Romë , 25 – VII – 918
I dashun Mirash, [1]
Kam nevojë me folë me ty, andaj të lutem fort, po âsht se mundesh, të më shënjosh një pjekje ku e kur të duash.
Të përqafos, i yti me besë
Sotir Gjika (firma)
- Sh. F. 436 D. 29/4 Fl. 1153
Roma, 16 korrik 1919
I dashur Dodan,
S’jam i mëndjes të nís polemika me gazeta shqipe. Polemikat mua m’i kënda edhe pse janë të nevojshme e mbasí gazetaria s’është veçse një luftë bujare iderash; por kur për poshtërsì kolektive polemistët dalin nga sheshi i vërtetë, sikursè bëjnë shqiptarët shkrimtarë, ahere polemikat mërziten e kush ndjen se përmbi vehte ka pakëzë cipë dhe kupton se interesat kombëtare s’ka si barabiten pa u trathëtuar me gjëra të mjera personale, s’mund veçse të rrijë larg. Por me gjithë këtë të falem nderjes për këshillat e tua këshilla, aqë më tepër të çmuarshme, pse vijnë prej një miku të vërtetë e sidomos prej një njeriu të rrahur me uthull.
Do të të shkruanj në Bukuresht në drejtimin që më jep: str. Brutus N°2 e aty do t’a dërgonj Kuvêndin për zotin Naoum Sotiriou prap në drejtimin që më shkruan: Chemin de Cottage 3 Pension Rassin. Nuk është më mirë të t’a dërgoj aty kolekcionin e Kuvêndit që më kërkon? Mbasì komunikacionet me Rumaninë gjenden èdhe në një shtet anormal, kam frikë se vallë s’t’arrin në Bukuresht paqeta me gazeta. Në Bukuresht a gjetkë në Rumanì s’kam qënë. Guisi m’a dërgoi fotografinë t’ënde, për të cilin akt fisnik më pëlqen të të përsërit falnderjet e mia. Për aqë sa dij unë, në Romë s’ka vllahucër. Korrespondenti im nga Parisi më shkruan se atyre të Stambollit s’i u paska ardhur mirë për emërimin e Bumçit si kryetar të Dërgatës. E i kësaj mëndje më ngjan se ësht’edhe Mehmet Konitza, i cili përndryshe s’pranoi të vejë në Londër si përfaqësonjës i dërguar prej Dërgatës shqiptare.
Nga ana tjetër një telegram që mora sot prej Shkodre më kallzon se myslimanët e atij qyteti e pritën me buzë lëshuar ndërrimin e kryetarit të Dërgatës. Në gjì të Konferencës interesat shqiptare nisën të përfillen më mirë se përpara. Kam arsye të besoj se amerikanët i jan’afruar mjaft pikpamjes italiane faqe Shqipërisë. S’dij ç’mejton ti, por unë them se, m’atë katandì që jemi, edhè po të mos na nxjerrin të tjera fasha mund të rrijmë më lart se shokët.
Vafsh shëndoshë në Bukuresht. Të përqafoj vëllezërisht.
Sotir Gjika
Zotit
- DODANI
Poste restante
GINEVRE (Suisse)
A.Q.SH. F.2 D. 73 Fl. 19
Roma, 9 gusht 1919
I dashur Zoti Vruho,
Piksëpari dua të ju lutem të prisni falnderjet e mia për urimet e shqiptarta që deshët t’i dërgoni Kuvêndit. Përpara atyre urimeve vjen, natyrisht, çmimi i juaj i punës s’onë të vogël : çmim i cili formon për shkrimtarët e gazetës, që kam nderin të drejtoj, një shpërblim moral sapo që vjen nga një patriot e shok si juve që bujarisht i kini kushtuar pa kursim çështjes së Kombit djalërinë t’uaj, një pjesë të madhe të djersës suaj.
Gëzohem që ju gjej solidalë për sà Kuvêndi e pa, për të mirën e çështjes, i shtrënguar të shkruajë kundër Mehmet Konitzës e Dr. Turtullit; por kam nderin të ju lutem të mos më detyroni t’a botoj doemos protestën t’uaj pse s’m’a merr mëndja të sjellë ndonjë dobi të madhe tani që delegatët u pajtuan e u bashkuan. Për këtë çështje i shkrova sot më gjatë Kryetarit të Komitetit t’uaj në Kairo.
Nuk dij a i kini kënduar të gjitha numrat e Kuvêndit; këto ditë ju dërgova nja 5-6 numra nga më të rejat. Do t’ishte mirë që gazeta jonë të përhapej më shumë nëpër shqiptarët e atyshëm. Në këtë mes, do të ju a dij për të mirë në muntshi të më dërgoni noca drejtime. Lëvizja e shqiptarëvet të Misirit kqyret me simpatì të madhe nga shqiptarët e këtushëm. Por, i dashur Vruho, lëmshi po mbështillet e patriotët shqiptarë nuk duhet t’i gjejë gafil e nesërmja. Rrotull këtij argumenti i shkrova aty zotit A. Çako. Mejtohuni pra edhe juve ç’duhet të bëjmë.
Kaqë për këtë herë.
Prisni, ju lutem, i dashur Vruho, përshëndetjet e mia më të përzêmërtat e pandehmëni gjithënjë si t’uajin me besë.
Sotir Gjika
Zotit Jean P. VROUCHO
TOUBHAR = FAYOUM (Egypte)
A.Q.SH. F. 22 D. 7/1 Fl. 255
Kairo, 21 gusht 1919
Zotit J. P. Vruho ndë Tubhar
Atdhétar i dashur,
Vétëm sot në mëngjes mora letrën t’uaj po gazétën “Dielli” n°1628 s’e kam edhe pare té Stathi nga shkaku qe Tramvajte s’punojne! Pare-djé mora dhé unë një létre te gjate prèj S. Gjikës ku të falet mé ndér dhé kërkon ndjese sè nuke do t’a-botoje artikullin q’i kini pat dërguar per Délégatet t’onë sè keta rane me godie dhé nuke jane sot te perçare, sikur mê pare.
Te lumte, o Vruho! Dhé mos vdéksh kurre! Sé po s’te rriéte per Atdhén’é dashur qe gjendet sot nde rrézik te math duk mé mos pasur as nje mik nga te medhejt’é-Ditës. Per kréret è-Shqiperise qe perbejne sot Qévérine s’kam as nje shprése sè me dukèt sè s’jane atdhètare te vertete dhé te zotet é-punes, po jane trundryshkur dhè veperojne per intérésa te véta! Zoti me kerréfte genjéshtar dhé Shqiperia dalte mb’ane.
Po të msoj te ra mé rendesi Dot’u-shkruaj.
U-falèm mè ndér.
- Zako (firma)
A.Q.SH. F. 22 D. 7 Fl. 20
Bukuresht, 12 Nanduar 1919
Mik i dashur Z. Sotir Gjika,
Kaluan pesë vjet po thuaj që kur u pamë edhe u ndamë në ato ditët e dëshpërimit nga Durrësi ; me të vërtet mund t’a quaj dëshpërim, sepse tërë ay gazi q’e ndjejtim më të shkelur në tokë të Shqipërisë së lirë aq më tepër helm na i treti zemrat në të ikur. Seicili muarmë nga një rrugë e cila na shpuri atje tek mundi si gjithkush t’a zerë fillin përsëri për dëshirën q’e ndjente e me gjith dëshpërimin prap jo me shpresën të thyer.
Sot me gëzim po shof se drejton tribunën e zërit të Shqipërisë Kuvendi në Romë edhe të më besosh se tërë këtë kohën e katër vjetëve …….
(Ҫuditërisht letra mbaron këtu. Së paku kjo ka dalë nga A. Q. SH. Shënim i E.M.)
- SH. F. 2 D. 75 Fl. 39
Roma, 11 shkurt 1920
I dashur Asdren,
Vjen në Bukuresht Imzot Visar Xhuvani, Arqimandrit dhe krye i Kishës s’onë në tërë Shqipërin’e Mesme; prej dokumenteve të tij do të kuptosh më mirë.
Arqimandrit Xhuvani vjen aty që të dorëzohet Dhespot. Tërë shqiptarët e atyshëm duhet pra t’i ndihin pa kursim e me të gjitha mënyrat që t’a mbushë dot shpejt e plotësisht qëllimin e tij dy herë i shenjtë: t’i ndihin, fjala vjen, moralisht e materialisht. Për triumfin e kësaj çështjeje e cila para së gjithash e mbi të gjitha është çështje kombëtare, unë të sillem ty veçanërisht, si patriot e si mik, që të bësh, nga ana jote, e Shoqërisë dhe e Komisionit të Kishës shqipe t’atyshme, atë që të mundesh. Të gjitha të rejat e këtushme dhe të Shqipërisë do t’i mësosh nga Zoti Arqimandrit i cili, veç virtytevet të tjera, ka edhe virtytin e syrit klinik të punravet.
Mbaje zêmrën sa të muntsh dhe mos më lerë pa ndonjë letër. Edhe për ne, malgrado tutto,[2] do të ketë një shoshë Perëndi.
Të përqafoj miqësisht.
Sotir Gjika
Zoti Asdren
BUCAREST
A.Q.SH. F. 2 D. 74/2 Fl. 841
Roma, 28 prill 1920
I dashur mik,
Mora të tuat: një letër bashkë me një artikull dhe dy kartëposte, e fundit shkruar më 7 prill. Artikullin e botova në numrin 76 të Kuvêndit, të cilin në Bukuresht e dërgoj me rregull. Të falem me nder shumë për të gjitha lajmet që më dhe rrotull çështjes s’Arq. Xhuvanit. Kuptova pra se Qeveria rumune s’do të këpusë asnjë qime nga mjekra e saj për t’i ndihur popullit shqiptar të çlirohet nga zgjedha frymëzënëse e Fanarit. S’ka gjë. Më tutje, kur Shqipëria të ketë një Qeveri të njohur, në paçim nevojë dhe në na mësoftë e mira t’i sillemi përsëri Rumanisë për të na dorëzuar një Peshkop, unë besoj se ministri rumun i punëvet të jashtme do të sillet ndryshe, e jo si këtë herë q’u prur, jam i sigurtë, kundër vullnetit të popullit mik.
Mësova se Arq. Xhuvani bëhet gati të përshëndoshet me ju dhe të kthehet në Shqipëri. Më bën një nder të madh në qoftë se më shkruan dy fjalë si u prur e a la përshtypje të mirë ndër shqiptarët e atyshëm.
Me arqitekt Sotirin s’kam ndonjë lidhje punësh a interesash. Ay, siç të shkrova, është sheshuar me familen e tij në Bari. Nuk di as se ç’punon.
Çështja jonë s’u zgith as në San Remo. Më duket se do të mbetet varur akoma edhe për shumë kohë. Po vonimi ka qënë gjer më sot i vetmi aleat i yni. Vetëm se ne jemi si mos qofshim. Në Shqipëri esadistët nisën përsëri të lëvizin. Qeveria e re në vënt që t’a mprehë energjin’e saj për të vënë për fije qeverimin e vendit, ësht’e shtrënguar t’u dalë përpara ngatërresavet të reja e trazimevet.
Perëndia le t’a bëjë mirë. Ç’do gjë që të më dërgosh për botim e pres me gëzim.
Të puth si vëlla,
Sotir Gjika
Roma, 16 shtator 1920
I dashur mik,
Gazetën e kam pushuar, shpresoj për pak kohë. Letrat e tua i kam marrë po s’të jam përgjegjur me kohë, nga shkaku se unë ndodhem kurdoherë fort i zënë me punë. Që nga java e parë e Majit e gjer te java e parë e Gushtit bëra dy udhëtime në Shqipëri që më kushtuan, poshtë lartë, nja 50 ditë. Punët t’ona me Italinë, sikundër po e sheh, ndryshe u nisën dhe ndryshe u grisën. Ngjarjet e Vlorës qenë një partidhë shum’e rrezikshme për të pastajmen e Shqipërisë, po, desh zoti – duhet të besojmë al destino[3] – gjetën një fund të mbarë; fund të mbarë të cilin ësht’e drejtë t’a kërkojmë te zëmërgjerësia e popullit italian dhe jo te trimëria jonë. Po të dijmë t’a lërojmë miqësinë e re italo-shqiptare, munt të mos na dhëmbë koka që keq sot e tutje. Italia faqe shqiptarëvet ndjek tani faqesa dhe fundit këtë udhë: t’i ndihë popullit shqiptar, moralisht e materialisht, që të formojë dot një Shqipëri të lirë, të gjallë dhe fjesht indipendente.
Erdhi këtu dhe u-nis për Tiranë Peshkop Fan Noli. Për arqimandrit Xhuvanin, që erdhi aty, s’kam, pas letrë s’ate, kurrnjë lajm. Në mos të vjen rëndë, shkruam e kallzomë si i vate filli atij njeriu, i cili, siç e tregojnë punët, e paska në natyrë të mos u shkruajë kurrë atyre që janë interesuar, që interesohen për të e që i kanë bërë të mira. Fan Noli më tha pastaj se prej Xhuvanit s’ka marrë asnjë pikën e letrës. Ay arqitekt Sotiri gjendet në Tiranë: me diçka po merret atje, po s’qënka njeri pa agjër… Ka ca ditë q’erdhi në Romë edhe Dhimitër Beratti: do të vazhdojë këtu mësimet në jurisprudencë.
Sërbët po na bien fort më qafë. Gjer tani i kemi pritur mirë. Shpresoj edhe mbas sodit, po shqiptarëvet u mungon organizimi gjithkund. Tani që u hodhëm nga sheshi i teorivet te ai i praktikës e shohim sa para na bën lëkura. Fjala është që s’kemi kompetentë, s’kemi organizatorë. Qeveria gjer më sot s’ka mejtuar të thërresë specialistë të huaj për degët e administratës. Kjo e ka fillin edhe gjetkë: te vullneti e te dëshira jonë t’i bëjmë punët vetë.
Të kam për të shkruar për punët e mia të paskëtajme: të lutem pra të më shkruash edhe ti për të tuat. Shqipërin’e re kam kohë t’a marr: del a pushoi?
Të fala me shëndet miqvet t’atyshëm.
Të përqafoj me mall.
Sotir Gjika
Bari, 13 qershor 1922
I dashur Asdren,
Të mbyll këtu një letër për Visar Dodanin, të cilit s’ja di drejtimin. Ki mirësinë t’ja dorzosh. Do të më bësh një të mirë, të cilën s’kam për t’a harruar.
E di që je sekretar i Konsulatës s’onë aty. Më jep leje të t’uroj tani, pasi s’të urova kur more përsipër këtë pozitë të re? Faqebardhë, pra!
Unë po qëndroj këtu edhe si redaktor i “Corriere delle Puglie” për çështjet e Lindjes. Jam tepër i mërzitur. Me gjithë këtë, sot për sot s’më jep dorë të tundem.
U falem vëllezërisht.
Sotir Gjika
1 gusht 1923
Konfidenciale
I nderuar Zoti Kryeministër,[4]
Artikujt që kam nderin t’Ju mbyll këtu janë :
- Mbi krizën ekonomike të Shqipërisë.
- Shqipëria dhe borxhi publik i Turqisë.
3 – 4) Shqipëria dhe Marrëveshja e vogël.
Posa u përhap lajmi që Ministri i ynë për Punët e Jashtëmevate në Rumani, gjoja për të kërkuar të hyrit e Shqipërisë në Marrëveshjen e Vogël dhe për t’i proponuar Princ Nikollës së Rumanisë kurorën shqiptare, e përgënjeshtrova tri ditë më parë se Legata e jonë në Romë, përgënjeshtrim që u botua në më të mëdhatë gazeta t’Italisë.
Artikujt e mijq’i dërgova gazetës nga Tirana, i pashë kur erdha këtu të botuar edhe në gazetat e Misirit e t’Amerikës. U gëzova se j’u bë Shqipërisë një propagandë e mirë, kundër propagandave që mundohen e rrahin t’a poshtërojnë.
Drejtori i “La Gazzetta di Puglia”, komendator Raffaele Gorjux, u ndodh këto ditë në Romë bashkë me Komisionin Baréz, i ngarkuar të zgjidhte me guvernën çështjen e Limanit të Madh e t’Universitetit. Zoti Gorjux më foli për interesimin e madh të zotit Mussolini për Shqipërinë. “Rrojtja e Shqipërisë si Shtet më vete” – i paska thënë Kryeministri italian Komisionit të Barit – “e intereson Italinë nga çdo pikëpamje, dhe indipendencën e Shqipërisë Italia lipset t’a mbrojë kundër çdo grushti e lakmimi të huaj.”
Zoti Toçi edhe s’më është përgjegjur.
I juaji me respekt të madh.
SOTIR GJIKA (firma)
- SH. F. 77 D. 318 Fl. 21
LETËR-KËMBIM
SOTIR GJIKA – TERENC TOCCI
(31 TETOR 1918 – 21 GUSHT 1920)
Romë, 31 tetor 1918
I dashur mik e shok,
Me thënë të vërtetën, fort tepër më gëzoi letërza e Juaj nga e cila, posë shëndetit, ju mësova tragën për aq kohë të humbur !
Ju falem nderjes për fjalët : ottimo e valoroso [5] “Kuvêndi”, të cilat më bëjnë të mburrem pse i thotë një njeri i njohur e i provuar në këtë luftë iderash të larta e të shkëlqyera, sikurse në fushën kombëtare.
Ju dërgoj “Kuvendi”-n që nga numuri 2 : s’më kanë mbetur fare copë nga numuri i parë, pse të shumta kanë qënë gjer më sot kërkesat. Shikoni mos e gjeni te ndonjë aty nëpër katundet t’uaj.
Pritni i dashur mik e shok, përshëndetjet e mia më të përzemërtat.
Shoku i Juaj i përmallshëm
Sotir Gjika (firma)
Romë, 1 Janar 1919
I dashur mik, Unë dhe shokët e mij i pritëm me mall urimet e thjeshta që deshët të na dërgoni. Ju lutemi pra të prisni gjithashtu urimet t’ona.
Juaji mik dhe bashkatdhetar me besë
Sotir Gjika (firma)
Zotit T.TOCCI S.COSMO ALBANESE
- Cosmo Albanese, 6 – 2 – 19
Personale
Shumë i dashur Gjika,
Ti dhe shokët nuk do t’a merrni për keq nëse un u bëj personalisht e miqësisht ndonjë vërejtje. Më duket se ka ardhur koha të shprehni hapur opinionin e gazetës, së paku mbi këto tri pika :
Italia duhet të jetë e para dhe më e vendosura përkrahëse e të drejtave tona, por duhet të garantojë jo të mbrojë Shqipërinë ; duhet të jetë motra e madhe e jo të mbetet në rrugën militaristo – imperialiste.
A nuk të duket se edhe neve kemi të drejtë të jemi të përfaqësuar në Konferencë dhe nga njerëz që të jenë zëdhënës të gjindjes së lirë ?
A nuk është rasti të bëhen propozime për formën e Qeverisë ? A nuk është rasti të pregatitet me shkathtësi terreni për një Princ të Shtëpisë Savoja ? Vetëm ky do të përforconte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Italinë e do të siguronte Pavarësinë e plotë.
Do t’u isha mirënjohës të cekeshin këto argumenta.
Përshëndetje të përzemërta të gjithëve nga i juaji
Terenc Tocci
Shënim : letra është shkruar italisht, ashtu sikurse të gjitha të tjerat në vazhdim të këtij letërkëmbimi ndërmjet Sotir Gjikës dhe Terenc Toccit. Përkthimi në shqip është kryer nga pregatitësi i librit.
Romë, 11 Shkurt 1919
Shumë i dashur avokat,
I prita me simpati të sinqertë e solidaritet atdhetar idetë e tua, të përmbledhura në tre pika të Reservatës tënde të 6 shkurtit 19.
Së pari të them se jetojmë ende në një regjim çensure. Shumica e madhe e shqiptarëve, në gjëndje për të gjykuar, është e bindur se për Shqipërinë është e domosdoshme mbrojtja italiane. Mbetet për t’u përcaktuar natyra e koha e një mbrojtjeje të tillë. Nëse do t’ishte krejtësisht në dorë të shqiptarëve kjo gjë, prirjet mbizotëruese do të çonin në këtë përfundim : Italia duhej t’ushtronte mbi Shqipërinë të njëjtën mbrojtje që Franca dhe Anglia bëjnë me Greqinë.
Dërgata shqiptare, e ngarkuar të mbrojë interesat tona në Konferencën e Parisit me kryetar Turhan Pashën, Kryeministrin e sotëm të Qeverisë së Përkohëshme të krijuar në Durrës, është e përbërë nga atdhetarë të mirë. Ndërmjet tyre janë edhe 6-7 përfaqësues të “Vatrës”. Një mbledhje ndihmash të shoqatës sonë më të madhe në Shtetet e Bashkuara, të paracaktuara për mbajtjen e përfaqësuesve të tyre n’Evropë, ka arritur deri tani shifrën e 80.000 dollarëve. Bijve të tij t’Amerikës Atdheu duhet t’i jetë mirënjohës.
Turhan Pasha dhe Mehmet Konitza tashmë gjenden në kryeqytetin francez. Është e shpejtë nisja e Gurakuqit, Krujës, Plumbit, Midhat Frashërit, Imzot Bumçit, Anselmo Lorecchios (përfaqësues nderi i “Vatrës”, Doktor Turtullit. Pritet mbrritja në Paris e Fan Nolit nga Amerika. Edhe përsa i përket pikës së tretë nuk jemi indiferentë. Madje besoj se mund të pohoj se ndërmjet shtresës në ngritje të drejtuesve shqiptarë, çështja e blatimit të Kurorës së Shqipërisë një Princi të Shtëpisë Savoja përbën objektin e një rrahje serioze mendimesh. Në një shestim të tillë vlerësohet e gjithë rëndësia politike, sentimentale e shoqërore, duke qënë opinion i përgjithshëm se vetëm një fakt i kësaj përmase mund të përmbante në vetvete fuqinë morale t’aftë për të davaritur mosbesimet e ndërsjellta e, ndërsa do t’i bënte më të përzemërta marrëdhëniet mes dy Vendeve fqinjë, do të siguronte sovranitetin e plotë të Shqipërisë.
Më shkruaj nëse e gjen të pëlqyeshme përgjigjen time.
Sot do të nisen së bashku numurat 1, 2, 3, 4, të “Kuvêndi”-t.
Në vitin e shkuar dolën vetëm 23 numura.
Shëndete të përzemërta nga i dashuri yt
Sotir Gjika (firma)
- Avv. TERENc TOCCI S. COSMO ALBANESE
- Cosmo Albanese, 19 – 2 – 19
E rezervuar
Po i përgjigjem letrës tënde të dashur të 11 shkurtit. Pranoj me kënaqësi se ndërmjet nesh ka një mirëkuptim të plotë. E quaj të nevojshme për Shqipërinë, sot më shumë se kurrë, miqësinë italiane, për të shmangur agresionin kriminal të miqve të anglo-francezëve, por mendoj se ajo saktësisht duhet t’i përkasë një sigurie vëllazërore dhe një aleance të natyrëshme. Ajo nuk duhet të marrë shtysa apo frymë nga t’ashtuquajturit nacionalistë, sepse këta mbjellës ferrash, i bëjnë gjithmonë dëm mirësisë, ndershmërisë, bujarisë dhe gjithë atyre vlerave që, për italianët përbëjnë traditën e vërtetë të lavdishme kavalereske. A jemi në një lëmë të tillë ? Duke lexuar fjalimet e disa bashkatdhetarëve tanë, më duket se kam përpara zotërinj arabë, madje të mbështjellë me…. pelerinat e tyre !
Jemi në shekullin e XX-ë, shqiptarët tashmë janë zgjuar e më duket se Qeveria italiane do të bënte një gabim të madh nëse do të mendonte të kthente Shqipërinë në një koloni duke i u besuar këtyre zotërinjve. Kjo vërejtje, nëse shtypi do thonte të vërtetën, do të bëhej nga çdo italian që ka tru të gjykojë, duke shtuar më pas se – duke mbajtur parasysh marrëdhëniet e brishta që ka Italia me Shtetet e tjera ballkanike – është e nevojshme që ajo të ketë tek të gjithë shqiptarët, miq të vërtetë, të sinqertë, e jo gjindje që shtiret ose quhet e autorizuar të shkërdhehet me atë fundëri që quhet Jugosllavi.
Gjëndja shpirtërore e Consultës a është në gjëndje, së paku, t’a peshojë me qetësi një vrejtje të tillë ? Personalisht, psh. mendoj se jo : që nga 1911 kam çuar nëpër mend mundësinë e dhënies së një mbreti të Savojës Shqipërisë ; që atëherë u mora me këtë aleancë të natyrëshme, u shqetësova për të, por u keqkuptova. Më vonë, kur m’u duk e ndershme dhe e drejtë të mos uronja fitoren e serbëve dhe malazezve e të luftonja për vazhdimin e Aleancës Tripalëshe, përsëri u keqkuptova, madje u ndjeva i sharë, i shpifur, i përndjekur, i goditur në mënyrë të veçantë me masa kundër kushtetuese, i trajtuar ashtu si nuk do t’ishte trajtuar as një atvrasës, mbasi edhe atvrasësit nuk do t’i mohohej e drejta e mbrojtjes. E gjithë kjo është historike, gjërësisht e dokumentuar. Ҫfarë të them më tepër ? Mund të gjykosh mbi mbijetesën e urrejtjes kundër meje, se duhet të jetë vepër e t’ashtuquajturve nacionalistë, a më mirë të të uriturve për tokën e tjetrit, të cilët janë pikërisht imperialistët, armiqtë e Italisë së vërtetë, të madhe, heroike e bujare, po ashtu si dhe të së shkretës Shqipëri ?
Jam shumë i kënaqur që ti dhe miqtë bashkoheni me pikëpamjen time, mbi dobinë e pallogaritëshme të të pasurit një Mbret të Savojës, sepse kështu do të zhdukeshin mosbesimet e do të ishte pavarësia e plotë. Por vallë nacionalistët a nuk do të vinin shkopin në rrota për të mos humbur një koloni ? Të jam shumë mirënjohës për “simpatinë e sinqertë dhe solidaritetin”, me të cilin më përgjigjeshe dhe je i gatshëm t’i përgjigjesh ideve të mija dhe mund të siguroj se do të jesh gjithënjë në të drejtë nëse nuk do të dalësh jashtë këtij vlerësimi : kam menduar gjithmonë se duke u uniformuar me ndershmërinë politike, nuk ka asnjë papajtueshmëri mes interesave italiane dhe shqiptare. Së fundi të siguroj se sot, më shumë se kurrë nuk mendoj për vete, por për Atdheun e të parëve të mij ; por asgjë nuk kërkoj sot, mendoj të shkoj në Amerikën e Veriut, sa më shpejt.
Shkruamë e më jep lajme, thuajmë se deri kur do të qëndrosh në Romë, sepse nuk përjashtohet mundësia që, për arsye familiare, do të më duhet të jem aty brënda muajit të marsit e do të të përshëndesnja me kënaqësi.
Përshëndetje të përzemërta nga i yti
Terenc Tocci
Romë, 25 shkurt 1919
Shumë i dashur,
Ndërmjet atdhetarësh të mirë, nuk mund të mos ketë përputhje të përsosur pikëpamjesh dhe dëshirash.
Jam në një mëndje edhe me konsideratat e tua e bashkohem me kundër paditë.
Pres me interes të veçantë ardhjen tënde në Romë që do të na japë rastin e këndshëm të të biseduarit gjatë mbi gjërat tona kombëtare.
Numuri 6 i “Kuvêndi”-t, që del brënda shkurtit është veçanërisht i rëndësishëm.
Të përshëndes përzemërsisht
I yti me zemër
Sotir Gjika(firma)
Romë, 8 prill 1919
I dashur,
Mbasi mora letrat e tua dhe telegramin e quajta për detyrë të shkonja shpejt në Ministri e të bënja atë që më kërkonje. Kërkesa jote u tërhoq, po t’a dërgoj ; asgjë nuk është humbur në praktikat e tua.
Sa i përket pashaportës më njofto atë që duhet të bëj. Nëse duhet të ndërhyj pranë autoriteteve të prefekturës më shkruaj. Do të kryej me kënaqësi gjithshka mund të të shërbejë.
Prano një shtrëngim të përzemërt dore nga i yti
Sotir Gjika (firma)
Romë, 28 prill 1919
Shumë i dashur,
Gjithmonë në dispozicionin tënd. Sa i përket pashaportës mund të bësh praktikat e rastit pranë autoriteteve të prefekturës.
Un kam biseduar për ty në Ministrinë e Jashtëme, e cila nuk do të kundërshtojë kthimin tënd në Shkodër.
Shumë përzemërsisht
I yti
Sotir Gjika (firma9
- Avv. TERENC TOCCI
S.COSMO ALBANESE
(Cosenza)
Po të përgjigjem me vonesë sepse jam shumë i zënë me punë.
Romë, 5 maj 1919
Zotit Avokat Terenc Tocci
- Cosmo Albanese (Prov. e Kozencës)
I dashur,
Më vjen shumë keq që nuk të kanë dhënë ende fletën e largimit. Prefektit të cilës provincë duhet t’i drejtohem për çështjen tënde ? Kur të kem këtë përgjigje do të bëj gjithshka mundem të bëj. Por është shumë meskine sjellja e autoriteteve. Un do të këmbëngul pranë Konsultës e do të njoftoj, por e përsëris, përgjigju shpejt. Me që un kryej një detyrë timen të dukëshme për të të ndihmuar, nuk duhet të jem objekt i asnjë konsiderate të veçantë.
Të përqafoj i yti
Sotir Gjika (firma)
- Cosmo Albanese , 18 – 7 – 19
I dashur Gjika,
Më datën 28 të muajit të shkuar të kam shkruajtur një kartolinë që nuk duhet të ketë arritur, me që ti hesht. Po e përsëris, duke u shpjeguar më mirë.
Ҫensura, lavdi Zotit, nuk është më ! Pra, ka ardhur çasti për t’u ngritur haptas kundër sistemeve të përshtatur nga Konsulta, që këtu kanë çthurur opinionin publik në Itali, kanë shkatërruar Shqipërinë, kuturisin popullin e mirë e bujar italian në ndërmarrje të kundërta me natyrën e tij fisnike dhe kavalereske, madje edhe me interesat e tij të vërteta. Ka ardhur çasti për të paraqitur të vërtetën e gjërave, të luftohet për lirinë dhe pavarësinë e plotë të Shqipërisë, për t’i bërë të kuptojnë se mund të jenë të dobishme një ndihmë vëllazërore, një miqësi e sinqertë, një garanci e jo një mbrojtje sidomos nga kolonizues, siç është ajo që del në shesh deri tani nga faktet. Shkurt, duhet të vijmë tek këta argumenta, për të cilët të kam shkruar para disa muajsh, të fillohet të shkruhet për gjithshka kemi biseduar.
Ky është opinioni im që t’a them më vete, ndërkaq do të rifillojë sa më parë botimin Taraboshi , i financuar nga një grup italo – shqiptarësh në ndonjë qytet italian, ndoshta në Romë, e që do të ringjallet pikërisht për të zhvilluar një program të këtillë, të cilin jam gati t’a shpjegoj edhe në konferenca të ndryshme, për të cilat kam patur ftesa edhe nga Milano.
Dëshira ime e madhe dhe e gjallë është të këthehem në Shqipëri si një njeri memec në politikë, të rifilloj praktikën e avokatit në qetësinë e zyrës por, siç e din, më tërheqin prej flokësh në betejë ! Pikërisht fati më është i kundërt e nuk don të më lerë të jem i pranishëm në ngjarjet nga dritarja. Uroj që ti, si herët e tjera, t’i japësh një interpretim të saktë interesimit tim për “Kuvêndi”-n e të përshëndes përzemërsisht.
I yti Terenc Tocci
- “Kuvêndi” nuk vjen ! Është një fatkeqësi ! deri tani më mungojnë numurat 18 – 20 – 22 e më këtej ! E nëse ti nuk mërzitesh….. të lutem m’i dërgo.
Romë, 21 Gusht 1920
I dashur mik,
“Kuvêndi” im ka pësuar një pushim të përkohshëm, duke filluar nga N° 84, që ka dalë e të cilin e dërgova n’adresën tënde, po sot së bashku me numurat e tjerë : 80, 81, 83.
Të falënderoj për artikullin tënd, që do t’a ve sapo të rifillojë botimi i gazetës sime. Zyra “Shqipëria” e rrugës Aureliano, 12 do të mbyllet. Ndërkaq pritet arritja në Romë e dërgatës shqiptare, me qëllim plotësimin e marrëveshjes sonë me Italinë.
Pritet ardhja në Romë edhe e Fan Nolit, i shoqëruar nga dy priftër të Kishës Kombëtare Shqiptare.
Shumë shëndete të përzemërta nga i yti mik
Sotir Gjika (firma)
[1] Mirash Ivanaj
[2] It. : për inat të gjithshkaje
[3] It. : fatit
[4] Kjo letër i drejtohet Kryeministrit Ahmet Zogu.
[5] It. : Shumë i mirë e i vlefshëm
Komentet