HAMBURG – Vendet pjesëmarrëse në Samitin e 12-të të Liderëve G20 që u mbajt në qytetin Hamburg të Gjermanisë u dakorduan përmes një deklarate të përbashkët.
Në deklaratë u theksua vazhdimi i luftës kundër proteksionizmit, tregtia ndërkombëtare, rritja ekonomike, eliminimi i varfërisë, mbështetja e Marrëveshjes së Parisit mbi Klimën, bashkëpunimi me Afrikën, rritja e punësimit dhe fuqizimi i rolit të gruas.
Në deklaratë ku thuhet se liderët e G20 janë takuar në Hamburg për t’i diskutuar vështirësitë e ekonomisë globale dhe kontribuimin për prosperitetin thuhet se “Kapërcimi i sfidave të kësaj kohe, formimi i një bote të ndërlidhur njëra me tjetrën dhe bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar është qëllimi i përbashkët i forumit tonë G20”.
Duke theksuar se zhvillimi i qëllimit të përbashkët për një rritje të fortë, të vazhdueshme, stabile dhe gjithpërfshirëse është një prej prioriteteve kryesore të samitit G20, në deklaratë thuhet se “Ne vendosëm për t’i adresuar sfidat themelore të shoqërisë si terrorizmi, zhvendosja, varfëria. Uria dhe kërcënimet shëndetësore, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe barazia. Do të vazhdojmë t’i zgjidhim këto probleme në bashkëpunim, përfshirë edhe shtetet të cilat janë në zhvillim”.
Duke vënë në dukje se përkundër asaj që pritjet e rritjes janë të inkurajueshme, shpejtësia e rritjes ende nuk është në nivelin e duhur dhe është e dobët, në deklaratë thuhet se liderët kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre për bashkëpunimi ekonomik dhe financiar ndërkombëtar për shpejtimin e rritjes dhe mbrojtjes së saj nga rreziqet e dobësimit.
Temat kryesore të këtij samiti, ku Turqia u përfaqësua nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan ishin “Ndarja e përfitimeve të globalizmit”, “Formimi i Qëndrueshmërisë”, “Zhvillimi i Burimeve të Qëndrueshme të Jetesës” dhe”Marrja e Përgjegjësisë”.
“Tregtia ndërkombëtare dhe investimi, një prej motorëve të rëndësishme të rritjes”
Në deklaratë qëndron se “Tregtia ndërkombëtare dhe investimi është një prej motorëve të rëndësishëm të rritjes, prodhimtarisë, inovacionit, krijimit dhe zhvillimit të punësimit”.
“Duke shprehur rëndësinë e tregtisë dypalëshe dhe asaj që sjell përfitime reciproke, si dhe të parimit të mosdiskriminimit do t’i mbajmë tregjet e hapura dhe do të vazhdojmë të luftojmë kundër proteksionizmit përfshirë edhe praktikat e padrejta tregtare dhe në këtë aspekt do të njohim rolin e mjeteve të mbrojtjes së tregtisë legale”.
Më tej potencohet rëndësia e transparencës për marrëdhëniet tregtare të cilat sjellin përfitime reciproke. “Për këtë qëllim ne u japim rëndësi aktiviteteve të monitorimit të Organizatës Botërore të Tregtisë, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD) dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD)”.
Në deklaratë po ashtu u theksua se sistemi financiar i hapur dhe fleksibël i cili mbështetet në standardet ndërkombëtare dhe për të cilin është arritur marrëveshja, ka një rëndësi të madhe për rritjen e qëndrueshme. Gjithashtu nënvizohet se liderët vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri për finalizimin e axhendës së reformave të sektorit financiar të G20 dhe zbatimin e saj në kohë, në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme.
Marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike
Në deklaratë thuhet se është shënuar edhe vendimi i SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën ku shtohet se “Liderët tjerë të G20 theksojnë se Marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme”.
Po ashtu bëhet e ditur se liderët kanë rikonfirmuar një angazhim të fortë për Marrëveshjen e Parisit.
Partneriteti me Afrikën
Në deklaratë e përbashkët përfshihen edhe vlerësimet për partneritetin me Afrikën, për të cilin kryesuesja e këtij Samiti, Gjermania i kushton rëndësi.
“Ne fillojmë partneritetin G20 me Afrikën, në drejtim të mundësive, të vështirësive dhe qëllimeve të vitit 2030 në shtetet e Afrikës. Përpjekjet tona të përbashkëta, do të inkurajojnë rritjen e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike dhe duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të shteteve të Afrikës, sidomos duke kontribuar në punësimin e grave dhe të rinjve, do të ndihmojnë në adresimin e varfërisë dhe jobarazinë në mes të arsyeve të migrimit”, qëndron në deklaratë. aa
Komentet