( Historinë e kujtojmë për t’i nxjerrë leksionet, mbamendja na nevojitet për t’mësuar, jo për t’i “gjykuar” dështimet e së kaluarës. )
1 – Nanine Vallain (1767-1815) – “Liria” (La Liberte), 1794
2 – Frederic A. Bartholdi (1834-1904) – Statuja e Lirisë (Liberty duke e Ndriçuar Botën), 1886
Koncepti i Lirisë (artistikisht, si vizualitet) zakonisht përfaqësohet si një metaforë antropomorfike, dmth. me personifikime të ndryshme. Psh. si një “femër klasike” e lidhur me virtytet dhe idealet më të larta. Simbolikisht, si një perëndeshë, pasi ashtu-kështu perëndeshat janë të lidhura me virtytet më të kulluara, siç janë bukuria, dashuria, seksualiteti, amësia, kreativiteti, pjelloria etj.
Andaj pse t’mos jenë të lidhura dhe me Lirinë, aq e shtrenjtë liria, pa lirinë mbase s’mund të shijohen mirëfilli as bukuria, as kreativiteti, as dashuria, as vetë frymëmarrja, as jeta, asgjë. Cilido i burgosur, a qoftë një zog në kafaz, cilido shpirt që i është pezulluar liria, zor se mund t’ndjehet i “gëzuar”. Andaj me plot të drejtë romakët, e edhe grekët, e edhe të tjerë… do e kishin sëpaku nga një perëndeshë të “Lirisë”.
Tjetër që as romakëve as grekëve s’u pati vajtur mirëfilli “mendja” e anti-skllavërisë, tekefundit e çmonin dhe mbronin Lirinë e atyre që ishin të Lirë, kaq mjaftonte. Ec e merru me lirinë e të gjithëve, s’kapërthehej dot. Konceptet e botës ashtu qenë brumosur e pjekur, ndërgjegjen fare të qetë, flinin zbathur. Mjaftonte t’i luteshin Libertas (pararendësit grekë Eleuterisë, perëndeshës së tyre), dhe do u faleshin gjithë mëkatet. Aty-këtu gjatë kohëlinjës së historisë moralisht mbase do e kenë vrarë mendjen (dmth. si supozim modest, tekefundit poetët e kohës). Mirëpo nga aspekti “kulturor e politik” vallë si do ia bënin pa skllevërit! E paimagjinueshme…
S’e gjykon kush lashtësinë, se mos na i rënduaka mëkati greko-romakët, nonsens, as që bëhet fjalë, s’e gjykon kush asnjë nga popujt e lashtësisë. E shkuara e njerëzimit prore justifikohet nga vetë historia. E dinë shkollarët, akademikët, të gjithë, e kaluara kurrë nuk “gjykohet”, qoftë e largët qoftë relativisht e afërt. Secila shkollë, çdo universitet i planetit impenjohet që historia të interpretohet denjësisht, objektivisht, pa paragjykime.
Madje dhe 2 mijëvjeçarë pas romakëve, vetë holandezët, spanjollët, portugezët, britanezët etj. pothuaj do ta “zbraznin” afro-kontinentin. Ishte parallogaritur që buzëqeshjet e varfanjakëve do lulëzonin andej në tokat e “indianëve”, së bashku me ato të Apaçëve. Në rregull, ca gjëra s’patën vajtur dhe aq mbarë, herë-herë filizat do thaheshin e do vyshkeshin. Aty-këtu mund t’kenë “dështuar” parapritjet, asgjë, të shkuara të harruara…
Historinë e kujtojmë për t’i nxjerrë leksionet, mbamendja na nevojitet për t’mësuar, jo për t’i “gjykuar” dështimet e së kaluarës. Do ishte “absurd” t’mos ndjehej e qetë historia e Romës, e Egjiptit, e Babilonisë etj. Arenat gladiatoreske të Romës sikur qenë “ashtëzuar” me një shtresë pluhuri prej kafkash të shtypura. E saktë, por çfarë pastaj… asgjë.
Meqë ra fjala, njësoj ndjehet e qetë dhe historia britanike, vetë Neptuni (Poseidoni) ia pati dorëzuar Britanisë skeptrin e Perandorisë Oqeanike (ndoshta dhe atë të Atlantidës… Platonike, pse jo). Anijet holandeze dhe ato britaneze (nën flamujt e mbretëreshave… deri tek Victoria) s’ndaleshin me vajtje-ardhjet tejoqeanike. Ngjashëm si mega-tankerët e kohës sonë, njësoj si anijet gjigante me kontejnerët e “globalizmit” që s’dinë të ndalur. Sepse dihet, plantacionet, fushat e paskajshme, kuzhinat e “neo-klasicizmit” amerikan, etj etj. pambuku jo se jo… por komplet, atëbotë e gjithë ekonomia amerikane s’do ia bënte as “gëk”.
Gjithsesi, Statuja e Lirisë (Liberty), dhuratë e francezëve të kulturuar për popullin amerikan, është një perëndeshë romake, është figurë e Libertas, e perëndeshës romake të Lirisë. S’di nëse ka ngelur ndonjë skulpturë romake e Libertas, por di që portretin e saj romakët e përdornin nëpër monedhat. Edhe amerikanët sot e përdorin perëndeshën nëpër monedhat e tyre (paçka se perëndeshë romake). Meqë pakashumë e njëjta gjë është, simbolet janë simbole, apo jo, qofshin romake a neo-amerikane.
Dhurata e Libertas, fare lehtë mund t’jetë (dhe padyshim është) dhurata më simbolike e të gjitha kohërave. Sikur mbarë njerëzimit ia dhuron shpresën, simbolizmin e lirisë, ia fal ndjenjen e krenarisë. Me statujen sikur qe “vulosur” një faqe e bardhë e historisë amerikane. Ndoshta dhe vetë Amerigoja andej në jetë-përtejmen e vet do ta ketë festuar (patjetër do i kenë cakërruar gotat me Kolumbon). Pas një lufte të madhe jugo-veriore skllavopronarët kokëfortë më në fund qenë “civilizuar”, humbja e luftës sikur i pati shtrënguar të mbushen mend : )
Më 28 Tetor 1886, “Liberty” i qe dedikuar “Lirisë” – si statujë shohim që perëndesha Libertas mban një pishtar në dorën e djathtë. Ndërsa në dorën e majtë mban një tabula ansata me mbishkrimin JULY IV MDCCLXXVI (4 Korrik 1776), dmth. me numra romakë, data e Shpalljes së Pavarësisë së SHBA. Emri i plotë i zonjës-statujë është “Statuja e Lirisë – Liberty duke e Ndriçuar Botën”…
[ më poshtë ngjitur pak histori rreth “Liberty” nga Amber C. Snider ]
***
Amber C. Snider, në një shkrim hedhur në linjë (2019) na rrëfen shkurt historinë e statujes – Statuja e Lirisë është një simbol i lirisë, i frymëzimit dhe i shpresës, në v. 1865 francezi E. de Laboulaye e propozoi idenë e një dhurate monumentale nga populli Francez për popullin Amerikan. Laboulaye ishte një aktivist kundër skllavërisë (president i Shoqatës Franceze kundër Skllavërisë), ai besonte se festimi i demokracisë së Amerikës, ashtu menjëherë pas Luftës Civile, si dhe braktisja e skllavërisë, mund t’i forconte dhe idealet demokratike të Francës.
Me dizajnin do merrej skulptori francez F. A. Bartholdi, versioni përfundimtar i dizajnit qe patentuar në v. 1879 dhe ndërtimi i statujes pati filluar shpejtë – shkruan Snider.
Dizajni i Bartholdit ishte kolosal – në fakt, do ishte skulptura më e madhe e kohës, më e madhe se çdo skulpturë tjetër në botë. Ndërsa A. G. Eiffel, projektuesi i Kullës Eifel, do ta projektonte kornizën skeletore të statujës. Ekspertiza inxhinierike e Eifel ishte thelbësore për strukturën, pjesa e brendshme e hekurave duhej ta mbante peshën prej 200 tonelatave, e po ashtu duhej t’i përkrahte + 100 tonelatat e mbështjelljes së jashtme të bakrit.
Statuja qëndron afërsisht 34 metra e lartë, por nëse të matej dhe piedestali së bashku me majën e pishtarit – thotë Snider, lartësia e saj e plotë do na dilte 93 metra. Dora e saj e djathtë shtrihet lart për ta mbajtur një pishtar veshur me flori 24 karatësh, dhe në kokë ka një kurorë me shtatë cepa, që simbolizojnë shtatë kontinentet. Në këmbët e saj qëndrojnë pranga të thyera, të cilat përfaqësojnë një grua të liruar nga shtypja dhe tirania.
Ndërtimi i statujës s’pati qenë dhe aq punë e lehtë, jo vetëm për shkak të madhësisë, ShBA do ishte përgjegjëse për ndërtimin dhe financimin e piedestalit prej 27 m, ndërsa Franca do fokusohej për ekzekutimin e statujës dhe për transportin e saj, ndarë në 350 pjesë, përtej oqeanit. Të dy vendet do ballafaqoheshin me probleme financimi, kështu që i qenë drejtuar publikut për ndihmë, përfundimisht do mblidheshin fonde përmes eventeve artistike, ankandeve, donacioneve etj.