1. Kronika e ardhjeve dhe formimi i bashkësive
Për izraelitët në Shqipëri ka pak njoftime për periudhën e kohës që shtrihet nga fillimi i shekullit XVIII e deri në fillimin e shekullit XIX. Në Shqipëri kanë ardhur izraelitë të veçuar, por këta s’kanë hedhur rrënjë dhe as kanë formuar bashkësi të qëndrueshme. Në zërin “Avlona” të enciklopedisë Eshkol (Berlin 1929) thuhet se Ali Pashë Tepelena, sundimtar shqiptar i Janinës, kishte shumë izraelitë në këshillin e tij, por prapë gjendja ekonomike e izraelitëve ishte e ulët. Për shkak të persekutimeve të tij, shumë izraelitë u arratisën nga Janina dhe u vendosën në Avlona (Vlorë), por Ali Pasha e shtriu pushtetin e tij edhe mbi Avlonën. Pasi ky sundimtar tiran u ekzekutua në vitin 1822, këta izraelitë u kthyen në Janinë.¹)
Profesor Fejzi Hoxha shkruan se qysh nga viti 1839 u vendos në Shqipëri një mjek austriak, doktor Auerbach, i cili e ushtroi mjekësinë në Vlorë në vitin 1867 si mjek i karantinës. Më vonë ai shkoi në Gjirokastër, ku punoi deri rreth viteve 1881-1882.²)
Më poshtë profesor Hoxha shkruan për një doktor tjetër me emër Auerbach, të cilin e cilëson “minor” për ta dalluar nga i pari, por këtë e quan me origjinë gjermane dhe bir të doktorit të sipërpërmendur, i cili e bëri këtë djalë me gruan e tij himariote. Auerbachu i ri, vazhdon profesor Hoxha, e ushtroi profesionin në Gjirokastër dhe pastaj në Himarë, ku vdiq në vitin 1940.³)
Siç del nga shënimet e mësipërme, profesor Hoxha e ka quajtur doktor Auerbachun me origjinë austriake, kurse të birin me origjinë gjermane. Në të vërtetë shënimet e tij duhet të plotësohen nga dëshmia e Niqita Averbahut, që është pasardhësi i fundit i familjes Averbah dhe që sot jeton në fshatin Dhërmi të rrethit të Vlorës.
Sipas tij, Doktori Averbah (senior) ka ardhur në Shqipëri nga qyteti Has i Austrisë. Bashkë me të erdhi edhe vëllai i tij, i cili ishte konsull. Njëkohësisht vëllai merrej edhe me tregtinë e drurit për llulla që eksportonte në Angli. Ndër punëtorët që merreshin me nxjerrjen e drurit ishte edhe një vajzë nga Dhërmiu, e cila ishte tepër e bukur. Konsulli ra në dashuri me të dhe e mori për grua.
Doktori nuk u martua. Vdiq në 1867. Konsulli banonte në Vlorë deri kur vdiq në vitin 1866. Nga martesa e tij lindën 4 djem. I katërti i tyre u bë doktori minor. Ky u martua në Gjirokastër. Punoi 3 vjet në Vuno dhe 5 vjet në Gjirokastër, më vonë shkoi në Izmir (Turqi). Në vitin 1922 u kthye në Janinë ku edhe vdiq në 1927.4)
Një nga nipërit e konsullit u martua me Shullë Nenien nga fisi Pilovoglaj i Vunoit. Shkues i martesës ishte i ati i Leks Thanit, i cili Shullën e kishte nga fisi i vet dhe, kur bëri shkuesinë, e dinte që Auerbachu ishte me origjinë izraelite.5) Sidoqoftë pasardhësit e Auerbachut tashmë janë plotësisht të asimiluar dhe nuk ruajnë asgjë nga veçoritë izraelite.
Në Shqipëri kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të tjerë izraelitë. Ndër këta ishte edhe mjeku Salomon Efendi, mjek ushtarak me gradën kapiten, i cili punoi këtu në vitet 1896-1897.6) I ardhur në Shqipëri nga Janina, u vendos në Libofshë të rrethit të Fierit më 1905 doktor Moisi Kofina, si mjek i familjes Vrioni. Ai shërbeu si mjek privat jo vetëm në Libofshë dhe në fshatrat përreth, por shkonte shpesh edhe për konsultime në Fier. Më 1913 u kthye në Janinë.7)
I pari sipas radhës, i cili u vendos definitivisht në Shqipëri, ka qenë Solomon Menahem Jomtov. Ky erdhi nga Janina në vitin 1850 dhe u vendos në Delvinë me gjithë gruan, Astro Negrin. Nga martesa e tyre lindi një djalë, Menahem Solomon Jomtov. Ky u martua me Rakela Samuilidhi, me origjinë nga qyteti Trikalla i Greqisë. Rakela ishte izraelite me prejardhje nga Spanja, por në shtëpinë Jomtov flitej greqisht, sepse anëtarët e tjerë të familjes nuk e flisnin spanjishten. Nga kjo martesë lindën 6 vajza dhe 2 djem. Nga vajzat, e madhja vdiq gjatë barrëlindjes së saj të vetme, tre janë martuar në Greqi me të rinj izraelitë, ndërsa Viktoria u martua me doktor Jani Melon dhe sot jeton në Fier, kurse më e vogla, Ana, u martua me Agim Sinën. Ana ka vdekur dhe është varrosur në Krujë. Nga djemtë e Menahemit, i dyti Sami [Samuel], vdiq në Sarandë më 1937, dhe tjetri Solomoni (Tovi) Jomtov deri në muajin mars 1991 banonte në Vlorë, dhe këtej po atë muaj u kthye në Izrael. Në fillim familja Jomtov i mbajti të forta lidhjet me Janinën nga ku kishin ardhur. Kështu, kur vdiq plaku Solomon dhe e shoqja Astro, ata i varrosën në Janinë. Po ashtu, në Janinë u varros edhe djali 17-vjeçar Sami. Të tjerët janë varrosur në Vlorë dhe në Krujë.
Përafërsisht po atë vit, më 1850, në Gjirokastër erdhi dhe u vendos Jakov Ilia Vituli, edhe ky nga Janina. Në vitin 1885 lindi aty djali i tij Ilia, i cili u martua me Aneta Macën nga Janina. Nga kjo martesë lindën 4 vajza e 2 djem. Nga vajzat ka vdekur dhe është varrosur në Tiranë Fortunia, e cila kishte qenë internuar në kampet naziste të shfarosjes dhe kishte shpëtuar. Tri vajzat e tjera – Rashela Jakoel, Sandra Gani dhe Ester Prifti janë gjallë. Rashela dhe Sandra në muajin prill 1991 u shpërngulën në Izrael, ndërsa Esteri jeton në Tiranë. Nga djemtë, njëri, Heimi vdiq në Tiranë dhe është varrosur aty, kurse Zhaku, i martuar me 2 djem e një vajzë, jetonte në Tiranë dhe u shpërngul në prill 1991 në Izrael.
Në vitin 1860 erdhi nga Janina dhe u vendos në Vlorë Josef Matathia me vëllanë e tij Isak (shkurt Cako). Josefi u martua me Riketa Romanon, nga izraelitët e Korfuzit. Në vitin 1885 u lindi djali i parë Mateo, pastaj me radhë binjakët Samuel dhe Stela Levi, Davidi, Sara (e quajtur Sandra), dhe i fundit, Isaku (shkurtimisht Zakino). Vetë Josefi vdiq në Korfuz dhe është varrosur atje. Në Vlorë vdiq gruaja e tij, Riketa, dhe fëmijët Mateo, David dhe Isak. Isaku vdiq i pamartuar. Samueli vdiq në vitin 1945 në ferrin e një kampi nazist bashkë me gruan e tij, Sara (Sarina), kurse Stela Levi u martua me Nesim Levin. Ajo vdiq në Itali në vitin 1936 dhe është varrosur në Milano.
Mateo, i martuar me Rakela Kofinan, ka lënë dy djem, Josefin që rron në Natania, Izrael, dhe Davidin (Xhon), i cili jetonte në Fier dhe, në mars 1991, u vendos në Izrael. Mateo ka lënë dhe një vajzë, Riketa Gani, e cila jetonte në Tiranë e martuar me Elio Eliasaf Gani, dhe u vendos familjarisht në Izrael në mars 1991.
Samueli ka lënë dy djem. Më i madhi Pepis rron në Zvicër, kurse i dyti, Rafael, vdiq në Athinë më 1986.
Davidi ka lënë tri vajza. Vetë vdiq në Vlorë nga gripi i quajtur spanjoll në vitin 1919, kurse nga vajzat, dy, Matilda dhe Zhaneta rrojnë në Athinë, ndërsa më e madhja, Keti, e martuar me Josef (Pepe) Levin, ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë.
Sandra Matathia është martuar me Rafael Jakoel, ka lënë tri vajza dhe dy djem. Vajza e parë, Eftihia, e martuar në Korfuz, u shfaros bashkë me të shoqin Rafo dhe me dy fëmijët e saj, Niso, 5 vjeç dhe Lina, 2 vjeçe, në kampin e Birkenaut në vitin 1944. Vajza e tretë, Eftimia, vdiq në Tiranë më 1987; [vajza e saj, Matilda Levi jeton sot në Karmiel, Izrael], dhe vajza tjetër, Riketa Jomtov, e shoqja e Tovi Jomtov, banonte në Vlorë me gjithë familje deri në mars 1991, kohë në të cilën shkoi e u vendos në Izrael.
Nga djemtë, Viktori [i quajtur edhe Haim], vdiq në Vlorë në vitin 1954 dhe është varrosur atje, kurse Josefi (shkurtimisht Cefi) rron me gjithë familje në Tiranë [dhe në vitin 1991, së bashku me të shoqen Aliqi dhe dy vajzat, Feliçita dhe Ksenia, u vendosën në Izrael].
Stela Levi ka lënë tre djem dhe një vajzë. Tre djemtë, Pepja, Rafaeli dhe Moisiu janë gjallë dhe rrojnë në Izrael. Vajza Ana, martuar me Marko Osmo, jetonte në Athinë dhe vdiq atje në vitin 1989.
Sikurse u përmend, Isaku (Zakino), djali i vogël i Josef Matathias, vdiq në Vlorë i pamartuar në vitin 1932 dhe u varros atje. Vëllai Josef Matathias, Isaku (Cakua), u martua me Sarina Jakoel nga Janina dhe nga kjo martesë lindën katër djem e dy vajza. Cakua vdiq në fshatin Tragjas të Vlorës dhe fillimisht u varros atje. Vendi ku ishte varrosur quhet ende nga vendësit Varri i Cakos.
Nga djemtë, dy shkuan në Amerikë dhe vdiqën atje. Vajzat u martuan në Greqi dhe vdiqën atje. Në Vlorë kanë jetuar Moisiu (i quajtur Sino) dhe Marko (Mordo).
Moisiu (Sino) u martua me Stametan, nga Volo, në Greqi, dhe pati katër djem. Nga këta tre kanë vdekur: Ilia Matathia, dentist që është varrosur në Tiranë, Davidi (Xhoni) vdekur dhe varrosur në Vlorë si dhe Isaku vdekur dhe ai e varrosur në Vlorë. Jeton vetëm djali i tretë Josef, i cili jetonte në Vlorë dhe tani rron në Izrael.
Në vitin 1868 erdhi dhe u vendos në Vlorë Moisiu (Mushon) Kantozi, i cili ishte martuar me Mazaltonë, mbesën e Josef Matathisë. Nga kjo martesë lindën dy djem e tri vajza. Nga vajzat, Eftimia Solomoni, e shoqja e Jako Solomonit, vdiq dhe është varrosur në Vlorë, ndërsa e treta, Krisulla, është martuar në Athinë dhe vdiq atje. Në Vlorë vdiq dhe vajza e tretë, Reveka, e shoqja e Salomon Ilia Salomon.
Djemtë e Mushonit, Biro dhe Josef Kantozi, fillimisht jetonin në Vlorë dhe aty nga viti 1915 u transferuan në Fier me gjithë familjen. Biro Kantozi ishte martuar me Sarina Avram Ganin, dhe nga kjo martesë lindën tre djem e dy vajza. Biro dhe Sarina janë varrosur në Tiranë. Nga vajzat, më e madhja, Fortunata, u martua në Korfuz nga ku u deportua në kampet e shfarosjes dhe vdiq atje bashkë me burrin, Isak, dhe një fëmijë, vajzën Ester. E dyta, Malká, e quajtur edhe Rexhina, ishte martuar me Jesulla Jakov Batinon në Tiranë dhe rron sot e ve në Izrael.
Nga djemtë, më i madhi, Moisiu, vdiq në Tiranë, duke lënë të shoqen, Xhulia Aser, dhe të bijën, Fortunata. I dyti, Avrami (i quajtur Mimiko), shkoi në Izrael me gjithë familje, po ashtu edhe i treti, Josef, i quajtur Pepe.
Josef Kantozi ishte martuar me Mazalo Saretën. Pati një vajzë, Rakelën, e cila vdiq në moshën 18-vjeçare në Fier dhe është varrosur në Vlorë. E shoqja e Josefit vdiq në Vlorë, dhe vetë Josefi në Kavajë, ku edhe është varrosur.
Në vitin 1882 erdhi dhe u vendos në Delvinë Josef Kohen bashkë me gruan e tij, Gracia. Të dy erdhën nga Janina. Të dy vdiqën në Vlorë, ku ishin transferuar familjarisht në vitin 1947. Nga martesa e tyre lindi një djalë, Shemo Koheni, i cili vdiq në Vlorë. Ai ishte martuar me Zhyli Kohen, dhe nga kjo martesë lindën një djalë dhe dy vajza. Djali, Josef, shkurt Pepo, u transferua në nëntor 1990 nga Vlora në Amerikë bashkë me të shoqen, Anna Nesim Joseko dhe fëmijët. Po ashtu dhe vajza e madhe, Gracia, e cila u martua me Menahem (Minush) Jakov Solomonin, dhe vajza e dytë, Eni, e cila është martuar në Kavajë me Orest Margariti.
Në Shkodër banojnë edhe sot pasardhësit e familjes Arditi. Familja Arditi ka ardhur nga Spanja në Selanik, këtej shkoi në Dibër dhe më vonë në Shkodër. Në familje flisnin spanjisht. I pari i kësaj familje që erdhi në Shqipëri nga Selaniku ishte Zhak (Jak), i cili lindi në Selanik në vitin 1877.8) I ati ishte mjek, kurse ai vetë mbaroi studimet universitare në Stamboll për farmacist. Fillimisht hapi farmaci në Stamboll, ku u martua me Luna Russon, nga familje izraelite edhe kjo me prejardhje nga Spanja.
Aty nga viti 1900 Zhaku u transferua nga Selaniku në Dibër të Madhe, ku hapi farmaci. Rreth vitit 1910 u transferua në Tiranë, ku edhe këtu hapi një farmaci. Në Tiranë qëndroi deri në vitin 1918.
Deri në vitin 1925 jetoi në Napoli të Italisë dhe po atë vit erdhi në Shkodër, ku familja u vendos përfundimisht, dhe qëndroi deri në mars 1991.
Zhak Arditi pati gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Nga këta fëmijë, Virxhinia vdiq aksidentalisht. Moisiu, më i madhi, banonte në Shkodër, kurse sot rron në Izrael, ndërsa pjesa tjetër e familjes së Zhakut nuk rron më dhe për këta do të flitet më poshtë. Moisiu punoi përkthyes, pastaj në vitin 1934, së bashku me dy shokë, hapi zyrë përfaqësish në Durrës, por këtë punë e la sepse tregtia me Italinë në kohën e pushtimit italian nuk bëhej me anë përfaqësish, por drejtpërdrejt midis fabrikave dhe tregtarëve. Pas Çlirimit ai u kthye në Shkodër, ku punoi si farmacist. Ndërkohë në vitin 1941 u martua me Stela Mark Feuerstein, edhe kjo izraelite me origjinë polake, si nga i ati ashtu dhe nga e ëma.
Moisiu ka dy vajza dhe një djalë. Vajza, Silvia, lindi në vitin 1942, jetonte në Tiranë dhe sot rron e martuar në Izrael me Moisi Haim Batinon dhe ka dy djem. Vajza e dytë, Elena, lindi në vitin 1943 dhe rron e martuar në Tiranë me Xhoxhi Konën dhe ka një djalë e një vajzë. Në vitin 1948 Moisiut i lindi i biri, Xhoxhi, i cili rronte në Shkodër i martuar me Sara Jessulla Batino dhe ka dy djem.9) Qysh nga viti 1991 familja Arditi e zgjeruar jeton në Izrael).
Të ardhur nga Janina, në vitin 1910 u vendosën në Gjirokastër Jakov Batino dhe gruaja e tij, Sara (e quajtur Sarina). Fillimisht ata shkuan në Leskovik, pastaj, pas një kohe të shkurtër, erdhën dhe u vendosën në Gjirokastër. Kjo familje, përveç prindërve, përbëhej nga pesë djem. Më i madhi nga këta, Haimi, u martua me Eftihia Maca, izraelite nga Janina. Kanë dy djem dhe një vajzë, Zhak,
Moisi dhe Sara (e quajtur Sandra) e martuar kjo me Avram Elissaf Ganin, dhe kanë një fëmijë. Haimi është gjallë, ndërsa e shoqja ka vdekur më 1980.
Djali i tretë i Jakov Batinos, David (Xhon) Batino, i martuar me Esterin, izraelite nga Janina, vdiq në Tiranë më 1980 pa lënë fëmijë, kurse e shoqja rron në Izrael. Edhe djali i katërt, Jesullai, i martuar me Malká (të quajtur Rexhina) Biro Kantozin, ka vdekur dhe ka lënë dy vajza, Florën dhe Sarën, që është martuar me Xhoxhi Arditin në Shkodër. Djali i fundit, Menahemi, i martuar me Malká (të quajtur Rexhina) Eliasaf Ganin, deri në mars 1991 banonte familjarisht në Tiranë. Kanë një djalë të martuar, të quajtur Zhak (shkurtimisht Zhakuli). Kanë edhe një vajzë të martuar në Vlorë me Moris Kuretan. Një nga vëllezërit, Marku, djali i dytë, pas Luftës u kthye nga Gjirokastra në Janinë, ka vdekur dhe ka lënë atje të shoqen, Nina Josef Jakoel, të birin, Pepo Batino, dhe një vajzë, Ana, të martuar në Selanik.
Në fillim të shekullit, i ardhur nga Preveza, në Vlorë ka banuar për njëfarë kohe David Kabiliu, i cili më vonë ia dorëzoi dyqanin {Mos mungon gje ketu? Se nuk permendet me pare profesioni} nipit të tij, Nesim Jakov Levi. Ky thirri dhe prindërit të cilët, pasi jetuan në Vlorë disa vjet, vdiqën dhe u varrosën aty.
Rreth vitit 1910 erdhi në Vlorë në fillim provizorisht Rafael Jakoel, i cili punonte si komisioner midis Janinës dhe Vlorës. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai u martua në Vlorë me Sara (Sandra) Josef Matathinë, kështu që, pas një periudhe të shkurtër gjatë së cilës vetë rrinte në Vlorë dhe familjen e mbante në Janinë, vendosi të qëndrojë përfundimisht në Vlorë. Sikurse u përmend më sipër, ata kishin pesë fëmijë: Eftihia, Josefi, Eriketa, Eftimia dhe Viktori.
Për familjet e Nesim Levit dhe Rafael Jakoelit u fol kur u dhanë hollësi për fëmijët e Josef Matathisë, sepse i pari mori për grua vajzën e madhe dhe i dyti vajzën më të vogël Sara (të quajtur Sandra). Rreth kësaj datë, nga Preveza erdhi në Vlorë Elisaf Avram Ganiu, i cili pruri me vete edhe prindërit, të ardhur nga Napoli, prej ku donin të largoheshin për shkak të humbjes në moshë të re të djalit të tyre, Nesim. Ai u martua me Ester Ilia Jakoel, lindën tre djem, Avramin, Elion dhe Nesimin, dhe një vajzë Malká (Rexhina), të martuar me Menahem Jakov Batinon, që jetonin të gjithë në Tiranë e në Lezhë, kurse në mars 1991 u vendosën në Izrael.
Familja Kofina, e përbërë nga vëllai i madh Matathia (Mato) dhe nga më i vogli, Samuel, e nga motra e tyre, Reveka, u vendosën në Gjirokastër nga Janina në vitet 1916-1917. Ata qëndruan përfundimisht aty. Mato u martua dhe pati një djalë, Solomon, i cili rron sot në Gjirokastër, dhe një vajzë, Beba, që jeton në Tiranë. Motra, Reveka, është në Tiranë, e martuar pa fëmijë. Samueli vdiq në Gjirokastër i pamartuar.
Në vitin 1923 u vendos në Vlorë i ardhur nga Janina Jehuda Sareta. Ky u martua me Refko Ilia Solomon. Nga kjo martesë lindën katër vajza dhe dy djem. Njëri nga djemtë, Ili, ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë, ndërsa i dyti, Rodolfi, deri në prill 1991 banonte në Vlorë me të shoqen Keti e familjen e tij, dhe këtej u transferua në Izrael. Këtu është vendi për të nderuar kujtimin e Jehuda Saretës, i cili ka ushtruar funksionet e “hazzan”-it për më shumë se 40 vjet. Vështirë është të kujtohen festimet fetare, martesat apo varrimet pa pasur para syve të izraelitëve të Vlorës imazhin e figurës së thjeshtë, të përunjur, por madhështore të tij. Nga katër vajzat, dy jetuan vejusha në Vlorë, njëra edhe ajo në Vlorë sëbashku me familjen, kurse e madhja u shpërngul përfundimisht në Janinë.
Më 1925 nga Preveza erdhi në Vlorë Jakov Ilia Batino dhe pas tij vëllezërit Haim dhe Samuel Batino. Kur vendosën të qëndrojnë në Vlorë, sollën aty të atin, Ilia, dhe nënën, Malka. Këta erdhën në Vlorë në vitin 1925 dhe vdiqën e u varrosën në varrezat e vogla izraelite të qytetit. Jakov Batino vdiq në Vlorë i pamartuar. Haimi u martua me të bijën e Jehuda Saretës, të quajtur Lika, e cila deri në vitin 1990 jetonte në Vlorë, nga ku u transferua në Janinë. Haimi ka vdekur, dhe nga martesa ka pasur dy djem dhe një vajzë. Samueli u martua me vajzën tjetër të Jehudës, të quajtur Ana. Kjo rron, ndërsa Samueli ka vdekur dhe është varrosur në Vlorë. Ai nuk ka lënë fëmijë.
Jakov Ilia Solomoni me vëllezërit e tij, Nesim Joseko dhe Moisi, erdhën nga Janina në Vlorë në vitin 1919. Fillimisht Jakovi ishte këpucar, prandaj ia kishin ngjitur nofkën Jako Kundraxhiu. Më vonë ai dhe vëllezërit e tij u morën me tregti. Jakov Solomoni u martua me të bijën e Mushon Kantozit, Eftiminë. Jakovi vdiq në vitin 1946 në Beograd, ku kurohej, dhe u varros atje. Ai pati katër djem e një vajzë. Vajza e quajtur Zhaneta (Neti) vdiq në moshën 17 vjeç në vitin 1936. Djali i madh, Ilia (i quajtur Bohor, shkurt Hori, pikërisht si më i madhi), është martuar me Zoi Kabili nga Janina dhe ka dy djem e një vajzë, të gjithë të martuar dhe me fëmijë. Djali i dytë i Jakovit, Moisiu, është martuar me Zhaneta Davidin nga Janina, ka një djalë të martuar, me një fëmijë, dhe deri në mars 1991 jetonin në Vlorë, nga ku shkuan në Izrael. I treti, Menahem (Minush) është martuar me Gracia Kohen, të bijën e Shemo Kohen, dhe në 1990 shkoi në SHBA. Vëllai më i vogël, Leoni, është martuar dhe jetonte me gruan e dy vajza në Vlorë deri në mars 1991. Në këtë datë u kthye familjarisht në Izrael.
Nesim Joseko Solomoni është martuar me Xoja Negrin dhe kanë një vajzë, Ana, të martuar me Pepo Shemo Kohenin. Vetë Nesimi ka vdekur në rrethana tragjike në vitin 1944, ndërsa e shoqja rron në Izrael.
Moisi Solomoni është martuar me Ninën, ka tre djem dhe një vajzë. Moisiu vdiq në vitet 30, duke i lënë fëmijët jetim. Ka qenë meritë e gruas së tij që u rritën përmes sakrificave dhe ia dolën mbanë. Vajza, Zhani, është martuar me David (Xhon) Moisi Matathia, i cili ka vdekur. Ka dy djem të martuar që rronin në Vlorë. Nga djemtë, më i madhi, Ilia, ka vdekur në vitin 1989; i dyti Avram (Mimiko) është martuar me Mirela Solomonin, kurse i treti, Danieli, rronte edhe ai i martuar në Vlorë. Katër fëmijët e Moisi Solomonit në mars 1991 u kthyen në Izrael. Të gjithë kanë fëmijë.
Një tjetër vëlla i Jakov Solomonit, i quajtur Solomon Ilia Solomon, ka vdekur shumë kohë më parë. Ai la një vajzë, që u martua në Athinë, si dhe dy djem. I vogli humbi në Luftë. I madhi, Ilia Solomon, jetonte në Vlorë bashkë me gruan, Sarica Negrin. Kanë dy vajza të martuara.
Aty rreth vitit 1900 erdhi në Delvinë Beniamin Levi nga Janina. Kishte dy djem, Baruhun dhe Josefin. Kishte dhe dy vajza. Nga këto, e madhja, Esteri, vdiq në vitin 1942, ndërsa e dyta, Eftihia, u martua në Korfuz dhe u deportua tok me izraelitët e atjeshëm në vitin 1944. Ajo humbi në kampet e shfarosjes me të shoqin dhe një vajzë. Baruhu u martua me Esterin, të bijën e tretë të Jehuda Saretës dhe pati një djalë e tri motra, të cilat të martuara jetonin në Vlorë. Në mars 1991 të gjithë kaluan në Izrael. Josefi vdiq pa lënë fëmijë.
Në vitin 1930 erdhi në Tiranë si agjent i shoqërisë së lundrimit Cunard Line Mark Feuerstein, lindur më 1878 në Zbavash [Zbavacs] të Polonisë, së bashku me gruan, Françeska Wetzler, nga Krakovi (Poloni). Mark Feuersteini u emërua në vitin 1931 konsull nderi i Suedisë. Në ato vite mori shtetësinë shqiptare. Çifti Feuerstein pati vetëm një vajzë, Stelën, e cila e filloi universitetin në Vjenë në vitin 1932 për filologji dhe i vazhdoi studimet në Gjenevë (Zvicër). Për shkak të luftës erdhi në Tiranë pranë prindërve dhe u martua me Moisi Zhak Arditin. Mark Feuesteini vdiq në Tiranë në vitin 1939 dhe e shoqja në Shkodër në vitin 1954.10)
Nuk dihet me saktësi data e ardhjes në Shqipëri të doktor Lazlo Kalmarit nga Hungaria, por dihet se në revistën “Jeta e Re”, faqe 65 e vitit 1930, ai ka shkruar artikullin “Kurimi klimatik i tuberkulozit në Shqipëri”.11) Në vitin 1939 iku në Jugosllavi, vendlindje e së shoqes, prej nga u kthye në vitin 1941 në Prishtinë, ku e priti doktor Spiro Lito. Doktor Kalmari erdhi në Shqipëri për shkaqe që nuk kanë lidhje me përndjekjet racore. Ai punoi për një kohë të gjatë si mjek ftiziolog. Në vitin 1965, tashmë në moshë të thyer dhe veçanërisht i nderuar dhe i vlerësuar nga qeveria për shkak të punës së tij të kualifikuar dhe të ndërgjegjshme në Shqipëri, ai u kthye në Jugosllavi dhe qysh nga ajo kohë nuk kemi marrë më lajme për të.
Isak Kohen, me origjinë nga Selaniku, erdhi për punë në Korçë në vitin 1925 dhe në vitin 1935 u vendos në Durrës, ku solli edhe familjen e tij, të përbërë nga e shoqja, Matilda, vdekur në vitin 1941 në Durrës dhe varrosur në Vlorë. Kishte edhe një vajzë, Hrisin, të martuar në Vlorë me dentistin Ilia Moisi Matathia dhe deri në mars 1991 banuese në Tiranë. Kishte edhe të birin Mino, i cili pas Çlirimit, në vitin 1946 iku dhe u vendos në Haifa, Izrael, ku është edhe dhe sot. Edhe Isak Koheni iku nga Shqipëria për në Izrael në vitin 1962 dhe vdiq atje.
Rreth atyre viteve erdhën nga Janina në Vlorë dhe u stabilizuan atje Aneta Negrin dhe djali i saj Moisi. Në vitin 1952, Aneta shkoi në Izrael dhe vdiq atje. Moisi, martuar me Fortunata Solomon, krijoi familje në Vlorë dhe deri në mars 1991 banonte aty, nga ku u kthye e u vendos në Izrael.
Pothuaj në këtë kohë, rreth vitit 1935, erdhi në Vlorë familja e Ilia Kohenit, e përbërë nga e shoqja Aneta, e bija Nina dhe i biri David (Xhon). Në vitin 1965, pasi vdiq kryetari i familjes, kjo familje u shpërngul pjesërisht në Greqi dhe pjesërisht në SHBA.
Në vitin 1935 erdhi nga Korfuzi i Greqisë dhe u vendos në Kavajë rrobaqepësi Samuel Haim bashkë me gruan dhe pesë vajza. E gjithë familja u largua për në Izrael në vitin 1947.
Përveç këtyre, në Shqipëri kishte edhe izraelitë të vetmuar që kishin ardhur përkohësisht për shkak pune. Të tillë ishin David Tiano nga Selaniku, i cili u largua pas Çlirimit, dhe Edmond Ersekoviçi, me origjinë nga Hungaria, i cili vdiq në Tiranë dhe u varros në një kënd të varrezave të myslimanëve të qytetit që u ishte dhënë për përdorim izraelitëve nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
Më 30 janar 1933 në Gjermani e mori fuqinë Adolf Hitleri. Qysh prej asaj dite filloi odiseja e izraelitëve gjermanë dhe e atyre të vendeve të tjera të pushtuara para lufte nga ushtria gjermane (Austri, Çekosllovaki etj.). Në fazën e parë të persekutimit, izraelitët dëboheshin nga këto vende dhe endeshin ku të kishin mundësi. Viti 1933 konsiderohet viti në të cilin filloi kthimi (Alijaja) i pestë i izraelitëve në Palestinë.12) Në këtë kohë filloi edhe ardhja në Shqipëri e izraelitëve të përndjekur.
Shumica e tyre kalonin këtej për të gjetur mundësinë që të vijonin rrugën për në vende të tjera, kryesisht në Amerikën Jugore, në SHBA, në Turqi etj. Ndër ta kanë kaluar edhe personalitete në fusha të ndryshme të dijes njerëzore, siç ishte p.sh. doktor Majer [Meyer], gjinekolog i shquar, doktor Blumenfeld, kirurg, dhe më pas edhe një varg njerëzish të tjerë. Për këta të fundit ndihmë të madhe kanë dhënë Isak Koheni në Durrës, Rafael Jakoel nga Vlora etj. Këta u siguronin atyre banesë, u jepnin mundësi t’i nxirrnin mjetet e jetesës dhe, kur nuk i kishin këto mundësi, i ndihmonin me para dhe më pas u siguronin kushte që të vazhdonin udhëtimin e tyre. Në ato vite kanë kaluar nga Durrësi me dhjetëra e dhjetëra emigrantë, por fare pak prej tyre qëndruan në Shqipëri. Një nga këta ishte Leo Tyri [Thür, ose Thuer], njeri me personalitet të theksuar, i cili qëndroi në Shqipëri deri në vitin 1945. Ai luajti rol të rëndësishëm për shpëtimin e izraelitëve vendas dhe të ardhur. Nga familjet që qëndruan përfundimisht në Shqipëri ishte edhe familja e Avram Shvarcit, pasardhësit e së cilës, Roberti, përkthyes i shquar, familjarisht rron në Tiranë, kurse Renata, mjeke otorinolaringologe, u kthye përfundimisht në Izrael.
Më 1932 u hap spitali i ri ushtarak i Tiranës me drejtor doktor Hiqmet Gegën. Shërbeu si mjek në këtë spital edhe doktor Eugen Levi, izraelit me origjinë bullgare.
Më 1936, profesor Valter Lehman, izraelit gjerman, i trembur nga persekutimet e nazizmit, iku nga vendi i tij dhe u vendos kirurg në spitalin e Vlorës, por pas tetë muajsh, me largimin e profesor Hoche nga Shqipëria, u thirr për ta zëvendësuar atë si shef i kirurgjisë në Spitalin e Tiranës.13) [Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste ai u largua për në SHBA. Dr. Lehman konsiderohet si themeluesi i degës së neurokirurgjisë në Shqipëri. Reparti i neurokirurgjisë në Spitalin Nënë Tereza në Tiranë sot mban emrin tij].
Së fundi, edhe pse kishte ardhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, u ngul përfundimisht në Tiranë Marko Menahem, i cili vinte nga qyteti maqedonas i Shkupit ku kishte humbur gjithë familjen, të përbërë nga prindërit dhe një motër, të gjithë të shfarosur gjatë Holokaustit. Marko jetoi në Tiranë, bashkë me familjen, të përbërë nga e shoqja dhe tre vajza të martuara, të cilat sot janë të gjithë në Izrael.
* * *
Sikundër del qartë nga sa u parashtrua më sipër, izraelitët e ardhur në Shqipëri duke filluar qysh nga gjysma e parë e shekullit XIX janë me origjinë nga vende të ndryshme të Europës, por pjesa më e madhe e tyre, [ajo pjesë që u bë baza e krijimit të bashkësisë së vogël të Vlorës] ka ardhur nga Janina dhe Preveza. Ka mendime të gabuara se bashkësitë izraelite të Prevezës, Artës, Janinës dhe e Vlorës e kanë origjinën nga Spanja, si rrjedhim i persekutimit të zhvilluar atje nga inkuizicioni spanjoll. Në të vërtetë, të ardhur nga Spanja në kohën e Sulltan Bajazitit të Dytë kanë qenë izraelitët që u vendosën në disa qytete të Greqisë, kryesisht në Selanik, nga ku gradualisht u përhapën në drejtime të ndryshme si në Jugosllavi, pra edhe në Kosovë, si dhe në qytete të tjera greke.
Po ashtu e kishin origjinën nga Spanja bashkësitë izraelite që u formuan qysh nga fundi i shek. XV në Vlorë dhe më pas në Berat dhe Elbasan. Për këta u fol gjerësisht në kapitullin e parë.
Këta izraelitë kanë folur gjithmonë një dialekt katalan të gjuhës spanjolle, dhe këtë e vazhduan deri në kohën që u zhdukën si bashkësi. Po kështu ndodhi dhe në ato qytete të Jugosllavisë ku kishte izraelitë, si në Manastir (Bitolje), në Shkup e më në veri, si në Beograd e deri në kufijtë veriorë të vendit, në Novi Sad etj. Edhe izraelitët e Kosovës në shtëpi flisnin gjuhën spanjolle. Por aty nga fundi i shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII bashkësitë izraelite të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, të ardhur nga Spanja, u zhdukën, qoftë duke u larguar nga Shqipëria, qoftë duke përqafuar në vend diku fenë islame dhe diku fenë ortodokse. Bashkësitë e Kosovës qëndruan dhe izraelitët e tyre flisnin spanjishten derisa u shkrinë pas Luftës së dytë Botërore.
Vala e tretë e izraelitëve që u vendosën në Shqipëri duke filluar nga mesi i shekullit XIX erdhi kryesisht nga Janina e Preveza, ku izraelitët ekzistonin shumë më përpara se ardhja e sefarditëve.
Izraelitët e parë të ardhur në Greqi janë vendosur aty në shekullin e dytë para erës sonë.14) Nuk dihet me saktësi kur janë vendosur në Janinë e Prevezë, por sidoqoftë është dokumentuar që izraelitët janë aty të paktën nga shekulli I i erës sonë.
Këta izraelitë të Janinës e të disa qyteteve të tjera, si Preveza dhe Arta, janë “romaniotë”, fjalë kjo që rrjedh nga emri venecian i Greqisë, Romania. Romaniotët nuk janë pasardhës të sefarditëve.
Ata ishin vendosur në tokën greke shekuj më përpara ardhjes së emigrantëve nga Spanja, Portugalia dhe nga krahina të Italisë (Pulja, Sicilia dhe Sardenja). Sikurse u përmend, ata janë ndikuar nga kultura greke, flasin gjuhën greke dhe deri në shekullin XVI përdornin si libër lutjesh Mahzor Bene Romania, hartuar disa shekuj përpara imigracionit nga Spanja.15)
Romaniotët konsiderohen si një ndër bashkësitë izraelite më të lashtat dhe virtualisht e panjohur në pjesë të tjera të botës. Ka të ngjarë që bashkësia romaniote të jetë vendosur fillimisht në Selanik rreth vitit 140 para erës së re.16) Praninë e tyre në rajonet e Greqisë së sotme e dëshmon edhe një udhëtar tjetër i famshëm, arabi Abu Abd Allah Muhammad al Idrisi, lindur në Ceuta (1099, vdekur në 1165?). Ai përmend komunitetin e Janinës si bashkësi e një qyteti të ndërtuar mbi ujëra, dhe me të vërtetë dy të tretat e qytetit të Janinës rrethohen nga ujërat e liqenit që mban të njëjtin emër. Edhe vetë hebrenjtë e bashkësisë së Janinës, për t’i dalluar nga qyteti, thonë se është një qytet “ghiod”, domethënë i ndërtuar mbi ujë. Po ashtu, Rabini spanjoll Beniamini nga Tudela, që përmendëm më lart, kaloi në vitin 1170 në këto zona dhe vizitoi shumë bashkësi izraelite greqishtfolëse. Ai shkruan se në këto treva ka 28 bashkësi romaniote.17) Në fillim të shekullit XX jetonin në Janinë rreth 4000 izraelitë, shumica e të cilëve merreshin me tregti të vogël, zejtari apo nëpunësi, dhe jetonin në dy lagje brenda dhe jashtë mureve të qytetit të vjetër. Sinagogën e lashtë të Janinës që ishte e ndërtuar brenda mureve të qytetit të vjetër e quanin “i mesini”, ose “e brendshmja”, për ta dalluar nga sinagoga “i oksini”, ose “e jashtmja”, që ishte në rrugën kryesore.
Duhet shtuar se hebrenjtë romaniotë të Janinës dhe Prevezës ishin të ndikuar nga kultura dhe zakonet greke, flisnin gjuhën greke, por në të njëjtën kohë ruajtën identitetin e tyre si hebrenj duke praktikuar fenë dhe traditat e jetesës së tyre. Sikurse përmendëm, izraelitët e ardhur nga Spanja flisnin spanjishten. Kurse në Korfuz ekzistonte një bashkësi izraelite e madhe në numër, e cila vinte nga Venediku dhe ishte vendosur në atë qytet rreth gjysmës së shekullit XIV. Për këtë arsye deri në shkatërrimin e plotë të saj në vitin 1944, izraelitët e Korfuzit flisnin dialektin venecian të italishtes. Fakti se izraelitët e Greqisë veriperëndimore, juglindore dhe të Peloponezit flisnin gjuhën greke në vetvete përbën argument të fuqishëm që izraelitët e atyre viseve janë ngulur në ato rajone qysh shekuj më parë.
Kur në Janinë erdhën emigrantët izraelitë spanjollë, këta qëndruan të veçuar nga bashkëfetarët e tyre romaniotë. Sefardimet nuk u paraqitën si bashkësi solidare, por u ndanë në grupe të vogla ku secili ruajti zakonet e veta, të sjella nga vendet nga ku kishin emigruar18). Me gjithë numrin shumë të madh të hebrenjve sefarditë të ardhur më vonë, romaniotët nuk u shkrinë me ta dhe vazhduan të ruajnë karakteristikat e tyre të veçanta si në ritet fetare, meloditë e këngëve e lutjeve, ashtu edhe në gjuhën e jetën e përditshme. [Edhe pse në sinagoga lexonin të njëjtat libra të Torásë në hebraisht, ritet, meloditë dhe gjuha e folur në familje i dallonte dy bashkësitë midis tyre. Falë kësaj qëndrueshmërie shekullore romaniotët nuk u asimiluan në fenë e krishterë të shumicës së popullsisë greke dhe as nuk përqafuan gjuhën “ladino” apo liturgjinë e bashkëfetarëve sefardimë të ardhur rishtas].
Në kohët e para bashkëjetesa midis romaniotëve dhe sefardimëve kishte rivalitete të theksuara. Por me kalimin e kohës ata gjetën gradualisht rrugën e marrëveshjes. Në disa raste, kur luteshin sëbashku, ndër ritet fetare filluan të mbizotëronin ato të izraelitëve sefardimë, sepse përvetësimi i riteve sipas “mahzor Romania” që përdorej nga romaniotët ishte i vështirë. Në fillim nuk pranoheshin martesat midis romaniotëve dhe sefardimëve, por dalëngadalë gjërat ndryshuan. Gratë izraelite janinjote e kishin më të lehtë të përvetësonin gjuhën dhe zakonet e burrave të tyre që flisnin gjuhën spanjolle; burrat e kishin të vështirë të mësonin gjuhën greke të grave. Por, për fat të mirë, në ritet e tyre izraelitët e Janinës ruajtën meloditë e veta në gjuhën greke. Ruajtën edhe zakonet e tyre, të cilat gjatë shekujve në kontakt me mjedisin grek, u ndikuan nga ky mjedis. Këta faktorë shkaktuan që izraelitë romaniotë të Janinës të shndërroheshin në një lloj të veçantë izraelitësh, të njohur me emrin “janjotikë”19), folës të gjuhës greke.
Në vitin 1912 qyteti i Janinës me rrethet kaluan nga sundimi turk në sundim të mbretërisë së Greqisë. Me atë rast, trashëgimtari i fronit grek, Konstantini, që njëkohësisht mbante edhe detyrën e komandantit të trupave që pushtuan qytetin, me qëllim që t’i siguronte izraelitët e shqetësuar nga ardhja e grekëve dhe nga sjellja e tyre e mëtejshme ndaj tyre, vizitoi me ceremoni e bujë të madhe sinagogën e qytetit dhe aty mbajti një fjalim ku, ndër të tjera, falenderoi izraelitët që kishin ruajtur ndër shekuj me këmbëngulje dhe pastërti të admirueshme gjuhën greke.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore në Greqi ekzistonin ende katër bashkësi romaniote: në Kalqidë, Artë, Patras dhe Janinë.20) Bashkësia izraelite e Janinës, përpara Holokaustit, ishte bashkësia më e madhe romaniote e Greqisë dhe një nga qendrat udhëheqëse izraelite në Lindje. Traditat romaniote të Janinës vazhdojnë të zbatohen jashtë Greqisë. Në SH.B.A. është sinagoga e ritit romaniot në Manhattan të New Jorkut, kurse në Izrael ndodhet në lagjen Nachlaot të Jeruzalemit.21) Në njëfarë kuptimi, Sinagoga e Janinës konsiderohej si mitropolia e këtyre sinagogave romaniote, [dhe ajo në Manhattan mban të njëjtin emër si Sinagoga e Janinës: Kehilka Kedosha Janina (Bashkësia e Shenjtë e Janinës)].
Nga sa thamë del se edhe izraelitët e Shqipërisë, të ardhur herën e fundit, d.m.th. në shekullin e XIX kryesisht nga Janina, nuk kanë lidhje me Spanjën dhe të parët e tyre kishin si gjuhë të folur greqishten.
2. Mjedisi, jeta dhe ritet fetare të izraelitëve në Shqipëri
Në kohën kur izraelitët filluan të vinin në Shqipëri, vendi ishte nën sundimin otoman. Në ato qendra ku u vendosën fillimisht shumica e popullsisë ishte myslimane, një pakicë ishte ortodokse (në jug) dhe katolike (në veri). Edhe më parë se të vendoseshin në tokat e Shqipërisë së sotme, izraelitët e ardhur nga Janina dhe Preveza kishin pasur marrëdhënie të shpeshta me shqiptarët, së pari sepse Janina vite me radhë ishte nën sundimin e shqiptarit Ali Pashë Tepelena, Pasha i Janinës, burrë shteti i vlefshëm dhe i mençur, i rrethuar nga besnikët e tij shqiptarë, prandaj në Janinë flitej edhe gjuha shqipe. Së dyti, në rrethet e Janinës e të Prevezës kishte popullsi të madhe shqiptare, qoftë myslimane siç ishin çamët, banorë të Çamërisë, ashtu dhe të krishterët siç ishin suliotët, banorët trima të Sulit, të cilët kishin shqipen gjuhë amtare. Dhe nuk ishin të rralla rastet kur izraelitët, sidomos ata nga Janina, banonin në qytetet e Çamërisë, me ose pa familje, dhe ushtronin aty profesionin e tyre, kryesisht rë apo komisionerë. Kështu që, kur erdhën në tokat e Shqipërisë së sotme në shekullin XIX, izraelitët nuk ranë në mjedis të panjohur, madje kishin edhe miq e të njohur. Kjo u lehtësoi shumë jetesën.
Në gjuhën greke të folur nga izraelitët e Janinës kishin zënë vend edhe disa fjalë shqipe. Kështu p.sh. përdorej gjerësisht fjala shqipe “kastravec”.22) Po ashtu kishin gjetur përdorim nofka me prejardhje nga gjuha shqipe si p.sh. emri “Tepelenis”.23) Gjatë kohës së sundimit otoman disa fëmijë izraelitë quheshin Biros. “Bir” është fjala shqipe, kurse prapashtesa “-o” është përkëdhelëse.24) Në vitet e qëndrimit të izraelitëve në Shqipëri disa emra të përveçëm izraelitë kanë marrë trajta shqipe. Të tilla janë emrat Minush (për Menahem), Ilir për Ilia e të tjera.
Krahinat e Gjirokastrës, Delvinës dhe Vlorës, ku u vendosën fillimisht izraelitët, përfshiheshin në sanxhakun e Janinës. Ka pasur raste kur të rinj nga këto krahina kryenin shërbimin ushtarak në Janinë. Prandaj disa nga këta lidheshin me miqësi me izraelitët vendas duke forcuar kështu marrëdhëniet reciproke.
Izraelitët e ardhur atëherë në Shqipëri merreshin kryesisht me tregti, dhe kishte fare pak raste kur ata fillimisht ushtronin ndonjë zanat, si kundraxhinj apo teneqepunues. Ishin njerëz që kishin ikur nga vendet e tyre për të fituar bukën e gojës dhe për të bërë një jetë më të mirë, prandaj ata nuk përtonin të shkonin për të shitur apo punuar edhe në zonat më të thella të krahinave. Kjo bëri që të miqësoheshin me katundarët e atyre trevave, të cilët janë njerëz që kur të japin besën, të quajnë mik për kokë. Kaq të shpeshta ishin këto shkuarje, saqë kishte ndonjë rast, si ai i izraelitit Isak (Cako) Matathia, i cili vdiq në katundin Tragjas që ndodhet në jug të Vlorës. Në fillim atë e varrosën atje dhe varri i tij u bë vend referimi për takime. I thoshim “varri i Cakos” apo “varri i izraelitit”.
Edhe kur eshtrat e tij i sollën në varrezat e izraelitëve të Vlorës, ai vend vazhdoi të quhej dhe quhet edhe sot “varri i Cakos”.
Me ndjenja miqësore janë pritur më vonë edhe izraelitët që u shpërngulën nga Gjirokastra dhe Vlora për në Durrës dhe Tiranë, si edhe ata që shkuan atje drejtpërdrejt nga vendi i ardhjes. Me përjashtim të ndonjë fanatiku, izraelitët respektoheshin si njerëz të ndershëm, punëtorë që nuk dinë t’i bëjnë dëm askujt. Marrëdhëniet nuk kufizoheshin vetëm në lëmin e punës, por shtriheshin edhe në botën familjare. Kur izraelitët lidhnin marrëdhënie të ngushta me shqiptarët, arrinin të bëheshin edhe vëllezër me djem shqiptarë, që do të thotë të bëhesh vëllam me të, zakon ky që gëzon nder të madh në popull. Po ashtu, në Vlorë ndodhte që një nënë me fëmijë të porsalindur ia jepte foshnjën mikeshës së saj izraelite dhe anasjelltas, kur nëna nuk kishte qumësht për të ushqyer foshnjën e vet.
Në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX në Shqipëri filloi një lëvizje madhështore kulturore e politike, e cila synonte që të arrihej çlirimi i vendit nga thundra otomane. Kjo lëvizje njihet me emrin Rilindja Shqiptare. Rilindasit synuan që të ushqenin në popull një ndjenjë të madhe kombëtare dhe vetëdije për lashtësinë e kombit, të gjuhës dhe të traditave, në thellimin e ndjenjës së vëllazërimit midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme për t’ua prerë hovin atyre forcave armiqësore që me anë të fesë përpiqeshin të përçanin popullin shqiptar. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” shkruanin vjershëtarë dhe atdhetarë të asaj kohe. Kjo lëvizje kombëtare, që pati si përfundim rilindjen e Shqipërisë, të gjuhës dhe të dëshirës për pavarësi, u solli dobi izraelitëve. Ashtu siç predikohej vëllazërimi midis feve kryesore të vendit, për refleks kjo shtrihej edhe në marrëdhëniet me izraelitët.
Në të tilla rrethana, kur shqiptarët i quanin hebrenjtë si të barabartë, pa hijen e përbuzjes, përndjekjes apo poshtërimit, nuk është për t’u çuditur që qysh nga njerëzit e brezit të parë të lindur në Shqipëri, izraelitët u hodhën pa ngurrim përkrah vëllezërve të tyre shqiptarë, jo vetëm në lëvizjen e Pavarësisë por, kurdoherë, deri në luftën për të çliruar vendin nga okupatorët nazifashistë. Në pragun e pavarësisë nuk ishin të rralla nënat izraelite që i përkundnin fëmijët e tyre duke u kënduar atyre këngë patriotike shqiptare.
Megjithëse më 28 nëntor 1912 u ngrit flamuri kombëtar në Vlorë dhe u shpall Pavarësia, Shqipëria nuk gjeti aspak qetësi, sepse armiq të ndryshëm kërkonin ta mbytnin atë që në djep. Izraelitët u bashkuan me popullin shqiptar, madje, dhanë kontribut të mirë në disa raste. Kështu, që në kohën e luftës së Vlorës, në vitin 1920, izraeliti Josef Mushon Kantozi, i cili ndodhej në atë kohë në Itali, vrau një toger italian që guxoi të shajë me fjalë fyese popullin shqiptar dhe atdheun e tij. Po ky izraelit ka kryer për njëfarë kohe detyrën e komisarit të policisë në Vlorë dhe atëherë u fol se do të dërgohej si konsull i Shqipërisë në qytetin italian Bari.
Vite më pas, në vitet ‘30, kushtetuta e vendit caktonte që si këshilltar bashkie të zgjidheshin vetëm myslimanë dhe ortodoksë në përpjesëtim – në Vlorë – dy me një. Megjithatë, në zgjedhjet që u bënë në vitet e para të viteve ‘30, Samuel Josef Matathia, edhe ky izraelit i brezit të parë i lindur në Shqipëri, u zgjodh këshilltar bashkiak. Në kohën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare nga gjiri i izraelitëve të Shqipërisë ka pasur një dëshmor, Dario Jak Arditi. Qysh nga muaji janar 1943 Pepo Kantozi është pjesëmarrës i luftës dhe në gusht 1944 doli partizan në grupin e tretë të Mallakastrës. Me mbarimin e luftës ai mbeti në ushtri dhe mbuloi detyra me rëndësi, duke marrë gradë oficeri madhor.
Nën ndikimin e opinionit publik, edhe qeveri të herëpashershme kanë mbajtur qëndrim të favorshëm dhe shumë korrekt ndaj bashkësisë izraelite të Shqipërisë. Kjo bashkësi kishte në Vlorë varrezat e veta, të cilat i ka trashëguar nga izraelitët që kishin jetuar në Vlorë qysh nga fundi i shekullit XV deri në fund të shekullit XVII. Varrezat në fjalë u përdorën në vdekjet e para të disa izraelitëve në fillim të shekullit XX. Mirëpo aty nga viti 1933, pronari i ullishtave që ishin afër varrezave të izraelitëve, pretendoi se ato toka ishin të tijat dhe kërkoi që t’i shkuleshin andej varrezat.
Pa ngurruar izraelitët e hodhën çështjen në gjyq, duke provuar se varrezat në fjalë u përkisnin izraelitëve qysh prej tre shekujsh. Provë kryesore për këtë ishte se, edhe duke hapur një hendek për ta përdorur si kufi të këtyre varrezave, punëtorët hasën një varr izraelit që i përkiste shekujve të kaluar. Si rrjedhojë, gjykata e Vlorës e hodhi poshtë kërkesën e paditësit dhe varrezat u mbetën izraelitëve për përdorim deri në vitin 1965. Në këtë vit, për arsye urbanistike, të gjitha varrezat e qytetit të Vlorës u shpërngulën në afërsi të fshatit Babicë, ku janë edhe sot. Varreza e vogël dhe e lashtë u braktis, dhe sot është pothuajse e humbur.
Po në vitet ‘30 një gazetë lokale e botuar në Vlorë, për qëllime krejt personale të botuesit të saj, shkroi një artikull, ku thuhej se tregu i Vlorës shëmtohej ditët e shtuna sepse dyqanet e tregtarëve izraelitë qëndronin të mbyllur. Artikullshkruesi pretendonte se ditë pushimi për të ishte e diela prandaj nuk lejohej që secili të vepronte sipas kokës dhe të thyente këtë porosi ligjore. E ndikuar nga ky artikull, Bashkia e Vlorës urdhëroi izraelitët që t’i hapnin dyqanet e tyre ditët e shtuna, ndryshe do të detyrohej t’i dënonte fillimisht me gjobë dhe më vonë, në rast përsëritjeje, edhe me masa të tjera ndëshkimore.
Të shtunën e parë pas këtij paralajmërimi dyqanet e izraelitëve filluan të mbylleshin dhe Bashkia i gjobiti pronarët e tyre. Të shtunën e dytë gjoba u rrit dhe disa izraelitë nuk ishin në gjendje ta përballonin atë. Prandaj bashkësia vendosi që ata që nuk ishin në gjendje të përballonin gjobën t’i hapnin dyqanet, por të mos kryenin asnjë veprim shitblerjeje. Kur dikush kërkonte të blente diçka merrte si përgjigje se malli nuk disponohej. Të tjerët t’i mbanin dyqanet të mbyllura, për të treguar se veprimi nuk ishte kundra ligjit. Kjo gjendje vazhdoi disa javë, derisa gjykata ku çështja ishte parashtruar nga izraelitët për gjykim, vendosi që, sipas Kushtetutës, secili kishte të drejtë t’i respektonte urdhërimet e fesë së vet, pra të mbante të mbyllur dyqanin edhe ditën e djelë që ishte dita e caktuar për pushim për të gjithë tregun. Në bazë të këtij vendimi, bashkia jo vetëm që nuk vuri gjoba të tjera, por u detyrua t’i kthejë edhe ato që kishte vënë deri atëherë.
Në Shqipëri nuk ekzistonte as më i vogli paragjykim racor. Të rinjtë izraelitë në moshën e caktuar nga ligji merreshin ushtarë dhe mund të ndiqnin shkollë ushtarake të plotësimit nga ku dilnin me gradën e oficerit të ushtrisë shqiptare. [Këtë fakt e vërteton edhe ambasadori amerikan në Shqipëri gjatë viteve ‘30-‘33 Herman Berstein, i cili vuri në dukje në shkrimet e tij mungesën e plote të antisemitizmit në Shqipëri]. Kush dëshironte të gjente nuse jashtë shtetit, mund ta sillte në Shqipëri për t’u martuar me të. Dhe anasjelltas, vajzat që dëshironin të martoheshin jashtë shtetit nuk kishin asnjë pengesë për këtë. Kjo ishte një mundësi që ndihmoi fuqimisht për ruajtjen e identitetit të bashkësisë.
Të rinjtë izraelitë frekuentonin shkollat e vendit, por kishte nga ata që shkonin për t’i ndjekur studimet edhe jashtë shtetit. Kishte nxënës izraelitë që ndiqnin shkollat në qytete të ndryshme të Greqisë, të Italisë madje edhe të Francës, si dhe disa studentë universitarë që ndiqnin studimet e larta në degë të ndryshme në këto vende. Shkurt, bashkësia izraelite asokohe gëzonte në Shqipëri të drejta të plota, të cilat i ndjenin edhe më shumë ata anëtarë të bashkësisë izraelite shqiptare që studionin në Greqi dhe Itali, sepse në këto vende kishte filluar diskriminimi racor edhe në fushën e arsimit, që më vonë u rrit dhe kulmoi në turpin e Holokaustit. Ky gjenocid i pashembullt shkaktoi viktima izraelite me miliona kudo në Europë. Në hartën e Europës bien në sy vetëm dy vende: Danimarka me 77 viktima ndër 7 mijë hebrenj, dhe Shqipëria me 5 viktima ndër mbi 600 veta, [vendas dhe të ardhur që u strehuan në Shqipëri…].
Ndjenjat miqësore të shqiptarëve ishin kaq të shëndosha saqë më vonë, aty nga mesi i vitit 1943, ish-mbreti Zog, i cili ishte në mërgim, mendoi të sillte në Shqipëri pas çlirimit të vendit rreth 50.000 familje izraelite që të jetonin e të punonin bashkë me popullin shqiptar për zhvillimin e vendit. Në një takim që pati me një përfaqësues të komitetit anglo-izraelit, Zogu, pasi kishte shpjeguar se Shqipëria ishte vend i pasur me një popull të varfër, ishte gati të vinte në dispozicion të izraelitëve 150 mijë ha tokë ku mund të vendoseshin rreth 50.000 familje ose 200 mijë frymë.
Ai kishte premtuar gjithashtu se do t’u akordonte atyre “të drejta të plota si qytetarë shqiptarë”…25)
Aq e fortë ishte ndjenja e sigurisë që ushqenin në Shqipëri izraelitët saqë nuk ua vinin veshin paralajmërimeve që u bënin emigrantët që vinin të arratisur nga Gjermania naziste duke sjellë me vete tmerret e përndjekjeve, poshtërimeve dhe çnderimeve që po pësonin nga bishat naziste. Jeta e izraelitëve në Shqipëri kalonte e qetë dhe krejtësisht normale, sikur ato që ndodhnin në Europë i përkisnin një bote tjetër, që s’kishte asgjë të përbashkët me jetën e tyre.
* * *
Nga pikëpamjet fetare izraelitët përpiqeshin të ruanin sa më të pastër identitetin e tyre duke respektuar rregullat dhe ligjet e traditës së lashtë.
Në të vërtetë në Shqipëri nuk kishte asnjë qytet, pra as edhe Vlora, ku banonte numri më i madh i familjeve, me një bashkësi me gjithë kuptimin e fjalës, të qendërzuar rreth një sinagoge.
Rrjedhimisht, nuk ekzistonte as një organizatë komunitare, të ngjashme me të tjera të shpërndara nëpër botë. Për fatet dhe mbarëvajtjen e izraelitëve kujdeseshin njerëz që i kishin mundësitë dhe cilësitë për një gjë të tillë. Këta nuk i zgjidhte njeri, por i pranonin në heshtje, sepse njerëzit ishin të bindur se ata ishin të sinqertë dhe punonin me mish e me shpirt për mbarëvajtjen e komunitetit izraelit.
Nuk kishte as shkolla ku të mësohej gjuha hebraike dhe as jeshiva ku mund të mësoheshin rite fetare. Qysh nga brezi i parë i lindur në Vlorë, shumica e izraelitëve nuk dinin as t’i lexonin dhe as t’i recitonin lutjet në gjuhën hebraike, me përjashtim të ndonjërit që ishte i prirë për këtë. Ndër këta spikaste Moisi (Zino) Matathia, i cili e kishte studiuar dhe e njihte mirë Dhjatën e Vjetër, dhe dinte t’i recitonte lutjet me një zë shumë të ëmbël. Duke pasur parasysh gjithmonë Vlorën, identiteti i izraelitëve të këtij qyteti është ruajtur nga të ardhurit e fundit, të cilët kishin mësuar gjuhën dhe ritet në qytetet nga vinin (sidomos Janina), dhe kjo vazhdoi gjer në mes të viteve ‘30. Në qytetet e Gjirokastrës dhe të Delvinës traditat mbaheshin më të gjalla, sepse njerëzit kishin kontakte më të shpeshta me Janinën. Madje, kohët e para të vdekurit i shpinin për t’i varrosur në Janinë, në varrezën e lashtë të atij qyteti, dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1935, kur vdiq në Sarandë i riu Samuel Menahem Jomtov, i cili u varros në Janinë. Por prapë, falë traditës së gjallëruar nga të ardhurit e fundit, mund të thuhej se ruheshin të gjalla elementet kryesore që përbënin identitetin e njerëzve izraelitë.
Një nga urdhërimet kryesore të ligjit fetar hebraik është respektimi rigoroz i pushimit të ditës së shtunë, shabatit. Megjithëse kjo ditë përsëritet çdo javë, e shtuna quhet e kremtja e dytë për nga rëndësia. Vendin e parë e zë Dita e Pendesës së Madhe, e cila quhet Jom Kipur dhe përkujtohet një herë në vit.
Në familjet izraelite ditën e shtunë e prisnin me gëzim dhe me përgatitje. Këtë ditë nuk lejohej të ndizej zjarr në shtëpi dhe si rrjedhim nuk mund të gatuhej. Prandaj nënat dhe gjyshet tona gatimin e bënin qysh ditën e premte. Kështu që mëngjesi i së premtes i kushtohej gatimit, ndërsa orët e para të pasdites, pa asnjë përjashtim, i vinin anëtarët e familjes të laheshin dhe t’i ndërronin rrobat, me qëllim që takimi me këtë ditë të shenjtë t’i gjente të dëlirët në trup dhe në shpirt. Pastaj, kur dilte ylli i parë i mbrëmjes së ditës së premte, fillonte kremtimi i së shtunës. Meqë ndalohej zjarri, kuptohet që nuk lejohej as pirja e duhanit dhe as më i vogli veprim tregtar. Dyqanet mbaheshin të mbyllura. Këndoheshin edhe këngë që përshkruanin se si pritej e “fejuara”, “kalat shabat”, siç cilësohet në traditën hebraike shabati, dita e pushimit, kjo ditë e shenjtë.
Ligji fetar kërkonte që falja të fillonte qysh në pasditen e së premtes. Veçse izraelitët si në Vlorë, ashtu edhe në qytete të tjera shqiptare, nuk kishin faltore (sinagoga), kështu që mblidheshin ku të mundnin. Me sa mbaj mend, në fillim të viteve ‘30, vëllezërit Matathia përfunduan së ndërtuari një shtëpi të madhe dhe vunë në dispozicion të bashkësisë dy dhoma të katit përdhes që bëheshin një me hapjen e derës së xhamtë që i ndante njëra nga tjetra. Ato dy dhoma mjaftonin për t’i nxënë burrat që faleshin, sepse sipas zakonit, në sinagogë gratë rrinë në vende të veçanta, ku mund të dëgjoheshin këngët e lutjeve.
Dihet se çdo sinagogë duhet të jetë e pajisur me librin e ligjeve, i cili në hebraishte quhet Sefer Torà. Dikur në mesjetë, bashkësia e Vlorës kishte sinagogë dhe libra të tilla, por kur izraelitët u larguan që andej, sinagoga u braktis dhe u dogj, kurse Sefer Toràja u shpu në Janinë, ku njihej me emrin “Sefer Toràja e Vlorës”. Por tashmë Sefer Torà nuk kishte në asnjë bashkësi izraelite të Shqipërisë. Nuk ishte e vështirë të gjendej ndonjë ekzemplar, sepse në Janinë dhe në Prevezë vazhdimisht shkruanin e përgatisnin të tilla, por pengesë ishte mungesa e sinagogës, brenda së cilës ka një vend të posaçëm, të quajtur Arka e Besëlidhjes, ku duhet të ruhet Sefer Toràja.
Sigurisht mungesa e Sefer Toràsë e zhvishte çdo ceremoni nga pjesët e saj më sugjestive, por sidoqoftë lutjet bëheshin. Kur vinte radha e atyre lutjeve që kërkonin patjetër të plotësohej numri i caktuar i të pranishmëve (dhjetë veta ose në hebraishte Minjan), vinin pleq e të rinj për të marrë pjesë. Të moshuarit qeshnin me pasardhësit e tyre kur i dëgjonin të rinjtë që, me seriozitet, deklamonin “amen” me pak vonesë, kurdoherë që e dëgjonin gjatë lutjeve këtë fjalë. Nuk dinin ç’të thoshin tjetër…
Kështu kalonte dita e shënuar e së shtunës, dhe të rrallë ishin ata persona apo raste që shkelnin porositë fetare. Për sa i përket ceremonive në intimitetin e familjes, ndër këto nuk duhet harruar derdhja e një kontributi për shpagimin e Tokës së Izraelit. Në çdo shtëpi izraelite kishte një kuti, ku pjesëtarët e familjes derdhnin rregullisht kontributin e tyre për atë fond. Për të miturit kjo ceremoni pritej me padurim, sepse babai e merrte fëmijën në krahë, i vinte në dorë një monedhë sipas mundësisë dhe e mësonte ta hidhte në kutinë e fondit me yllin e Davidit (hebraisht Keren Kajemeth le Izrael), duke u shpjeguar se këto para do të shërbenin për Tokën e Premtuar. Një herë në vit, në disa qytete të Shqipërisë vinte një i dërguar i këtij fondi, i cili duke përdorur çelësin e e posaçëm, hapte kutinë, numëronte e merrte në dorëzim dhe derdhte në bankën e qytetit shumën e grumbulluar dhe i dorëzonte çdo dhuruesi konfermën e bankës. Nuk ishin të rralla rastet shumë prekëse kur dikush e rrumbullakoste shifrën, duke e rritur atë sipas mundësive të veta. Të largët ose të afërt, të shumtë ose të pakët, kujtimi i atdheut “të bukur e të humbur” trondiste zemrën e çdo izraeliti. Më vonë lutjet bëheshin në shtëpinë Ninës, së vesë së Moisi Ilia Solomonit, dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1965.
Mjaft mirë është respektuar porosia për bërjen e fëmijëve synet. Në Shqipëri nuk kishte njerëz të përgatitur për këtë veprim, prandaj njerëz të tillë, të quajtur “mohel”, ftoheshin nga bashkësitë e Janinës, dhe sidomos nga ajo e Korfuzit, sepse ishte më e lehtë të udhëtoje në det nga Korfuzi sesa me tokë nga Janina. Zakonisht syneti bëhej sipas porosisë, në ditën e tetë të lindjes së fëmijës, por ka pasur raste që është vonuar më shumë për shkaqe objektive. Syneti i fundit i hapur është bërë në vitin 1942, d.m.th. gjatë okupacionit italian. Ndoshta pas asaj kohe ka mjaft raste që prindërit i kanë bërë synet fëmijët e tyre, por këtë e kanë bërë fshehtazi. Në të tilla raste syneti është bërë nga ndonjë berber a xherah vendas nga ata që bënin synetet e fëmijëve myslimanë të vendit. Kuptohet se jo gjithshka kryhej sipas ligjeve të Moisiut…
Është ruajtur mjaft mirë edhe porosia e martesave në të cilat të dy pjesëtarët e çiftit duhet të ishin izraelitë. Sikundër u tha më sipër, asokohe kishte mundësi që nuset izraelite t’i gjenin e t’i sillnin nga jashtë e sidomos nga Janina. Parapëlqeheshin vajzat janinjote ose nga Preveza, sepse kishin po atë gjuhë dhe po ato zakone të izraelitëve të Vlorës, të Gjirokastrës dhe të Delvinës, të cilët përbënin shumicën e madhe të izraelitëve të Shqipërisë. Nga Korfuzi zakonisht nuk merreshin për nuse vajzat e atjeshme, sepse flisnin dialektin venecian të gjuhës italiane, që nuk njihej fare nga izraelitët e Shqipërisë. Vajzat korfjote e flisnin gjuhën greke me vështirësi, dhe zakonet nuk përputheshin.
Zakonisht martesat bëheshin në ato shtëpi izraelite që kishin lokale të mëdha ku mund të merrnin pjesë shumë të ftuar. Pronarët e këtyre shtëpive ndiheshin të nderuar dhe ofronin vullnetarisht jo vetëm shtëpinë, por edhe gjëra të tjera të nevojshme. Sipas mendësisë së kohës, kjo gjë ishte punë e lëvdueshme, një “micva” që do të thotë një veprim, një bamirësi që mbështetej edhe nga Zoti.
Ceremonia zhvillohej siç e përshkruan ligji hebraik. Çifti vendosej nën “hupa”, një lloj strehe e zbukuruar që simbolizonte mbrojtjen hyjnore, mbulohej me “taleth” (shalli ritual që veshin izraelitët gjatë ceremonisë fetare) dhe pinte verën e rastit në të njëjtën gotë të cilën pastaj e thyenin me këmbë. Kurdoherë hartohej edhe kontrata e martesës në gjuhën hebraishte (e quajtur “kethuba”), dhe kjo i dorëzohej prindërve të vajzës. Celebrimi kryhej nga njerëz që e dinin mirë gjuhën fetare dhe përmbajtjen e ligjit. Ndër ta duhet përmendur edhe hazzan-i i palodhur Jehuda Sareta, me zërin e vet të bukur, të thellë e bariton.
Në periudhën kohore nga gjysma e shekullit XIX e deri në vitin 1939 janë kryer vetëm dy martesa të përziera: njëra midis vajzës së Mordekai (Mordo) Matathia, Sarika, dhe një djali të krishterë ortodoks, të cilët ndërtuan familjen në Vlorë, dhe tjetra midis një vajze izraelite, Vittoria Menahem Jomtov, dhe një mjeku ortodoks, Jani Melo, të cilët jetonin në Fier. Këto martesa u kryen rreth vitit 1935. Prindërit dhe bashkësia i quajti ato si një fakteqësi e mirëfilltë. Në një rast, familja e konsideroi si të vdekur vajzën e martuar…
Hebrenjtë në Shqipëri nuk e respektonin rregullin e ushqimit “kasher”, [cili përkufizohet nga ligjet e Torasë, të cilat populli hebre i ndjek prej më shumë se 3000 vjetësh. Sipas këtyre ligjeve mund të konsumohet vetëm mishi i kafshëve, zogjve apo peshqve të caktuar sipas disa rregullave të rrepta, lejohet ngrënia e qumështit dhe prodhimeve të tij, por në asnjë mënyre përzierja apo gatimi i këtyre prodhimeve me çfarëdo lloj mishi]. Asnjë qytet nuk kishte “shohet”, kasap i certifikuar për të therur kafshët sipas ritit hebraik, dhe mishi merrej nga kasapët e qytetit. Mishi i derrit dhe mishra të tjera të ndaluara nga ligji hebraik nuk konsumoheshin. Vetëm një izraelit, Isak Avram Kohen, gjatë 25 vjetëve që jetoi në Shqipëri, nuk vuri në gojë asnjë lloj mishi, sepse nuk ishte “kasher”. Ai nuk konsumoi për vite të tëra as mishin e pulës, derisa rabini i Korfuzit miratoi një rregull përjashtues të posaçëm, sipas së cilës iu dha e drejta për të prerë mishin e pulës, i cili mund të konsiderohej “kasher” vetëm nëse konsumohej prej tij dhe familjes së tij. Kur vinin Pashkët, çdo familje izraelite përdorte thika, lugë e pirunj të veçantë, të ruajtura vetëm për atë rast.
Qysh nga fëminia më kujtohet se ritet funebre kryheshin me përpikmëri të madhe. Sipas rregullit, para varrimit i vdekuri lahej me kujdes nga burra ose gra që ishin ekspertë për këtë gjë. Pastrimi e larja e trupit konsiderohej një bamirësi e madhe në fenë izraelite. Pastaj kufoma vendosej në një qefin leshi dhe futej në arkivol. Më pas i vdekuri shoqërohej deri në varrezë duke recituar lutjet funebre gjatë rrugës. I vdekuri kallej në dhé pa arkivol [sepse në Bibël është shkruar “je prej pluhuri dhe në pluhur do të kthehesh”]. Nuk ishin të rralla rastet kur xhenazja kalonte përmes qytetit.
Njerëzia, edhe pa pasur ndonjë lidhje, e quante punë të lëvdueshme ta mbante në shpinë arkivolin edhe për disa metra. Zija zgjaste 30 ditë.
Asokohe ruhej edhe zakoni sipas të cilit për shtatë ditë në shtëpinë e të vdekurit nuk gatuhej. Gjatë shtatë ditëve të para të afërmit e ngushtë të të vdekurit qëndronin të mbështetur në shilte dhe hanin gjysëm të shtrirë. [Familja ulej për “shiva” (kjo fjalë në hebraisht do të thotë “shtatë”), dhe priste vizita nga të afërmit e të njohurit që vinin për ngushëllim]. Ushqimi, enët e nevojshme si dhe thikat e pirunjtë silleshin me radhë nga njerëz të afërm apo miq të të vdekurit. Burrat rrinin pa u rruar për 30 ditë dhe gjatë kësaj kohe çdo ditë njerëzit mblidheshin “minjan në shtëpinë e të vdekurit dhe recitonin përshpirtjet e rastit, “kadish”. Të gjitha këto ceremoni drejtoheshin nga Jehuda Sareta, i cili tregonte devotshmëri për t’i shërbyer gjithë bashkësisë. Kur vinte në Vlorë nga jashtë ndonjë “Hazan” (psallt), përfitohej nga rasti për të recituar ndonjë lutje të veçantë salikimi para varrit të të vdekurit. [Gjatë atyre 7 ditëve të para priteshin vizita ngushëllimi nga miq e të afërt, izraelitë dhe shqiptarë].
Kujdes i veçantë tregohej për respektimin e ditëve të kremte. Në këto ditë të shënuara dyqanet mbaheshin të mbyllura dhe në çdo familje bëheshin përgatitje për t’i kremtuar në përputhje sa më të madhe të ligjit. Në vigjiljen e ditëve të kremte threshin kurbane vetëm për meshkujt e familjes, si gjela të rritur ose të parritur, sipas moshës së mashkullit për të cilin bëhej. Shpendët e therura u shpërndaheshin njerëzve të varfër, izraelitë ose jo izraelitë. E kremtja fillonte qysh në mbrëmje të vigjiljes dhe përfundonte në mbrëmjen e ditës së fundit të së kremtes, menjëherë pas shfaqjes së yllit të parë.
Për t’i kryer ceremonitë fetare, siç thamë, njerëzit mblidheshin në ndonjë shtëpi izraelite. Kudo ndihej gëzimi i së kremtes, por sidoqoftë asaj i mungonte madhështia që kishte në vende të tjera, si në Janinë e në Korfuz, ku bashkësia ishte më e madhe dhe sidomos ku kishte sinagoga të pajisura me librin e ligjeve, Sefer Torá. Si rrjedhim tek ne mungonin disa pjesë të ceremonisë fetare që kishin lidhje me to. Kujdes i veçantë tregohej për ato lutje që kërkonin plotësimin e numrit minjan, prandaj kryefamiljarët porosisnin me rreptësi të rinjtë meshkuj që, për ato çaste, në vendin e lutjes të ndodheshin të gjithë meshkujt e moshës së caktuar.
Sipas radhës kremtohej Rosh Hashana, dita e Vitit të Ri hebraik, e cila përkujton ditën e krijimit të Gjithësisë. Më kujtohen skena të ëmbla të fëmijërisë, kur nëna e shtrinte mbulesën e bardhë të tavolinës, me kokrra gruri të zjerë, dhe me kokrra shege. Ishte lumturi të shihje tryezën e mbushur me çdo të mirë që ka prurë Zoti, zbukuruar me kokrra shege që shndrinin sipas dritave të dhomës së darkës. Kjo ishte një traditë që nëna e kishte trashëguar nga e ëma, e cila ishte me prejardhje korfiote.
Pas Rosh Hashanës, me madhështi të veçantë festohej dhe ndihej dita e Kipurit ose dita e Pendesës së Madhe. Njerëzit e ndienin shpirtërisht afrimin e kësaj dite që më përpara ditës së caktuar. Shtëpia dhe njerëzit laheshin e pastroheshin, zgjidhej dhe përgatitej ushqimi më i mirë. Festa fillonte në perëndim të vigjiljes dhe mbahej deri në perëndim të diellit të ditës së nesërme. [Mbrëmja e parë ishte shume solemne dhe mbyllej me lutjen e famshme Kol Nidrei, lutje gjithë përgjërim nëpërmjet së cilës besimtari kërkon të anulojë të gjitha betimet, premtimet e kufizimet që i ka bërë vetes para Perëndisë].
Gjatë këtyre 26 orëve të gjithë agjëronin, me përjashtim të fëmijëve dhe të sëmurëve; pothuajse të gjithë meshkujt e kalonin ditën duke u falur, ndërsa gratë vinin pasdite, pak orë më përpara se agjërimi të merrte fund. Përveç therjes së kurbanit ishte zakon që atë mbrëmje të dërgoheshin në vendin e faljes kandile me vaj, një për çdo mashkull të çdo familjeje. Përfund të {mungon gjë?} dhomës ku kryheshin faljet ishte ndërtuar një mobilje me shkallare të ngushta dhe kandilat radhiteshin aty. Ndonjë mik, jo izraelit, kujdesej që flaka e kandilave të mbahej gjithnjë e ndezur. Pastaj baballarët mblidheshin brenda dhomës dhe djemtë e tyre vinin mbi kokë “taletin” dhe i bekonin në emrin e Abrahamit, Isakut dhe Jakovit. Kam parë baballarë që silleshin të mbyllur e të ftohtë me djemtë e tyre që, në momentin solemn të bekimit, shfaqeshin plot ëmbëlsi dhe emocione. E mandej, Jehuda Sareta i binte “shofari”-it të bërë nga briri i dashit, tingujt e të cilit përhapeshin në shtëpi dhe përreth. Nuk e di pse, por ndihesha plot drithma dhe i prekur deri në lot nga emocionet. Më dukej sikur po përthithja një mesazh. Ndihesha hebre në shpirt, edhe pse nuk kuptoja kurgjë nga ato fjalë të madhërishme që recitoheshin për atë rast. Në vijim, e zonja e shtëpisë u sillte të gjithëve kafenë, çka përbënte përmbylljen e darkës. Në fund të gjithëve u jepej një ëmbëlsirë e gatuar posaçërisht për këtë rast. Në fund të mbrëmjes të asaj dite, secili dilte nga shtëpia që shërbente si sinagogë për t’u kthyer në shtëpi dhe merrte me vete kandilat që i përkisnin; kështu gjatë kthimit formohej një vargan flakësh të ndezura që pak nga pak zvogëlohej dhe pastaj tretej.
Ky imazh më fanitet gjithnjë kur kujtoj plot dashuri dhe emocion ato vite të shkuara. Dhe duke për gjithë sa më sipër, banorëve vendas johebrenj thonin: “hebrenjtë po festojnë…”
Pas ditës së Jom Kipurit kremtohej Sukothi, ose Dita e Kasolleve, për të përkujtuar kohën e endjes së hebrenjve në shkretëtirë. Të rralla ishin familjet që dispononin pjergull që duhej stolisur me ato që kërkonte festa. Por në çdo shtëpi kishte nga të gjitha llojet e frutave të stinës, duke përfshirë edhe frutin e qitros. Ky frut gjendej pa vështirësi, sepse në fshatin Dhërmi të Bregut të detit në jug të Vlorës kishte plantacione të mëdha me këtë dru. Fshati në fjalë furnizonte me qitro Triesten, prej ku shpërndahej në Europën Qendrore dhe Lindore. Madje të vjetrit e fshatit thoshin që e ardhura nga shitja e qitrove në periudhën e Sukothit përbënte asokohe të ardhurën kryesore të fshatit të tyre.
Në muajin dhjetor vinte e kremtja e Hanukasë, e cila është “dita e përurimit të altarit të Tempullit” Kjo e kremte përkujtimore zgjat tetë ditë dhe, tok me fitoren e Makabejve kundër ushtrive asire të antiok Epifanit nga viti 167 deri në 165 para erës së re, përkujton dhe përurimin e ri të Tempullit të Jeruzalemit, i cili ishte blasfemuar prej tij. Për tetë mbrëmje radhazi në çdo shtëpi ndizeshin tetë kandile, dritat e Hanukasë, një për çdo ditë të javës, dhe mbaheshin të gjitha ndezur gjatë tërë natës. Mbaj mend me gëzim ditën kur im atë më merrte përkrah, më jepte në dorë një qiri të hollë, dhe më mësonte se si të ndizja qirinjtë e hanukierës, me radhë një nga një, duke filluar nga dita e parë që ndizej vetëm një e deri në ditën e fundit që i ndizja të gjitha me rradhë një nga një derisa ndriçonin të tetë kandilet.
Me hare kremtohej Dita e Purimit, për të cilin im gjysh më kish folur se përkujton shpëtimin e izraelitëve nga rreziku që u kanosej për t’u shfarosur nga ana e armiqve. Shpëtimi u erdhi papritur falë guximit të gruas së perandorit asirobabilonas Asyer që ishte izraelite dhe që quhej Ester. Për mua kjo ishte festa më e gëzuar, pasi nuk kishte asnjë pengesë apo kufizim, sikurse ndodhte me Pashkët, gjatë së cilës nuk mund të hahej gjithshka, ose me Kipurin, kur madje detyroheshim të agjëronim. Këtë ditë kudo në botë organizoheshin shfaqje gëzimi. Izraelitët në Shqipëri këmbenin dhurata, dhe ishte gëzim i vërtetë kur në shtëpi mbërrinin vazo me gjëra të mira për të rriturit dhe ndonjë monedhë ari për të vegjlit. Të rinjtë visheshin si në karnavale e maska dhe shkonin për të vizituar një nga një të gjitha familjet e bashkësisë të cilët, për t’u bërë qejfin, hiqeshin sikur nuk i njihnin.
Me ardhjen e pranverës vinte Pashka, kremtimi i së cilës zgjaste një javë. Dy ditët e para dhe dy ditët e fundit të saj ishin të kremte të mirëfillta. Në gjuhën hebraike kjo e kremte quhet “Pesah”, që do të thotë “kalim” dhe përkujton daljen e izraelitëve nga skllavëria e Egjiptit nën udhëheqjen e Moisiut aty rreth 15 shekuj përpara erës së re. Toràja hebraike porosit që tetë ditë në shtëpitë izraelite nuk duhet të hahet bukë “e ardhur”, domethënë e fermentuar, por kulaçe të pafermentuara që janë si biskota dhe quhen “macot”. Këto porositeshin dhe vinin nga jashtë shtetit derisa një gjë e tillë ishte e mundur. Në kohën e luftës izraelitët i përgatitnin vetë dhe i piqnin në furrë me të cilat ishin të pajisura disa shtëpi. Por veç kësaj, gjatë javës së Pashkës nuk duheshin ngrënë ushqimet që gjatë gatimit fryheshin (makarona, oriz etj.). Ushqimi i atyre ditëve përbëhej nga mishi e perimet. Për natën e parë të vigjiljes në çdo shtëpi përgatitej kanistra me sendet e nevojshme për ceremoninë e hovà-së, d.m.th. të riteve përkujtimore të rastit. Në orën e caktuar, rreth tavolinës së përgatitur me madhështi mblidheshin të gjithë pjesëtarët e familjes të kryesuar nga kryefamiljari. Kështu fillonte, në shtëpinë tonë dhe kudo, riti i gjatë që vazhdonte orë të tëra. Gjatë kësaj nate thuhej se ngjarjet që tregoheshin nuk u kishin ndodhur stërgjyshërve, por vetëm neve, të pranishmëve. Dhe kjo sepse ata që ishin larg Tokës së Premtuar e quanin veten ende në mërgim e në rravgim nëpër botë.
Në shumicën e këtyre festimeve prisnim vizita jo vetëm nga kushërinjtë dhe izraelitë të tjerë, por edhe nga miq shqiptarë, myslimanë ose të krishterë. Dhe gjithnjë u jepnim atyre “macot” që ata i quanin “buka izraelite”.
Mbaj mend tim atë që i jepte fund ritit të asaj nate me fjalët “Gaal Izrael”, që do të thotë “Shpëtim i Izraelit”, dhe nënën që shtonte: “Be shana habaa be Jerushalaim”, që do të thotë “mot qofshim në Jezuralem.”
Në kundërshtim me festat plot dritë e gëzim, me agjërim e zi kalohej dita e Tisha Be Avit. Ne të rinjtë e dinim që përkujtohej shkatërrimi i tempullit të mbretit Solomon, një herë nga Nabukodonosori i Babilonisë në vitin 586 para erës sonë, dhe për të dytën herë nga gjenerali romak Titus, që më pas u bë Perandor, në vitin 70 para erës sonë. Të moshuarit tanë, që kishin vizituar Italinë, na rrëfenin me krenari se hebrenjtë e Romës edhe sot nuk kalonin për asnjë arsye nën harkun e triumfit që kishte ngritur Titusi për të festuar fitoren e tij kundër popullit të Izraelit.
Kështu rridhnin ditët e bashkësisë izraelite të Shqipërisë në ato vite. Izraelitët ashtu si dhe vendasit, ishin të rrethuar nga preokupacionet e përballimit të halleve të jetës si varfëria, sëmundjet, pasojat e krizës së madhe ekonomike që kish pllakosur botën duke filluar nga fundi i viteve ‘20 deri në fund të viteve ‘30. Nuk kishin probleme që të buronin nga qenia e tyre izraelite. Ndërkohë në Europë po grumbulloheshin retë e zeza të luftës. Që nga 30 janari 1933 po shkelte në Europë çizmja gjakatare e nazizmit. Rajhu i tretë hodhi në dorë Austrinë dhe Çekosllovakinë, Italia e Musolinit pushtoi Abisininë dhe po bëhej gati të pushtonte Shqipërinë. Kështu erdhi dita e 7 prillit 1939, dita e pushtimit të Shqipërisë sonë të dashur nga Italia fashiste. Pastaj erdhi dita e zezë e 1 shtatorit, kur Hitleri me ushtritë e tij i vuri flakën Europës, flakë që gradualisht u përhap edhe në kontinentet e tjera të rruzullit. Kjo furtunë përfshiu pak më vonë edhe bashkësinë e vogël të izraelitëve të Shqipërisë. (Vijon)
(Shpëtimi i një jete të vetme njerëzore është baras me shpëtimin e një bote të tërë.”)
Maksimë nga Talmudi.
IZRAELITËT NË SHQIPËRI GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
I. – IZRAELITËT GJATË PUSHTIMIT FASHIST ITALIAN