Në aferën e Edi Ramës dhe Charles McGonigal janë të implikuar edhe të tjerë socialistë të lartë.
Përveç Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit, që kanë pranuar edhe publikisht miqësinë dhe lidhjet me agjentin e diskredituar të FBI, në lojë është edhe Fatmir Xhafaj.
Përfshirja e njeriut të reformës në drejtësi në këtë aferë provohet nga emailet që janë publikuar të hënën nga hakerat iranianë. Në bllokun e emaileve të parlamentit është hakeruar edhe ai i Fatmir Xhafajt.
Mes emaileve të dërguara nga Xhafaj është edhe një që i drejtohet Charles McGonigal, në adresën private të ish-shefit të kundëzbulimit të FBI-së, ku me fjala të ngrohtë ish-kreu i komisionit të Reformës në Drejtësi i uron atij festa të bukura të fundvitit.
Ndërkohë, sot SYRI sjell edhe përgjigjen e Charles McGonigal, i cili thotë se mezi pret që të takohet me Xhafajn. Emailet janë shkëmbyer në prag të vitit 2020, çka tregon se lidhja e tyre ka qenë e konsoliduar.
“Fatmir, miku im,
Faleminderit për urimet tuaja! Ju uroj ju dhe familjen tuaj më të mirat për një sezon pushimesh të qetë dhe të begatë. Gjithë të mirat dhe mezi pres t’ju takoj së shpejti.
Më të mirat, Charlie,” thuhet në email.
Sigurisht që email-et mund të duket sikur nuk kanë ndonjë gjë të veçantë aty, por ato tregojnë se Fatmir Xhafaj ka pasur njohje të thella me ish-zyrtarin e FBI-së.
Dalja e emrit të Xhafajt, fakti se ai ka drejtuar reformën në drejtësi të Edi Ramës, ngre dyshime për përfshirjen e Charles McGonigal në këtë zhvillim. Për më tepër, grupi i emaileve të hakeruara i përket atyre njerëzve që janë marrë me reformën në drejtësi në Shqipëri.
Ndërkohë, kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, ka deklaruar disa herë se McGonigal ka zhvilluar takime me prokurorët e SPAK, por edhe me gjykatës dhe njerëz të vetingut. Ai u ka bërë presion për çështje të ndryshme, përfshi kërkesën për të hetuar kreun e opozitës shqiptare.