Në takimin e parë arritëm një rezultat që është i pranueshëm për ne dhe që na mundëson të luajmë sërish me lojën dhe taktikën tonë, tha trajneri i kuqezinjve Akrapoviç
SHKUP- Klubi futbollistik Shkëndija e Tetovës në ndeshjen e kthimit ndaj ekipit azerbejxhanas Nefçi pret fitore në kuadër të raundit të dytë eliminator në Liga Evropa.
“Shpresojmë të përsërisim lojën e mirë në Baku të Azerbajxhanit por kësaj radhe duke shfrytëzuar rastet e krijuara në fushë. Shkëndija është e gatshme për sfidën kthyese”, ishte prononcimi i trajnerit të “Kuqezinjve”, Bruno Akrapoviç si dhe zëvendës kapitenit të skuadrës, Ardian Cuculi, në konferencën për mediat sot në Shkup një ditë para takimit.
Trajneri boshnjak, që drejton pankinën e tetovarëve tha se rezultati 0-0 nga ndeshja e parë është i favorshëm duke shprehur optimizmin se ekipi do të plasohet në raundin e tretë eliminator të garës më masive në futbollin europian.
“Duhet të them që në takimin e parë arritëm një rezultat që është i pranueshëm për ne dhe që na mundëson të luajmë sërish me lojën dhe taktikën tonë. Sigurisht që do të japim maksimumin, që të luajmë futbollin tani më të zakont për ne, me të cilin kemi arritur edhe shumë suksese. Këtu nuk do të ndryshojmë asgjë dhe do të orvatemi që sa më shpejtë të bëjmë rezultat të mirë. Njëashtu, nuk do ti lejojmë kundërshtarit shumë hapësira dhe të na rrezikoj nga kundërzbritjet”, tha Akrapoviç.
Qendërmbrojtësi i Shkëndijës, Ardian Cuculi, është i mendimit se skuadra e tij ka zbuluar anët pozitive dhe negative të azerëve, me shpresë që edhe nesër do të shfaqin futboll kualitativ, i cili kësaj radhe do të kurorëzohet me fitore.
“Kjo ndeshje kthyese është diçka shumë më ndryshe se sfida e parë. Tani i kemi zbuluar anët pozitive dhe negative të kundërshtarit dhe dëshirojmë që të përsërisim lojën e mirë nga takimi i parë në Azerbajxhan. Nefçi është një ekip shumë i mirë, por ne shpresojmë se do të arrijmë rezultat pozitiv dhe ta kalojmë të njëjtin, duke e përfaqësuar kështu skuadrën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme në Evropë”, tha Cuculi.
Sfida kthyese e raundit të dytë eliminator në Ligën Evropa, mes Shkëndijës dhe Nefçit, do të luhet nesër në Arenën “Filipi i Dytë” në Shkup në orën 20:00. aa
Komentet