Gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë u janë ndarë letra falënderimi nga liderët e vendit – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, në një ceremoni të mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës me rastin e përvjetorit të parë të nisjes së luftës në Ukrainë.
Kryeministri Kurti tha se populli i Kosovës ka qenë i gatshëm t’i ndihmojë ukrainasve, pasi sipas tij, e kupton dhimbjen që sjellë lufta, teksa shtoi se Ukraina duhet ta fitojë luftën.
“Do të jemi pranë jush si popull dhe si institucione, si dje, si sot dhe si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, tha Kurti.
Në fitoren e Ukrainës kundër Rusisë u shpreh e bindur edhe Osmani, e cila ua premtoi ukrainasve mbështetjen e pakushtëzuar të Kosovës.
“Lufta e Ukrainës është luftë për t’i mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë kudo në botë. Prandaj, fitorja e tyre është fitore e gjithsecilit që beson në këto vlera dhe veçanërisht fitore edhe e popujve që kanë sakrifikuar shumë për liri dhe demokraci, sikurse populli i Kosovës”, tha Osmani.
Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, theksoi se Kosova ka qenë e gatshme t’i ndihmojë ukrainasit pasi që “ne ju kuptojmë më së miri se si është t’i lini familjet e juaja në luftë e në zjarr e të vini të qëndroni në shtet tjetër”.
Ai gjithashtu falënderoi 12 gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë për promovimin që ia kanë bërë ata Kosovës, duke thënë se raportimet e tyre “kanë kompensuar dekada e dekada të mungesës së afërsisë mes dy popujve tanë”.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë, Rusia është përballur me sanksione nga shtetet perëndimore, të cilat kanë përkrahur financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën. Kosova u është bashkuar shteteve perëndimore duke dënuar dhe vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Gazetarja ukrainase në Kosovë, Luidmyla Makei, tha se ata ndihen të qetë në Kosovë pasi që vazhdimisht e ndiejnë mbështetjen e qytetarëve.
“Këtu nuk bien raketat dhe nuk bien bombat, por shpirti dhe mendimet tona janë gjithmonë me Ukrainën. Ju na kuptoni më së miri se vetë kosovarët i mbijetuan luftës dhe ende i mbajnë mend dhimbjet. Ju, si askush tjetër, e dini çmimin e fitores dhe besoj se edhe Ukraina do të fitojë”, tha Makei.
Përvjetori i parë i luftës në Ukrainë është shënuar edhe në një seancë solemne të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Sznunuyog.