Të hënën në Bjellorusi pritet të nisin greva të reja, pas fundjavës me protesta në të cilat kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra persona, duke kërkuar largimin e presidentit Alexander Lukashenka nga pushteti.
Liderët opozitarë kanë bërë thirrje për greva ndërkohë që rritet zemërimi pas raportimeve për dhunë policore si dhe pretendimeve për mashtrim me vota në procesin zgjedhor të 9 gushtit.
Megjithatë, presidenti bjellorus, që ka shpallur fitore bindëse, vazhdon të jetë mospërfillës.
Të dielën, ai u ka bërë thirrje mbështetësve që të mbrojnë shtetin e tyre dhe pavarësinë.
Mirëpo protestuesit kanë qenë në numër tejet të madh, andaj faqja lokale e lajmeve, Tut.by i ka përshkruar protestat si “më të mëdhatë prej pavarësisë së Bjellorusisë”.
Vala e zemërimit është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya 10.12 për qind.
Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, insiston se nëse votat do të numëroheshin si duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.
Përmes një video-mesazhi të publikuar të hënën, ajo ka thënë se është e gatshme të bëhet “lidere kombëtare” në mënyrë që të kthejë qetësinë dhe normalitetin, duke liruar të burgosurit politikë, dhe duke nisur përgatitjet për zgjedhje të reja.
Ndërkohë, 6,700 persona janë arrestuar prej kohës së zgjedhjeve dhe shumë prej tyre kanë folur për torturën që kanë përjetuar nga shërbimet e sigurisë.
Stafi i televizionit shtetëror është parë duke nisur grevën të hënën, teksa në transmetim janë parë tavolinat bosh, kanë vërejtur gazetarët e huaj.
BBC ka raportuar se punëtorët e fabrikave shtetërore kanë ecur bashkë me protestuesit javën e kaluar, derisa greva të reja pritet të ketë edhe këtë javë, me qëllim të rritjes së presionit ndaj Lukashenkas.
Çfarë ndodhi të dielën?
Në kryeqytetin bjellorus, Minsk janë organizuar dy marshe të ndryshme.
Në organizim pro-qeveritar është thënë të jenë mbledhur rreth 31,000 persona. Ministria e Brendshme bjelloruse ka thënë se shifrat kanë arritur në 65,000, ndërkohë që një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP ka thënë se pjesë e këtij marshi kanë qenë rreth 10,000 persona.
Duke folur para mbështetësve, Lukashenka ka thënë se Bjellorusia “do të vdiste si shtet” nëse do të mbaheshin zgjedhjet sërish.
“Ju keni ardhur këtu që për herë të parë në çerek-shekulli të mbroni shtetin tuaj, pavarësinë, gratë, vajzat dhe fëmijët tuaj”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se opozita “do të zvarritej si minjtë jashtë vrimës” nëse nuk do të shtypeshin kësaj here.
Ka pasur raportime se punëtorët e sektorit shtetëror janë detyruar të dalin në protestë, në të kundërtën janë kërcënuar me humbje të vendeve të punës.
Ndërkohë që Lukashenka ka qenë duke folur, rreth 220,000 persona kanë protestuar kundër tij në sheshin e Minskut, sipas Tut.by.
Mbështetësit kanë dalë edhe nëpër rrugët e qyteteve tjera, pas thirrjeve të Tikhanovskayas për marshe në fundjavë.
Një numër zyrtarësh, përfshirë ata policorë, është thënë të kenë dhënë dorëheqje.
Çfarë po ndodh në rrafshin ndërkombëtar?
Presidenti Lukashenka, që ka udhëhequr Bjellorusinë për 26 vjet, është përballur me presion në rritje edhe nga shtetet evropiane.
Të dielën, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet “të vazhdojë të mobilizohet me qindra mijëra bjellorusë që janë duke protestuar në mënyrë paqësore për respektim të të drejtave të tyre dhe sovranitetit”.
Zëvendës-kancelari gjerman, Olaf Sholz e ka përshkruar Lukashenkan, “diktator të keq”, duke i thënë të përditshmes Bild se lideri bjellorus “ka humbur gjithë legjitimitetin”.
Javën e kaluar, ministrat e Jashtëm të BE-së janë pajtuar për të përgatitur sanksione të reja kundër zyrtarëve bjellorusë që janë përgjegjës “për dhunën, shtypjen dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore”.
Shtetet e Bashkuara në anën tjetër kanë thënë se zgjedhjet nuk kanë qenë “as të lira as të drejta”.
Qindra persona kanë protestuar përgjatë fundjavës në Pragë dhe Varshavë, si shenjë solidariteti me protesesit në Bjellorusi.
Mirëpo Lukashenka ka kërkuar ndihmën e Rusisë, ndërkohë që rriten pakënaqësitë.
Të shtunën ai ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin i ka premtuar se do t’i ofrojë atë që e ka cilësuar si ndihmë gjithpërfshirëse në rast të kërcënimeve të huaja ushtarake ndaj Bjellorusisë.
Të dy liderët kanë diskutuar për herë të dytë të dielën, ndërkohë që Kremlini ka thënë se është biseduar për ‘situatën në Bjellorusi, marrë parasysh presionin me të cilin po përballet republika nga jashtë”.
Putin i ka thënë Lukashenkas se Rusia është e gatshme t’i ndihmojë Bjellorusisë “nëse ka nevojë, në përputhje me paktin ushtarak kolektiv”.
Lideri bjellorus ka shprehur shqetësime edhe për ushtrimet e NATO-s në Poloni dhe Lituani.
Komentet