LIBRARIA NE BULEVARD
( Dy poezi nga libri Moda e Varfërisë )
Te kjo librari e vogël ndanë bulevardit,
Libra ka gjithfarësh,
Gjer dhe kryeveprat e nobelistëve të lauruar së fundmi…
Rreth shitësit që rri në karrige,pranë derës,
Tek bën fresk me gazetë ditëve të nxehta,
Çdo herë gjen dy – tre të papunë,
Që e mbajnë me muhabet…
Sakaq vijnë klientë që blejnë llotaritë e radhës ,
secilën nga një dyzinë,
Ndonëse e dinë mirëfilli se janë të manipulura
Dhe, fituesi është paracaktuar ;
Pastaj ndalin të tjerë që blejnë cigare
Tek e ndezin një me nervozizëm që në derë
Të librarisë së vogël, ndanë bulevardit
Më të madh të Shqipërisë.
Librat radhitur pas xhamave të ndotur
Zverdhen e gufohen sipas tekave të motit,
Sepse përherë më rrallë ndodh t’i blejnë.
Zotërinj,
Pa llotaritë,pa fotokopjuesen e dokumenteve
dhe,pa cigaret…
Librarinë prej kohësh do ta kisha mbyllur ;
Ato,ato më mbajnë gjallë,
Shpjegon shitësi me indinjatë.
Askush s’e fajëson shitësin në bulevard,
Kohës fajin ia hedhin të gjithë,
Por shih ! M’u ndërmend Çehovi,
Tek rrëfen fatin e një librarie në provincë :
Shitësin e përkorë,ata që i hynin brenda ,
Ndonëse librat në rafte i shihnin,
E pyesnin :
A shisni litar,
Sallo derri,
Vajguri,
A shisni… ?
Sipas porosisë së rreptë të gruas së tij,
Me mallrat e konsumit të gjerë,
Librat çdo ditë i zëvendësoi ai
Dhe,bëri prokopi…
Ah,librari e vogël në trotuar
Aty te bulevardi i madh…
2015
PIRAMIDA
Sa lehtësisht iu futën ta tjetërsojnë
Piramidën – muze të Enver Hoxhës !
Kish nisur të rrënohej ajo,
Ashtu, mbetur pa dyer e pa dritare,
Pa mermerin Pentelikon,që i ndriste
pjerrësitë e mureve …
Pllakat rrëzëllitëse të tij i rropën me nguti
Politikanët tanë rrugaçë dhe hajdutë,të zbritur
nga thellësitë rurale
Dhe,
Mveshën me to vilat luksoze në bregdet ;
Me ç’u teproi,ujdisën në Sharrë
Varret e t’afërmëve…
Përreth Piramidës zotëruese
Po ngrihen objekte të tjerë,
Anekse plotësues të saj,
Sepse,mos harroni,
Aty
Qendra e Teknologjisë dhe Inovacionit
Do të hapet,
Me gjasë m’e madhja në Rajon…
Qytetarët e s’ardhmes,
Makineritë mendore do të shohin ,
Racën e robotëve
Me vullnet dhe status të njëjtë me të njerëzve ;
Inteligjenca e tyre artificiale
Do t’i argëtojë dhe njëherësh
Do t’i trembë vizitorët,
A thua se vërtet alienët
Janë ulur në Tokë…
Sa lehtësisht iu futën ta shkatërrojnë dhe
ta ringrejnë të tjetërsuar
Piramidën e Enverit !
Shumëkush kur kalon në bulevard,
Mund t’u hedhë një sy punimeve që s’ndalin…
Eh,iku diktatori ,mund t’arsyetojë,
Çdo gjurmë e tij më në fund u fshi :
Gjëkundi s’janë më librat e tij,
Ata në shkollë më nuk studiohen,
Rresht për rresht e fjalë për fjalë.
Në bibliotekë më askush s’t’i ofron ;
Mermeri i monumenteve të tij u copëtua,
Siç u copëtua dhe bronzi i tyre
q’u shit për skrap…
Madje dhe shtëpia e tij në Bllok,
N’atë lagjen e ndaluar
Pak metra tutje Piramidës,
Ku ai jetoi dhe vdiq,
S’u bë asnjë herë muze ;
Nipat e pronarëve të saj të ligjshëm,
Me ta shtënë në dorë,
E kthyen në kafene…
Bukur kështu,
Qartë dhe shtruar,
Por pas kaq vitesh në liri,
Nostalgjia për diktaturën ka nisur të vlojë,
Ajo nostalgjia fatale,që s’të lë kurrsesi
Të marrësh një mësim të vyer nga historia,
Tek zhdramatizon e romantizon çdo krim e masakër…
Ca më shumë se vetë të moshuarit,
Brezat e rinj,
Ata që nuk jetuan vitet e diktaturës,
I duan filmat e saj,
Këngët e saja,teatrin e saj,
Poezinë e saj …
Ç’janë këta shkrimtarët e sotëm,shfryjnë,
Këta kineastë, ç’janë,
Pale këta aktorë dosido dhe
këta këngëtarë…
Ç’patët me diktaturën
Ju ,etërit tanë ;
Përse e përmbysët vallë ?
Sa lehtësisht në bulevard
Piramida e Enverit
Po tjetërsohet konceptualisht ;
Robotë me vullnet të hekurt
Dhe,personalitet si të njerëzve,
Atje do t’ekspozohen…
2021
Komentet