Udhëtoj, do të thotë jetoj…
Njëmend, asgjë më bukur se të marrësh botën në sy! Të shohësh çfarë dëshiron të shohësh, të dëgjosh çfarë dëshiron të dëgjosh.
Dikush tha: udhëtoj – jetoj…
Ngeli në kujtesën gjithënjerëzore kjo porosi. Le anash përtacët e qyqarët, të gjithë të tjerët tok, dëshirojnë të udhëtojnë. Sa më shumë, sa më gjatë, aman!
Lakmia e përgjithshme njerëzore, mund të vrojtohet nga shumë kënde e aspekte.
Nuk jam as filozof, as sociolog. Gazetar jam.
Jetoj aq sa zgjatë leximi i këtyre rreshtave. Hiç më shumë, më gjatë!
Por më lind një dëshirë të cilës s’i shmangem lehtë: ta vë gjykimin e mendimtarit në peshë kohe – atëherë kur u shqiptua ky mendim me ditën e sotme!
Vlerën e tij, dje, sot, nesër…
Dua të pyes, pra, a e ka rrugëtimi po atë vlerë që e kishte dikur, kur rrugët ishim të paketa, të ngushta, e të përbaltura, kur nuk kishe rrugë uji, kur për rrugët e havasë as guxonim të pandehnim…
*
Krejt filozofinë e meditacionit dhe degëzimit të tij të mundshëm, mund ta nxjerr në breg me dy-tri fjalë: mjetet moderne të komunikacionit masiv (tekstualisht) e shuajnë për aq, apo, nëse doni, e shtojnë etjen për udhëtim, për sa më shumë udhëtime, sa më të gjata, madje.
Digjem etjeje që, njëherë në jetë, të shoh Nepalin, Kinën, Alaskën, Guineja Bisao… e tjera e tjera qytete të panjohura e vise të pashkelura!
Si duket, porosia e mendimtarit “udhëtoj – jetoj” nuk zvetënohet kurrë.
Në udhëtim, pra!
Ju ftoj unë, t’i lexoni këto shënime, kallëzime udhëtimi që pasojnë, t’i kuptoni si dëshirë për rrugëtim të përbashkët, asgjë tjetër.
Ju e dini se udhëtimi është shkollë e madhe, “njeriu sheh e dëgjon gjithçka” dhe, e dyta, në atë shkollë lëvizëse njeriu mëson leksionin e parë mbi dashurinë e pazëvendësueshme për trevën , truallin e vet, atdheun…
Kur, një ditë prej ditësh, plakemi, shkurtohen rrugët, nisim leximin e hartave, duke shënuar, me ngjyrë të kuqe, rrugët e kaluara…
Duke qenë bashkudhëtarë dëshirash, në këtë “tren special” do të ndalemi në disa qytete e kryeqytete të Evropës kryesisht, me disa lakime të buta në Izrael, Egjipt dhe Amerikë.
Ecim!
Komentet