E martë.
Shumë i shtrenjtë,
jam e sigurt se do të çmendem sërish. Ndjej se nuk mund të kalojmë një tjetër nga ato periudha të tmerrshme. Dhe kësaj here nuk do të mund të shërohem. Filloj të dëgjoj zëra, nuk arrij të përqendrohem. Kështu që unë bëj atë që më duket gjëja më e mirë. Ti më ke dhënë lumturinë më të madhe të mundshme. Ti ke qenë në çdo kuptim për mua gjithçka që një njeri mund të jetë. Nuk mendoj se dy njerëz mund të ishin më të lumtur derisa erdhi kjo e keqe e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më. E di që po të shkatërroj jetën, se pa mua iti nuk mund të punosh. Dhe do ta bësh, e di. Shiko, nuk arrij as që të shprehem mirë. Nuk arrij as të lexoj. Ajo që dua të të them është se të kam borxh gjithë lumturinë që kam pasur në jetën time. Pate durim të pafund me mua, ishe tepër i mirë. Unë dua të të them se – të gjithë e dinë këtë. Nëse dikush mund të më shpëtonte, ishe ti. Gjithçka më ka braktisur, përveç sigurisë së mirësisë sate. Nuk mund të vazhdoj të të shkatërroj më jetën.
Nuk mendoj se mund të ketë pasur dy njerëz më të lumtur se ne.

V.
Ky është shënimi i trishtuar, por intensiv i lamtumirës për bashkëshortin e saj Leonard që Virginia Woolf shkroi në mëngjesin e 28 marsit 1941 pak para se të largohej nga shtëpia për t’u hedhur në lumin Ouse me xhepat e saj plot me gurë./Përktheu Skënder Buçpapaj