Muaji Qershor shënon dy data të rëndësishme në historinë e Kombit shqiptar. Me 1 Qershor 1839 ka lindur Abdyl Frashëri, Kryetari i Lidhjes së Prizrenit, i cili njëkohësisht, konsiderohet edhe si shqiptari i parë që hodhi idenë e autonomisë së trojeve shqiptare nga perandoria turko-osmane dhe bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm. Ndërsa me 10 Qershor, 1878 është themeluar zyrtarisht, Lidhja e Prizrenit, akti më madhështor ky — që nga koha e Gjergj Kastriotit -Skenderbe – e që shënoi një kthesë vendimtare për të ardhmen e Kombit shqiptar në trojet e veta shekullore. Frank Shkreli/ 8 Qershori – Dita e Besës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit | Gazeta Telegraf
Themelimit të Lidhjes së Prizrenit i paraprinë pothuaj pesë shekuj vuajtje e errësirë, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skenderbe – qëndresa e të cilit dhe ideja e mbrojtjes së identitetit kombëtar, të kulturës dhe gjuhës shqipe, u ruajtë me aq përkujdesje nga Arbëreshët e Italisë, pasardhësit e Krye-Heroit të shqiptarëve matanë Adriatikut.
Vura re vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në trojet arbëreshe në Itali këtë fund jave. Uroj që Kryeministri Rama, gjatë kësaj vizite, të jetë i vetdijshëm për rolin historik që kanë luajtur Arbëreshët e Italisë, ndër shekuj, në ruajtjen e cilësive dhe vlerave kombëtare të lirisë, trashëgimisë, identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër shekuj. Pesë shekuj besnikërie arrbëreshe ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar! Ashtuqë, sot të gjithë shqiptarët që vërtetë vlerësojnë dhe mbrojnë këto vlera, t’u jemi mirënjohës Arbëreshve tanë për ruajtjen e traditave dhe identitetit kombëtar, por edhe besnikërisë ndaj amaneteve të Gjergj Kastriotit -Skenderbe për një Shqipëri të lirë.
Që, “T’u jemi mirënjohës Arbëreshve të Italisë që kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar që i Nalti Perëndi u shënjoi atyne — kur në nji stinë duhije e tmeri – lanë brigjet e Atdheut dhe u mërguen në vis të huej, me ikona fetare e me hire shqiptare.” (Ernest Koliqi)
Ishin këto vlera dhe mbrojtja e tyre me çdo kusht, që me 8 Qershor, 1878 atje në Prizren, çuan në mbledhjen e përfaqsuesve krahinorë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine, me qëllim për të themeluar Lidhjen e Prizrenit, nën drejtimin e mendjendriturit të madh Abdyl Frashërit, për t’i thënë botës se fisi i shqiptarit — i vjetër sa vet njerëzimi — ishte gjallë dhe donte të vendoste vet fatin e tij.
Ishin ata burra të Lidhjes së Prizrenit nga të gjitha krahinat shqiptare dhe pa dallim, me Abdyl Frashërin në krye, të cilët ndoshta me mendime dhe përvoja që i dallonin nga njëri tjetri — por ndryshe nga liderët e sotëm aktualë të shqiptarëve – kishin qëllime të përbashkëta për Kombin.
Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë – burrat e Lidhjes së Prizrenit, kur vinte puna tek interesat madhore të Kombit, ata i kishin të qarta dhe të përbashkëta objektivat jetësore në interes të shqiptarëve.
Ndryshe nga politikanët aktualë të shqiptarëve, burrat e Lidhjes së Prizrenit, pothuaj një shekull e gjysëm më parë, për ‘ta, mbi çdo interes politik, personal, krahinor, fetar ose partiak, ishte mbi të gjitha, interesi kombëtar për të drejtat e të gjithë shqiptarëve pa dallim.
Abdyl Frashëri ishte njëri prej atyre burrave të Lidhjes së Prizrenit, të cilët me mish e me shpirt mbrojtën interesat jetike të Kombit, në një periudhë shumë e shumë më të vështirë e më të errët për të ardhmen e Kombit shquptar, në krahasim me aktualitetin politik e kombëtar të shqiptarëve sot.
Lidhja e Prizrenit – një ringjallje e vërtetë shpirtërore dhe kombëtare për shqiuptarët — shpëtoi edhe një herë Kombin shqiptar nga copëtimi e shkatërrimi, duke e venë “çeshtjen shqiptare”, në rendin e ditës të diplomacisë evropiane, si një çeshtje politike kombëtare dhe ndërkombëtare, që duhej zgjidhur më në fund. Lidhja e Prizrenit ishte një vazhdim i luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë si komb, për identitetin, për lirinë dhe pavarësinë e tij në trojet e veta, për gjuhën, nderin, traditat, besën dhe burrërinë, vlera këto kastriotiane, të ruajtura ndër shekuj.
Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit për njohje të Kombit shqiptar, për ruajtjen dhe paprekshmërinë e territoreve shqiptare dhe për bashkimin e tyre në një autonomi ose shtet të vetin, është dëgjuar anë e mbanë krahinave shqiptare të asaj kohe, por edhe më gjërë, si e vetmja rrugë për të realizuar bashkimin e trojeve shqiptare, në një kohë kur fqinjtë shovinistë slave e grekë, otomanët-turq dhe “ndërkombëtarët”, fuqitë e mëdha të asaj kohe, u mohonin shqiptarëve të drejtat e tyre bazë për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar.
Lidhja e Prizrenit, ndihmoi por edhe ndriçoi, ndër të tjera, edhe përpjekjet për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ashtu siç bënte Jeronim De Rada në komunitetet arbëreshe në shekullin e XVIII, duke grumbulluar dhe duke theksuar vlerat, identitetin, gjuhën, traditat dhe amanetet kastriotiane të Kombit – si zedhënsi i parë i ringjalljes kombëtare të shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit të XVIII-të – si, “Apostulli i parë i Rilindjes sonë Kombëtare”, siç do ta cilësonte De Radën, Ernest Koliqi.
Megjithë optimizmin tim në jetë, më duhet të deklaroj, për fat të keq, se pas një vizite prej dy javësh, kohët e fundit në Shqipëri dhe shumë bisedave me njerëz të të gjithë nivele të jetës dhe politikës në atë vend, idetë dhe vlerat kastriotiane, por edhe ideja e përbashkimit e Lidhjes së Prizrenit janë shumë larg realizimit. Megjithë përparimet e shënuara deri më sot, idealet kombëtare të shqiptarëve, në rrugën e tyre drejtë realizimit përfundimtar, sipas porosive rilindasve Kombit, vazhdojnë të hasin në pengesa të brendshme dhe të jashtme. Më shumë pengesa të brendshme, nga vet shqiptarët, përballë mundimeve dhe vështirsive të mëdha! “Rreziku i Mbrendshëm”, siç është shprehur dikur At Gjergj Fishta, m’u duk kësaj rradhe, në vizitën time të fundit në Tiranë, më i rrezikshëm se kurrë më parë gjatë 30-viteve të tranzicionit, i prirë nga konfliktet politike dhe nga largimi i shqiptarëve nga Atdheu, ashtu si dikur u larguan Arbëreshët në Itali, pesë shekuj më parë.
Thuhet se çdokush, përfshir kombet, duhet të paguaj tagrin e vet, për një arsye ose për një tjetër, sidomos në periudha tranzicioni siç janë shqiptarët e kohës moderne, “post-komuniste”. Duket se shqiptarët për 30-vjet tani po e paguajnë këtë “tagër” me mundime të thella të mbrendshme dhe shpesh me keqkuptime të jashtme, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit. Në tre dekadshin e shekullit XXI, diçka e dikush po e turbullon fillimin e një jete të re për shqiptarët – asaj idesë për një Shqipëri të lirë e demokratike e të përbashkuar të vlerave kastriotiane dhe të Lidhjes së Prizrenit, krah për krah me shtetet e botës perëndimore, aty ku e ka vendin përjetësisht dhe ku e donin rilindasit e vërtetë të Kombit shqiptar. Shqiptarët nuk kanë kujt t’i ankohen për marrëzitë e veta. Uroj që i Madhi Zot mos të humbas durimin me bashkatdhetarët tanë anë e mbanë trojeve shqiptare.
Kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, një kthesë e vërtetë në historinë e Shqiptarëve, atëherë dhe sot dhe shembullin e Abdyl Frashërit njërit prej burrave të Lidhjes së Prizrenit, i cili përball përpjekjeve të mëdha të armiqve të Kombit për të copëtuar tokat shqiptare, mbrojti, mbi të gjitha, interesat jetësore të gjithë shqiptarëve pa dallim.
Lidhja e Prizrenit
Besëlidhja e Lezhës 2-mars-1444
Abdyl Frashëri
Katër Vilajetet Shqiptare