Ramleh, 15.5.1954
I dashun Spahija,[1]
Kam marrë sod letrën t’uej të mirëpritun dhe po ju përgjigjem menjiherë. Do t’ju shpreh me sinqeritetin mâ të madh opinionin tim mbi inicjativën t’uej : me atë çiltërsi qi m’imponon detyra ime kundrejt Atdheut, kundrejt Mbretit t’onë, pra kundrejt idealit t’onë të përbashkët.
- Nisma e juej nuk ka qênë e parakohëshme, por ka qênë e nisun shumë keq. (……)
Pra kupa ishte plot e nji kundërveprim ishte i natyrshëm dhe i nevojshëm. Por duhej zgjedhun mirë forma, gjâ të cilën ju tjerët nuk ditët me e bâ.
- Gabimi i juej i parë : me nji hop të pamatun jeni paraqitun “nismëtarë” të nji ndamje, tue vȗe në vështirësi ma shumë se nji shok besimi, qi e sheh të mirën dhe suksesin e lëvizjes jo në përçamjet e shemëritë vetiake, pra jo në ndamjet, porse në bashkimin mâ të fortë të gjithë idhtarëve të lëvizjes e në mirëkuptimin ndërmjet tyne dhe mbretnorëve apo dashamirësve të tyne, pjesëmarrës në të tjera partí politike ose të pavarun.
- Gabimi i dytë : e keni marrë këtë nismë fill mbas përzânies arbitrare të njânit prej jush, tue dhânë kështu përshtypjen se në inicjativën t’uej nuk bâhej fjalë për tjetër, veçse për nja çâshtje thjesht vetiake, pra qi drejtimi i takonte njânit apo tjetrit prej dy rivalëve në kundërshti. E në këtë rast, ndîej detyrën me ju paralajmërue me sinqeritetin mâ të madh e sigurinë se nëse lëvizja e jonë mbretnore do të gjindej sod para nji mëdyshje detyruese me zgjedhë për Kryetar njânin prej të dyvet, do t’ishte rrënimi.
- Do t’i kishit paksue shumë e ndoshta edhe shmangun plotësisht pasojat e dy gabimeve të para, nëse do të kishit dijtë me i dhânë veprimit t’uej formën e duhun. Ndërsa ju lajmëruet ndamjen t’uej dhe vêndimin me themelue nji tjetër partí me pak rrjeshta kumbues në nji boletin lufte ! Para së gjithash, në vênd qi me shpallun ndamjen do t’ishte dashun me ju drejtue shokëve t’uej, në nji tjetër cilësi, me nji raport t’arsyetuem n’imtësí s’bashku me nji plan riorganizimi, duke dhânë alarmin e nji rrënimi të sigurtë të lëvizjes mbretnore, nëse nuk do të merreshin masa përndreqëse shumë shpejt. Natyrisht duhej të kishit folun gjatë për paaftësinë absolute të kryetarit t’uej me drejtue e udhëheqë nji lëvizje politike – nji e metë kjo, tashmâ e njohun dhe e pranueme prej të gjithëve – për veprimet e tij arbitrare të vërtetueme e për fajet e tij. Duhej të kishit kërkue opinionin e të gjithëve, sepse duhet të njihni psikologjinë e bashkatdhetarëvet’uej, qi mëtojnë të gjithë me dijtë sa kushdo tjetër, me zotimin si grup nismëtar me veprue në përputhje me përfundimin e përgjithshëm të gjithë raporteve e gjykimeve të marra, të cilët mâ mbrapa me i botue plotësisht. Aga do t’ishte zemrue e do t’u kishte përzânë të gjithëve, por askush nuk do të mundej me ju mohue të drejtën. Por ju keni zgjedhun me i ra për shkurt. Mirë, por nevoja me paraqitun arsyet bâhej gjithnji e mâ shumë e domosdoshme. Ndërsa ju keni thânë : “Zari u hodh, na ndiqni në rrugën e drejtë qi kemi fillue !” e mjaft.
- Kur pashë lajmërimin t’uej të 7 prillit – Zot i madh çfarë ditë kobzezë keni zgjedhë.
Këndova ato pak rrjeshta të shkurtën, isha i sigurtë se do të pasonte së shpejti botimi i nji broshure si ajo qi Dosti kishte shpërndamun në qindra e mija kopje. U rrêjta. Pashë e këndova nji trakt të dytë, akoma mâ mjeran nga çdo pikpamje. Mes tjerash ishte edhe nji model i nji shqipje të keqe. Pyeta vehten . “Po ku âsht autori i atij artikulli të bukur”Shqipëria” të pak kohëve mâ parë mbi Kongresin e Lushnjes ?” Nëse kam mundun me e gjetun, atë artikull e keni shkrue juve, Profesor. Tue cekun edhe këtë anë, rrezikoj m’u marrë për maniak gjuhe e letërsie ose për nji pedant. Por nuk âsht ashtu. Veshja ka rândsín e vet, nji formë e bukur mund të kishte mbuluemun shumë të meta themelore. Besoj se nuk jam rrêjtun prap, tue përfunduem se edhe mes jush nuk ka nji bashkëpunim të ngushtë ; qëllime të përbashkëta po, vullnet i mirë po, por asnji program i plotë, asnji bashkpunim i papremë dhe këshilla të ndërsjellta. Apo ndoshta zakoni i gjatë i nënshtrimit vullnetit të nji diktatori ju ka bâ me harrue se bota e lirë ecën demokratikisht?
- Megjithë këto kam vërejtun nji përparim, nji përparim të vogël në fletën t’uej të dytë fluturake : nëse e kujtoj mirë, këtë herë keni folun vetëm për komitetin, tue lânë mbas dore të famshmin “statut” të tij. Zoti e din se me çfarë qëllimi âsht shtîe në paragrafin VII t’atij t’shtuquejtun “statut”, nji rrênë qi ka shkaktue aq turbullina në gjinin e komitetit të Riformuem. Me qi Dosti, në broshurën e tij spjeguese, bân nji poterë të madhe për tê, duket se âsht ai autori i vërtetë. Juristi i madh asht i “vetmi diplomat i mirë i mërgatës politike shqiptare”. E si mund të besohet se Organizata e Kombeve të Bashkueme, në të cilën, par dessus le marché [2], ka nji rol mbizotnues ajo hale Rusie sovjetike, si mund të besohet, them, qi O.K.B. të mund të presë e aq më pak të diskutojë e të pranojë kërkesën e nji komiteti revolucionar, qi synon haptas të përmbysë regjimin e nji shteti të formuem ? Përse vallë komiteti nuk e ka botuemun e nuk e boton tekstin e asaj kërkese qi thotë se e ka bâ ? Sepse ose nuk e ka bâ kurrë e nuk do t’a bâjë, ose sepse gjindja qi nuk ushqehet me erë do të pritte më kot edhe përgjigjen !
- Megjithatê ajo klauzolë rrênacake, e futun në “statutin”, ka pështjellue shumë mbretnorë të Vêndit tonë ! Abaz Kupi padit për tradhëti Gaqi Gogon, sepse ka pranue nji statut qi cënon privilegjet mbretnore dhe shumë të tjerë bashkohen me tê ; vetë Nuçi Kota, në mos gabofsha jurist edhe ai, nuk paska pranue me marrë pjesë në komitet pikërisht për të njâjtën arsye ; nga ana tjetër ju të tjerët, tue harrue gjithë këtë manovër, thoni në fletën t’uej të parë se mbështetni me të gjitha fuqitë t’ueja komitetin e riformuem e “statutin” e tij, a thue se nuk mjaftonte me përmêndun vetëm komitetin.
- Besoj se sido qi të zhvillohet kundërshtia mes ju të tjerëve dhe Abaz Kupit, nuk do të pretendoni kurrë me e paditun atê për pabesí kundrejt çâshtjes mbretnore, sepse nuk do të mbërrîni kurrë me dhânë nji provë të prekëshme. Ai ka qênë besnik i asaj çâshtjeje e besoj se do të vazhdojë me qênë, nëse nuk do të ndërhynte ndonji arsye e fortë me e bâ me ndërrue rrugë. Nga ana tjetër, nëse ai nuk e ka tradhtue atë çâshtje qëllimisht, nuk ka dijtë kurrë me i shërbye, madje e ka damtue shumë. Nuk ka asgjâ me u habitun. (…….)Âsht folun shumë për nji marrëveshje të fshehtë mes tij dhe agrarëve dhe Kongresi i Napolit ka vërtetue publikisht qênien e nji marrëveshjeje të tillë. Qëndrimi i tij kundrejt komitetit të ri ka qênë i dyshimtë e i pasinqertë, por absolutisht korrekt. Pa marrë parasysh qëllimet e tij vetiake të pashprehuna, por të tejdukëshme, përkujtesa e tij, në tekstin e saj, âsht e paqortueshme e nuk përmban asgjâ kundër komitetit. Ndërsa ka qênë nji gabim i trashë mënyra e kundërveprimit të antarëve të tjerë të komitetit kundër asaj përkujtese. Më vjen shumë keq për atë gol diplomatik, qi intelektualët e komitetit i kanë lejue me u bâ atyne nji i pashkollë ; e jo vetëm diplomatik, por në dukje së paku, edhe patriotik. Un e kuptoj se kujt dhe çfarë rrethanave i kushtohet ajo gafë, por asgjâ nuk vlen për t’a përligjue.
- Në përfundim të gjithë këtyne kritikave, qi në të vërtetë, do të dojshin me qênë këshilla të sinqerta për të mirën e çâshtjes së përbashkët e të vetë miqve qi njoh në grupin t’uej, do të them se tashti për tashti keni dalë huq. Un besoj se kam dashun me e shlirue lëvizjen mbretnore nga nji ankth, qi âsht mungesa e nji organizimi të vërtetë politik për me mbërrîtun pikërisht te ai synim fisnik. Por jeni rrêjtun tue besue se gjêndja ishte kaq shumë e pjekun, sa qi do të mjaftonte nji alarm i thjeshtë për me mbledhun rreth jush të gjithë shokët vullnetmirë. Keni harrue në llogaritë t’ueja elementë të rândsishëm psikologjikë. Vullneti i mirë âsht në pjesën mâ të madhe të mbretnorëve. Por ka prej tyne qi mendojnë se nuk i a vlen barra qiranë me ndërrue Duce, Führer a Caudillo o queje si të duesh. Ka shumë prej tyne, të cilëve u mungon guximi qytetar, ose, nëse doni, nji personalitet i veti apo nji gjykim i veti e pra, për të bâmun nji hap kanë nevojë për urdhna, madje të qarta e të sakta. Këta përbâjnë shumicën e madhe. Por me dhânë nji urdhën të tillë, në disa rrethana, nuk asht gjâ e lehtë.
- Veprimi i juej qi, pa dyshim, âsht nji akt besimi e guximi, i vetmi veprim i gjallësisë i kryem deri tashti në lëvizjen mbretnore, megjithë gabimet e paraqitjes qi u a kanë ndalue nji sukses të menjihershëm, siç keni shpresue e shumë kanë dëshirue, ka shtrue mbi tryezë konkretisht problemin e riorganizimit, të menjihershëm e të domosdoshëm të partisë monarkiste, riorganizim qi un prej kohësh kisha paralajmërue dhe këshillue me ngulm.
Ky problem nuk mund të mbetet pezull përjetë, duhet absolutisht të gjejë mâ së fundi zgjidhjen e vet, atë zgjidhje qi un e kam parashikue me fjalë e me shkrim ; me shkrim, fatkeqësisht t’arkivuem, qi ju të tjerët e keni tregue me veprimin t’uej. Lëvizja mbretnore duhet të çohet nga letargjia e të bahet lëvizje në fakt e jo me fjalë. Ne, të gjithë duhet të kuptojmë tashmâ se bota politike ka ndërrue krejtësisht fytyrë aq sa, e krahasueme me atê të paraluftës, asht krejt tjetër : jemi n’epokën e mbizotnimit të masave dhe e ardhmja i përket vetëm atyne qi do të dijnë me i organizue e me i tërhequn këto të fundit. Për sa më përket, ju rrëfej se kam nji admirim aq të madh për shpirtin organizues, të disiplinës, të solidaritetit e të vetmohimit të partisë agrare, sa qi âsht i barabartë vetëm me urrejtjen time për konceptet e tyne të ngushta e helmuese politike. Më besoni : âsht nji kundërshtar i frikshëm.
- Në mirëbesim absolut : nëse Gaqi do të bânte me ardhë këtu nji këshillë të thjeshtë t’eprorëve të mikut të vet, qi së shpejti niset për Vêndin e tij të lindjes, për me i dhânë lëvizjes mbretnore “nji organizim modern”, ju siguroj se ajo këshillë do t’ishte vendimtare. Nëse këshilla do t’ishte dhânë me letër, dy fjalët “organizim modern” do të thojshin gjithshka. E nëse do të vinte ndonjeni vetë mund të shtonte edhe hollësí të tjera. Por, përsëris, edhe vetëm ato dy fjalë do t’ishin të mjaftueshme, mbasi edhe un jam këtu për të shtue dozën. Ju them se këshillat e mija këtu janë të ndigjueme mâ shumë se të kujtdo, sepse janë të bindun qi nuk ndjek asnji qëllim vetiak, as për sot as për nesër, e qi flas pa pasion. E kuptoni mirë se, për arsye të dukëshme, ajo këshilla tjetër qi un kërkoj me e provokue, do të kishte krejt tjetër peshë dhe efekt. Jo tjetër, por atê qi un do të mbërrîjsha në gjashtë muej, ai tjetri do t’a mbërrînte menjiherë ose, të themi, mbrênda dy muejsh.
- Mue më duket se, për arsyet e shprehuna në pikën 9, përkrahjet qi keni mundun me pasë deri sod, kanë mbetun të kufizueme. Grupet mâ të shumta jashtë Italisë, si ata të Greqisë, Turqisë dhe Amerikës, mbeten në pritje të “urdhnave”, gjâ qi nuk do të thotë se parapëlqejnë tjetrin. Asnji nuk asht shprehun në favor të tij, por heshtja do t’i jepte atij të drejtën me pretendue se gjânat shkojnë si mâ parë. Në këta kushte, a nuk besoni ju se do t’ishte rasti me botue nji deklaratë të re, tue thânë se, mbasi keni mbledhë këshillat dhe dëshirat e ardhuna nga shumë shokë të besimit, pezullojmë përkohësisht organizimin e partisë së re, në pritje të nji riorganizimi bashkarisht të gjithë lëvizjes ? Sigurisht kjo deklaratë mund të përpilohet në mënyrë qi mos me dhânë përshtypjen e nji dështimi. Përkundër, nëse do të kishit mbështetjen e nja njiqind përkrahësish, do të mund të vêjshit poshtë deklaratës të gjithë emnat. Âsht nji ide vetiake, qi më vjen e të cilën m’a këshillon tânësia e gjêndjes. Mendohuni e bâni si t’u mbushet mêndja. Nji tjetër rrugë do t’ishte krijimi i partisë së re, mbasi deri tashti nuk ka veçse nji nismë, tue u deklarue, në të njâjtën kohë, të gatshëm për bashkimin e lëvizjes me nji riorganizim në përputhje me kohët e qëllimin. Nji gja âsht e sigurtë : nuk mund të vazhdoni mâ gjatë në gjêndjen e tashme.
- Për kronikë : emnat e përmêndun deri tash si kandidatë për drejtimin e nji Lëvizje mbretnore janë tre : Salih Myftija, Fiqiri Dine, Nuçi Kota, të shqiptuem aty-këtu në disa grupe, siç më del nga letrat e marruna. Opinioni im personal âsht pa mëdyshje : në nji lëvizje mbretnore të bashkueme e të riorganizueme nuk duhet të ketë mâ udhëheqës, për rizá të Zotit ! Nji komitet qëndror, i zgjedhun çdo vjet me vota të përgjithëshme, me shkrim, nga të gjithë pjesëmarrësit mbi nji listë kandidatësh të miratueme nga Mbreti. Kandidatët do të duhej të ishin të gjithë intelektualë, natyrisht në kuptimin qi i jepet këtij mbiemni nga ne shqiptarët e tjerë, pa vjetërsina si un mbrênda e, mundësisht me tituj akademikë. Komiteti do të ketë nji kryetar dhe nji sekretar përgjegjës, ose ndoshta mâ mirë nji sekretar të partisë qi bân edhe rolin e kryetarit e qi ka edhe bashkëpuntorët e tij në detyrë. Por nëse ju doni me formue partinë t’uej, me qëllim me dalë në bejleg me nji antipapë përballë Abaz Kupit, përkohësisht do t’u leverdiste, mâ shumë se kushdo tjetër Salih Myftija.
- Damani ka qênë shumë i zoti në manovrën e tij. Ardhja e tij këtu i ka shërbye shumë. Prej këndej u nis për Stamboll dhe Athinë, si njeri i besimit e me porosí. Por, përsa dij un, nuk ka pasë ndonji detyrë përfaqësie të përherëshme. Âsht aktiv e i zgjuet. Nuk më pëlqen karakteri i tij negativ në nji bashkësí. Besnikia ndaj idesë mbretnore e kundrejt Mbretit nuk i mungon. Mund të jetë shumë i dobishëm për partinë. A nuk ka ndonji mënyrë për me zhdukë mosmarrëveshjet mes ju të tjerëvet e atij ? Sa i përket Mesaresë, sigurisht do të përpiqet shumë në Greqí me bâ gjithshka të dobishme për çâshtjen. Këtu ka dhânë prova të prekëshme besnikie kundrejt Mbretit. Mënyrat e tij të veprimit me të tjerë mbretnorë në Greqí nuk i njoh.
- Nuk besoj se âsht rasti me bisedue për nji organ shtypi të partisë s’uej qi hala nuk ekziston. Por nëse un, megjithë moshën time të respektueshme, nuk bâj të më luten për me shkrue letra si kjo apo si nji tjetër qi ju kam shkrue mbi gjuhën shqipe, merreni me mênd se sa mund të mungoj me shkrue artikuj për nji gazetë serioze, qi lufton për ideale qi janë edhe të mijat. Do të kthehemi me bisedue kur të vijë koha, apo jo ?
Kam mbarue me politikën. Si jeni ju, i dashun Profesor ? A gëzoni nji shëndet të mirë, së paku të kënaqshëm ? Mbi të gjitha Asllani a i ka rifitue plotësisht fuqitë e veta ? Si janë marrëdhâniet me mikun tim, Feridin ? Âsht nji shembëlltyrë ndershmënie ai burrë : nuk m’a ka bâ me mungue kurrë miqësinë kundrejt meje, edhe kur isha kundërshtar i nji regjimi të cilit ai i ishte besnik me përshpirtní. Shëndete të gjithëve.
M.Kruja (firma)
P.S. Pres prej jush nji raport mbi mbrapaskenën e zgjedhjes s’ekzekutivit. Përfundimi do të merret vesht, por hollësitë e mbrapaskenës kanë mâ shumë rândsí për pasojat e kësaj komedie.
P.S. Ja nji letër qi Ju mund t’i a lexoni kujt të doni prej shokëve t’uej, por gjithmonë nën vulën e sekretit. Shpresoj se fjalët e mija, qi kanë të bâjnë tërthoraz me Gaqin, të kenë ndonji pasojë mbi tê. Nuk besoj qi ai të ketë nji simpati të shëndoshë për mue dhe, kur ishte këtu, as un për tê. Por për qëndrimin e tij në ngjarjet e fundit në Romë e për disa cilësí të tij, për të cilat më kanë folë, m’âsht bâ simpatik. Por âsht i një lehtësie fenomenale ! Nëse nuk heq dorë nga lakmia për madhështí e nuk i shtrohet nji disipline t’arsyeshme, do t’i bjerë mâ shumë dame se dobí çâshtjes. Ju them haptas se n’atê grup shikimet drejtohen mbi ju, mâ shumë se mbi kedo tjetër.
M.K.
[1] Letra është shkruar në gjuhën italiane. Përkthimi nga un duke respektuar sa kam mundur gjuhën e autorit. (E.M.)
[2] Fr. : veç kësaj. Figurativisht : si biber përmbi pilaf.
Komentet