Libri 100-vjeçar që kushtonte 10 franga ari.
Detajet e jetës dhjetëvjeçare të Mbretërisë shqiptare.
Ballot aristokratike ku Geraldina tërhiqte vëmendjen gjithmonë.
Darkat informale të Zogut në praninë e Naltsive.
Nga historia po dalin përditë fakte të qena e të paqena. Nga njëri historian te tjetri, legjendat po bëhen gjithnjë e më të bukura. Por këto, në librat a dokumentarët e rinj. Ka edhe botime ngjyrë ndryshku, botuar vite të shkuara, kur shumë prej nesh nuk kishin lindur, që janë ende në bibliotekat e më të kujdesshmëve, trashëguar nga pasardhësit, që dokumentojnë kohën në të cilën janë shkruar. Njëri prej tyre është “10 vjet Mbretni” i viteve 1928-1938. Faqet i janë dëmtuar vetëm në ekstremitete, ndërsa ruhen të gjitha.
Në kapakun mbyllës shkruhet çmimi prej 10 frangash ari. Është një botim i qeverisë mbretërore me rastin e dhjetëvjetorit të shpalljes së Mbretërisë. Përshkruhet në të e gjithë epoka e mbretërisë, bashkë me veprat e Mbretit Zog të ilustruara me fotografi. Botimi gati 400-faqësh me format të letrës sa të gazetës që po mbani në duar, është i mbushur me fakte të dokumentuara që përshkruajnë zhvillimin e çdo fushe të aktivitetit të shtetit. Akoma sot, e mbase gjithnjë, do të ngacmojë kureshtjen, qoftë edhe një fotografi e pabotuar më parë e Mbretëreshës Geraldinë apo jetës së panjohur të princeshave, motrave të Zogut. Po ju sjellim disa pasazhe të tij marrë nga faqet e çlidhura tashmë të librit që paguhej me ar. Është format i marrë nga libri i “Las Cases”, “Il memoriale di Sant’ Elena”. Aspak i përshtatshëm, sot, në kohë Ipad-esh për t’u shfletuar. Por, me gjithë aromën e vjetërsuar të pluhurit, spikasin detaje të një kohe ndryshe, jo vetëm në pikëpamjen e sistemit, por edhe të jetës së përditshme, brenda dhe jashtë oborrit të Mbretit…
Fillimi i viteve ’28
Familja mbretërore duke hyrë në pallatin mbretëror
Këtu e dhjetë vite më parë, pikërisht si sot, populli shqiptar jetonte një nga kohët më të bukura të jetës së tij si komb, i hedhun guximisht mes pushtimesh të reja. Njeriu që e kishte shkëputun prej llomit të andrallavet politike, që i hidhshin turmat tona herë djathtas e herë majtas për të pushtue kush nji kolltuk, kush nji pozitë të sigurtë financiare, u zgjodh prej vullnetit sovran të mbarë kolektivitetit arbnor si mbret i shqiptarëvet. Puna e nisun prej misave të Kuvendit Kushtetues, rrodhi prej datës 25 gusht të vjetit 1928 e deri në natën që do të lidhte këtë muej me ditën e parë të shtatorit që ndiqte. Ata që patën fatin të asistojnë në këtë ndodhinë përfundimtare për jetën e Shqipnis, mbajnë mend se nata e 31 gushtit e kishte mbulue kryeqytetin me miriadha hyjesh në kulleta e të ndritshme, si një hanë nga ma të kaltrat endej përmbi ndërtesat e Tiranës…Në orën 9 e 14 minuta të ditës 1 shtatuer shuhej nga jeta shqiptare Republika dhe përfaqësia e kombit vendoste atë që ishte vullneti i patundshëm i populli: Monarkinë.
Shtëpia ushtarake
Mysafirët e lartë të sofrës mbretërore në darkën e Vitit të Ri
Shtëpija e oborrit Mbretnuer formohet prej Adjutanturës, Dipartamentit Ushtarak, Dipartamentit të Gjindarmërisë dhe Ispektorisë ushtarake. Adjuntatura formohet prej një kryeadjutanti dhe prej tre adjutantësh dhe ka për detyrë që të sigurojë gjithë korrespondencën sekrete mbretnore me të gjitha zyrat e shtetit, të drejtojë të gjithë korrespondencën private të Mbretit dhe të zbatojë udjencat, urdhnat e Sovranit dhe çdo urdhën tjetër të dhanun prej tij.
Departamenti ushtarak detyrohet që të studiojë të gjitha projektet dhe aktet që i dërgohen dhe të shprehi mendimin mbi to, ndërkohë duhet të përgatisë projekte urdhnuese prej Sovranit për sa i përket organizimit të ushtrisë.
Departamenti i Gjindarmërisë sjell kontributin e vet pranë Nalt Madhnisë së tij, Mbretit, dhe ka për detyrë që të studiojë të gjitha aktet që i urdhërohen. Të gjitha mvaren drejtëpërdrejt nga Mbreti.
Hipotezat mbi fejesën e Mbretit
Kur lajmi i fejesës gazmore të Mbretit u konfirmue përmes radios dhe prej gazetavet, fshatarët e Oponjicës ia nisën menjëherë këngës e valles duke kërkue posht e lart nji fotografi të Mbretit kalorës të shqiptarëvet; dhe gazetat që riprodhuen fytyrën e Nalt Madhërisë (N.M) së tij u rrokën ahere pothuajse me zor nga duert e shitësvet dhe fytyrat e të dy të fejuemve Augustë u ngjitën në korniza, nëpër murna.
U thurën kështu plot hipotheza mbi njohjen e Mbretit dhe të Mbretneshës dhe u përfytyrue në fantazin e oponjicarëve, Mbreti i Shqiptarvet që vinte majë kalit të bardhë nga Shqipnija për të marrë me vehte si Mbretneshë konteshën Geraldinë.
Admiruesit e Mbretëreshës në operën “Boheme”
Njerëz të mbledhur përpara pallatit për fejesën e Zogut
N.M e saj, Geraldina, bani hyrjen e parë zyrtare në shoqnin e lartë të Budapestit, me rastin e një balloje të madhe që jepej më 1934-ën, në operan e këtij qyteti. Ishte hera e parë që kjo ballo jepej në Budapest. Prandaj aristokracia ma e zgjedhun e vendit ishte mbledhun, plot stolina, në këtë Kuvend dëfrimi, në të cilin kontesha Geraldin fitoi admirasionet e të gjithëve për bukurinë, fisnikërinë dhe bujarinë e sjelljeve të saja.
Zakoni e donte që të gjithë ata që hyjshin për herën e parë në shoqni të paraqiteshin përpara publikut të zgjedhun duke u çfaqun në nji tabllo të famshme veprash arti, të veshuna me kostume me stil, nji sqenë e përgatitun artistikisht qe sfondi i kësaj tablloje. Ndërsa orkestra ekzekutonte muzikën e ambëltë të operas “Boheme” të Puçinit, N.M e saj Geraldinë paraqitej në petkun e Mimis duke pas pranë në pjesën e Rodolfos, të vëllanë, Julius. Orkestra ekzekutonte pjesën e kësaj opere “Mi chiamano Mimi” dhe konteshina bëri një revancë të bukur dhe aq hirplotë, sa duartrokitjet ma të nxehta i fitoi ajo ndër të gjitha shoqet aristokrate. I gjithë ai publik i zgjedhun nuk pati tjetër bisedim atë natë përveç paraqitjes së kësaj luleje të fisit zamath të Apponyivet. Si të gjithë aktreshat dhe aktorët e sajuem, Mbretnesha e jonë nuk çeli gojë në tabllon e vetë.
Aktivitetet e princeshave
Të gjithë e mbajmë mend enthuziasmën që ka zgjuar vizita e këtyre misionareve të larta të verbit mbretëror në tërë Mbretërinë. Jehonat e asaj enthusiasme do të mbeten historike e të paharruara. Princeshat e larta, pasi vizituan viset e ndryshme të Mbretërisë, nuk kursyen të ndërmarrin një udhëtim gjer në Amerikën e larkme, po hospitale, pse Shtetet e Bashkuara kanë qenë një fole e kombëtarisë dhe me shumë të drejtë, munt t’a quaje më një vatër të dytë atdhetare. Princeshat Mbretnore u pritën në Amerikë me një enthusiasmë që nuk përshkruhet dot. Përgjithësisht shqiptarët që banojnë në SHBA janë larguar nga atdheu që prej shumë vjetësh edhe qysh përpara mëvetësisë kombëtare. Ata në kujtimet e tyre mbajnë ment Shqipërinë e robëruar, të coptuar e prapanike. Vajtja e princeshave ua shpuri Shqipërinë e sotme përpara syve, pse vajtja e princeshave mbretnore ishte një simbol patriotizmi.
Darkat intime në Pallatin Mbretëror
Më 31 dhjetor 1936, me rastin e Vitit të Ri, shtrohej në Pallatin Mbretnuer një darkë intime e pasume prej një koncerti muzikal. Tryezën e kryesonte Nalt Madhnija e tij, Mbreti, duke pas pranë nga ana e djathtë Naltninë e saj Mbretnore, princeshën Nafije edhe nga ana e majtë Naltësin e saj Imperiale, princeshën Senije. Përkundrejt N.M së tij, mbante vendin N.M e saj princesha mbretnore Adil, duke pasë pranë nga e djathta Naltësin e Tij, princin imperial Abid edhe nga e majta, kryeministrin, ekselencën e tij, zotni Koço Kota. Në tryezën kryesore kishin vendet e tyne pjestarët e familjes Auguste, princi Xhelal, princesha Myzejen, Ruhije, Maxhide e Tere dhe princat Salih, Hysejn, Sheraffeddin dhe Tati. Midis të ftuemve çquheshin misat e Qeveris Mbretnore me zojat e tyre, kryetari i Parlamentit, adjutantat e Nalt Madhnis së tij, Mbretit.
Financat
Ministria e Financave, qysh prej vitit 1924 e tëhu dhe posaçërisht në këtë 10-vjetor të Mbretërisë ka arritun të formojë dhe të përmirësojë dita-ditës legjislacionin financiar të Shqipnis.
Kushdo e merrë me mend vështirësinë që kanë ndjekun snafet e ndryshëm të Ministrisë së Financavet për të adoptue kur ka qenë nevoja mbeturinat e administratës otomane në rregullimin e financavet tona dhe për të krijue rishtas, duke u mbështetun në kanunet ma të përparueme të shteteve okcidentale, nji formë të re dhe të saktë administrimi. Ligjat e ndryshme që janë propozue, bisedue, pranue dhe dekretue për t’i dhanë këtij dikasteri shkathtësinë dhe saktësinë në zhvillimin e punës së tij, janë nji provë e kjartë e nji veprimtarije të palodhshme dhe plot vëmendje e ndërgjegje. Me hypjen në fron të Mbretit, gjejmë nji ligjë themelorë të Ministrisë së Financavet, më datë 17 prill 1929, që merret me rregullimin e zyravet të ipotekave dhe taksave të tyne, duke i përmbledhun edhe ish-kadastrat e kohës otomane dhe ripunimi i sajë më datë 29 mars na provon se në këtë shesh Shqipnija e Mbretit Zog ka arritun të mëkambi nji administratë që nuk ka ma se ç’tu ndezë atyne shteteve ma të qytetnueme.
Arsimi
Nji trashëgimi kulturore ne nuk e kemi dhe kur themi trashëgimi, kuptojmë shekuj të gjatë në të cilët dija të ndriçohej dhe të zhvillohej me rrymën e saj të pakundërshtueshme. Të parët tanë nuk patën kohë që t’i kushtoheshin kësaj fushe mendore dhe shpirtnore; ata qenë tepër të xanun me armët e tyre të rrepta që përdoreshin për të mirë e për të keq. Mbrojtja, pothuajse shekullore e tokës sonë, gjithmonë nën armë e mbyti çdo thelizë kulture. Duket se shkolla s’ka qenë nji fole shqiponjash për etërit tanë; këtej nis vuejtja e jonë dhe duke marrë parasysh këtë, kuptohet se sa Titanike ka qenë dhe është ndërmarrja e Mbretit për të mëkambun arsimin dhe me të kulturën ndër ne. Faji i mungesës së kulturës në kohnat e moçme të vendit tonë nuk asht, ndoshta aqë i të parëvet tanë sesa i fatit që s’na la të bindemi mirë se kurrgja, në fushën e dijes, nuk ban “burrat e motit”; sepse nuk gjetëm asnji vorr të tyne, as atë të kryetrimit tonë dhe, si rrjedhojë, vdekja e padukshme na fshehu librin që mund të këndohesh. Shqipnija e vuejtjeve të shumta dhe e flinave edhe ma të shumta, gjindej në këtë vjet në nji atmosferë të dëshpërueme për sa i përket arsimit. Kështu ndodhi që në verën e 1920-ës të mblidhej nji Kongres arsimor në Lushnje për të vendosur nji program të përbashkët për shkollat fillore 5-klasëse dhe unjisimin e termave të landëve të ndryshme mësimi. Për sa u përket shkollave të mesme vazhduen ato të përparshmet dhe, ma tepër, u çel gjimnazi shtetnuer i Shkodrës, Liceu i Korçës u ba konvikti. Shkollat fillore, për arsye se personeli ishte fort me të metë në pikëpamjen teknike dhe për arsye buxhetore, u pakësuen, por iu dha rëndësi arsimimit nëpër malsina dhe kështu u themeluan edhe konviktet e para në këto zona. Në vjetin ’23-‘24 u çel Liceu u Gjinokastrës dhe në ’24-’25, Normaleja femnore e Korçës. Si shkolla të mesme u çelën për herë të parë shkolla Tregtare e Vlonës, gjimnazi i Tiranës dhe ay i Beratit.
Ideja e themelimit të nji biblioteke në Tiranë ka qenë për herë të parë në vjetin 1922. Me përkujdesjen e ministrit të Arsimit është ba nji grumbullim librash, shumica dhurata që formuen bazën e bibliotekës kombëtare t’ardhshme. Nisi më 1928 me 1785 vizitorë, ndërsa në vjetin ’38-të arriti në më tepër se 20.000 vetë.
Me qëllim që të përhapej arsimi filluer, Ministria e Arsimit dha bursa mësimi, brenda caqeve e fondeve buxhetore, tue pranue nxanës në konvikte shtetnore.
Lufta për mbrojtjen e ekonomisë
Para datës historike 1 shtator 1928, veprimtaria e zhvillueme në degën e bujqësisë ka qenë pothuajse në hapat e parë të organizimit. U banë lloj-lloj provash për të arritun ma në fund në një sistem ma të organizuem e ma të plotë në dobi ma të madhe të bujqësisë. Në vendin tonë, qysh prej ditëve të para të lirisë kombëtare, bujqësia ishte në nji gjendje krejt të mjerueshme dhe me të vërtetë primitive; bujku shqiptar nuk i njihte as rregullat më fillestare të bujqësisë moderne dhe nuk zotonte as zell dhe as shpirt për punë. Prandaj ishte shumë zor të bahej nji fillim i mirë, pa mjete teknike, morale e landore të mjaftueshme. Në fillim u krijua Ministria e Bujqësisë dhe e Pyevet me disa drejtorina në qarqe; mandej ajo u ndryshue në Ministri të Bujqësisë, Pyevet dhe Metalevet. U dekretue ministër i Ekonomisë kombëtare z. Mehdi Frashëri. Nji ligjë, që solli përmirësime rranjësore në gjendjen e bujkut shqiptar dhe që i dha të drejtë ati që të bëhet zot toke, të punojë ma me dashuni tokën dhe të bajë përmirësimet e duhuna, duke i rregullue konfliktet dhe marrëdhëniet midis bujkut dhe pronarit dhe tue caktue detyrat e të drejtat e të dy palëvet, asht ligja mbi reformën agrare, ajo mbi krijimin e bankës bujqësore dhe ajo mbi kontratën-typ e dekretume në 1930.
Itinerari i një dite në Vjenë
Në mëngjes
Ushtrime fizike, gjueti, lexime për t’u thellue në njohjen e gjuhës gjermane, biografi ose histori, vizita nëpër institucione kulturore, ushtarake etj.
Mbas dreke
Dy orë në bibliotekë, shëtitje më kambë ose mbi kalë.
Mbas darke
Mendime mbi punën e ditës, shënime të nevojshme.
Qëndrimi në Vjenë deri në fund të luftës botnore, i dha rast Mbretit që të formonte nji pllan veprimi në lidhje me pamvarësinë e Shqipërisë./ANI JAUPAJ
Komentet