Pas Moduleve të Akademisë Politike të Partisë Socialiste shpalosja e dijeve të kryeministrit shkon njësh me vrasjen e mendjes për më të rejat shqiptare. Ato nuk duhet t’i mungojnë asnjë çast përvetësimit si arritje dhe suksese e tre mandateve në pushtet (2013-2025).
Luffa, sfungjeri bimor është një nga reklamat e fundit politike dhe propagandë e Ramës.
Sfungjeri bimor i Beratit siç shprehet kryeministri për ATSH-n se:-“…falë edhe bashkëpunimit me një kompani gjermane, po fiton terren edhe në tregun europian nën etiketën “Made in Albania”.
Megjithëse vendi është pushtuar kudo në administratë me gjembaçë dhe kaktuse të korrupsionit, keq qeverisja e sheh pastrimin nga mëkatet edhe përmes Luffa-s, sfungjerin bimor me aftësinë e një produkti miqësor me natyrën që të ndihmon jo vetëm të pastrohesh, por edhe të kurosh lëkurën, ta trajtosh estetikisht pamjen, të rinohesh pa e harruar zakonin e vjedhjes dhe të korrupsionit në çdo orë të ditës.
Kjo skicë satirë nga LD-NY 2024, mori shkak tek sinjalet e varfërisë së ideve të makinerisë zyrtare propagandistike shtetërore ATSH-s, e cila me çdo kusht përpiqet t’i nxjerrë nga kriza nivelet e larta partiake dhe qeveritare tashmë në flagrancë me korrupsionin siç janë Rama, Veliaj, Balluku e të tjerë pas tyre.
Peizazhi shqiptar me pasuri uji, dielli, gjallese dhe natyre është i tëri nën kërcënimin e një grupi njerëzish që gradualisht po bëhen pronarë faktik të Shqipërisë përmes politikave, ligjeve dhe praktikave korruptuese. Dhe si të bërë kaq pis, Luffa- sfungjeri bimor duket se është një nga ata pastrues që të bën të dalësh përpara publikut dhe të mos fshihesh nga turpi kombëtar dhe ndërkombëtar.
Me këtë rast prej skicës deshëm edhe t’ju tregonim se a e keni vënë që se ballina e propagandës së ATSH-së sikur nuk ka më vend këto kohët e fundit për mbajtjen gjatë në vëmendje të reklamës turistike që Rama lëshonte çdo mëngjes dhe sigurisht gjatë ditës?
Ky fakt i “dobësisë” së propagandës jo se shkoi pa u vënë re që kurse disa ditë më parë kur zv/kryeministrja Balluku certifikoi me regjistrim dhe vlerësoi me mirënjohje turistin e 10 miliontë të vitit 2024 të futur nga Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë. Por rastet e krahasimeve të Rilindjes Socialiste sa herë që afrojnë zgjedhjet bëhen shembullore. Si do që të ndodhë, lajmi mund të ndërtohet edhe pa fjalët edhe pa rrëfimin e një njeriu të gjallë se çfarë ndjen. Para turistit të 10 miliontë, shqiptari që i dëgjon lajmet e qeverisë duhet të fiksojë si të rëndësishëm emrat e ministrave, ideologjinë e sukseseve, planet dhe reformat ekonomike, shifrat vetëm në rritjeje dhe së fundi vendin më të dukshëm dhe shkëlqimin e zv/kryeministres.
Pra me plot gojë elita e Rilindjes Socialiste u tregoi shqiptarëve se me 9 Dhjetor në Shqipëri kishin hyrë 11 milionë e 40 pasagjerë (turistë).
Po për shifrat tronditëse atë që të rreth 2.08% të popullsisë janë larguar për emigrim kush i numëron?
Ose kur çdo ditë 120 shqiptarë largohen gjatë 16 orëve kur trarët e pikave kufitare kanë fluks më të ndjeshëm, kush i vlerëson shkaqet?
Po, për papunësinë, varfërinë, minimumin jetik, pensionet, korrupsionin dhe krimin që quhen keq qeverisje në tre mandate?
Të jeni të sigurt se edhe këto askush nuk numëron dhe nuk mban përgjegjësi.
Sigurisht që për këtë standard ose krahasim propaganda e Rilindjes Socialiste nuk ka nevojë as të ngacmohet nga populli dhe opozita, por as edhe nga media.
Gjendjes së krizës dhe izolimit ndërkombëtar në të cilën ndodhet vendi, kryeministri ja gjen zgjidhjet me të tijën.
Ai nuk mungon të tregojë se për pushtetin ai është vetë kujdestari i gjithçkaje e deri në detajet e reklamave turistike në çdo ditë të vitit, për infrastrukturën, për shëndetin, për arsimin, për kulturën, për median dhe më së fundi edhe për aplikimet në shkencë dhe në ekonomi.
Rama bën gjetjet ashtu sikurse ka gjetur edhe kujdestarë dhe patronazhistë në çdo fushë dhe flet për sipërmarrjet e fermerëve dhe tregun evropian. Një i tillë është dhe “sfungjeri bimor i prodhuar në Berat që fiton terren në tregun europian”, sipas titullit dhe fotove në një lajm të ATSH.
Aty Rama përmend emrin e emigrantit me eksperiencë që kthehet në vend lindje dhe bashkëpunon me gjermanët duke lartësuar produktin si “Made in Albania”. Kjo është një e vërtetë për atë fermer që djersitet dhe punon. Por jo për këtë kryeministër dhe ministret/at e bujqësisë së kabinetit të tij që fondet evropiane të zhvillimit IPARD III prej 146 milion € grante nuk arritën t’i lëvrojnë sepse prej 2014-2020 me IPARD II ku prej totalit të grantit prej 71 milion €, u vodhën rreth 30 milion € dhe Komisioni Evropian i pezulloi duke u bazuar në dyshimet për korrupsion.
Kështu Luffa- sfungjeri bimor që plot përshkrim shkencor Rama e përzien si një lajm e reklamë bashkë dhe ku futen temat e individit fermer, ekologjisë, ekonomisë, emigracionit, eksportit në tregun evropian etj. kjo është një propagandë e krizës së ideve “Made in Rilindja”.
Korrupsioni dhe propaganda ju ka turbulluar mendimin e qartë dhe shprehitë e thjeshta praktike.
Të flasësh për Luffa-n (Momordica cylindrica* dhe Luffa cylindrica / Luffa aegyptiaca), që sipas Karl Lineut* themeluesit të taksonomisë të njohur me shprehjen “natura in minima maxima”*, do të ishte vënia në praktikë e dijeve me pak energji, mund e thjeshtësi mendimi për ato vlera që shqiptarët të mos ishin larguar ndërkohë nga vendi. Do të ishte një shërbim që në “Shqipërinë e vogël”, demokracia dhe shteti ligjor do të mund ta kishin bërë vërtetë një mrekulli për mirëqenien e popullsisë, me pasuritë natyrore dhe pozitën gjeografike që ajo ka.
Sigurisht që një e mirë për fermerët dhe dijen shkencore si dhe ekonominë e fshatit “Made in Albania” është krenari.
Por ajo kurrë nuk mund të jetë krenari e pushtetit që me propagandën e Rilindjes Socialiste për një bimë në familjen e trangujve dhe kungujve të varur nga një ideologji e mbrapshtë ushqen korrupsionin. Kjo ironi e bën sfungjerin bimor të Beratit të flasë më shumë për dijet e qeveritarëve. Të flasë si për tregun evropian ashtu edhe për elitën socialiste të Shqipërisë që gjatë tre mandateve kanë parë etjen e përfitimeve duke i shfrytëzuar arritjet e sipërmarrjeve të lira si një produkt dhe sukses i politikave të partisë shtet.
Për ta saktësuar atë që skica satirike merr përsipër të shpjegojë është se sfungjeri bimor i ka vlerat e veta edhe në shumë cilësi të tjera të cilat vijnë prej bimës së Luffa-s. Ato janë si vlerat ushqyese, të familjes së trangullit dhe kungullit mineralet, vitaminat etj. që gjinden në përmbajtje, por që ka edhe disa karakteristika të tjera që i duhen prurë në vëmendje politikanëve me njolla të dukshme korrupsioni. Bima e Luffa-s është sa çudibërëse për të pastruar, por edhe produkti që nuk jeton gjatë.
Sfungjeri bimor duhet zëvendësuar pas pak ditësh përdorimi, ashtu sikurse edhe rotacioni i administratës.
Luffa deri sa të bëhet për t’u zëvendësuar, ka nevojë të mbahet pastër, do shpëlarë mirë me ujë dhe ajrosur mirë e dezinfektuar mundësisht, pasi përbërja e saj organike e bën atë që të kalbëzohet. Prandaj edhe kësaj reklame pastruese të Ramës duhet t’i ruhesh pasi i ndjen aromën ashtu sikurse edhe politikës së papastër të shtetarëve të mbuluar nga korrupsioni.
*Momordica cylindrica–Kungulli sfungjeror. E përcaktuar si bimë, zarzavate si trangulli dhe kungulli njihet edhe si Luffa aegyptiaca.
*Karl Lineut– Carl Linnaeus (17070 1778, biolog dhe fizikant i shquar suedez), Taksonomia si disiplinë për përcaktimin dhe klasifikimin e organizmave të gjallë dhe në zhdukje.
*Natyra in minima maxima– Natyra është madhështia në gjërat më të vogla.
11 Dhjetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Rebelimi im s’ka ndodhur një ditë. Është grumbulluar përditë e nga pak qysh në moshën e njomë dhe është shtuar me shpejtësi ndërsa dilja prej adoleshencës. Rrebelimi im u shëndrrua në urrejtje ndaj tyre, mbas humbjes së jetës së tim vëllai, Agronit në moshën 28 vjeçare. Tragjikisht, ai ra në një humnerë 200 metrash, me makinë në rrugët e tmerrshme të Pukës, një ditë të nxehtë gushti të vitit 1983. Ai nuk donte të shkonte të punonte në Pukë. Për të ishte një ndëshkim edhe pse ai i donte pukjanët. Iu lut Xhevdetit ta shpëtonte nga Sigurimi duke i thënë: “Unë do vdes nëpër ato rrugë të rrezikshme!” Dhe ashtu ndodhi! Në vend që të dëshpërohej, Xhevdeti u gëzua për vdekjen e djalit. Prej kohësh Agroni po i sillte probleme me urrejtjen e tij ndaj Sigurimit. Kështu, ai e kishte të siguruar postin e vet, nëpërmjet sakrifikimit të djalit.
Ishte kjo ndjesi që më ka tërbuar…
Në familje Xhevdeti, as donte t’ia zinim në gojë vdekjen e Agronit. Nuk i shkoi asnjëherë tek varri, përjashto dy-tre herët e para menjëherë mbas vdekjes, edhe ato më shumë i shtyrë nga opinioni i të tjerëve. Xhevdet Miloti deri ditën e fundit të jetës, domethënë për 35 vite, vdekjen e Agronit e ka shfrytëzuar vetëm për të përfituar e për të siguruar privilegje për vehte. Edhe Sabaheti e ka bëtë dhe e bën edhe sot të njëjtën gjë.
Dua te kujtoj qe me largimin tim në Itali, në vitin 1992, dhe me akuzën që i bëra Xhevdetit: “Ishe ti që e vrave Agronin, moralisht dhe fizikisht!”, marrdhëniet mes meje dhe prindërve u ndërprenë për një çerek shekulli. Ndërkohë ata bënë të pamundurën ta eliminonin egzistencën time dhe të hakmerreshin ndaj meje, duke më krijuar probleme të shumta.
Dhimbja që provohet me vdekjen e fëmijës është e pashpjegueshme për një prind sepse është një fakt i jashtëzakonshëm, jo i natyrshëm që kalon çdo masë dhe…. fundi që mendohej i largët, vjen befas dhe pamëshirshëm duke i lënë prindit pak mundësi për ta vazhduar jetën. Por jo, për Xhevdetin e Sabahetin. Ata ishin përbindsha. As vdekja s’i ndryshoi dot ato qënie çnjerëzore. Xhevdeti e vazhdoi veprimtarinë e tij jashtëmartesore me gra të tjera, më i lire e më i lumtur se përpara, ndërsa Sabaheti krijoi nje guardarobë gjigante, duke e dokumentuar çdo fustan, çdo kostum, çdo palë këpucë e çizme të reja me fotografi, e më pas u shiste mend njerëzve se ishte një zonjë e madhe.
Kur kam parë guardarobën e sajë, ngela e shastisur, po edhe fotografitë që kjo “nënë me zemër të thyer” bënte për çdo veshje të re… Të gjitha ta futur me zell e pasion ndër albume të shumtë, ndërsa fotografitë Agronit, e djalit të tyre të vetëm, i gjeta të shpërndara nëpër qese të vjetra në bodrum!!!
Për çudi, “nëna” atij s’i kishte bërë asnjë album!!
Kujtimin e tij e kishte hedhur me neveri larg, sepse asaj i errësonte “bukurinë e shndritëshme” të zonjës së madhe, e cila çuditërisht, kishte krijuar edhe të ardhura të majme ekonomike të dyshimta!! Rastësisht, në 2017 u gjenda në Tiranë, ku gjeta origjinale të shumë llogarive bankare të Xhevdetit e Sabahetit në lekë, euro e USD, dhe i mora me vehte letrat por, sapo Sabaheti, edhe pse 82 vjeçare, kur mori vesh se unë i kisha zbuluar thesarin, u turr si e tërbuar nga Bergamo e Italisë, ku po i rrinte te koka kriminelit që jepte shpirt, në spital si zotëri e, që e kishte tradhëtuar gjithë jetën, duke e trajtuar si leckë këmbësh, u turr në Tiranë të mbyllte llogaritë bankare që unë ,vajza e tyre Lindita, të mos kisha asnjë përfitim mbas vdekjes së Xhevdetit!!
Atë verë të vitin 2017, në Shqipëri, kuptova se nuk egzistoja më për familjen time. Drejtimin e familjes Miloti tani e kishte marrë në dorë me dhelpëri burri i motrës time, kavajsi Fiqiret Kariqi, në shtëpinë e të cilit në Bergamo, jetonin edhe Xhevdeti me Sabahetin.
Vura re se familja ime, me një kryetar të ri, kishte thurur plane për eliminimin tim ekonomik dhe ligjor. Pikërisht, atë vit Sabaheti do të bënte të pamundurën të më eliminonin nga pronësia, duke bërë Padi kundra meje. Kështuqë m’u desh të përballesha me gjyqe, me kërcënime dhe kompllote nga mamaja dhe motra.
Në verë të 2017, para njerëzve që kishin ardhur për të bërë qokat për vdekjen e Xhevdet Milotit, e pyes Sabahetin: “E ke pyetur ndonjëherë vehten se çfarë nëne ke qenë për fëmijët e tu? Ke një djalë të vdekur dhe dy vajza, mes të cilave ke futur sherr gjithë jetën, e që sot, e urrejnë njëra-tjetrën për vdekje! Çfarë ke mësuar nga e gjithë kjo që ka ndodhur… Asgjë!? ”
Ajo më pa si e shastisur. Vështrimi i saj më tregoi që nuk e kuptonte pse duhej t’ia bënte vehtes një pyetje të tillë. Ndenji një copë herë në heshtje pa më dhënë përgjigje. Ajo më dëshmoi edhe një herë se këta njerëz edhe pse në moshën 84 vjeçare, edhe pse i merrte vdekja, kishin mbetur ashtu të pandërgjegjshëm e të përbindshëm.
Ky është një fragment nga atmosfera me të cilën më pritën nëna dhe motra ime mbas 25 viteve, që u kisha ndejtur larg e pa i trazuar.
Më shumë detaje të kësaj jete janë në autobiografinë time “Mendimi sundues”.
Çfarë e rrebelon sot Lindën? Çfarë është krisur, thyer e rrënuar shpirtin e saj në pakthim…?
Kam një indinjatë të thellë që s’jemi trajtuar si fëmijë, që na ka munguar dashuria, që s’jemi vlerësuar si njerëz, si fëmijë të tyre… Jam e indinjuar që s’na kërkuan falje që na shkatërruan jetën, që na mohuan të drejtën për të pasur një familje, që të gëzojmë festat, nipat, mbesat, jam e rebeluar që na trajtuan si fëmijë të paligjshëm befotrofi.
Tim vëllai ia vodhën e ia vranë rininë, për t’i shërbyer diktaturës, i vodhën të drejtën për të qënë ai që dëshironte të ishte, e jo ai që donin ata. I vodhën të drejtën për të pasur një jetë normale, një familje e që ta gëzonte edhe sot dritën e diellit. Të dy bashkë, Xhevdet e Sabahete Miloti i vodhën Agronit të drejtën për ta gëzuar rininë e shoqërinë, gjërat më të shtrejta për të. Ai ndante çdo gjë me të tjerët, të njohur apo të panjohur. Në fakt, në vdekjen e tij, nga çdo qytet ku ai punoi (Korça, Kavaja dhe Puka) erdhën me autobuz njerëz të thjeshtë që ai i kishte ndihmuar sidomos të persekutuart, që Agron Miloti i ndihmonte duke u thënë: “Sa të jem unë këtu, jetoni të qetë!” Këto fjalë i kam dëgjuar vetë nga një burrë i moshuar nga fshatrat e Korçës më mori në messenger në telefon tre ditë më parë, mbasi kishte njohur fotografinë e Agronit që e mbaj si foto profili në facebook. Ai më tha: “Dua që ta dish, se Agroni më ka shpëtuar jetën time e të familjes dhe mjaft të persekutuarve të zonës. I ndrittë shpirti aty ku është.”
Pra është kjo dhimbje e thellë që e ka rrënuar në pakthim shpirtin e Lindës.
…Nga momenti i vdekjes së papritur, në moshë aq të re, bëhesh e vetëdijëshme se jeta për ty, si motër s’është më ajo e mëparshmja, Boshllëku shpirtëror të bëhet i përditshëm. Fillon të jetosh pa interesa vetëm për inerci të jetës… Jeta s’ka më shije dhe vetëm aty fillon e kupton se sa marrëzi ishte t’i permbaje britmat e gëzimit që ai ishte aty pranë meje, aty nis ta ndjesh se çdo gjë mund ta duroje, por jo mungesën e tij… dhe befas koha për ty ndalet në atë çast dhe dënimi për ty bëhet përfundimtar. Sa netë pa gjumë, sa mbasdite të trishta me shi pret që ai të shfaqet, sa fotografi të tij kalon nëpër duar për ta kujtuar, sa çaste ngushëllimesh që tashmë janë larg… larg… dhe ndjehesh e gjitha përmbys prej një ndjenjë shkatërruese…