AT PJETËR MËSHKALLA APOSTULLI I LIRISË, NË PËRVJETORIN E VDEKJES!
Në një ditë korriku, të nxehtë,data 28 korrik, vjeti 1988 në Shkodrën e traumatizuar nga krimet e komunizmit, në Shkodrën kryeqytetin e krishtërimit shqiptar u hap lajmi si rrufeja se At Pjetër Mëshkalla, heroi i fjalës së lirë, gjikanti i fesë e i kulturës shqiptare, simboli i martirizimit të kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar,Trimi, dëshmitari, mbrojtësi i të drejtave njerzore në diktaturë, i madhi dhe i pavdekshmi At Pjetër Mëshkalla jezuiti shqiptar ndrroi jetë në qytetin e lindjes dhe kulturës ku u edukua e i shërbej me vendosmëri deri në fund, ku fitoi besimin, guximin dhe ku i la një pasuri kulturore e kombëtare jo vetëm Shkodrës por të gjithë shqiptarëve! Sot ne të mbijetuarit e diktaturës e kujtojmë këtë figurë madhore jo vetëm të kishës, por të kombit shqiptar, me një krenari, që ky personalitet i vetëm, e luftoi revolucjonin ideologjik antifetar të viti 1967.
At Mëshkalla i përket brezit të intelektualëve shqiptar të shekullit njëzet, që me stojcizëm dhe trimëri përballuan diktaturën ma çnjerzore mbas luftës së dytë botërore duke u bërë udherrëfenjës i të vërtetës, i besimit në Zot Krisht, i demaskimit të propagandës të komunizmit.
Kur përfundoi 25 vite burg politik, ai ishte 76 vjet. Ai kishte një mendje të freskët, gojën shpatë ndaj padrejtësisë, kur e lypte rasa, fjala e tije ishte mjaltë, bisedat joshëse e tij, sa nuk bahej të shkëputeshe prej tije me orë të tana. Shkodra, por dhe mijëra shqiptar që e kishin njohur në kampet e burgjet politike, pa dallim besimi fetar u piklluen e u trishtuan në zemrat e tyre, për humbjen e atdhetarit të flakët dhe të të vendosurit idealist, dijetarin, mendje ndriturin, dhe intelektualin e palodhur për unitetin e shqiptarve. Ushtarin e zdathun të krishtit, luftëtarin e paepur të demokracisë. Mësuesin e pavdekshëm të rinisë, kundërshtarin e pathyeshëm të diktaturës.
Lavdi në jetë të jetve o Patër i madh që jetove e sakrifikove për atdheun tënd, për besimin tënd, për dashurinë njerzore që përçove me besimin tënd! Jemi krenar me kontributin tënd si në besimin në Zot, në krijimtarinë tuaj kombëtare, në kulturën e dijen tënde që jua përcolle brezave për vitet që jetove e punove për Shqipërinë.
Por profecit tuaja që i transmetove në kohën e errësirës kur mungonte drita dhe liria, janë dhe sot aktuale dhe të domosdoshme për ndërtimin e breznisë së re shqiptare.
Ato thënja nuk fshihen nga kujtesa kombëtare.
29 Prill1967 në ballafaqim me ideologjinë komuniste në Institutin pedagogjik të Shkodrës ai foli për breznitë që po formohen me edukimin komunist të rinisë shqiptare. Ai do të ju drejtohej ideollogve komunistë me argumentin e tij filozofik “ Po atë efekt kan ba fushatat e çfrenueme diskretiduese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës tuaj.
Si përgjigje populli ka mbushë kishat dhe xhamiat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç”ë vlerë ka atëherë qëndrimi i një pakice të pandërgjegjshme e të friksueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshat e bukës, shtrëngohet me mohue me gojë atë që beson: dhe kështu fushata që po bahen me formue një brezni të “njeriut të ri” nuk është as më pak e as më shumë vetëm një brezni “Pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste, servile tu prish karakterin e shqiptarit në dam të atdheut.”A nuk kemi sot prezencë, profecinë e Tijë, një shoqëri të tulatur, servile pushteti dhe edukim nënshtrimin ndaj pushtetit politik partiak???”
Ata që i nënvlerësuan aso kohe thanjet e tije, sot mbas 68 vitesh po i shohim të gjitha parashikimet në realitetin e sotëm shqiptar:” Apo shkombëtarizohet Shqipnia siç e kishte parashikuar i madhi i të mëdhenjve At Pjetër Mëshkalla, politikanët postkomunistë nuk i patën këto profeci të tije në ndërtimin e shtetit të së drejtës, por ndoqën ideologjinë e forcës së pushtetit komunistë me sundu dhe jo me sjell demokraci. Shqipëria 34 vite që nuk ndërton demokracinë, por një diktaturë të korruptuar dhe një shoqëri të degraduar pa moral. Fatkeqësi kombëtare për humbjen e fisnikërisë e mos ndërtimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria akoma është nën diktatin e ideologjisë enveriste!
Guximi i At Pjetër Mëshkallës që i drejtohehej Kryeministrit sadist Mehmet Shehu duhet të jetë sot “moto” e kundërshtive të padrejtësisë që ban pushteti dhe politika në Shqipëri gjatë këtyre 34 viteve. Ja si i shkruan Patër Mëshkalla kryeministrit sadist në kulmin e zhdukjes së besimit fetar!
Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.
Drejtua
Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu Tiranë!
Shkëlqesë, Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet. Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime
Mehmet Shehu Pjetër Mëshkalla
në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezuit 5 Prill 1967.
Po të lexojsh këtë dokument që i dërgohej një krimineli siç ishte Mehmet Shehu me pushtet apsolut, çpërgjigje do të na jepshin sot këta moderatorë, analistë, televiz , sahanlëpirsa të pushtetit politikë mbeturina të enverizmit, se Shqipëria nuk pati disidencë siç pati europa juglindore! Po cili disident europian, apo botëror mundej me ju drejtu një xhelati në mbrotje të besimit dhe Atdheut?. Kujtesa është formë e vetëdijes së një kombi a një populli. E kjo letër e Padër Mëshkallës është sot kujtesa që duhet ruajtur për breznitë, por duhet futur në kurikulumet arsimore për të mbrojtur të vertetën dhe historinë e kombit. Pushtetmbajtsit tanë mediokër gjatë këtyre 34 viteve e rrënua këtë kujtesë historike duke përdorur heshtjen një element kriminal për të luftuar sistemin e demokracisë.
Padër Mëshkalla do të takohej me kriminelin Mehmet Shehut në burgun famëkeq të Burrelit dhe do ti jepte këtë përgjigje :“Na jemi nën dhe, e ju mbi dhe, por na jemi ma të fortë se ju.”
E cili disident europian apo botëror mund të kishte guximin , trimërinë e At Mëshkallës përball xhelatëve!?
Me 19 korrik 1967 në sallën e gjygjit ai do të deklaronte “Ju më dënoni sa të doni, mua nuk keni ça më bani, unë prap se prap do të dal , sepse ju shpejt keni me mbaru , mbasi do të keni hangër shoshojnë e aty është fundi i juaj” Ju kishat rranoni, por toka nuk lot! Dhe Prof. Arshi Pipa do të i shprehte mirënjohjen mbas 5 vitesh që kishe ndrrua jetë dhe mbas 45 vitesh që u kthyen në Shkodrën e tije të dashtun.“Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot gjallë , i detyrohem lutjeve të njerzeve si Padër Mëshkalla e të tjerve të cilët kujtoi se kanë kontribue në determinizmin e fatit tem. Prandaj mijëra të burgosur politikë që kan jetuar me At Mëshkallën në birucat e dhomat e izolimit do ta quanin “Ëngjëll i birucave.”
Meriton shumë ky njeri i madh, që nuk vdiq në tortura, sepse nën mbrotjen e Zojës së bekueme siç shkruan ai vetë: Mes xhixhave që më lëshojshin sytë , mu duk se se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme : O Zojë , më ndihmo me i bajtë torturat-iu luta- më forco mos të ligshtohem me ruj me dorën tande.. ndoshta askush nuk e beson , por asht fakt që gjatë hetuesisë hangra vetëm një shputë, Çprej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyre me dorë.
Sa vetë ke shpëtua nga dëshprimi e vetvrasja ndër ata burgje e kampe të tmershme o At i shejtë!
Përvjetori i vdekjes tënde At Mëshkalla na sjell në vemendje fjalën e Papa Gjon Palit II në sheshin Skënderbej 1993 “ Drama juaj , shqiptar të dashtun , zgjon interesin e mbarë kontinentit europian, dhe është e domosdoshme që Europa të mos ju harroi.”
Besim Ndregjoni i dhuron Shenjterise se tij Papa Franceskut origjinalin e Letres se Pader Pjetër Meshkalles drejtuar Kryeministrit sadist Mehmet Shehu!
Padër Mëshkalla ndaj vepres tënde të ndritur unë me 25 tetor 2023 ja dorzova letrën tënde që ja dërgoje Kryeministrit xhelat Mehmet Shehut, Shenjtërisë së tijë Papa Françeskut, dhe sot që shkruaj për përvjetorin e kalimit në amshim tuajn ndjehem krenar që kreva një detyrë ndaj heroit të fjalës së lire! Ndaj jush si gjikanti i fesë, dhe kulturës. Dhe i tregova Atit të shejtë sakrificën heroike të klerit shqiptar në mbrotje të besimit fetar, Kleri katolik Shqiptar është krenari e heroizmit të të gjith krishterve të botës, por mbi të gjitha është simboli i krenarisë shqiptare.
E këtë simbol e lartësoi Patër Mëshkalla me vepren e tijë. Po e mbyll këtë kujtesë për përvjetorin tënd At me fjalët e studjuesit, biografit tuaj të nderuemit shkodranit të palodhur Fritz Radovani:
“Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbar popullin shqiptar, jeta dhe vepra e Padër Mëshkallës mbetet simboli i atdhetarizmit,besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë fisnikërisë shqiptare dhe nderës ndaj Flamurit tonë kombëtar.
Besim NDREGJONI