E bukur vërtet mbrëmja e Qytezës së Korçës, Festa e 100 vjetorit të themelimit të Shoqatës së saj në Chicago, e cila mban emrin e vendit të të parëve të tyre,“Qyteza”, dhe kujtesën e gjuhës amë…
– 100 vjet mall, 100 vjet lidhje shpirtërore e fshatit të lindjes me Çikagon, të atdheut me SHBA-në, atdheun e ri, dashuri dhe bashkëpunim i pandalur, – tha në mikrofon në fjalën e tij të hapjes mësuesi i urtë i Qytezës dhe zëri i tij ishte zëri i të gjithëve aty.
Salla e madhe e festës ishte plot, nisi sipas ritualit me Himnet e Flamujve tanë, ai Shqiptar dhe ai Amerikan, solemnitet dhe hare, përshendetja anglisht e konferencierit dhe pastaj po këndohej shqip dhe vallëzohej shqip dhe po përplasnin gotat me verë, uronin këtë 100 vjetor…
Nga një fshat i Korçës gjithë këta njerëz aq të përzemërt, fëmijë të bukur, zonja dhe zotërinj, veshur me hijeshi e me qytetarí, të moshuar të nderuar si kujtesa e truallit të tyre, kështu thashë me vete.
Ishim bashkë me Edën time, ftesën na i dha Tasi, aq miqësisht, ai na ka dhuruar dhe Librin e Qytezës së tij, takuam miqtë tanë aty, Janin me Edlira-n, në një tryezë të madhe të rrumbullakët, – në formën e zemrës m’u duk prej mirëpritjes, – me vëllezër e bashkëshortet e tyre, të qeshur të gjithë dhe ndjemë se edhe ne kishim nja “100 vjet” që njiheshim me ta…
Takoheshim dhe më të tjerë, ja, dhe poeti Kostaq Duka, ja, dhe Dr. Minella Aleksi, i grupit tonë, kritiku letrar, i themi ne, përplasje gotash sërish, këngë të famshme korçare, edhe të Veriut tonë, të Dardanisë, amerikane si tonat, edhe greke, ne jemi fqinjë të mirë, vallzonte e gjithë salla, me elegancë, biseda për votimet, fitoftë më e mira për vendin, e ardhmja e begatë u bëftë e sotme sa më shpejt, ndërsa në krye në një ekran të madh dilnin pamje nga Qyteza e përmalluar, sikur shfletoj libri i kujtesës, rrugët e reja, shtëpitë dhe malet, shkolla, kisha, qielli që dukej sikur vazhdonte deri këtu dhe vazhdonte vërtet, njerëzit e fshatit, ja, me vegla muzikore ndër duar, ja dhe vëllezërit Belushi, aktorët e famshëm të Hollywood-it, nga Qyteza janë, do vinte Jim-i në këtë 100 vjetor, kështu kishte thënë, por ah, motra befas…
…dhimbje dhe krenari e natyrshme, Qyteza është bërë qytet në ëndrrat e tyre, teksa ikin vazhdimisht, vetmi dyersh, trishtime pemësh… ura e harruar… por ne kujdesemi për rrugët e vendlindjes atje, ndihmojmë e bashkëpunojmë duke qenë qytetarë amerikanë, kishte thënë në fjalën hyrëse ai, mësuesi i urtë i Qytezës. Më përsëriteshin ngrohtë fjalët e tij si ngushëllim ndaj boshatisjes së vendit si boshatisje shpirti…
Megjithatë sa mbrëmje e mirë në thjeshtësinë e saj, ku mes dritave dhe haresë, shisheve me verë e ushqimeve të shijshme, shandanëve dhe qirinjve dhe mallit pezull, më bukur ndriste buzëqeshja e çiltër njerëzore.