Libri me “Kujtimet” e Ismail Qemal Bej Vlorës, u botua në formën e një autobiografie me redaktimin e gazetarit Sommerville Story, dhe me parathënien e gazetarit dhe autorit amerikan William Morton Fullerton me titullin “The memoirs of Ismail Kemal Bey”. Domethënës është fakti që Ismail Qemali është i vetmi personazh i shquar i Perandorisë Osmane, kujtimet e të cilit janë botuar pikësëpari në anglisht.
Ato u botuan nga shtëpia botuese “Constable and Company Ltd.”, në Londër në vitin 1920, vetëm një vit pas vdekjes së tij. Në parathënie Fullerton thekson se, gjatë periudhës së shkrimit në vitet 1917-1918, Ismail Qemalit i ranë mbi shpatulla halle personale shpesh herë të rënda dhe halle të tjera më të rënda të lidhura me problemet patriotike për të ardhmen e Atdheut Shqiptar. Dhe pikërisht si pasojë e vdekjes së Ismail Qemalit, pjesa e fundit e këtyre kujtimeve që lidhej pikërisht me Shqipërinë, mbeti e papërfunduar. Në shqip kujtimet e tij do të publikoheshin fillimisht në vitin 1968, në Toronto, Kanada, të përkthyera nga patrioti vlonjat Reshat Agaj. Më vonë libri do të ribotohej në shqip dhe do të përkthehej në italisht e turqisht.
Në kujtimet e tij Ismail Qemal bej Vlora flet me një vërtetësi të admirueshme për shumë ngjarje të rëndësishme të politikës botërore të kohës. Aty pasqyrohet me një kthjelltësi të posaçme bota otomane dhe roli i shqiptarëve brenda saj. Një gjetje e jashtëzakonshme nga pikëpamja artistike është ilustrimi i marrëdhënieve të komplikuara midis krerëve shqiptarë dhe otomanëve, me metaforën e bukur të njerëzve që jetojnë afër një mali vullkanik; dhe të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me shpërthimet e tij të herëpashershme.
Kjo alegori kaq e goditur artistikisht duket se ka prekur fort edhe një mendje artistike gjeniale si ajo e Kadaresë. Prandaj, jo më kot alegoria do të risillej sërish nga gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, në vitet e diktaturës në veprën e tij “Pallati i Ëndrrave”, për të goditur sërish sistemet diktatoriale që synojnë kontrollin absolut të mendjeve njerëzore. Me të vetmin ndryshim që emri i Vlorajve do të zëvendësohej me atë të Qyprillinjve, si më largët në kohë…
Por ky nuk është i vetmi libër i shkruar nga Ismail Qemali. Libri tjetër i shkruar prej tij shpërfaq aftësitë e tij të spikatura si një publicist dhe intelektual i kalibrit të lartë. Ai është një manual për marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. Në hyrjen e librit Ismail Qemali thekson se ai nuk ishte duke shkruar autobiografinë e tij, por thjesht po shpjegonte arsyet e azilit të tij politik vullnetar. Ky libër është tërësisht i panjohur për shqiptarët. Ai është botuar në vitin 1900, në osmanisht dhe u përkthye në gjuhën franceze, angleze dhe arabe në vitin 1901.
Përkthimi në këto gjuhë flet për rëndësinë që pati ky publikim në atë kohë. Rëndësia e këtij publikimi theksohet edhe në letrën e datës 2 maj 1900, që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury). Letra është pjesë e fashikullit të arkivave britanike për Ismail Qemalin, të cilin e kemi zbuluar së fundmi për publikun shqiptarë.
Një versioni i shkurtuar në anglisht i këtij libri, u botua në një prej periodikëve britanike më me influencë të kohës “The Fortnightly Review”. Libri është një tjetër dëshmi e lidershipit vizionar dhe e kapaciteteve intelektuale, politike, diplomatike të Ismail Qemalit. Ai është një traktat i mirëfilltë politik dhe një udhërrëfyes për marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga motivet e botimit të librit me titull “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”, është nxjerrja në pah rolit të Britanisë së Madhe si demokracia liberale më e madhe e kohës dhe roli i saj civilizues në botë.
Ndërkohë qëllimi tjetër i Ismail Qemalit në shkrimin e librit lidhet me fitimin e përkrahjes britanike ndaj çështjes shqiptare. Shqiptarët ishin i vetmi komb në Ballkan, pa përkrahje nga asnjë nga Fuqitë e Mëdha në përpjekjet e tyre për liri. Vetëm pas një dekade nga shkrimi i këtij libri do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemal Vlora…
Kohët nuk janë aq të largëta sa të mos na flasin me këshilla të vyera për të tashmen dhe të ardhmen tonë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga figurat më të ndritura jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë arenën ndërkombëtare. Sepse siç shkruante dikur një njeri i mençur: “Zoti nuk i krijon njerëzit e mëdhenj për nevojën e vetëm të një kohe dhe të vetëm një populli, por për nevojën e të gjithë popujve dhe të të gjitha kohërave. bw