……………………………….
1. Lexim drite në gjeth
Drurë që dalin nga ankthi i natës në ag,
Kandil i dridhshëm i hënës u shua
Mbi kryet e varrit të vjetër
Orët e uritura të dritës
Kërkojnë frutat e territ
Që natës rënkuan
Gjinjve të tu
Erdh ora e leximit të diellit
Në fijen e barit që dridhet …
2.TIRANIA E DRITËS
———————
“S’ka më gjumë! Makbethi vrau gjumin “!..
Po krimi i madh
Shekuj më parë ish kryer …
Bota fle në këmbë
Si kalë plak
Me luftëra e statuja në shpinë
Të gjitha vrasjet tjera
Anmistohen si të miturit
E panatë bota,atë mot e sot,
Duke pritur t’i shfaqet
Fantazma e një ëndërre,
Oh,vetëm një,veç një ëndërr,o Zot !
Mashtrimi i madh i shtatë ngjyrave
Vdes në një lulezjarri
Bota e panatë
Vuan tiraninë e dritës…
3.S’më thot gja dita e sodit…
——————-
S’më thotë gja dita e sodit,
Baladë,shkrue n’lot të zogut
Edhe hana më ndjek rrugës
Fener morgu,n’derë të kullës
Edhe kullat,shpat në shpat
Natojnë natën si kaçak !
4.NJERIU ËSHTË PYLL…
————————-
Njerëzit janë pyje,
Në pyll-gjithë kafshët
Cilën të vras
Të shpëtoj Njeriun ?!
5…
Pse kaq xhelozë zogjtë :
Në këngën e tyre
Asnjë fjalë poeti ?
E në jetë të jetëve
Veç një këngë këndojnë !..
6….
Mjer mjerimi
E lum lumnija
Po u panë në sytë e tu !
7…
Po shkrin borë e marsit
Gjurmë zogjsh edhe njerëzish
Shkojnë qiellit,si ré…
8…
U bëra më i vjetër
Se babai i vdekur
Cili është fëmijë ?
9…
Ti,një e hënë që e fillon javën,
Unë,një e martë që vij fill pas teje
Të djelën të pres …
10…
Natën mbi Valbonë zhburrërohen malet
Përmbys i dorëzohen
Lumit emërgrua !
11…
Gratë kanë për Atdhe
Tokën ku bëhen nëna
Në strehën time,çelën zogjtë e malit..
12…
Me njërin sy qan
E me tjetrin qesh,
Në cilin jam unë ?
13…
Ky lis që s’ghethon
Çfarë ka në trup:
Varkë,a arkëmort ?
14…
Një ditë gjithë statujat
Njëra -tjetrën do vrasin…
Bota pa poetë….
15…
Kthehem nga tejbota,
Veç një ditë jetova me ty
Një ditë atje,ketu njëqin vjet…
Vargje nga Mjeshtri i Madh
Poeti i mirënjohur
Hamit ALIAJ