Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, tha të premten se ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, është i paligjshëm.
Ky projket financohet nga Serbia.
“Ajo çka ka ndodhur në veri, me aq sa kemi ne informacion, i bie që as me planet urbane të Serbisë nuk është… Pra, zhvillimi në Luginën e Diellit konsiderohet si ndërtim pa leje sa u përket institucioneve të Republikës së Kosovës, por nuk ka asnjë informacion që ekziston çfarëdo leje ndërtimore, respektivisht çfarëdo lloj plani hapësinor, që është respektuar për ndërtimin e tij. Prandaj, mund të themi se në tërësi është një veprim i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me çfarëdo ligji”, tha Aliu në një seancë të Kuvendit të Kosovës.
Shteti i Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë në përfundim të ndërtimit të lagjes “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Në një sipërfaqe prej 15 hektarësh tokë janë 300 njësi banesore të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.
Është raportuar se projekti kap vlerën prej 14 milionë eurosh.
Aliu tha se në bazë të informacioneve të disponueshme, Ministria e Mjedisit e Kosovës ka dërguar në vitin 2016 inspektorët e saj, për të kërkuar një raport nga Komuna e Zveçanit, në lidhje me ndërtimin e vendbanimit.
Por, atëbotë, shtoi ai, askush nga ajo komunë nuk ka pranuar t’i japë përgjigje inspektoratit.
Pas kësaj, Aliu tha se Ministria e Mjedisit ka ngritur padi kundërvajtëse ndaj drejtores së urbanizmit në Komunën e Zveçanit.
“Pas kësaj padie, dy vjet më vonë, gjykata e ka shfuqizuar atë, për faktin se kanë kaluar dy vjet dhe padia është parashtruar”, tha Aliu.
“Tani në dokumentacione, në aspektin gjyqësor, situata është krejtësisht e mbyllur, sa i përket Ministrisë karshi Komunës së Zveçanit”, theksoi Aliu.
Aliu tha se Ministria që drejton ai, ka 38 të punësuar në veri të Kosovës, ndërsa në kuadër të Inspektoratit të Ministrisë janë 12 punëtorë.
“Por, fatkeqësisht, raporte për gjendjen në veri në mënyrë zyrtare nuk ka”, tha Aliu.
Ai shtoi se Ministria e tij është duke punuar për t’i mbledhur të gjitha informatat për aktivitetet në veri të Kosovës dhe për punëtorët e kësaj Ministrie në veri dhe se ajo do ta informojë Kuvendin dhe Qeverinë më vonë.
“Se cilat do të jenë veprimet politike më pastaj për vendosjen e rendit, mbetet çeshtje politike që do të diskutohet këtu në Kuvend“, tha Aliu.
Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë.
Vendbanimi është duke u ndërtuar që nga viti 2016.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një letër dërguar Komunës së Zveçanit, e cila e ka shpallur qytetar nderi më 14 korrik, ka thënë se “gjithçka që bëhet dhe ndërtohet, çdo gur në Luginën e Diellit është themeli ynë për të ardhmen në këto hapësira”.
Komentet