(Adnan MEROVCI: “Në hap me Rugovën”. Botues Amerkos, Prishtinë 2014)
1.
Libri i Adnan Merovcit “Në hap me Rugovën”, që po promovohet sot këtu në New York, në patronatin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, është një libër i zhanrit biografik-dokumentar.
Merovci pati “privilegjin” ta ndiqte për së afërmi aktivitetin politik e diplomatik të Presidentit Rugova, brenda dhe jashtë vendit, për dhjetë vjet me rradhë, sa ishte shoqërues i tij. Autori e ka ndërtuar librin mbi bazë të kujtimeve të tij, si dhe shënimeve, dokumenteve dhe fotografive nga një arkiv personal, duke “rikrijuar” për lexuesit periudhën e “Vetmisë së Madhe” të Kosovës, në harkun kohor të viteve 1989 – 1999.
Asokohe Lideri Rugova po trokiste dyerve të zyrave të Diplomacisë Perëndimore, me qëllim që t’ua bënte atyre të qartë rrezikun që mund t’i ndodhte Kosovës, po qe se ajo lihej në “mëshirën serbe”, ndërkohë që shembja e ngrehinës së quajtur Jugosllavi po bëhej gjithnjë e më e pashmangshme.
Shqiptarët e kishin provuar “mëshirën serbe” edhe në fillim të shekullit XX, kur ishin “harruar” nga Fuqitë e Evropës, ose më saktë, kur rreth dy të tretat e trojeve të tyre etnike në Ballkan ishin copëtuar, në favor të shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Ky popull fatkeq, – thoshte publicisti dhe diplomati austriak me origjinë hebraike, Leo Freundlich, në librin e tij “Golgota shqiptare”, dëshmitar okular i masakrave serbe mbi shqiptarët (1912-13), – po rrezikohej të zhdukej nga faqja e dheut, para syve të Evropës, për shkakun e vetëm se nuk kishte asnjë lidhje etnike me popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës.
Simbas dëshmive të kohës, forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe kishin masakruar mbi 25. 000 shqiptarë dhe kishin dhunuar mijëra gra e vajza, në Kosovë, Maqedoni dhe në veri të Shqipërisë.
Historia, për fat të keq, di të përsëritet shpesh. Ndaj, droja se tragjedia që u kishte ndodhur shqiptarëve në fillim të shekullit XX, mund t’u përsëritej në fund të po këtij shekulli, – nuk ishte e pabazuar.
Zëri i mekur i Rugovës për ndihmë i ngjante shpesh një “klithme në shkretëtirë”, ndërkohë që Fuqitë e Evropës po e shihnin Kosovën si një pjesëz të vogël në mozaikun e krizës ballkanike. Kosova, në fakt, nuk do të duhej të ishte e papeshë, mbas shthurjes së pritshme të Jugosllavisë, kur interesat gjeostrategjike Lindje – Perëndim do të rikonfiguroheshin në Ballkan, në favor të Perëndimit. Zgjidhjen e çështjes së Kosovës e bënte të vështirë, padyshim, Rusia, aleatja historike e Serbisë, e cila nuk po denjonte ta tërhiqte lehtë “shputën” e vet nga Ballkani.
*
Në vitin 1989 Beogradi kishte suprimuar dhunshëm autonominë e Kosovës, duke e zhveshur atë nga të gjitha atributet ‘shtetërore’ që i gëzonte, simbas Kushtetutës së vitit 1974, si njësi e tetë e Federatës jugosllave. Ajo, sakaq, ishte shndërruar në një provincë pa identitet juridik që kontrollohej nga një administratë e instaluar policore serbe.
Në këto rrethana shqiptarët e Kosovës, të sprovuar nga jeta, detyrimisht do të ndiqnin rrugën e durimit, duke qenë të vetëdijshëm se një “shkëndijë” e vogël e pakontrolluar e zemërimit legjitim të tyre mund të nxiste shpërthimin e një zjarri të madh serb mbi ta.
Ishte koha e daljes në skenë e një lidershipi të ri shqiptar, i cili do të merrte përsipër ndërtimin e një sistemi paralel social-politik në Kosovë, pa u ballafaquar drejtpërdrejt me regjimin serb, me shpresë se e keqja do ta kishte një fund.
Po, kush do t’u printe shqiptarëve?
Ibrahim Rugova ishte Lideri qe do ta disenjonte dhe do ta drejtonte Lëvizjen e Rezistencës Paqësore të shqiptarëve të Kosovës, e cila, në krye të herës quhej edhe “Lëvizje Gandiste”.
Rugova do t’i qëndronte besnik deri në fund filozofisë politike të tij, duke e parë çlirimin e Kosovës në perspektivë, si një “proces” dhe jo si një “akt”. Le të kujtojmë këtu një sentencë të shkrimtarit të madh amerikan, Ernest Hemingway, i cili, 60 vjet më parë thoshte se “nuk duhet ngatërruar kurrë ‘Lëvizjen’ me ‘Aksionin'”, (“Never confuse movement with action”). Kjo “porosi” i binte “taman” Kosovës, e cila, duke qenë e pafuqishme të çlirohej me forca të veta, me armë, – pra me “aksion”, – ishte e detyruar të priste “procesin”, sado i gjatë e i dhimbshëm të ishte ai.
Merovci dëshmon në librin e tij se Ibrahim Rugova nuk pati asnjë dilemë për kursin politik paqësor që po e ndiqte, duke qenë i sigurt se Perëndimi do ta mbështeste dhe çmonte Rezistencën Paqësore të shqiptarëve, ashtu sikundër ishte i bindur se Amerika, – “Shpresa e fundit e njerëzimit”, siç e quante këtë vend të bekuar Presidenti Abraham Lincoln, – do të ishte ajo që do ta zgjidhte përfundimisht “Nyjën Gordiane” të Kosovës.
Si u shfaq Rugova në skenën politike të Kosovës?
Merovci na kthen mbrapa, në vitin 1989, kur Rugova, përmes intervistave që ua jepte gazetave të mëdha evropiane, si “L’Unita” (italiane); “Der Spiegel”, (gjermane); Veçer (sllovene), “Der Standard” (austriake), etj., dëshmonte çfarë po ndodhte në Kosovë.
Më 26 qershor 1989, Ibrahim Rugova, asokohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, përmes gazetës së famshme gjermane “Der Spiegel”, thoshte se “nëse Serbia do të vazhdonte t’i shtypte shqiptarët, do të kishte kryengritje”.
Rugova po ia thoshte guximshëm këto fjalë Millosheviqit, në kohën kur ai, në ekstazën nacional-shoviniste, po e yshtte kundër shqiptarëve turmën prej disa qindamijëra serbësh, në një miting në Fushë-Kosovë, duke i siguruar ata se “kurrë më nuk do të vuanin nga shqiptarët” (!).
“Edhe serbët janë një popull i vogël dhe, saherë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie të madhe në Ballkan, ka përfunduar në tragjedine e tij”, i përgjigjej Rugova vozhdit serb, përmes gazetës “Der Spiegel”.
Që nga kjo ditë Ibrahim Rugova do të bëhej Emblema e Kosovës.
*
“Boshti” i librit të Merovcit mbështetet në Lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku zhvilloheshin të gjitha aktivitetet politike shqiptare, ku e kishte Zyrën edhe Pesidenti Rugova, që sot njihet si “Shtëpia e Pavarësisë”.
Autori thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar në vitin 1989 nga një grup gazetarësh të “Rilindjes”, – të mbështetur nga pedagogë të Universitetit të Prishtinës, emra të nderuar të arsimit, shkencës e kulturës, – për një kohë të shkurtë do të kalonte numrin prej 700.000 anëtarësh. LDK, së bashku edhe me parti të tjera minore që u krijuan ndërkohë, do ta mbante gjallë shpresën e kosovarëve për liri.
Ky organizim e prodhoi një Këshill Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish- Jugosllavi, si dhe një Qeveri, në krye me Bujar Bukoshin. Për shkak të rrethanave, ajo vepronte jashtë Kosovës. Përmes Fondit të saj, financohej Sistemi i Arsimit, Shëndetësisë, Informimit, Mbrojtjes Sociale, etj., që vepronin kryesisht nëpër shtëpi private, që i kishin liruar për këtë qëllim shqiptarët bujarë.
Barrën më të madhe të grumbullimit të taksave prej 3% në Fondet e Qeverisë e mbante Diaspora shqiptare në Perëndim, e organizuar në Degët e LDK-së.
Një rol të rëndësishëm për informimin e opinionit të mbrendshëm dhe të jashtëm për gjithçka po ndodhte në Kosovë e pati Qendra për Informim e Kosovës (QIK). Merovci e vlerëson lart punën e QIK-ut, të themeluar nga një grup gazetarësh të përkushtuar, të cilin e drejtoi fillimisht Ibrahim Berisha. “Informimi prej Zyrës së Kryetarit dhe QIK-ut ishte mekanizmi dhe arma më e fortë e Kosovës”, thotë Merovci. QIK-u, që u drejtua me përkushtim dhe guxim nga Enver Maloku prej vitit 1993 deri ditën kur u vra në prag të shtëpisë me 11 janar 1999, (në një atentat të porositur dhe ende të pazbardhur), u bë agjenci e vërtetë lajmesh. Bajram Mjeku, ish-gazetar i QIK-ut dhe mik i Malokut, thotë se “që nga themelimi në vitin 1991, QIK-u ka përpunuar dhe distribuuar rreth 300 mijë lajme, informata, raporte e komente të ndryshme (shqip, anglisht, gjermanisht e frëngjisht), për çështjen e Kosovës dhe lirinë e saj”.
Të gjitha veprimtaritë zhvilloheshin nga aktivistët shqiptarë, nën tytat e armëve të forcave serbe. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ( i drejtuar nga Adem Demaçi, i quajtur “Mandela i Kosovës”, i cili sapo kishte dalë nga burgu serb, mbas rreth tri dekadash), ishte poashtu një zëdhënës i fuqishëm i Kosovës, duke raportuar çdo ditë për kërcënimet, plaçkitjet, rrahjet dhe vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm, anëkënd Kosovës.
2.
Në vitin 1990, peisazhi politik në ish-Jugosllavi, pjesë e të cilit, për fat të keq ishte edhe Kosova, po bëhej gjithnjë e më i zymtë.
Mbahet mend kërcënimi publik i Millosheviqit ndaj popujve joserbë, të cilët deklaronin se nuk donin të jetonin më nën një çati me serbët. Ai u thoshte atyre se mund të dilnin nga Federata, por pa e marrë me vete asnjë centimetër toke nga Jugosllavia.
Megjithatë, pa u mbushur një vit, mbas një lufte dyjavëshe, diktatori “i la” sllovenët të dilnin nga Federata, madje bashkë me tokë; me Kroacinë, mbas një lufte të përgjakshme në territor të saj, filloi të bënte pazare për copëtimin e Bosnjës; Bosnja e pagoi shtrenjtë shpalljen e Pavarësisë, sado që këtë akt e kishte bërë me pëlqimin e Perëndimit; Maqedoninë e “la për më vonë”, ndërsa Malit të Zi i dha kohë “të mendohej edhe pak”.
Po Kosova?
Kosovarëve, të lodhur nga dhuna dhe varfëria, Millosheviqi, ashtu si edhe “opozita” e tij, ua tregonte me gisht Bjeshkët e Nemuna.
Mbrapa këtyre bjeshkëve (Rugova i quante Alpet Shqiptare) ishte Shqipëria e dërmuar, e cila po përpëlitej, në përpjekjet e saj për të dalë nga diktatura staliniste gjysmëshekullore. Regjimi po linte mbrapa struktura shërbimesh të fshehta kriminale, të cilat do ta “dridhnin” herë mbas herë vendin.
Politikani i urtë, Ibrahim Rugova, e kishin të qartë se Kosova, në këto kondita, nuk mund të priste ndihmë serioze nga kjo Shqipëri e lodhur.
*
Megjithatë, Merovci thotë fjalë miradije për kujdesin e shtetit shqiptar ndaj Rugovës, qysh nga viti 1991, pavarësisht cili krah politik ishte në pushtet. Rugova dhe ekipi i tij trajtoheshin me respekt gjatë vizitave në Shqipëri ose kur nga Tirana udhëtonin jashtë Kosovës. Rugovës i ishte ofruar edhe pasaporta shqiptare. Merovci thotë se vetë e kishte marrë shtetësinë dhe pasaportën shqiptare, që i krijonte lehtësi të madhe për udhëtimet jashtë vendit, ndërsa Rugova nuk deshti ta merrte as pasaportën, as shtetësinë shqiptare.
“Adnan, krejt bota e di se unë kam pasaportë të lëshuar nga serbët, sepse Kosova është e okupuar… Unë po luftoj që shqiptarët e Kosovës të kenë shtetësi kosovare dhe që një ditë të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës”, – i kishte thënë Rugova Adnanit, tek po ktheheshin në Vilën ku ishin vendosur, mbas një takimi me Presidentin Berisha në Tiranë. (Adnani këtë e quan ‘rugovizëm’).
Rugova, siç dihet, nuk e parapëlqente paternalizmin politik, nga kushdo qoftë, pavarësisht nga ambalazhimi “patriotik” që i bëhej.
Presidenti Rugova nuk “përzihej” në punët e mbrendshme të Shqipërisë dhe nuk kishte dëshirë të “përzihej” askush nga Shqipëria në punët e mbrendshme të Kosovës. Kështu thotë Merovci, i cili e cilëson edhe këtë qëndrim si “rugovizëm”.
Jo rrallë, drejtuesit e të dy partive shqiptare, – PS-së dhe PD-së (PD quhej “motër” e LDK-së), – në çaste krizash të veta politike, përpiqeshin t’i hidhnin telashet në anën tjetër të Bjeshkëve të Nemuna, në Kosovë. Dihej pse Partisë Socialiste nuk i pëlqente kursi politik i Rugovës, por ishte e çuditshme pse në këtë grackë binte herë-herë edhe Berisha. “Vëllau i Madh” një herë i pat sugjeruar Rugovës që t’i nxirte kosovarët në zgjedhjet parlamentare serbe (!), madje duke ftuar për “ndihmë” në studiot e TVSH-ë, si borizanë, edhe kundërshtarë të thekur politikë të tij nga Kosova.
Merovci thotë se Berisha më vonë e kishte pranuar gabimin dhe i kishte kërkuar publikisht falje Rugovës.
Rugova qe përgjegjur se “Kosova i kishte mbajtur kaherë zgjedhjet e veta” dhe se “nuk kishte punë më me Serbinë”.
Mbahet mend për të keq, poashtu, takimi Nano – Millosheviq në Kretë të Greqisë, – që u cilësua më shumë se një përzierje brutale në punët e Kosovës, – prej nga kryministri shqiptar u bënte apel kosovarëve “t’i kthenin sytë kah Beogradi, sepse andej u binte rruga për në Evropë’!
Nano nuk kishte kërkuar kurrë falje për këtë.
Berisha kishte respekt për Rugovën dhe një ndjeshmëri të veçantë për Kosovën.
3.
Në kapitujt vijues të librit, Merovci pasqyron aktivitetet e dendura politike që i përshkuan vitet në vijim, siç ishte Shpallja e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës (2 korrik 1990); Referendumit i vitit 1991, me të cilin rikonfirmohej vullneti i popullit për Kosovën shtet të Pavarur; pastaj themelimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi; një vit më vonë Zgjedhjet e para parlamentare e Presidenciale, në të cilat Rugova u zgjodh President me mbi 90 % të votave, etj. Me një fjalë, udhëheqja e re politike e Kosovës po përpiqej të mbushte boshllëkun legjislativ, – të shkaktuar nga Beogradi, – për ta zënë hapin e humbur, – së paku formalisht, – me shpresë që Konferencat Ndërkombëtare do ta trajtonin Kosovën në një “pako” me njësitë federale të Jugosllavisë.
Merovci na e kujton Konferencën e Hagës dhe sidomos atë të Londrës (1991), në të cilën Kosova, për fat të keq, nuk arriti të bëhej pjesë e saj dhe, për pasojë – as e Komisionit të Badinterit. Shkaktar ishte Millosheviqi i fuqishëm, i cili kishte ngulur këmbë që Kosovës të mos i përmendej as emri në Konferencë, ndonëse pa faj nuk mbetej as Evropa, që po dorëzohej pa rezistencë para tij. Lordi Carrington, drejtues i Konferencës, thoshte se Kosova nuk po përfshihej këtu, për shkak se ajo “nuk e kishte statusin e njësisë federale”.
Për këtë punë ishte kujdesur Millosheviqi në vitin 1989!
Shqetësimi i kosovarëve pse Kosova po lihej anash Konferencave ishte i natyrshëm, ndërkohë që oponentët e Rugovës po i thellonin kritikat kundër politikës paqësore që po e ndiqte ai.
Një akt që i zbuti pakashumë shqetësimet në rritje në Kosovë, ishte vizita në Prishtinë e Ambasadorit amerikan në Beograd, Warren Zimmermann.
Merovci na e jep të plotë, të botuar për herë të parë, transkriptin e takimit të Ambasadorit Zimmermann me Rugovën, në të cilin, krahas bashkëpunëtorëve të Rugovës, merrnin pjesë edhe kundërshtarë politikë të tij, si Demaçi e Qosja.
“Zimmermann, me vizitën e tij në Prishtinë, po e konfirmonte mbështetjen amerikane ndaj strategjisë politike të Rugovës dhe të popullit shqiptar të Kosovës”, thotë Merovci.
Zimmermann tha në mënyrë eksplicite se “nëse populli shqiptar i Kosovës zgjedh rrugën e luftës, shumë shpejt do ta humbë përkrahjen nga Perëndimi”, duke bërë që të “zbuteshin” paksa kundërshtarët e Rugovës.
“Shtëpia mbahet me miq”, thoshte shpesh Rugova, – thotë Merovci.
Disa vjet më vonë, Zimmermann e kujton Rugovën si “njerin prej personaliteteve më të jashtëzakonshme” që kishte takuar në Jugosllavi.
Një tension i madh politik qe ngritur në Kosovë edhe në vitin 1995, kur po mbahej Konferenca e Dayton-it, në Ohio te SHBA-së, dhe ku bashkësia ndërkombëtare po përpiqej ta ndalonte gjakderdhjen që po merrte përmasa gjenocidi në Bosnjë.
Kundërshtarët, si gjithherë, e akuzonin Rugovën pse nuk ishte Kosova në ‘Tavolinën’ e Dayton-it.
Bosnja, siç dihet, ishte shtruar në “tavolinën kirurgjikale”, për fat të keq të saj, për t’u copëtuar në dy entitete, simbas pazarit të Millosheviqit me Tuxhmanin.
Rugova, – thotë Merovci, – u kritikua rreptë, por padrejtësisht.
Kritikuesit e atëhershëm të Rugovës, as sot e kësaj dite nuk e kanë të qartë, – ose nuk duan ta kenë, – se Kosova ishte me fat që nuk ishte pjesë e Dayton-it, siç u bë Bosnja.
4.
Duke i kujtuar vizitat e Rugovës jashtë vendit, Merovci e vlerëson shumë të rëndësishme atë të vitit 1993 në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe në ‘Carter Center’ në Atlanta, ku Presidenti e prezantoi Planin Dhjetëpikësh të Kosovës. Dy nga pikat e këtij Plani, ishin: dërgimi i një numri të trupave të NATO-s në Kosovë dhe vendosja e një protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën.
Duhet të mbahet mend: Rugova po e shtronte këtë kërkesë në vitin 1993.
Një vizitë tjetër e rëndësishme e Rugovës në Washington ishte ajo kur mori pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, (1994) bashkë me Avni Spahiun, këshilltar i tij, me ç’rast pati një takim me Presidentin Clinton. Ishte e pranishme edhe Nënë Tereza. Merovci kujton çastin kur Nënë Tereza iu drejtua Presidentit Clinton: “Ky (Rugova) është Presidenti i vendit tim. Të lutem mbroje dhe shpëtoje popullin tim, që edhe ai të ketë paqe dhe demokraci”. “Kjo kërkesë e Nënë Terezës u prit me ovacione nga të pranishmit, ndërsa Presidenti Clinton e siguroi se do të angazhohej dhe do të vepronte për Kosovën”, shkruan Merovci në librin e tij.
Dy vjet më vonë, SHBA do ta rikonfirmonte mbështetjen ndaj Kosovës. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë (1996) ishte një akt dhe fakt se Amerika po “hynte me këmbë të mbarë” në Kosovë.
Gëzimi i kosovarëve asokohe ishte sa i madh, aq i natyrshëm.
*
Viti 1997 ishte vit i rreziqeve në të dy vendet shqiptare me Bjeshkët e Nemuna në mes.
Në Kosovë “qetësinë” relative që mbretëroi gjatë ’96-tës, e prishi një “furtunë” që u ngrit për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes për rihapjen e shkollave shqipe, të mbyllura nga Serbia disa vjet më parë.
Marrëveshja e nënshkruar nga Millosheviqi dhe Rugova ishte ndërmjetësuar nga një komunitet fetar italian, Komuniteti i Sant Egidios i Pulias, i cili ishte shumë dashamirës ndaj Rugovës dhe Kosovës, – siç thotë me shumë respekt për të, Merovci.
Kjo Marrëveshje e pazbatuar gati e nxori Kosovën nga “shtrati” i vet politik paqësor. Dalja në skenë e një Organizate studentore, në krye me Albin Kurtin, si dhe protestat që i organizoi ajo, e ndërruan status-quon në Kosovë.
Rugova i kishte lutur studentët t’i shtynin protestat për më vonë, por ata nuk ishin pajtuar. Protesta që u mbajt dhe mori përmasa të një demonstrate të madhe gjithëpopullore u shtyp brutalisht nga policia serbe, por zuri vend në faqet e gazetave botërore. Të nesërmen Rugova i përgëzoi studentët dhe demonstruesit për demonstratën dhe njëkohësisht e akuzoi Beogradin për dhunën e përgjakshme që kishte ushtruar mbi demonstruesit paqësorë.
Merovci flet për përçarjet që dolën në sipërfaqe edhe për shkak të kundërthënieve që po ndodhnin brenda radhëve të LDK-së. Këtë gjendje ai e përmbyll me konstatimin: “Në Kosovë kishim Ibrahim Rugovën dhe të gjithë kundër tij”, duke shtuar se “ky ishte fillimi i një opozite që po krijohej karshi Ibrahim Rugovës dhe politikës së tij paqësore”.
*
Po në këtë vit (1997) bota po tmerrohej nga pamjet televizive që pasqyronin kaosin që kishte mbërthyer Shqipërinë. Grupe rebelësh kishin shpërthyer depot e municionit, duke grabitur armët, që nga të thjeshtat e deri te më të rëndat, mortaja, tanke e topa. Bandat e rebelëve digjnin gjithçka që u vinte ndoresh, duke vrarë policë e zyrtarë të tjerë shteti. Shumë burime konfirmojnë se për gjashtë muaj, sa zgjati rebelimi, u vranë mbi 3.800 veta. Bashkë me bandat u panë me kallashë në krahë edhe personalitete të larta të Partisë Socialiste dhe partive simotra të saj.
Shqipëria ndodhej në prag të një lufte qytetare, e cila për fat të mirë dështoi, por dalja e situatës jashtë kontrollit, solli rënien e dhunshme të Qeverisë së PD-së dhe dorëheqjen e Berishës nga posti i Presidentit.
Këtij akti i kishte paraprirë një revoltë e gjerë e qindamijëra njerëzve që kërkonin llogari nga Qeveria pse kishte lejuar të funksiononte një sistem “piramidal” jolegal ,”bankar”. Ata kishin humbur të gjitha paratë e dhëna me fajde, rreth 1.2 bilionë dollarë, ndërsa mbrapa tyre, organizatorët e rebelimit fërkonin duart.
Përplasja midis dy krahëve politikë ishte jashtëzakonisht e ashpër, në prag, gjatë dhe mbas rebelimit, padyshim e organizuar nga qarqe të errëta antishqiptare.
Rebelimin e mbështeten edhe disa njerëz në Kosovë, nostalgjikë të ish-regjimit stalinist shqiptar, kryesisht të motivuar nga budallallëku i tyre, si dhe për inate, racionalisht të pashpjegueshme, që kishin me Berishën. Ose, për shkak të lidhjeve që kishin me eksponentë të PS-së. Mbahet mend reagimi i vrazhdët i Akad. Rexhep Qosjes, bashkëvendës i Berishës përnga origjina, i cili e quante rebelimin që e kishte sjellë Shqipërinë buzë shkatërrimit, – “revolucion i vonuar demokratik”(!)
Merovci konstaton se Rugova, i matur si zakonisht, shprehte keqardhjen për atë që po ndodhte në Shqipëri, por nuk ia mbante anën asnjërit krah politik.
5.
Në vitin 1998 Rugova po pritej në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, si një personalitet i lartë shtetëror.
Merovci thotë se takimi i Presidentit Rugova me Presidentin Clinton u zhvillua në një atmosferë të përzemërt, ku mbizotëronte dashamirësia dhe mirëkuptimi për Kosovën.
“Kosovën do ta ndihmojmë përmes Grupit të Kontaktit dhe NATO-s” dhe “Amerika nuk do ta harrojë kurrë Kosovën”. Ky ishte Mesazhi i Madh që po i dërgonte popullit të Kosovës “Njeriu më i fuqishëm i Botës”, siç i thotë Merovci Presidentit Clinton.
Pritja e Rugovës nga Presidenti Clinton, ishte realizuar mbas takimit Rugova – Millosheviq në Beograd, dy muaj më heret. Ky takim qe aranzhuar mirë nga ‘buldozeri’ i diplomacisë amerikane, Richard Holbrooke. Vëzhguesit seriozë politikë vlerësonin se takimi u duhej amerikanëve për “përdorim të njëhershëm” dhe, asgjë më shumë!
“Stuhia” politike anti-Rugovë, e cila qe shkaktuar në Kosovë mbas takimit Rugova – Millosheviq në Beograd, tashmë kishte pushuar.
Rugova, siç konstaton Merovci në librin e tij, shpeshherë dukej i mërzitur nga kritikat e pabaza, që i vinin nga kundërshtarët politikë të tij. Por, ai papritmas dilte shumë i fuqishëm, duke i lënë pa fjalë “kritikët kujdestarë”, por pa bërë bujë, plotësisht simbas natyrës së tij.
“Politika bëhet çdo ditë nga pak”, – thoshte Rugova, – thotë Adnani, duke e regjistruar këtë sentencë tek “rugovizmat” e shumta të tij.
Viti 1998 njihet edhe si vit i një konfrontimi politik edhe mbrendapërmbrenda LDK-së. Në Kuvendin e Tretë, një krah fraksionist (Hidajet Hyseni, Jakup Krasniqi dhe të tjerë) ishte ndarë nga LDK, në shenjë pakënaqësie për zgjedhjen e “parregullt” të Këshillit të Përgjithshëm të saj. Rugova qe kritikuar ashpër edhe për organizimin e zgjedhjeve Parlamentare e Presidenciale, në “kohë lufte”, anipse, po në këtë kohë, këta po e krijonin vetë një parti të re, LBD-në, në krye me Rexhep Qosjen.
6.
Në kapitullin “UÇK dhe zhvillimet politike në Kosovë”, Merovci thotë se për UÇK-në flet dhe bën vlerësime nga këndi personal, siç ishte personale edhe njohja e tij me pjesëtarë të këtyre grupeve, që nga Adem Jashari, Salih Çekaj, Zahir Pajaziti, etj. Ai thotë se këta djem bënin stërvitje ushtarake për rezistencë të armatosur, duke shtuar se “Adem Jashari i pari e krijoi Grupin e Drenicës, në vitin 1992, kur i filloi aksionet e para ushtarake”.
Faza vijuese (1998) filloi, simbas tij, “mbas rënies së Adem Jasharit, kur UÇK u rrit me shpejtësi, krijoi bazat e veta, u armatos dhe mori nën kontroll degëzimet e rrugëve më strategjike në Kosovën Qendrore, duke i detyruar forcat ushtarake policore serbe të tërhiqeshin në qytete”.
Në kaptinën “Beteja e Jasharëve në Prekaz”, Merovci thotë se me të marrë lajmin për sulmin policor-ushtarak serb mbi familjen Jashari, duke e njohur përcaktimin dhe vendosmërinë e Familjes Jashari dhe të tërë fshatit, e dinte se “aty do të zhvillohej një luftë e vërtetë”.
Ai thotë se kur e kishte njoftuar Presidentin Rugova lidhur me atë që po ndodhte në Prekaz, ai kishte shfaqur shqetësimin dhe drojën e tij për, siç thotë ai, “një masakër të madhe në Drenicë”.
Në konferencën për shtyp, të nesërmen, Rugova, në ekspozeun e tij para gazetarëve që kishin vërshuar, e prezantoi gjendjen në Prekaz, duke e cilësuar sulmin e forcave serbe mbi familjen Jashari si një “masakër mbi popullsinë civile, mbi gra, pleq e fëmijë”. Rugova bëri një apel dramatik për ndihmë nga shtetet e Evropës dhe ShBA, që ta shpëtonin popullin shqiptar të Kosovës nga masakrimi, duke kërkuar që çështja e Kosovës të shtrohej urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ato ditë u intensifikuan vizitat e diplomatëve botërorë, si dhe të gazetarëve të huaj, si rrallëherë më parë.
Lidhur me raportin midis “krahut te luftës” dhe atij “të paqes”, Merovci thotë se mungesa e bashkëveprimit midis këtyre “krahëve”, ” e dëmtoi unitetin dhe fuqinë vepruese”, duke shtuar se kjo vinte për shkak të injorimit të realitetit nga ana e disa individëve. Për këtë, simbas Merovcit, faji më shumë rëndon mbi ‘krahun e paqes’.
*
Në gjykimin e Millosheviqit në Hagë, Rugova e mbrojti fuqishëm UÇK-në, duke i thënë Millosheviqit para Trupit Gjykues, se terroriste ishin forcat e tij policore-ushtarake që kishin bërë krime, që kishin vrarë njerëz të pafajshëm në Kosovë, e jo pesëtarët e UÇK-së që ishin përpjekur ta mbronin popullsinë shqiptare nga masakrat.
Rugova sqaroi se asnjëherë nuk kishte qenë i kërcënuar nga UÇK, siç bënte insinuata Millosheviqi në Tribunal. Ai tha se jeta e tij kishte qenë e rrezikuar nga forcat militare serbe gjatë mbajtjes në burg shtëpiak në Prishtinë, gjatë bombardimeve të NATO-s.
Rugova tha në Tribunal se nga Millosheviqi kishte kërkuar që ta lejonte të dilte jashtë Kosovës, gjatë bombardimeve të NATO-s, duke i thënë në sy atij se ishte i rrezikuar nga forcat serbe.
Rugova i demantoi fuqishëm shpifjet se gjoja ai kishte kërkuar ndalimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Ai tha se kryeqyteti i Kosovës asokohe ishte zbrazur. Njerëzit, duke përfshirë bashkëpunëtorët e tij, kishin dalë jashtë Kosovës. Forcat serbe e kishin vrarë bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Prof. Aganin, si dhe të tjerë.
Ata që e mbajnë mend gjykimin, do ta kujtojnë tronditjen që ia shkaktoi Millosheviqit dëshmia e Rugovës dhe ajo e Marovcit në Hagë.
Diplomati dhe prokurori amerikan Clint Williamson thotë në kujtimet e tij se dëshmitë e Rugovës, që ky i kishte marrë kur ishte takuar me të në Romë në vitin 1999, kishin ndikuar që të ngritej aktakuza kundër Millosheviqit për krime lufte në Kosovë.
7.
Në kapitullin “Zhvillimet në Konferencën e Rambujesë”, Merovci duket paksa më i kursyer, përsa i përket hollësive, në vlerësimet e tij. Ato mund të përmblidhen me konstatimin që mund të dalë nga leximi i këtij kapitulli, se ‘Delegacioni ishte unik dhe bashkëveprues’. Ai thotë fjalë të mira për qëndrimet e “krahut të luftës”, në krye me Thaçin, ashtu si dhe për përkushtimin e “krahut të tretë”, të pavarurit: Veton Surroin dhe Blerim Shalën.
Merovci premton se rrjedhën e Konferencës do ta jepë të plotë në librin të cilin e ka gati për botim. Ky libër, siç thotë ai, përfshin dokumente origjinale, proceverbale dhe materiale të tjera.
Shkrime të kohës, si dhe vëzhgime të analistëve, duke përfshirë edhe ”Ditarët” e disa autorëve, pjesëmarrës në Konferencë, (R. Qosja, P. Milo, V. Surroi, M. Baze, etj) flasin për shqetësime jo të vogla dhe për frymën e një mosdurimi që i përshkonte seancat e Konferencës, me dilema, hezitime, dyshime, pajtime e mospajtime midis anëtarëve të frustruar të Delegacionit të Kosovës, midis të dy “krahëve” – luftës dhe paqes.
Në këto shkrime thuhet se delegacioni i Kosovës ishte jobashkëpunues, ku shpesh manifestohej një mosdije për çfarë po kërkohej dhe çfarë duhej bërë, që, fundi i fundit, u dëshmua me shtyrjen për dy javë të nënshkrimit të Marrëveshjes nga ana e Delegacionit të Kosovës.
Dihet poashtu se “Krahu i luftës”, gjatë Konferencës, kishte arritur ta merrte me arrogancë nga “Krahu i paqes”, pëlqimin për ta krijuar një “Qeveri të Përkohshme të Kosovës”, në krye me Thaçin.
Në disa shkrime thuhet se gjatë Konferencës së Rambujesë kishin dhënë “kontributin” e vet edhe njerëz që sorollateshin nëpër korridore e byfe të Kështjellës, si dhe jashtë saj, të ardhur nga Shqipëria dhe Diaspora, madje edhe nga SHBA, disa prej të cilëve kishin vajtur në Rambuje nga ‘kurreshtja’, ndërsa disa të tjerë – “zyrtarisht”, në cilësi “këshilltarësh” të “krahut të luftës”.
Këta të fundit, zor të besohet se kishin “marrë udhë për hajr” deri në Rambuje.
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare, i cili prej kohësh jetonte në Paris, simbas të gjitha burimeve, del se mbajti një qëndrim siç i ka hije një intelektuali e atdhetari të klasit. Falë autoritetit suprem që gëzonte te kosovarët, Kadare ushtroi ndikim shumë të madh që ta bindte “krahun e luftës” në krye me Thaçin, për ta nënshkruar Marrëveshjen në Paris, duke e kthyer për mbarë fatin e Kosovës, i cili mund të rrokullisej papritmas në greminë.
Merita kryesore për mbylljen me sukses të Konferencës i takon delegacionit amerikan, sidomos Kryediplomates, Znj. Madelaine Albright. Edhe Adnani ia njeh këtë meritë Mikes së Madhe të Kosovës. Shumë vjet më vonë Zonja Sekretare do të thoshte në kujtimet e saj (“Madam Secretary”) se në karrierën e vet diplomatike rrallë kishte pasur çaste më të zorshme se në Rambuje, duke e ilustruar, përveç të tjerash, edhe me një bisedë telefonike, “rrënqethëse”, siç thotë ajo, që kishte zhvilluar me një përfaqësues të “krahut të luftës”, që ndodhej larg Rambujesë. Ajo po e luste Z. Demaçi që ta bindte Thaçin për ta nënshkruar Marrëveshjen, sepse ishte në favor të Kosovës.
Mund të konkludohet, mbi të gjitha, se fati i Kosovës u vulos nga Vendimi i palës serbe për të mos e nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë!
Kriminelët i kishte “nxânë gjaku”, siç thuhet pë vrasësit në Veriun shqiptar, ndaj, me qëndrimin e tyre prej idiotësh, kundër Marrëveshjes, ata, për fat të shqiptarëve, vetë po e “thërrisnin” Aleancën e NATO-s që t’i ndëshkonte me një bombardim – nga kupa e Qiellit!
Serbia duhej ta paguante haraçin për masakrimin e rreth 16.000 civilëve shqiptarë, në mesin e tyre – mijëra fëmijë e pleq, për dhunimin e mbi 20.000 grave e vajzave – të pambrojtura, për pirgje skeletesh të trupave të djegur në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi, për Kosovën e shndërruar në gërmadhë, me mbi 120. 000 shtëpi të djegura rrafsh me tokë nga piromanët serbë, si dhe për vuajtjet e papërshkrueshme të rreth një milon refugjatëve, që kishin shpërthyer rrethimin serb dhe kishin ikur përtej kufijve të Kosovës.
*
Pra, tashti e kishte radhën NATO, Aleanca Ushtarake Veriatlantike, në ballë me Amerikën.
Rugova me gjysmën e Delegacionit ishte kthyer në Prishtinë. Gjysma tjetër, “krahu i luftës”, ishte ndalur në Tiranë.
“Now is time for NATO”, ishte përgjegjja e vetme e Rugovës, duke hyrë në Rezidencën e tij në Velani të Prishtinës, drejtpërdrejt mbas kthimit nga Parisi, para shumë gazetarëve shqiptarë e të huaj”, thotë Merovci.
NATO, në pesëdhjetëvjetorin e saj të themelimit, do ta bombardonte për herë të parë, qëkur ishte krijuar ajo, – një shtet sovran, Serbinë, – shtetin e kriminelit Millosheviq.
8.
Kapitujt në vijim të librit, – si: Fillimi i bombardimeve të NATO-s; Arresti shtëpiak i Rugovës; Takimi i Gandit me Kasapin e Ballkanit; Arratisja e gazetares gjermane; Vrasja e Hajrush Abdullahut, duke u përpjekur që ta shpëtonte nga vrasja potenciale Rugovën dhe familjen e tij, së bashku me Adnanin; pastaj Shkuarja e Adnant në Shkup gjatë bombardimeve, që pasohet me lirimin e Rugovës nga mbajtja peng, si dhe shkuarjen e tij ne Itali e Gjermani; Fundi i bombardimeve të NATO-s dhe çlirimi i Kosovës, si dhe Kthimi dhe pritja e Rugovës në Prishtinë, si Hero, – janë rrëfimet më të ndjeshme të autorit të librit “Në hap me Rugovën”.
“Arresti shtëpiak i Rugovës”, që kap shtatë faqe libri, është më i veçanti. Ua lë lexuesve të librit që ta përjetojnë vetë rrëfimin dramatik të autorit për hyjen brutale të policisë serbe në shtëpinë e Rugovës në Velani, vendimin që kishte marrë Presidenti se nuk do të largohej nga shtëpia, si dhe aktin besnik të vetë Merovcit, bashkëpunëtorit të ngushtë të tij, i cili nuk deshi të ndahej nga Presidenti, duke rrezikuar jetën bashkë me familjen.
*
Autori i librit e përshkruan çastin kur kishte rënë bomba e parë mbi cakun serb, afë Prishtinës, në Hajvali. Adnani e kujton njeriun e parë që e kishte marrë në telefon nga fshati i tij, Hajvalia, gazetarin dhe mikun e tij Halil Matoshi, pastaj Iliaz Kurteshin, për të cilin thotë se ishte i vetmi që kishte shkuar në shtëpinë e Rugovës, pak para arrestit shtëpiak të Kryetarit, duke u interesuar pë sigurinë e tij; pastaj Veton Surroin, i cili përmes telefonit kishte pyetur për Kryetarin, duke sugjeruar “të ishim shumë të kujdesshëm, sepse rreziku ishte shumë i madh”.
Merovci, i cili në librin e tij përmbahet nga gjuha e “ashpër”, në këtë kapitull shpërthen, duke thënë se “bashkëpunëtorët e Rugovës i kishte lëshuar toka”. Ose, më ashpër: “disa nga ‘funksionarët’ e LDK-së kishin kërkuar ndërmjetësimin e Zyrës së RUGOVËS tek Kori Diplomatik i huaj në Shkup që t’u mundësohej largimi nga Kosova”. Ose, edhe më ashpër: “disa të tjerë, përmes ‘miqve të serbëve lokalë’, ishin shoqëruar deri në Maqedoni”.
Adnani i quan këta “xhonturq të LDK-së”, që ishin bashkuar me grupin që “me mish e me shpirt pretendonin puçin kundër Presidentit Historik të Kosovës, derisa ai po luftonte për jetë a vdekje”.
Duke folur për kohën sa kishte qëndruar në Prishtinë, bashkë me Rugovën dhe me familjet, Adnani thotë se në Prishtinë kishin mbetur të ngujuar shumë njerëz, të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kishin arritur të largoheshin. Ata i kishin kaluar ditët e netët në ankthin e vrasjes. Forcat serbe kishin kapur dhe masakruar njerëz në kryeqytet. Hartuesi i Dosjes kundër kriminelit Millosheviq, avokati Bajram Kelmendi, ishte gjetur i masakruar, së bashku me dy djemtë e tij, ndanë një rruge në periferi të Prishtinës. Nga kolona e njerëzve që po largoheshin drejt kufirit me Maqedoninë ishte nxjerrë Akademik Fehmi Agani, bashkëpunëtori më i afërt i Rugovës. Ishte pushkatuar profesori i Sociologjisë dhe trupi i tij ishte hedhur në një arë në periferi të qytezës së Lipjanit.
Në Kryeqytet kishte mbetur i ngujuar, përveç të tjerësh, një bashkëpunëtor tjetër i Rugovës, këshilltari i tij, shkrimtari e publicisti Xhemail Mustafa, pastaj Adem Demaçi, Halil Matoshi, Albin Kurti, si dhe shumë njerëz të tjerë të njohur e të panjohur në Prishtinë. Dy të fundit ishin kapur nga forcat serbe dhe kishin përfunduar në burgjet e Serbisë, deri mbas lufte.
Merovci e kujton me pietet Xhemën, mikun e tij, burrin e urtë që e kishte mbijetuar vdekjen, duke bredhur nga një bodrum në tjetrin.
Xhema, për 78 ditë/netët e ferrit, kishte qenë dëshmitar vuajtjeve që kishin përjetuar shqiptarët e ngujuar, nën bajonetat e xhelatëve serbë. Ushtarët e policët serbë ishin çartur nga urrejtja kundër NATO-s, kundër shqiptarëve, ndoshta edhe kundër vetëvetes.
Xhema i kishte mbajtur mend të gjitha.
Mbas luftës, ai do t’ia ngriste Kryeqytetit një ‘Monument”, me librin “Një lutje për Prishtinën”, pa e ditur se ky do të ishte libri i Tij i fundit.
Heroi që kishte mbijetuar ferrin e luftës, u vra në shkallët e pallatit ku jetonte, në lagjen Dardania të Kryeqytetit. Mbas luftës.
Vrasësi(t), – thanë ata që i kishin parë duke u larguar nga vendi i krimit, – ishin shqiptarë. Njiheshin nga hapat.
Ata nuk u gjetën kurrë!
*
“Ne hap me Rugovën” përmban edhe edhe shumë njësi të tjera, që shpërfaqin vyrtyte të Rugovës, por edhe vese të tij, pastaj situata të rralla, portrete të miqve, por edhe të kundërshtarëve të tij. Shumë njësi të librit që nuk arrita t’i vë në pah në këtë shkrim sigurisht që zgjojnë kurreshtjen dhe interesimin e kategorive të ndryshme të lexuesve.
9.
Do ta përmbyll këtë vështrim për librin e Merovcit, “Në hap me Rugovën”, me dy copëza vlerësimesh të recensentëve, me të cilat autori e hap atë.
Shkrimtari i njohur, tashmë i ndjerë, Arif Demolli, thotë, ndër të tjera, se, si letrar që ishte, nuk mund të krijonte mite, ndaj as kryetarit Rugova nuk mund t’ia vinte breroren e Profetit. Por, shton ai, “nuk kisha si të mos mrekullohesha me guximin e tij të jashtëzakonshëm për të marre përgjegjësisnë e liderit në momentin më të vështirë historik të popullit shqiptar të Kosovës”. Demolli shpreh habinë se si “arriti ta bënte grusht një popull të tërë, i cili për një fjalë të tij mund të hidhej në zjarr. Si i besonte aq shumë kauzës së vetë paqësore, (ose me drejt: si arrinte të na shpëtonte nga shfarosja) kur Ballkani po digjej flakë? Të mos flasim këtu për periudhën e bombardimeve të NATO-s, gjatë të cilave ai u zu peng në shtëpi të vet dhe u bë njeriu më fatkeq i popullit te tij”.
Ndërkaq, Avni Spahiu, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm të Presidentit, thotë se “ky libër është thelbësor për të kuptuar me thellësisht jo vetëm një periudhë të rëndësishme të historisë sonë, por edhe përpjekjet diplomatike të Dr. Rugovës, në periudhën e rezistencës paqësore, që i parapriu asaj të armatosur”. “Duke sjellë këto kujtime të një kohe jo fort të largët në historinë tonë , Merovci jep një kontribut të veçantë në ndriçimin e kësaj periudhe dhe të personalitetit të Presidentit Rugova, si politikan, por edhe si njeri”, thotë Spahiu.
10.
Dhe, fare në fund, edhe dy fjalë.
Kam bindjen se Adnan Merovci, duke qëndruar ‘në hap me Rugovën’, e ka njohur më mirë se shumëkush tjetër Kryepersonazhin e Librit, ndaj edhe ka arritur t’ua shfaqë lexuesve besnikërisht portretin e Tij.
Ibrahim Rugova ka qenë një Njeri jashtëzakonisht i Përgjegjshëm.
Duke hyrë në betejën e politikës përmes “derës” së Kulturës dhe Shkencës, Ibrahim Rugova ka rrezatuar besim, dije dhe humanizëm.
“Nuk na duhet asgjë Kosova pa njerëz”, – thoshte shpesh ai.
Ibrahim Rugovës mund t’i atribuohet me të drejtë merita për ruajtjen e substancës kombëtare të Kosovës.
Në kohën kur Kosova kishte arritur në atë gjendje, sa që, nuk do të ishte çudi që askush të mos i besonte askujt, për asgjë, – shqiptarët i besonin Rugovës, si të ishte një profet!
Respektin për Heroin e tyre e dëshmuan qindamijëra njerëz, më 21 janar 2006, tek po ndaheshin prej tij me lot të ngrirë në sy. Të rreshtuar në një kortezh funebër kilometrik, në një heshtje kosmike, po e përcillnin Liderin e tyre drejt Velanisë së Kryeqytetit të Dardanisë.
Qinda burrështetas të Botës së Lirë, si dhe njerëz të shquar të shkencës e të kulturës, i përkuleshin Prijësit të shqiptarëve, personalisht, fizikisht, si dhe nga larg.
Ibrahim Rugova ishte i lidhur me Dardaninë Antike si Anteu me Tokën.
*
Z. Merovci e përgëzoj për këtë libër dhe i uroj suksese të reja në punën e tij të mëtutjeshme.
*New York, 10 maj 2017
Komentet