Romë, 6 qershor 1954
Miku im i dashun zoti Mustafa Kruja,[1]
E kam marrë letrën t’uej e po ju përgjigjem me pak vonesë.
- Âsht shumë e vërtetë qi nisma jonë jo vetëm “ka qênë “e nisun shumë keq”, por nuk ka qênë e pregatitun aspak. Eh, miku im i dashun Kruja, Gaqo âsht nji njeri mêndjelehtë, i zoti vetëm për sport e cerimonina. Mue më duket se politika don njerëz seriozë, qi të besojnë n’atê qi bâjnë, qi të kenë nji besim. Në politikë duhet guxim, gjâ i cili i mungon plotësisht. Cili “shqiptar” do të kishte hangër grushta e shkelma në mes të njerëzve si Gaqoja në hotel Astor, në gjysmën e marsit 1954 ? E pra ai, si nji frikacak, nuk luejti as edhe nji gisht. Nji burrë qi nuk di të kundërveprojë e të vdesë për nderin e vet, a mund të jetë i denjë të drejtojë një parti? Ai, qi nuk mundet me drejtue as gruen e vet, beson se âsht në gjêndje me drejtue nji partí shqiptare ? Nji burrë, i rrahun në publik n’atë mënyrë me grushta e shkelma, mund të quhet i vdekun.
Mbas gjithë asaj qi ju thashë mâ nâlt, ju keni të drejtë me pyetun : “atëherë pse e keni marrë atë inisiativë?” Un ju përgjigjem menjiherë se kupa ishte mbushun plot dhe se kanë ndërhŷe faktorë të jashtëm, për të cilët un nuk mund të flas në këtë letër.
Mik i dashun Kruja, nëse do të kem fatin me u pa e me bisedue sŷ më sŷ do të kem shumë për t’ju thânë. Mund të shtoj menjiherë se ndjenjat, e ndoshta edhe veprimet e Gaqos kundrejt Mbretit, nuk më duken shumë të qarta.
- Tashti due t’ju flas pak për Selim Damanin. Damani âsht nji intrigant. Nuk ka dhânë asnji ndihmesë në shtimin e rradhëve të Legalitetit. Si âsht e mundun qi ai, qi âsht prej Leskoviku, nuk ka mundun a nuk ka dashun me bindun asnji prej krahinës së vet të lindjes, për me bâ pjesë në lëvizjen e Legalitetit ? Atij nuk i bâhet vonë aspak për interesat e partisë, bân vetëm punët e veta e asgjâ tjetër. Këtu në Romë ka qênë në marrëveshje të plotë me kundërshtarët e Mbretit (Kryeziu, Balli agrar e të tjerë); âsht nji majmun i vërtetë.
Nji njeri qi nuk ka nji besim të vërtetë në vetvete, nuk mundet kurrë me bindë të tjerët me e përqafue atë besim. Nji mysliman, qi nuk beson n’Allahun e në Muhametin, si mund të bindë të tjerët të kthehen në myslimanë ? Selim Damani nuk beson në politikën, gjithshka bân e ka për hipokrizí e leverdí. Kjo spjegon shterpësinë e tij në shtimin e rradhëve të partisë mbretnore, sepse ai në fund të fundit i beson pares, rakisë, egoizmit.
Por ju n’Egjypt thoni se “Damani âsht aktiv dhe i zgjuet”, un ju përgjigjem se Damani âsht nji hipokrit qi luen me dy letra. Un e shumë të tjerë habitemi plotësisht, se si nji njeri i tillë ka pasun nji mbështetje kaq të çmueshme nga ana e Oborrit, sa qi me u bâ deri antar ekzekutiv i Komitetit Shqipëria e Lirë.
- Mue m’âsht besue gjithmonë me punue konkretisht në dobi të lëvizjes zogiste. Ju e dini se çfarë kam bâ në Greqí ; kisha nji besim të zjarrtë e komunikativ e me këtê munda të bind treqind ballistë të bâheshin zogistë.
Mik i dashun, në mes të Greqisë me fjalën time të 28 nândorit 1951, në praní të M. Bajraktarit, Toptanit e të gjithë intelektualëve dhe jo intelektualëve ballistë, bâna të kumbonte emni i Zogut si me qênë në Shqipní. Gjîndja ishte kaq shumë e ndezun nga fjala e ime, sa qi në çdo çast brohoritte e thirrte për Mbretin Zog. Kundërshtarët ishin zbehun të gjithë, por asnjâni nuk mund të lëvizte se përndryshe do t’ishte kaplue.
Gjithë kohën qi kam qênë në Greqi, kam bâ qi mes shqiptarëvet emni i Zogut të tingëllonte me respekt. Por ju thoni se Damani âsht veprues e i zgjuet. Nuk ka pasë asnji rast qi nuk kam vue në dukje emnin e Zogut. Me rastin e vizitave të ndryshme të delegacioneve të O.K.B. gjithmonë hartojsha dhe ngjitsha nëpër muret e kampit thirrje. Besoj se ky ishte nji ndihmesë nderi qi mund t’i bâhej nji Mbreti. Por ju thoni se “Damani âsht aktiv dhe inteligjent”, prandej ka hŷ me bâ pjesë në Ekzekutivin e Komitetit.
Në Greqí kam luftue kundër të gjithëve. Ju e dini se M.Bajraktari âsht prej Lume, e pra un dhe Asllan Zeneli kemi mbledhun për rreth flamurit të Mbretit mâ shumë se tre çerekët e t’ikunve lumjanë. Por Damani âsht aktiv dhe i zgjuet : ku janë leskoviqarët e tij qi kanë marrë pjesë në lëvizjen zogiste ? Ku âsht Muharrem Bajraktari i Leskovikut qi konkuronte e kundërshtonte Damanin ? Ku? Por Damani asht aktiv. Po, âsht aktiv në hipokrizí, siç vetëm lloji i tij mundet me qênë.
Kam luftue kundër Ballit agrar. Ju vetë thoni se “Balli asht nji kundërshtar i frikshëm”, e pra un me besimin tim të zjarrtë e kam zbërthye plotësisht : kam bâ me u kthye në zogistë mâ shumë se treqind ballistë; pothuej se të gjithë ishin luftëtarë të Ballit, por un i kam kthye, sepse për me bindun të tjerët duhet me qênë i bindun në vetvete duhet me pasë nji besim qi djeg në zêmër. Por “Damani âsht aktiv…” e prandej ka pasë edhe shpërblimin në mbështetjen për me u bâ antar i ekzekutivit të Komitetit.
Në Greqí kam bindë madje dhe oficerë komunistë, t’ikun si ne, me u bâ zogistë. Ҫfarë mund të bâjsha ma shumë ?
Mund të them me krenarí se i kam thye brinjtë Ballit ; si një partí e masës nuk llogaritej praktikisht aspak, ishte kthye në nji partí të thjeshtë skelektrike kuadrosh.
Kam luftue kundër Bajraktarit me shumë efekt në vetë terrenin e Lumës. Tre të katërtat e t’ikunvet lumjanë janë bâ zogistë.
Kam shkatërrue që në lindje çdo përpjekje të partisë së Kryeziut. Dijsha un si me e luftue.
M’âsht dashun me i qëndrue edhe përtacisë së Fiqiri Dines.
Para amerikanëve, anglezëve e grekëve kam dhânë me kuptue se ekziston nji lëvizje e vërtetë për Zogun, nji lëvizje e gjallë, plot jetë. Më 25 maj 1951, në nji demostratë qi organizova në kampin e Lavrios para amerikanëve, vërtetova praktikisht se tre çerekët e t’ikunvet shqiptarë ishin zogistë. Bajraktari, Balli, Toptani e të tjerë mbetën me gisht në gojë të mundun, të rrëzuem e të turpnuem, sepse i u ishin paraqitun msheftas amerikanëve si zotnijtë e vërtetë të t’ikunvet shqiptarë, tue thânë se nuk kishte asnji lëvizje të rândsishme në favor të Zogut. Ndërsa un vërtetova krejt të kundërtën.
Kam luftue pa mjete, nuk kisha pare, nuk kisha asgja, kisha stomakun të kalbun nga ulçera, por zotnojsha nji gja sublime, nji besim të flaktë. I çojsha racionin tim të sapunit t’ardhunvet rishtas, hiqsha batanijen time në mes të dimnit e u a jepsha atyne qi dojsha me i bâ për vete ; nuk kursejsha as këmishën time. Shkurt, kisha krijue shpirtin e flijimit e të solidaritetit në gjinin e Lëvizjes ; edhe antari i thjeshtë i partisë ndîhej militant.
Së fundi, të gjithë këtë e kam bâ me shpresën e thellë e të fuqishme se i shërbejsha mâ mirë Atdheut aq të dashun e të shtrenjtë. Nëse do të kem fatin t’ju shoh, do t’ju vêj para sŷve kopiet e dokumentave të shkruejtun në dobí të Mbretit e të dorzuem misionarëve perëndimorë.
Un kam nji të metë të madhe, nuk kam dashun me folë për vehten, nuk kam shkruejtë n’Egjypt për atê qi bâjsha, por vetëm shtojsha numurin e zogistëve. Me naivitet besojsha se Qêndra drejtuese e Legalitetit në Romë e kryente detyrën e saj, për me njoftue atê qi duhej. Un e kam bâ detyrën time, jam në paqe me ndërgjegjen time.
- Zgjedhjet për komitetin ekzekutiv kanë qênë taman nji farsë e vërtetë.
- Rrogat e komitetit këshillimor janë ulun në 50 dollarë. Âsht e pamundun me
Jetue me kaq pak pare.
- Gjithshka bâhet në gjînin e Komitetit jep përshtypjen se kryhet me shkatrrue e me
i nxjerrë bojën atij vetë. Janë bâ gabime të trasha e të pafalëshme si nga shqiptarët, si nga mbështetësit t’onë. Ka nji pështjellim të pamasë e shumë të dâmshëm për interesat e Atdheut t’onë.
Më falni, miku im i dashun Kruja, nëse kjo letër do t’ju zemrojë. Un e dij se kam tek ju nji mik qi më kupton e më don, prandej ju a shpreha këta mêndime. Âsht e para herë qi shkruej në këtë mënyrë për vehten time, e nuk kam shkruejtun as nji të qintën e asaj qi kam bâ, midis nji mjerimi të vërtetë e me nji shëndet të lig. Por jam kryenâltë për atê qi kam bâ. Tashti i takon të tjerëve t’a gjykojnë.
Asllani âsht mirë, mund të them se e ka marrë plotësisht veten. Edhe un jam bajagí mirë. Ju përshëndes me nji miqësi të thellë e të përzêmërt.
I jueji
Miftar Spahija
Ps. Edhe Ferid Dervishi âsht mirë. Artikullin mbi Kongresin e Lushnjes e kam shkruejtun un. Por Gaqo din me ba gjithshka. Asllani ju përshëndet me shumë përzemërsí.
Rocca di Papa, 12 korrik 1955
I dashtuni mik Z. Mustafa Kruja,
Po bahet nji motmot qi s’ju kam shkrue; nuk më mbetet tjetër veçse me ju kërkue ndjesë. S’kam pasë ndonji gja me jù; veç do telashe, taksirate, të mija më kanë pasë randue thellsisht në shpirt e m’a patën pré hovin e çdo gjaje. Më dukej sikur fjalët e mija nuk kishin ma peshë morale dhe mendova me u rudhë në vedi e me heshtë.
Miqsija qi ndiej per jù nuk asht okazionale, nuk asht si pupla qi lkundet prej frymës; i ka rranjët e thella, të shëndosha dhe gjen ushqim në dashtunìn e njajtë dhe në pikëpamjet e përbashkta për nji Shqipnì etnike në të cilën na shqiptarët të gjejmë hapsinën t’onë naturale për me mundë me jetue me dinjitet, me zhvillue energjìt intelektuale e fizike krahas me përparimin e botës së jashtme, me ruejtë pajat qi kanë ngjeshë fizionomìnë t’onë si racë e si komb e me gjetë elementin politik qi të rrafshojë përçamjet e pjelluna nga nji proçes i gjatë i historìs s’onë të pa shtet dhe të sjellë afrimin e vllaznimin e ma të shumvet. Me këso vijash të përbashkta as s’kà si mendohet se mund të na futet ndërmjet ndonji macë e zezë.
Qysh prej prillit 1954 e deri tash, për arsyena te ndryshme, pozita e jonë partijake gjindet në nji fazë letargjike jo simpatike. Ndoshta do te mundshim me përmbledhë energjinat t’ona të mbrendëshme dhe me gjetë nji farë udhëdalje me nji organizim ndërmjet brumit t’onë; ket gja s’e kemi ba as s’e kemi mendue – pse s’na e ka marrë mendja me i shkue mbrapa njì mendelehti qi fryhet si gjeldeti kush t’i vishkllojë ma para; prandej kemi heshtë, kemi pritë dhe do të presim derisa te mendohet me i dhanë nji trajtë të ré, te hieshme e me kritere qi i përgjegjen nevojës së kohës brumit të madh të mbretnorvet.
Asllan Zeneli tue ju çmue ju dërgon të falat ma miqsore. Po ashtu edhe unë ju përshëndes me miqsí e dashuní të përzemert.
I juej Miftar Spahija. Kët herë s’po ju shkruej mâ gjatë.
[1] Letra është shkruar italisht. Përkthimi është kryer nga un, duke u munduar të respektojë gjuhën e autorit. E.M.)
Komentet