Ligjvënësi Republikan Keith Self i ka adresuar disa pyetje emisarit amerikan, Gabriel Escobar, mbi qasjen e tij ndaj Kosovës.
Sipas Ligjvënësit Self, Escobari po tregohet jokonsistent me deklaratat e tij. Në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, ai ka pyetur se pse nuk po sanksionohet Serbia.
“Dëgjoj një lloj jonkonsistence. Ju keni qenë në anën e Kosovës në çdo moment, kështu thatë. Por, që tani po shohim një qasje më të balancuar. Por nuk ka dyshim që Vuçiqi ka nxitur bojkotimin e zgjedhjeve të Kosovës, nuk ka kurrfarë dyshimi në këtë. Në diçka nuk jam fort i sigurt, më duket se Serbia i ka vonuar pak zgjedhjet e veta për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Kjo nuk është Ukraina, por është në kufi të NATO-s. Serbia dhe Rusia janë të rrethuara nga shtetet e NATO-s dhe kjo mund të jetë më shumë rrezik në kuptimin e përhapjes së dhunës. Nuk jam fort i qartë pse nuk kemi sanksione ndaj Serbisë sot sepse kanë importuar armatim të rëndë nga Rusia që nga viti 2017, që është dashur të çonte drejt sanksioneve në kuptimin e luftimeve të kundërshtarëve të Amerikës me anë të sanksioneve në vitin 2017. Po ju pyes juve pse jo?” ka pyetur ai.
Escobar është përgjigjur se sanksionet për armatimin e shteteve funksionojnë ndryshe dhe për këtë SHBA-ja është në komunikim me Serbinë.
“Nuk është zyra ime që merret me sanksionet. Sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me blerjen e armatimit rus, po të ishte kështu do të kishim probleme edhe me Turqinë dhe të tjerët. Është niveli i blerjeve dhe kapaciteteve teknologjike të këtyre blerjeve. Për këtë kemi vazhduar komunikimin me Serbinë”.
Ndërkohë, Self ka përmendur shkrimin e ish-ligjvënësit Eliot Engel botuar tek FP se Administrata Biden po e përkëdhel Serbinë, duke kërkuar koment nga Escobari.
Escobar ka kundërshtuar duke përmendur se për 60 ditët e fundit administrata i ka dhënë vetëm mbështetje Kosovës.
“Kjo është e gabuar në fakte. Në 60 ditët e fundit kemi qenë në mbështetje të liberalizmi të vizave, anëtarësim të BE-së, Këshill të Evropës, kemi njohur rezultatet e zgjedhjeve, autoritetin e kryetarëve kundrejt kundërshtimeve të Serbisë, kemi sanksionuar shefin e Inteligjencës”, ka thënë.
Në fund, Self ka kërkuar nga Escobari që “të mos lejoni këtë dorë të zgjatur të Rusisë në territorin e NATO-s”.