Emrin e Lorkës e kisha dëgjuar dhe më parë, por e lexova kur isha student në Shkodër. Më ra në dorë fshehurazi një botim me poezi i Kosovës, s’e di si e kishte kaluar kufirin atëhere…
Më vonë poeti Ndoc Gjetja më dha një bllok të madh, të bërë me ftesa të Festivalit të ndaluar të 11-të të Këngës, ku pas tyre poeti Sadik Bejko kishte shkruar me dorën e tij të gjitha poezitë e librit të Lorkës. Të nesërmen duhej t’i ktheja. Miku im student, poeti Simon Vrusho, i kopjoi për gjithë natën dhe ne i shpërndamë ndër miq të tjerë…
Kur më futën në burg, lexova në revistën “Nëntori” dramën “Jerma”, e kishte përkthyer Aurel Plasari, i grisa me kujdes fletët e saj dhe ia dhashë këpucarit të burgut të m’i lidhte bashkë dhe pastaj arkitektit Maks Velo, mik yni në burg, që i bëri një kopertinë, duke prerë nga revistat ndonjë figurë që mund t’i përshtatej veprës apo shkronjat nga gazetat për titullin dhe autorin…
Gjeta tre drama të tjera të Lorkës, një botim ku s’ishte vënë emri i përkthyesit. E kuptuam që duhej të ishte ndonjë i burgosur. Kur dola nga burgu mësova se ai kishte qenë shkrimtari Kasëm Trebeshina.
Fletoret e dikurshme me poezi të Lorkës, i gjeta në shtëpinë time, i kishin shpëtuar nga konfiskimi, se m’i kishin marrë ata të policisë nja 39 fletore e blloqe me shkrime e ditar… dhe poezive të Lorkës u bëra një kopertinë në fabrikën e plasmasit në Lushnjë, fshehurazi, me të njohur. Ja, aventura librash dhe pasioni…
Dhe pasi ra diktatura e unë isha në Itali, bleva të gjithë Veprën e Lorkës, gjeta dhe një libërth me poezi të panjohura të tij, i përktheva, shtova të tjera dhe botova i lirë përmbledhjen lorkiane “Ballkoni i hapur”. I kujtova këto sot, në ditën e pushkatimit të Lorkës…
Vriten poetë, por dhe libra, edhe lexues… gjithsesi poezia shpëton dhe triumfon ashtu siç mundet dhe siç di ajo… E shenjtë!
19 gusht 2019



Komentet