Kurrkush mâ mirë se Koço Tasi e un s’ka qênë në rrjedhë të faktevet të lëvizjes së Shkodrës, posë atyne qi e gatitën e e bânë.
Këta, me dëshirë e qëllim qi të lidheshin edhe me refugjatët e vêndevet tjera, kanë pasë hŷ qysh me kohë në korrespondencë të rregulltë si me Tasin ashtu edhe me mue. Ishte njohja e miqsía personale mâ e ngushtë se me tjerët qi i kishte shtŷ me na u sjellë neve të dyve për ndërmjetës me shokët e Greqís e t’Italís.
Faktet qi do të tregoj këtu rezultojnë drejt për drejt prej korrespondencës qi kam pasun me Don Loro Cakën, me Don Lazër Shantojën, me Kolë Bibë Mirakën, me kap. Mark Rakën e ndonji oficer tjetër ; si edhe prej informatash qi kanë mundun me më rrjedhë nga burime tjera mbi veprimet e këtyne.
Natyrisht kam me qênë i rezervuem mbi shumë pika. Jam i detyruem me lânë në heshtje :
1) Ç’do sênd qi un kam arrijtun t’a dij jo si person, jo si privat, jo si individuum ; por si mis, si pjestar i nji kolektiviteti. Kurrkush s’ka të drejtë me përdorë për kapricet ase për idétë e tij nji sênd qi s’âsht e vetja, por qi i ka râmë në dorë për arsye të nji cilsíe të përkohshme dhânë prej nji kolektiviteti : mun si arktari qi ka në dorë paret e Shtetit, të nji banke apo të nji shoqnie tregtare.
2) Ç’do sênd qi dikush m’a ka diftue në këshill (konfidencë) deri sa ai vetë mos të më ketë zgidhun prej atij sekreti.
3) Ç’do sênd qi mue m’a pret mêndja se nuk duhet thânë për të mirën e përgjithshme.
Rezerva këto qi i a imponojnë kujdo rregullat mâ elementare të moralitetit shoqnuer.
*****
Deri tash vonë të gjithë nacionalistët e jashtëm ishin të bindun se regjimi i Ahmet Zogut nuk mund të shêmbej pa nji përkrahje të huej. Të tânë refugjatët shpresojshin se kjo përkrahje mâ në fund diku do të gjindej pa u sakrifikue asnji interesë vitale e kombit. Krejt kemi qênë të mendimit se kryengritja e jonë nuk varej nga rreziku i nji të ndërhymje të jashtme, mbasi po t’ekzistonte për njimênd nji rrezik i këtillë do të mjaftonte edhe Koburja e Çakos apo ndonji Tafë Kazí për me na gjetun pa qênë nevoja e nji kryengritjeje nacionaliste.
Të tânë e kemi dijtun se Ahmet Zogu erdh në fuqí diku me ndihmën direkte, diku me komplicitetin e fqînjvet t’anë dhe të Shtetevet drejt për drejt t’interesueme për lakmí të ndryshme imperialiste në vêndin t’onë. Por prap besojshim se rrethanat qi kishin favorizue bashkimin e nji tok Fuqive imperialite për Ahmet Zogun e kundra nesh nuk do të vazhdojshin gjithnji. Dikur balanca e interesave të hueja në Shqipní do të peshonte mâ rândë më nji anë, ekuilibri do të prishej e bashkë me këtê edhe ai koncert Fuqísh qi favorizoi të këthyemen e Zogut në Shqipní.
Tue hŷ mâ thellë në kontaktin t’onë me vênd, me popullin shqiptar, na u mbush mêndja – kështu nemose shumicës – se edhe vetëm përkrahja morale e fqînjvet t’anë, vetëm neutraliteti i tyne, nji neutralitet dashamirë do të na mjaftonte për t’a fitue luftën.
Qe pra në këto drejtime ka ecun politika e refugjatvet përjashta, në këto drejtime kanë punue edhe shokët t’anë nacionalistë në Jugosllaví. E mbasi tema âsht vetëm për këta të fundit, edhe un vetëm për këta due me folë.
Kurrë, asnjiherë nuk i u tha ndonji shoqit t’onë nacionalist prej ndonji goje kompetente të Beligradit se qeveria jugosllave do t’a favorizonte nji lëvizje nacionaliste në Shqipní. Shpesh herë Beligradi ka bâmë politikë me ne tue na këshillue – mirsí’e tij ! – me u bashkue, nga nji herë tue na u zotue se mund të na përkrahte në kohën oportune (!), nga nji herë tue na frigsue se po t’u tundshim për të gjallë Italia ishte gati me shkarkue në Vlonë e në Durrës e nga nji herë edhe tue na dhânë lajme qi mâ tepër ishin në kompetencë t’onë me i dijtun, si b.f. se Ahmet Zogu s’ka mbështetje në popull, se qëndron vetëm me fuqín e armëvet e se na, po të dojshim, ishim të zotët me e rrëzue…. etj.
Përse të gjitha këto lajka të Beligradit me shokët t’anë ? Për spekulata ? Për me na lânë në gjumë me shpresën e përkrahjes së tij në kohën oportune ? – Ah, kjo koha oportune!… – Apo mâ në fund, për eventualitetin e fitimit t’onë me ndonji mënyrë tjetër edhe kundra vullnetit të tij qi të mundej mandêj me thânë se Shteti S. H. S. ka qênë në favor të lëvizjes nacionaliste ?
Si do qoftë… Don Loro Caka para nja gjashtë muejve u sjell nji letër konfidenciale grupevet të refugjatvet qi ndodhen n’Italí e në Greqí. Me këtë letër – qarkore D. Lorja “n’êmën të shumicës s’emigrantvet shqiptarë të Jugosllavís” ftonte këta grupe në nji konferencë në tokë jugosllave “tue qênë se ay me shokë nuk e kishin në dorë me dalë lirisht prej andêj”. Kjo ftesë u pranue prej gjithë grupevet ; por me gjithë këtê konferenca nuk u mbajt. Shkaku, se s’desh qeveria e Beligradit ! Kjo në krye i kishte dhânë fjalën grupit inicjatuer se do të na lênte të lirë për nji mbledhje të ngushtë delegatësh. Mandêj qiti bishta se vêndi nuk ishte zgjedhun mirë. Mâ vonë tha se s’ishte koha. Mâ në fund e preu se konferenca nuk mund të mbahej në tokë të saj. Kur inicjatorët e konferencës mbetën përpara kësaj situate dhe kërkuen qi të lêheshin të lirë me dalë ata jashtë Jugosllavís për me u marrë vesht me shokët e tyne, Beligradi edhe këtê lirí u a mohoi, i bâni me kuptue se po të tentojshin me dalë tinëz mund t’a humbshin edhe lirín e lëvizjes qi gëzojshin mbrênda kufîjvet të Shtetit S. H. S.
Caka me shokë përpara kësaj gjêndjeje kishin mbërrî në kulmin e dishprimit. Pa tjetër dajnë me hŷ në Shqipní tinzisht nga ana e Malit të Zí. Kush qe ma i lehtë e mâ guximtar prej tyne mbas pak ditësh e gjeti veten në malet e Shkodrës. Vetë Don Lorja me Don Lazër Shantojën u tërhoqën në Kotorr. Kap. Mark Raka bash në këto rasa pësoi fundin e mjerueshëm qi dihet. Dy oficera tjerë u vunë ndên nji vërejtje të ngushtë e dikush prej tyne u kap e u percuell me gjindarmë në vêndin e interrnimit ku gjindej mâ përpara.
Nji çetë e jonë, e përbâme prej N/tog Dodë Nikollës, asp. Ridvan Ohrit e Vatë Gjonit, u hetue në Hot (n’anë të Malit të Zí) prej gjindarmërís jugosllave, u rrethue e mezi shpëtuen e ikën të tre të plaguem. Ata oficera të gjallë qi kishin hŷ në malet e Shkodrës, bashkë me gjithë shokët e tyne qi ndodheshin atje qysh me kohë në tre-katër muej arrijtën t’organizojnë, sidomos në Dukagjin e Pukë, ndër fise katolike, nji fuqí kryengritëse aq të madhe sa me u a marrë mêndja se qyteti i Shkodrës me krejt qarkun e vet ishte virtualisht në dorë të tyne.
Më 9/10 të nândorit kalon kufînin e del m’at’anë edhe D. Lorja vetë, i cili për me pregatitun ikjen kishte do dit qi prej Kotorri ishte transferue në Podgoricë. Letrat qi kam në dorë prej krenvet të lëvizjes e krejt lajmet e mia dëshmojnë në mënyrën mâ absolute se :
1) Ky grup patriotësh të kulluet s’ka qênë n’asnji mënyrë i shtŷmë e i inkurajuem për nji lëvizje prej qeverís së Beligradit. Përkundrazi ka pasun pengime gjithfarësh prej sosh. Ç’do zyrtar qi âsht pjekun me ta, kur ka dashun të bâjë politikë, t’i lëmojë, t’i marrë me të butë, i ka këshillue me pasun durim, me pritun… kohën oportune !…. E kur i âsht dashun t’i prekë pa dorza, i ka porositun, i ka urdhnue mos me bâmë asnji hap për kryengritje, se për ndryshe…. do t’ishin t’internuem e s’dij ça tjetër…. Dokumenta për t’u studjue me kujdes për këtê argument janë edhe nji apel i D. Lazër Shantojës Kongresit të gazetarvet të Jugosllavís, mbajtun në Cetinë më 27 – 29 IX, apel i botuem në N. 28 të L. K., ku auktori thotë faqe 130 gazetarve se “ Sot në të tânë Jugosllavín Ahmet Zogu nuk ka mâ kurrnji mbrojtës përposë Shpisë së Verdhë të Beligradit !…..” Ashtu edhe nji artikull shkruem po prej tij e botuem në num. 32 të Lirís Kombëtare me titullin “As në qiell as në tokë !….” Edhe këtu patrioti idealist, me atê gjuhë sarkastike qi e ka mâ të prehtë se neshteri vên në lojë të tânë shokët emigrantë qi e mbështesin shpresën e fitimit në politikë të jashtme. Thotë p.sh. : “Dikush (politikanat!) shpresojnë në ndërlikimin e zhvillimin e politikës internacionale e sidomos në pakënaqsínë e Jugosllavís ndaj Presidentin e Republikës shqiptare qi stoliset nga ajo me mâ të madhin dekoracion të Shtetit.” E ky artikull ka datën 26 X, dhe lëvizja ka fillue më 20 XI, të këtij vjeti !
2) Kryengritësit s’kanë pasun asnji dinar prej Beligradit !
3) Kryengritsit s’kanë pasun asnji pushkë e asnji fishek të huej, posë ça kanë pasë mundun me mëshehë prej regjimit për t’a përdorë kundra tij nga ato qi kanë qênë në vênd.
4) Lufta e tyne ka qênë nji vepër dishprimi thjesht patriotike, kombëtare e antifeudale.
*****
Qysh ditën qi Don Loro Caka me shokë më patën komunikue vêndimin e tyne me hŷ në Shqipní, s’kam prâjtun tue i këshillue n’êmën t’êm edhe të shokvet të mij e n’interesë të çâshtjes mos me shkaktue n’asnji mënyrë nji lëvizje lokale. Më patën sigurue se do t’u përpiqshin me të tânë fuqín e tyne me i u ruejtun nji gjâje t’atillë. Me gjithë këtê më tërhiqshin vërejtjen gjithnji se as në popull as ndër oficerat në mal durimi nuk mund t’ishte i pafund.
Në fillim të nândorit, mbasi peshojnë mirë forcat e veta dhe ato të qeverís në qarkun e Shkodrës, dajnë me fillue pushkën më 20 t’atij mueji. Letra mâ e fundme e ime me të cilën u bâjsha porosít mâ të forta qi mund të më lejonte intimiteti i relacjonevet të mia personale me ta, i bie në dorë Shantojës në Kotorr nji ditë para se të kalonte Don Lorja kufînin. Piqen të dy në telefon dhe mbas nji bisedimi të shkurtën, por si duket, edhe të nxetë në mes tyne, Caka nep fjalën se “deri sa të më shkruente mue nji letër të gjatë prej Shqipníe dhe të merrte përgjegjen e saj nuk do t’a fillonte pushkën”.
Kjo fjalë nuk u mbajt. Arsyet më shpjegoheshin në nji letër të nênshkrueme prej Don Loro Cakës, tog. Pjetër Haxhís, n/tog. Dodë Nikollës e asp. Ridvan Ohrit, më 11 nânduer, prej nji vêndi të Shqipnís afër kufînit, me këtë mënyrë : “ Dimni i a mërrîni. Ju po na thoni se tash për tash gjêndja s’âsht e favorshme për nji kryengritje. Ju i matni punët thellë : me politikë e diplomatí. Na aq thellë s’kuptojmë. Ça marrim vesht e shohim na, populli këtu âsht gati me kapë pushkën e me dekë për lirín e vet. Durimi i âsht mbarue. Me ne a pa ne ka për t’i a krisë. Më tjetër anë disa prej jush po ndrrojnë kondita me Ahmet Zogun për nji pajtim. Pra posë durimit tash mungon edhe besimi. Për këto vise këtu kohë mâ e favorshme nuk mundet me u gjetë. Qeveria ka translokue nji pjesë të madhe të fuqís qi ka pasë në këtë qark. Na nuk mund të presim mâ në këtë situatë qi të shpjeguem. Ty mos të vijë keq. Në dashi shpëtimin e atdheut bâni edhe ju të tjerët atê qi të ju vijë prej dore. Këtu më 20 kërset sigurisht…. “
Kjo letër më ra në dorë me 21, mbasi lajmin e lëvizjes e kishim marrë prej Shantojës telegrafisht.
D.Lorja para se me lânë Podgoricën i shkruente D.Lazrit edhe këto fjalë për mue : “Mustafa po na përmênd përgjegjsín e veprës s’onë. Thuej prej meje, kur t’i shkruejsh, se kur nji popull gatohet me dekun për lirí edhe pa i prî kush, përgjegjsía u rrin atyne qi në vênd me vrapue në krye të tij e me ecë përpara kundra tradhtorvet e tiranvet, ka dy vjet qi hahen për karrikat e ardhëshme…”
Un, për tash, nap vetëm fakte e nuk gjykoj.
“Lirija Kombëtare”, 22 dhjetor 1926
Komentet