1.
Qëmoti s’kishte ndodhur në Europë.
Ndaj, mendoja se i përkisnin një kohe e miljeu tjetër, tashmë të arkivuar në kujtesë.
Të fundmit e atentuar që njohim nga krye guvernash ishin Aldo Moro, Olaf Palme, Luis Karero Blanko apo Zoran Xhinxhiq i Serbisë.
Në fakt ky i mbrami, ndryshe nga të parët që vinin nga demokraci libertare, do të humbte jetën në një milje të zymtë ballkanik. Dhe të ndotur nga kënetë e krimit akoma sot.
Por njëj dite të qetë si qielli pa ré, në Bratislavë rikthehet atentati në kufij të vdekjes.
Ishim mësuar që autorë përpjekjesh, me efekt fatal ose në tentativë, të ishin njerëz politike, vrasës me pagesë, madje përplasje mafiozësh që shtrinin degnajën deri në kupolat e epërme regjimore.
Por, kësaj radhe (që dhe nëse s’është i pari nga ata që tashmë kanë mbetur në harresë), ishte Juraj Çintula, një poet i njohur sllovak.
Natyrisht, armëzjarri është i huaj për rendin e lirisë, anipse Neruda fliste me peshë misionari se poetët parathonë gjithçka…Sigurisht që dashnori i vargut të Andeve, e tepronte. Por, sidoqoftë, shpirti i poetit zbërthehet përherë vështirë…
Tani fantazia konspirative do të përndizet si flakët e një zjarri të papritur. Teoritë do të ngjizin rrëmujshëm ide prapaskenash të errëta.
Veçse justifikimi i tij nuk ishte aspak fjalëmadh: historia, kombi, armiku…Ishte, thjeshtë, përditësia e jetës së paslënë që bezdis njeriun e vogël sllovak.
Kur lexoja Princin, mrekullohesha nga mendimi i urtë politik i Niccollos. Por, njëkohësisht, përfundoja beftas në trishtim: panorama e grindjeve princërore ishte shpesh aq e përgjakur. E tillë, ajo çonte, jo vetëm në marrje haku ndaj njërit dinjitar të shtet-familjes rivale. Por shuhej i gjithë fisi armik, i madh e i vogël, që t’mos mbetej kush për revanshin e një kohe të dytë.
Kështu ishte etabluar aherë kultura politike e pushtetit, armiqësive dhe ekspanzionit të Fuqisë.
Ndër mote më pas, atentati sofistikohet pak. Goditet vetëm titullari i një rangu apo ideologjie, ikja e të cilit, rëndom, mbyllte një epokë politike.
Mirëpo si ftillohej përligjja e atentatit politik në histori?
Një libër i Alexander Demandt, rreket t’i gjej fijen e hollë në skenat e mëdha oborrtare.
2.
Rezoni shtetëror…
Në Hotel Saint-Pol, të Pallatit mbretëror, kishin mbërritur të gjithë: dukët, princërit, grofët, fisnikët, klerikët dhe, i pamunguari në të tilla ngjarje madhore, rektori i Universitetit parisien.
I fundit do të mbërrinte Johanni, duka i Burgonjëve. Kshte veshur mantelin e gjatë të kuq që, kur ngrinte dorën të njatjetonte, i shihej këmisha e hekurt e frikës dhe sigurisë…
Pati një kohë që midis tij dhe Luit, Dukës së Orléansit, i cili udhëhiqte Monarkinë pas rënjes n’shtratvdekje të të vëllait defrimtar, mbretit Karl i IV, vlonte një rivalitet i ashpër. Dyzimi konceptual i tyre përcyste zhvillime që do të çonin shpesh Francën e viteve 1400 në pragluftë civile…
Por nyjën e vështirë shtetprishëse u ngut ta prente Duka i Burgonjëve. Tashmë kundërshtari i tij ishte nën dhé. E Asambleja e madhe duhej të justifikonte pikërisht fundin e kësaj drame.
Ftillimin e tezës nuk mund t’a bënte kush tjetër përpos Normann Jean-Petit, teolog i shquar e armik idhnak i dukës së vrarë. I diplomuar në t’gjithë shtatë artet e lira, ai përfaqësonte tipikisht miljeun e atëmotshëm universitar.
Ndaj, në përplasjet politike do të merrte anë e do t’vënte dijet e tij në shërbim të Burgonjëve. Dhe këtë e bënte me t’vetmin instrument të kohës: logjikën aristoteljane!
Silogjizmi i tij përbëhej nga dy premisa përligjëse: “Është e lejuar dhe, njëkohësisht, meritore të vrasësh një tiran të vërtetë e trathtar”!
E pra: tiran e trathtar!
A s’ishin dy të këqija të mjafta që t’a vdisnin legjitimisht dukën e Orléansit..?
Që aherë, mbytja e tiranëve dhe, përgjithësisht, atentati politik për interesa të lartë shtetërorë, do rrekej të siguronte statusin e doktrinës.
3.
Kohë e moral tjetër
Ndërkaq, gjatë historisë së vonë politike, në shumëllojsinë e gjithëçkaje, bota do të njohë dhe shfaqje tiranish të fshehta që vijnë e krimbërojnë në ditët tona.
Porse, tashmë jashtë tipologjisë së diktaturave klasike, ato gjallojnë e zvarriten si shfaqje rudimentare kohe a rendi tjetër atipik.
Të kësillojta ngjajnë sepse, këtej botës së lirë, formalisht janë tirani e shpallur elektorale, por, sërish, si çelës i sojit, ushtrojnë vesin autokratik që flijon interesat kombëtarë…
Po ja, thotë Ana Magdalena Bach (Markezi “Shihemi në gusht”) dhe unë s’bëja tjetër përveçse ndiqja kurvëritë e varrezës. Ashtu si ajo një tjetri më parë, i shkoja nënës tek varri për lule dhe, më pas, përfundoja në trathti…
A s’kanë dhe monokratët e këtij miljeu varrezat e “Nënave”, amzën kulturore të tyre, ku, pas luleve dhe përshpirtjes, ndjekin po atë shteg përvers trathtie?
Ndaj dhe, kudhedi, për t’i lënë pas regjimet e liga drejt një epoke të re, kushedi, mbase dikush mund të evokojë për frymëzim frëngun Jean-Petit dhe doktrinën e tij të bekuar…
R. K.