahës së angazhimit të këtij grupi të ri talentesh me mundësitë jo të pakta që më jepte detyra.
Ngjarja më shpërthyese e atyre viteve të mbyllura ishte pjesëmarrja e Ansamblit Popullor në Festivalin e Dizhonit në vjeshtën e vitit 1970. Një shans i jashtëzakonshëm për kohën, një moment që evidentoi Lili Cingun si yllin femëror të së ardhmes së vallëzimit shqiptar. Ishte tërheqja fizike e saj, rinia dhe ajo eleganca e trashëguar nga nëna e thjeshtë dhe e nderuar, që francezi president i festivalit të përzgjedhë figurën emblematike të saj, ku kostumi i Tropojës i stilizuar me shije nga piktori Hysen Devolli, t’i këndonte në trup dhe vallëzim dhe qafa e saj e gjatë ta magnetizonte Mesieur Levavas seur për t’i varur ‘Gjerdanin e Artë’ të fituar nga Ansambli.
Ky veprim mori në jetën e Lili Cingut vlerën e pagëzimit dhe kurorëzimit. Gjithçka më pas erdhi natyrshëm. Largimi natyror i Lefta Mullisit, Medina Lubonjës, Veronika Manos etj. sollën hierarkinë e re të vlerave femërore vallëzuese nëpër dhjetëvjeçarët vijues të Ansamblit, ku Lili Cingu shkëlqeu dhe me Artin e saj ngriti piedestalin e merituar nga ku tashmë shqiptarët këndej dhe andej e kundrojnë dhe do ta admirojnë pambarimisht.
Janë vite të një karriere të gjatë sa gjithë vitet e jetuara deri sot ato që përbëjnë modelin, që la për sferën e interpretuesve artistikë Lili Cingu. Kur doli në pozicionin e parë të solistes valltare, ajo intuitivisht apo dhe e ushqyer nga mentori i saj, mjeshtri i rrallë Kanaçi, iu përkushtua kultivimit të imazhit të saj. Me urtësi dhe punë të shumtë e zhvendosi jetën e saj, studion e mjeshtrit bashkë me partnerin e ri që gjithashtu e gdhendi mentori Kanaçi, fluturuese Rexhep Çeliku, njësoj i urtë, i talentuar dhe i pa zulmtë si ajo. Simbiozë fatlume.
Ata i dhanë ngacmimin krijues Panajotit dhe përfituan prej tij krijimet e dueteve, një gjini tjetër që ndonëse zuri fill me tronditin Idilin Kurbat, që theu dyert e teatrit tonë nën ekzuberancën e Leftës dhe Besimit deri sa u anatemuar nga dashakeqësit që nuk kanë munguar kurrë, u pasua me disa të tjerë të dedikuar çiftit Cingu&Rexhepi. Madje, deri te krijimi i fundit i mjeshtrit kur ai i larguar tashmë nga skena dhe shëndetësisht, m’u afrua në fillimet e ’90-ës, për Festivalin e RTSH, me krijimin e një dueti të ri për ta, por me një frymë të re të krijimtarisë së tij, ku elementi etnik rikrijohej me një kompozim në bashkëkohësi, mbase zgjedhja e re e evolucionit krijues të tij, që nuk mundi ta gjallojë. Sigurisht që u vendos në natën finale të festivalit dhe mbase hera e parë dhe e fundit kur ai krijoi për këtë event.
Individualisht mjellma jonë e ndjeu se largimi i saj nga institucioni për arsye biologjike, ndonëse ajo nuk ishte në zgrip të energjive, nuk ishte vallja fundore e saj. Ajo nuk pati nevojë për institucionin, sepse një institucion i ri e përpiu shpejt e shpejt, Diaspora Shqiptare deri në një vendosje jetësore mes kësaj të fundit dhe atdheut mëmë. Ture, koncerte, festivitete artistike dhe familjare mbushën jetën e saj intensivisht. Nuk na mungonte sa herë që Rexhepi e ndjente se duhet të ishte ajo krah tij, kur personaliteti i saj i jepte një vlerë të shtuar evenimentit të rëndësishëm artistik. Vitet rrodhën dhe u rralluan drurët e pyllit artistik.
E ftuar dhe e respektuar ndodhej në vend, por edhe aty ku zhvillime historike dhe artistike kërkonin mbështetje nga njerëz si ajo dhe të tjerë në vendet jashtëkufitare të vëllezërve sa herë plisi zbardhte dhe flamuri kombëtar valëzonte. Lili Cingu nuk iu dorëzua derteve që nuk iu ndanë, por jetoi me medalionin e suksesit që do ta shoqërojë përjetësisht.