Lamtumirë por me mua
do të jesh brenda,
pikë gjaku që nëpër venat e mia shkoi
ose jashtë, puthje që fytyrën ma përqafon
apo brez zjarri në belin tim.
E ëmbla ime, prano
dashurinë e madhe që jetën time la
e që tek ty treva s’gjeti
si zbuluesi që humbi
në ishujt e bukës dhe mjaltit.
Të takova
pas stuhisë,
ajrin lau shiu,
dhe këmbët
në ujë të ndriten si peshq.
E adhuruar, tek luftërat e mia shkoj.
Tokën gërmoj për të bërë një ledh
e atje Kapiteni
në shtratin me lule do të presë.
Me mos mendo, e ëmbla ime,
për vuajtjen
që mes nesh kaloi
si një rreze fosfori e që
ndoshta damkën e vet la.
Paqja erdhi përsëri se u kthye,
të luftojë për tokën time,
e ndërsa gjithë zemrën ta shtrëngoj
bashkë me pjesën e gjakut që ti
më dhe përgjithmonë
e ndërsa
ngre
duart e mia që qenien tënde lakuriq mbajnë
vështromë
vështromë
vështromë te deti, që me shkëlqim shkon,
vështromë te nata ku lundroj,
e sytë e tu janë deti e nata.
Tani do të ti numëroj:
jotja është toka ime,
ate do pushtoj,
jo vetëm që ty ta jap,
por të gjithëve
gjithë popullit tim.
Një ditë vjedhësi i kullës tënde do ikë.
Dhe pushtuesi do të shporret.
The gjitha frutat e jetës
në duart e mia do rriten
që më parë me barutin ishin mësuar.
Dhe do di unë lulet e reja të përkëdhel
se ti më mësove dhembshurinë.
E ëmbla ime, e adhuruar,
eja me mua trup më trup të luftojmë
se në zemrën time puthjet e tua gjallë janë
si flamuj të kuq,
e nëse bie, jo vetëm unë
do të mbulohem nga toka
por dhe dashuria e madhe që më dhe
e që jetoi në rrjedhën e gjakut tim.
Eja me mua,
në atë kohë ty do të pres
në atë kohë e në të gjitha kohët,
ty do të pres gjithë kohën.
Dhe kur trishtimi i urryer do vijë
në derën tënde të trokasë,
thuaji që ty po të pres
e kur trishtimi ty do të kërkojë të ndryshosh
unazën ku emri im qe shkruar,
trishtimit thuaji të flasë me mua,
se më duhet të marshoj
se jam ushtar,
e atje ku jam,
në shi apo në
zjarr,
ty të pres dashuria ime,
në shkretirën më të ashpër të pres
dhe pranë limonit të lulëzuar:
në të gjitha vendet ku jetë ka,
atje ku pranvera është duke lindur,
dashuria ime, të pres.
Kur të thonë “Ai burrë
s’të dëshëron”, mos harro
që këmbët e mia vetëm janë në natë,
e këmbët e ëmbla që i adhuroj kërkojnë.
Dashuri, kur të thonë
se të harrova, bile dhe kur
jam unë ai që ta tha,
kur unë ta them,
mos më beso,
kush dhe si do mund
të të shkulë ty nga gjoksi im
e kush gjakun
do ma mbledhë
kur prej teje gjithë gjakun do humbasë?
Por s’mundem
popullin tim të harroj.
Do luftoj në çdo rrugë,
pas çdo guri.
E jotja dashuri ndihmë më jep:
si një lule e mbyllur
që çdo herë me aromën tënde më mbush
që brenda meje
papritmas si një yll i madh hapet.
E dashur, është natë.
Uji i zi, bota
që fle, më rrethojnë.
Shpejt vjen agimi
ndërsa unë të shkruaj
që të them: “Të dua”.
Që të them: “Të dua”, kujdesu,
mbaj pastër, rrite,
mbroje
dashurine tonë, shpirti im.
Unë të lë ashtu siç u la
një grusht dheu me fara.
Nga dashuria jonë jetë do lindin.
Ndoshta do vijë një ditë
në të cilën një burrë
e një grua, njësoj si ne,
këtë dashuri do prekin, që prap forcë
do ketë ti djegë ato duar që e prekën
Kush shkoi? Ç’rëndësi ka?
Atë zjarr do prekin
e zjarri, e ëmbla ime, emrin tënd të thjeshtë do thotë
dhe timin, emrin që vetëm ti e dije se vetëm ti
mbi tokë e di
kush jam, e se askush s’më njohu si njëra,
si vetëm njëra nga duart e tua,
askush s’dinte se si, as kur
digjej zemra ime:
madje vetëm
të mëdhenjtë sytë e tu të zinj e dinë,
e bëshmja goja jote,
këmbët, gjoksi yt
barku, të brendshmet e tua
e shpirti yt që zgjova
që duke kënduar
të rrish deri në fund të jetës.
Dashuri, të pres.
Lamtumirë, dashuri, të pres.
Dashuri, dashuri ty të pres.
E këtu pa trishtim
mbaron kjo letër:
ngulur në tokë rrinë këmbët e mia,
dora ime këtë letër në udhë shkruan,
dhe në mes të jetës unë do jem
gjithmonë
pranë një shoku, përballë armikut,
me emrin tënd në gojë
dhe një puthje që kurrë
nga e jotja s’u nda.
Komentet