Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.
Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë, siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane.
Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi. Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tre vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin Pashë Dino, me veprime të shkathëta diplomatike penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë.
Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali Pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokoli, të cilat u shkaktuan humbje të rëndë forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën. Të gëzuar për fitoret e arritura, shqiptarët shprehën vendosmërinë që të mos lëshonin qytetin e Ulqinit.
Nën presionin e flotës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha dhe të rrethuara nga trupat osmane dhe malazeze, komandanti osman Dervish Pasha theu më në fund qëndresën e shqiptarëve dhe më 26 nëntor 1880, Ulqini iu dorëzua forcave malazeze. Rezistenca e shqiptarëve kundër Portës së Lartë vijoi edhe më pas. Në muajin maj 1881 pas një numër arrestimesh të drejtuesve të saj dhe persekutimi të popullsisë shqiptare, Lidhja e Prizrenit, u shtyp nga Porta e Lartë.
VULA E LIDHJES SË PRIZRENIT
Droja e shqiptarëve se mos territoret e tyre do të ndaheshin mes Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i mbushi me zell për të bërë qëndresë. Në traktatin e parë të pasluftës, në Shën Stefan, u nënshkrua dorëzimi i disa territoreve të Perandorisë Osmane, ndër to edhe territore të banuara nga shqiptarë. Perandoria Austro-Hungareze dhe Britania e Madhe e bllokuan marrëveshjen, duke qenë se do t’i jepte Rusisë pozicione kyçe në Ballkan, duke prishur kësodore peshoren e fuqive. Për ta zgjidhur këtë çështje, një konferencë paqeje u mbajt po atë vit në Berlin. Krejt situata çoi në organizimin e shqiptarëve me këshillimin e Stambollit në këshilla vendorë për të mbrojtur territoret e banuara nga shqiptarët.
Të nxitur nga rrethanat, në dhjetor të 1877-s Abdyl Frashëri organizoi Komitetin e Stambollit – anëtarët bënë një mbledhje të përgjithshme majin e 1878-s. Më 10 qershor 1878 përfaqësues nga paria shqiptare e Vilajetit të Kosovës u mblodhën në xhaminë Bajraklie të Prizrenit për të ngritur një platformë si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit. Në mbledhjen e parisë më 18 qershor u radhitën qëndrimet e mbajtura në një shkresë të vendimeve quajtur Kararnamé, që u firmos nga 47 përfaqësues të kazave të vilajetit, ku në krye janë firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit. Po atë ditë paria e Shkodrës i telegrafoi shtabit të Lidhjes se do t’i bashkohej lëvizjes dhe se së shpejti do të dërgonte delegatët.
Më 23 qershor do të ishin të pranishëm krejt delegatët e qyteteve shqiptare në Prizren. Më 30 qershor u paraqitën edhe delegatët e Shkodrës me Jusuf agë Sokolin me një delegat të Podgorica dhe 7 krenë prej Malësie. Në Kararnamé u dokumentua vullneti nistor i organizimit, ku flitej për tërësinë territoriale të perandorisë dhe t’u rikthehej status quo-ja e para Luftës Ruso-Turke. Synimi kryesor ishte mbrojtja ndaj rreziqeve të menjëhershme, lakohej mbrojtja e Dinit, Devletit dhe Vatanit, mosnjohja e Bullgarisë dhe rikthimi me armë i territoreve të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi nëse nuk do t’i dorëzonin me vullnet të lirë. Delegatët ngritën një organizim, Lidhjen e Prizrenit, që kishte fuqinë të vendoste taksa dhe të mobilizonte një ushtri. Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.
Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut. Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Qorr Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës. Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese. Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtina, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj. Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme.
Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit që kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit. Lidhja në korrik u nda në komitete, të cilat kishin dy degë madhore: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut. Dega e Prizrenit drejtohej nga Iljaz pashë Çoku me përfaqësues nga Kërçova, Tetova, Prishtina, Mitrovica, Vuçitërna, Shkupi, Gjilani, Manastiri, Dibra dhe Gostivari. Komisioni i Degës së Shkodrës përbëhej kryetarit Daut efendi Boriçit, Selim efendi Çoba, Shaban beu i Bushatllinjve, Haxhi agë Lohja, Selim agë Gjyrezi, Et’hem agë Kazazi, Ibrahim efendi Dragusha, Ibrahim Idriz Hoxha, Osman Bekteshi, Filip Çeka, Ndrekë Shiroka, Gjon Muzhani e Zef Simoni. Për këtë degë, Et’hem agë Kazazi qëndronte gjithnjë në Prizren. Dega e jugut që kishte mbajtur një takim po të tillë në Gjirokastër, drejtohej prej Abdyl Frashërit dhe përbëhej prej përfaqësuesve të Kolonjës, Korçës, Artës, Beratit, Pargës, Gjirokastrës, Përmetit, Paramithisë, Filatit, Margëlliçit, Vlorës, Tepelenës dhe Delvinës.
Në këto vise lëvizja mbështetej më shumë tek elementi mysliman, për arsye se elementi ortodoks ishte më së shumti nën ndikimin grek. Nga ana tjetër, në veri myslimanët me katolikët ishin bërë palë për synimet e Lidhjes. Të dy komitetet hynin në kontakt me njëri-tjetrin nga njerëz të besuar që piqeshin në Elbasan.
ÇËSHTJA E VISEVE SHQIPTARE NË KONGRESIN E BERLININ
Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbeteshin vilajetit të Shkodrës. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf agë Sokoli, Selim agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj. Memorandumi nuk u përfill nga Kongresi, që ua njohu kërkesat Serbisë dhe Bullgarisë ndaj territoreve të lëshuara nga Perandoria Osmane krahas kërkesave shqiptare.
Kancelari prusian, Bismark, e çmoi Ballkanin si pjesë e Çështjes Lindore se “i gjithi nuk ia vlen as sa eshtrat e shëndetshme të një granadieri të vetëm pomeranez”. Qëndrimet e Lidhjes u përkrahën po ashtu edhe nga kolonia shqiptare e Stambollit, e përbërë prej nëpunësish të mëdhenj dhe të vegjël, të cilët më 20 qershor 1878 i nisën një memorandum ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare: «Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj.
Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. Më 21 qershor, ish-deputeti i Podgoricës në Mexhlisin Osman, Jusuf Efendiu u drejtoi një telegram fuqive të mëdha dhe një Kongresit që Podgorica t’i mbetej Perandorisë Osmane. Rilindasi Jeronim de Rada i dërgoi një letër kryeministrit britanik, lordit Beaconsfield me të cilën i lutej që të interesohej për të drejtat shqiptare.
REZISTENCA USHTARAKE
Marshalli osman Mehmed pashë Maxharri, pjesë e delegacionit osman në Kongresin e Berlinit, u caktua të mbikëqyrte përcaktimin e kufijve të rinj në viset veriore shqiptare, përkatësisht kazanë e Gucisë. Me të vajtur për të përcjellë lajmin e ardhur nga Stambolli, ana më e bindur e Lidhjes i kërkuan që të largohej, mirëpo ra mik tek kryetari i degës së Lidhjes në Gjakovë, mikut të tij Abdullah pashë Drenit. Ndodhia u përshkallëzua ngaqë Abdullah Pasha nuk e dorëzonte dot mysafirin, si pasojë u rrethua dhe u vranë të dy pashallarët në atë që njihet si Aksioni i Gjakovës.
Kjo gjakderdhje mbahet si veprimi i parë ushtarak i Lidhjes kundër nismës së dorëzimit të një territori të banuar nga shqiptarë. Fuqitë e Lidhjes u përplasën me njësitë malazeze nga tetori i 1879 deri në janar të 1880 në Plavë e Guci, me në krye Ali pashë Gucinë. Pas qëndresës për lëshimin e atyre viseve, u mendua t’i jepej Malit të Zi një rrip toke buzë lumit Cem sipas kompromisit i Kortit, delegat i Italisë në Kongres. Porsa u mor vesh ndërrimi i Plavës dhe Gucisë me Hotin, 2/3 e Grudës dhe stane e kullota të Kelmendit, bajraktarët e viseve i dërguan lutje konsullit austro-hungarez në Shkodër.
Me datën 11 prill 1880 në një mbledhje Dega e Lidhjes në Bibliotekën e Pazarit u vendos mbyllja e Pazarit dhe u lajmërua populli të ishte gati për luftë. Më 22 prill komandanti i ushtrisë së Tuzit, Haxhi Osman Pasha, ndoqi urdhrin e dorëzimit të territoreve ndaj malazezëve, por u shpërndau fishekë e armë vullnetarëve shqiptarë. Nga Shkodra u mobilizuan 1500 burra të armatosur, të drejtuar nga Hodo Begu dhe më pas iu shtua kapidani Preng Bibë Doda. Beteja e parë mes forcave u zhvillua te Ura e Rrzhanicës. Pas qëndresës së radhës, Fuqitë e Mëdha ripërcaktuan lëshimin e territoreve duke i dhënë Malit të Zi, Ulqinin me rrethet e tij deri në Bunë. GSH