Berlin, mars 2021
1.
Kisha dëgjuar shpesh ndër vite sintagma të ndryshme: të shkathëta e përtace, kthjellore e marroke, në rendin e vjetër dhe në rendin e ri.
Por më të veçantën që prek kufijtë e absurdit, do t’a dëgjoja verën e shkuar në Prishtinë.
“Ldk-ja ka lidhje organike me Amerikën”, thoshte një medialist i metropolit kosovar.
Po ç’na qenka, vallë, kjo lidhje e çuditshme?
Dhe ndërsa mendoja provincialitetin e saj, do të evokoja vetishëm një rrëfenjzë interesante nga vite të hershme.
Në një institucion a organizatë monokracie të atëbotshme mbahej një mbledhje plot ngut. Propozohej sekretari i paracaktuar i saj që, aty, merrte shteg përpjetë në hierarkinë shoqërore. Por makiazhi sistemor e kërkonte konkurrencën e shpifur.
Dhe, sipas një rregulli, ai që jepte një emër, rëndom duhej të thoshte dy-tri fjalë lëvdate për pretendentin e tij. Por, teksa fliste, kryepropozuesi pati ndjesinë se të pranishmit nuk ishin vëmendësuar gjithaq. Kjo e dekurajoi pak. Ndaj, do t’përmbyllte diskutimin me një vlerësim epik: shoku X. ka qenë gjatë në organe!
E pra, kjo lidhje, mbase, mund të kishte dhe këtë zbërthim: Ldk-ja, me gjasë, paskësh qëndruar gjatë në “organet” ngrohëse të Amerikës…
Mirëpo eksperienca e gjatëndejës në organe, posedon aftësi shërbese dhe për udhëkryqë të tjerë.
Tani kur ajo gjendet në zjarrishtë të brendshme elektorale, kujtova idenë gjeniale. Pse, thashë, të mundohet e digjet në vorbën përvëluese, kur Isai ka ballsamosur qyshkur në shpirtin politik kulturën dhe kujtesën e saj?
Jetëgjatë tek shtrinë ekzistencë në dy shekuj dhe, ashtu, e farkuar n’për stuhira, Ldk-ja do t’a zgjedhë lehtësisht prijësin tejpamës. Në krye e rreth tij do të ulen e ngulen njerëz që, posi shoku X., “kanë qëndruar gjatë (sa gjatë!) në organe”!
Për të mirën e përgjithshme, padyshim!
2
Si mund të ndodh një alternim përfaqësimi kaq i panatyrshëm? Dhe, ndaj, një ndërvegëz e pamundur.
Që Albin Kurti, një antimarikan i thekur, të marrë paqësisht dhe njëj entuziazmi fluturak, besimin absolut për kryeministër nga populli më proamerikan në botë!
Në fakt, kësaj daulleje i bien në unison humbësit e zgjedhjeve dhe humbësit e lojës: në Prishtinë, ldk-ja e shpartalluar dhe në Uashington, Grenelli i frustruar.
E qysh na qenka rreshtuar Isai në anën tjetër të fillit, admirues i vlerave amerikane të demokracisë, kur vrânshëm vjen nga trashëgimi e vjetër bolshevike dhe, në këtë gjurmë, pa arritur të konformohet kurrë, shpall kumtin lapidar: “qytetarët nuk e zgjedhin qeverinë”!
Ku gjendet tjetër, pos në arkën e tij, ky brilant mendimor? As Adolfi i ariozofisë nuk vajti aq larg. Anipse në kulme cinizmi, pohonte se e drejta e qytetarit rrëzon të drejtën e shtetit!
Ndërkaq Grenelli, nga anë e tij, ishte më i padashuri, ose më i urryeri në të gjithë korin diplomatik në Berlin. Kurse në atdhe dëshmoi t’ketë problem dhe me demokracinë. Padroni i tij, ai vetë, ithtarë e ndjekës të tërbuar, i vunë flakën Kapitolit, këtij tempulli të lirisë, vetëm për hirin e një pushteti të errtë. Vota e lirë s’do t’a impresionojë fare. Këtu ngjizet dhe përbuzja e poshtër e votës së lirë në Kosovë: herën e parë – me rrëzim qeverie, e tani – me gjuhë kurthi e pështyme të neveritshme.
Por ja që ngreha e kulturës libertare nuk është vetëm ligj. Është dhe edukatë, ashtu siç ishte në qindvjeçarët vezullorë të Amerikës!
3.
“I afërmi ynë nuk është fqinji ynë, por fqinji i tij: kështu mendon çdo popull”!
Ç’shpjegim i thjeshtë e i hollë, lakonik e i thellë i Friedrich N., mbi dredhkat e gjeopolitikës që kursen qindra faqe fjalëmëdha shkollash akademike.
Është, vallë, sfondi i shkak-pasojës historike a, ndoshta, vetë natyra njerëzore “e lakmisë së mistershme”, që ka ngjizur një përceptim të tillë?
Mund t’jenë pleksur të dy arsyet bashkë, dhe, vërtetë, kroatët kanë miq shqiptarët e jo serbët, kurse këta të dytët janë miq të grekëve e jo të shqiptarëve, e shqiptarët, mbanë tjetër, kanë mik turkun e jo grekun, pastaj kinezët duan më afërsisht pakistanezët se indusët, ndërkohë që frëngjët kishin prorë miq rusët e jo gjermanët, madje dhe amerikanët, si fuqi planetare, rezervojnë më pak miqësi për Meksikën sesa për ca fqinjë të saj…
Në politikën ndërkombëtare, ndaj, i miri dhe i keqi si kategori morale, nuk ekzistojnë. Që këndej, as dashuri e mënirje mes shtetesh nuk njeh kronika e ndjenjave në historinë e tyre. E pra, as të famshmet “lidhje organike”! Në rrjedhë motesh kombet zhvillojnë një kulturë e një fuqi dhe etablojnë një interes ad hoc dmth. kohëshkurtër, sikundër të tjerë natyralë e të përhershëm.
Veçse në mikrojetët politike zonash të mugëta rruzullimi ku Kimët e largët dërgojnë q’andej shkëndijimet e tyre, “qëndrimi i gjatë në organe”, ende gjen fijen e humbur…
r.
Komentet