LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR
Tiranë, më 07.06.2024
Deklaratë për mediat
Sot, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” do të shprehë qëndrimin e saj për çeshtjet e mëposhtme:
Komisioni i posaçëm për rezolutën antikorrupsion dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar
Emisioni Report në RAI 3 dhe marrëveshja Rama – Meloni
Zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore
***
Kuvendi ka miratuar dje vetëm me votat e mazhorancës ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
LZHK vlerëson qëndrimin në bllok të opozitës, duke mos votuar për ngritjen e Komisionit, si dhe duke mbajtur qëndrim të unifikuar për të mos marrë pjesë në komision me deputetët e saj.
LZHK është deklaruar kundër këtij komisioni dhe nuk e ka votuar në Kuvend, duke e konsideruar një instrument pa vlerë që nuk e lufton korrupsionin. Qeveria aktuale është në pushtet se 11 vjet dhe i ka patur të gjitha mundësitë, institucionet dhe mekanizmat e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. S’ka se si e lufton korrupsionin një komision i dominuar po nga kjo qeveri dhe me kryetar po nga kjo shumicë.
***
Emisioni Report në RAI 3 i ka bërë një radiografi shteruese të qeverisë shqiptare të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, e cila mori vlerë më të madhe edhe sepse gazetari e vuri kryeministrin Rama të përgjigjej për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të dhe shtetin e tij.
Ai e përballi me deklarimet që thoshte ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj, se Rama mban lidhje të forta me krimin e organizuar. Ai u shpreh se grupet kriminale përmes ndërtimit pastrojnë paratë e tyre në Shqipëri. Marrin tendera nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Ndërtojnë duke pastruar paratë e tyre në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri.
Gazetari italian theksoi se vetëm 20% e vlerës së përgjithshme të parave për ndërtimin e kullave është dhënë në formë kredie nga bankat. Pra nga 3.7 miliardë euro të investuara në ndërtim, vetëm 846 milionë janë financuar nga sistemi bankar.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” rithekson se situata politike, ekonomike dhe sociale e vendit është shumë e rëndë, pikërisht për shkak të korrupsionit kapilar dhe lidhjes së qeverisë me krimin e organizuar.
Përtej mardhënieve shumë të mira që kemi patur historikisht dhe do t’i kemi edhe në të ardhmen me Italinë, Marrëveshjen Rama-Meloni e shikojmë si një marrëveshje që nëpërkëmb një sërë të drejtash të njeriut.
LZHK dënon politikat sociale jo humane që nxisin dhe detyrojnë braktisjen e popullsisë tonë kombëtare nga vendi, për t’u hequr si human me refugjatë të huaj.
LZHK është me parimin që Shqipëria të ndjekë politika të marëdhënieve shumë të mira me Italinë, që qëndrojnë në themelet e Europës, dhe jo politika të interesave të ditës.
***
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, e cila ka vënë në themele të saj çështje kapitale kombëtare sikurse është bashkimi kombëtar, i ndjek me interes të madh zhvillimet politike në Kosovën Lindore sikurse janë edhe zgjedhjet. Kosova Lindore është një nga trevat më të shumëvuajtura shqiptare, sepse i është shkëputur dy herë trungut mëmë.
Më 2 qershor 2024 u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore dhe fatmirësisht zgjedhjet u fituan nga subjektet shqiptare. Sigurisht që ne j’u urojmë suksese.
Qeveritë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë e kanë detyrim kombëtar të mbështesin në të gjitha drejtimet komunat shqiptare në Kosovën Lindore. Kjo mbështetje nuk duhet të mbetet në kufij emocional por të marrë trajtën që iu japin të gjithë kombet serioze bashkëkombësve të tyre: të alokojnë buxhet vjetor financiar të posaçëm dhe jo buxhete fushatash.
LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR
Bashkëkryetar
Dashamir Shehi Ekrem Spahiu