Librin tim të parë
Me dy kapëse teli si fletore shkolle
Dhe,vjershat e një tetëmbëdhjetëvjeçari
N’ato pak faqet e tij,
Munda ta shoh e ta prek
Veçse disa muaj
Pasi doli nga shtypi …
Për fat,
Kur u kujtuan se duhej ndaluar
Ishin shitur gjithë kopjet,
Siç shiteshin rëndom
Librat në komunizëm…
S’iu gëzova dot librit tim të parë
Qoftë dhe një ditë të vetme…
Librit tim që, i parë mbeti
Plot dy dekada,
Gjersa mbërriti Viti Nëntëdhjetë…
Asnjë herë s’e mohova librin tim të parë,
Siç deklaruan n’intervista televizive,
Apo në kafene,pranë gotës së rakisë
Poetët komunistë për librin e tyre të parë,
Me t’u shembur diktatura…
Asqë donin t’ua përmendje më debutin letrar,
Gjithë shkrepje duartrokitjesh dhe bubullima brohoritjesh
Për sukseset e Partisë
Në ndërtimin e Shqipërisë,
Formatimin e Njeriut të Ri
Dhe, luftën ndaj socialimperializmit…
Të mjerët !
Ç’pandehin,se sot bëjnë namin,
Ata që në rini s’ishin të sinqertë
E madje s’e kishin për gjë
Të rekrutoheshin spiunë ?
S’e mohova librin tim të parë,
Ndonëse prej tij më hoqën të drejtën e botimit
Dhe,jeta më mori për dreq.
Gjer dhe në gjyq dola prej tij
Dhe për pak
Sa s’më mbyllën në burg …
Libri im i parë,
Piketa ime e parë e njëmendtë në letërsi,
Me gjashtëdhjetë faqe,
Kapur me grepça teli si fletore shkolle :
Tekefundit
Eshtë ai që është…
Libri im i parë prej dy mijë kopjesh ;
Sot,në shtypsh njëqind
Ke shtypur shumë…
Dy kopje sot kam prej tij,
Njera relikte e vërtetë,
Ashtu e dhunuar anëve,faqe më faqe
Me shkrimin e imët mezitëlexueshëm
Si prej gjysmanalfabeti
Të drejtorit të Shtëpisë Botuese,
Që mbante emrin
E Shenjtit Naim Frashri.
Eh,redaktor i librit tim ,
A e dije ç’nder po më bëje
Kur rrëmbeve këtë kopje – dokument
Nga zyra hermetike
E drejtorit tënd ?
Me gjuhën e një eksperti hetuesie
Më kritikonte ai drejtor vjershë pas vjershe
Për mbizotërim të frymës dekadente
Dhe tema të qëmtuara ,sipas tij,
Në këndvështrimin e një snobi…
Ku është rritur ky autor,pyeste në mbyllje,
Në Shqipëri,apo në Perëndim ?
Si u tregove sylesh dhe,lejove
Të kalonte ky libër,i turrej pastaj,
Drejtori redaktorit përgjegjës;
S’të ra në sy ty dhe recensentëve
Q’i mbajmë me honorare
Se,në libër s’gjendej gjëkundi
Fjala Parti
Emri Enver ?
Megjithatë,drejtor,aparatçik i trembur
Libri im në fillim u prit me entuziazëm,
Ndryshe krejt nga ç’shkarravite ti
Në margjinat e faqeve;
Ndryshe krejt dhe nga sulmet ideologjike
Të kritikëve
Që prisnin të nisnin stazhin e kandidatit të Partisë…
Ende sot e shfletoj me ëndje
Librin tim
Që vajta dhe e titullova Përshëndetje !
Ishte i parakohshëm për ju, që u turrët ta mbysni
Ju, fatalisht të paqytetërueshmit folklorizantë,
Që banonit në fshat,në qyteza të humbura,
Apo,fare mirë,edhe mes Tiranës ;
Ishte i paarritshëm libri im për ju
Qoftë n’ide dhe konceptim.
Ju,të gërryerit nga smira
Që kohën kurrë s’e kapët…
Për një tetëmbëdhjetëvjeçar,
Sa shumë telashe ,sa shumë
Libri im i parë !
Kur dole ti
Isha n’ishullin e Sazanit
Po e thashë,të shtiva në dorë
Muaj më pas…
Eprorët e mi s’e motivonin dot
Dhënien e lejes për të tërhequr një libër,
Për më tepër,një marinari që kish refuzuar
Të ndiqte akademinë ushtarake …
Libri i parë me kapëse teli,
Dhe,fletë të zverdhura
Si të pergamenëve,
Vjershat më t’arrira ,
Sidomos të kritikuarat
Që ngërthehen në gjashtëdhjetë faqet e tua
Ende i ribotoj,paçka që ndodh
Të pëlqehen më shumë se të rejat…
2018
Komentet