Panairi i librit “Tirana 2018′ u zhvillua nga datat 14-19 nentor ne ambjentet e Pallatit te Kongreseve Tirane. Në stendat e Toenës ishte edhe libri poetik i autores Eva Gavani “Tek ti fle pagjumësia ime”
Më poshtë po sjellim dy fjalë të autores:
“Dy fjalë …
Poeti e ka të vështirë të flasë për vete, e për më tepër të zbërthejë atë që ka shkruar në vargje, pasi e gjitha ç’ka dashur të thotë është vetë poezia.
Poezia është ndjesi e natyrisht si e tillë janë vetë ndjenjat ato që krijojnë kompleksitetin, por edhe trazimin shpirtëror në momentin kur i lexon, e nëse ke dëshirë ti rikthehesh përsëri në një situatë të caktuar për të marrë një mesazh apo për tu futur në meditim, tregon se ajo e ka arritur qëllimin.
Kjo përbën, mendoj, thelbin e poezisë.
E natyrisht, që poezia të arrijë këtë duhet të jetë shkruar me ndjenjë e frymëzim, të mos jetë e sforcuar, e ngarkuar e as hermetike, por të ndjekë ritmin e rrjedhjes së gjakut, që të arrijë deri në zemër e të prekë në shpirt.
Në periudhën e gjatë të shkëmbimit të këtyre ndjesive me lexuesin, kam arritur në përfundimin se përmes poezisë kam shumë miq, me të cilët ndaj kafenë, bukën e sofrën e ushqimit shpirtëror. Pika jonë e takimit është natyrisht Poezia, kjo sofër bujare të cilën si amvisë e hershme e shtroj me shumë bujari. ( Kjo nuk do të thotë që tu jape dorë të lire atyre që “mbushin xhepat” me vargje dhe i përvetësojnë ato)
Ju ftoj sërish në “sofër” me këtë vëllim të ri të gatuar vitet e fundit, me 100 poezi të reja të strukturuara në pesë kapituj si hoje mjalt, duke pasur kësaj here qiellin si kupolë të artë e të pastër të ndjesive poetike.
Autorja”



Eva me djalin
Po sjellim një cikël me poezi nga libri
Poetët nuk vdesin
Vehbi Skënderit
Poetët dinë të lindin,
poetët s’dinë të vdesin,
mes vargut skalitin vitet,
monument për të mbetur…
Poetët veç lindin.
bashkë me yjet e agimit,
me rrezen e parë të diellit,
me sythin e trëndafilit.
Poetët ikin në perëndim,
me rrezen e horizonteve,
e flasin sërish në agim,
me cicërimën e zogjve.
Edhe të duan harresën,
të zhduken të pafjalë,
nuk munden dot poetët,
se shpirti pikon fjalë.
Poetët vetëm lindin
Poetët nuk mund të vdesin….
17.06.2011 -07.05.2018
Më jep harresën
Ka stinë që kanë emrin tend,
dhe simbole që vetëm ne të dy i dimë.
Kush i përkthen tani kodet që unë shkruaj
në qiellin që vetëm ti e njihje ?
Tani Hëna varet shpirtit tim,
duke sjellë mesazhe vetmie.
Po të më doje sa unë të doja
do më jepje harresën si dhuratë
e nga qiejt do zbrisje dashurinë
që të mund ta jetoj prapë.
2017
Arsye dashurie.
Me sytë nga Qielli,
ku krahët rrahe,
dhe i besove ëndrrën,
unë pres të kthehesh,
nga forca e dashurisë sime.
Unë pres të kthehesh,
pa guxuar të ndryshoj,
as çastin, as natën,
as ditën, as dhimbjen.
Dashuria e mundërka ikjen.
Unë pres të harrosh
ti mijëra fluturime,
e pres kthimin tënd
të rigjesh Lirinë,
në Robërinë time.
06.07.2017
Liria
( kur papagalli im u largua fluturim)
Ti ju trembe Tokës miku im,
e ike lart në qiell.
Toka u çvesh nga gjethet,
e drita s’ka pëshpërima çdo mëngjes,
Toka u mbars me zhurma,
re pluhuri ngre era,
Toka u tha nga krojet,
ku ti lagie buzën me vesë.
Ti ju trembe Tokës miku im,
krahët i hape Qiellit,
Aty ku flladet e dashurisë,
harlisen nga liria,
ku vallen nisin yjet në agim,
e engjëjt të mbulojnë me dritë.
Ti ike miku im,
mesazhe cicërimash në vesh më vijnë,
“Dashuria s’ka formë,
s’ka kuptim pa lirinë”
02.07.2017
Kam dashur…
Kam dashur një qiell të kaltër,
si sytë e një burri në mbrëmje,
si yjet që presin natën
në shkëlqim hyjnor.
Kam dashur një qiell të kaltër,
si detin në perëndim
kur ulen pluëbardhat ndenjur mbi dallgë
e këngë valëzon Joni im.
Kam dashur një qiell blu,
si sytë e një fëmije në agim
kur dielli prek ngrohtë gjethe e maja,
e ngrihet të zbardhë gjithësinë.
2018
***
I
E paskam të vështirë sonte,
Të mund natën brenda e jashtë,
të zgjoj yjet që lotojnë në ar.
brenda zemrës që erret ndër sy.
Vështirë e kam natën sonte,
psherëtima nxin në ajri,
sinjale drite të dërgoj,
vështirë qënka gjithsesi.
E paskam të vështirë sonte,
të gjej Hënën e ti lutem për shpresë,
me ndan një natë e tërë me dritën,
që brenda meje është strukur të mos vdesë.


Komentet