Përmbledhje: Interesimin e studiuesve të Kosovës për veprën e Çabejt në vitet ’70 e kanë shprehur edhe numri i madh i letrave e kartolinave që ata ia kanë dërguar Profesor Çabejt nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të botës, në një kohë që letërkëmbimi, si për studiuesit e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë, ishte me pasoja. Në letërkëmbimin e tyre diskutohen një varg çështjesh gjuhësore, historike, etnologjike, kulturore dhe familjare.
Në studimet albanologjike duket sikur epistemologjia nuk ka zënë vendin e duhur të trajtimit, por po të gjurmohet më thellë dhe më kujdesshëm, nuk është vështirë të shihet se ajo është e pranishme gjerësisht në dokumentet e saj.
Shumë çështje të diskutueshme të fatit të krijuesve shqiptarë të Rilindjes Evropiane (Bardhi, Budi, Bogdani) janë trajtuar dhe vazhdojnë të rizbulohen mbështetur kryesisht në epistemologjinë e tyre apo të bashkëkohësve të tyre, e cila në rrethanat e reja ka marrë vlerën e dokumentit.
Në studimet albanologjike epistemologjia merr vlera të veçanta në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Studiuesit shqiptarë të kulturës materiale e shpirtërore të shekullit XIX, një letër të Naum Veqilharxhit e kanë vendosur në shtegun e fillimit të Rilindjes Kombëtare. Në rrethanat historike në të cilat u zhvillua Lëvizja Kombëtare Shqiptare, që në të vërtetë ishte Lëvizje ushtarake, politike, arsimore dhe kulturore, sidomos në hapësirën e gjerë euroaziatike në të cilën u zhvillua ajo, hulumtimi dhe studimi i epistemologjisë ndërmjet rilindësve shqiptarë që jetonin në hapësirën aziatike, sidomos atyre në hapësirën evropiane (Itali), ishte dhe është e një rëndësie vendimtare. Edhe më vonë vlerësimi i rëndësisë së epistemologjisë nuk ka munguar, por është theksuar kryesisht vetëm në kontekst të pasurisë së saj: letërkëmbimi i pasur i Jeronim de Radës, Sami Frashërit, Elena Gjikës, sidomos Faik Konicës. Gjurmime të kësaj pasurie pjesërisht janë bërë edhe në arkivat personale, shkencore dhe shtetërore të albanologëve të proveniencës austro-gjermane: Gustav Majer, Norbert Jokli etj., ndërsa konsiderohet e një interesi të veçantë epistemologjia shumë e pasur e studiuesve dhe krijuesve të gjysmës së parë të shekullit XX.
Në këtë rrjedhë unë kam bërë kërkime kryesisht në epistemologjinë e gjysmës së dytë të shekullit XX, në krye të të cilëve qëndrojnë Profesor Jup Kastrati dhe ‘qarku i ndaluar’ i gjuhëtarëve shkodranë. Letërkëmbimi i Profesor Kastratit me studiuesit e këtij qyteti (sidomos Justin Rrotën), studiuesit vendorë (Profesor Mahir Domin dhe Profesor Eqrem Çabejn), me studiues nga Kosova dhe pothuajse të gjithë albanologët në vend dhe në botë, është i një rëndësie të madhe për studimet albanologjike, si dhe rrethanat historike në të cilat është zhvilluar ajo. Ndonëse për nga numri shumë herë më i vogël, (sipas të dhënave më të reja, rreth 1 000 njësi) për studimet albanologjike dhe zhvillimet e saj, letërkëmbimi i Profesor Çabejt është po kaq i rëndësishëm. Komunikimi i tij i dendur me albanologë dhe linguistë nga e gjithë bota shkencore, i cili pritet të botohet i skanuar në 100-vjetorin e lindjes së tij, do ta sjellë portretin e plotë të vlerave të tij njerëzore në një kohë të mungesës së plotë të komunikimit të brendshëm, aq më pak ndërkombëtar.
Vazhdimi i një tradite
Në qoftë se i referohemi faktit se epistemologji quhet jo letërkëmbimi publik i dy e më shumë personave, apo personit dhe institucioneve, por letërkëmbimi intim i dy a më shumë personave, sepse letrat e kësaj natyre më vonë marrin vlerat e dokumentit, atëherë letërkëmbimi i studiuesve nga Kosova dhe përgjithësisht nga ish-Jugosllavia me Profesor Çabejn, i plotëson pikërisht këto kërkesa të natyrës teorike për disa arsye:
Komunikimi ndërmjet studiuesve të Kosovës dhe Profesor Eqrem Çabejt bëhet në rrethana politikisht, kombëtarisht dhe kulturalisht të vështira, për të mos thënë të kontrolluara nga shumë institucione politike, shkencore dhe shtetërore. Ai nis në fillim të viteve ’70, pak vite pasi kishte filluar botimi i studimeve të tij për personalitetet, letërsinë arbëreshe, letërsinë e vjetër, sidomos vendin, gjenezën dhe formimin e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, por shtohet në mënyrë të veçantë pas ribotimit të librit “Për gjenezën…” dhe iniciativës për botimin e veprave të plota të tij në Prishtinë. Në të vërtetë, i gjithë komunikimi i takon kësaj dekade, pra fillon në vitin 1970, kur Rexhep Qosja ia dërgon librin e tij “Antologji e lirikës shqipe”, me përkushtimin: “Prof. Eqrem Çabejt me ndjenjat e përkushtimit dhe të respektit më të sinqertë, R. Qosja, 13. 10. 1970, Prishtinë”. Letërkëmbimi fillon në vitin 1971, me një letër të Mehmet Gejvorit nga Prishtina, me një letër dhe një kartolinë të Rexhep Ismajlit nga Parisi, dhe mbyllet në ditët e fundit të jetës së tij në vitin 1980, me një letër e një kartolinë të Hasan Mekulit nga Igumenica (Greqi), një kartolinë të Haxhi Krasniqit nga Prizreni, një kartolinë të Nazmi Shurdhanit nga Gjermania demokratike, si dhe një letër të Skënder Gashit nga Prishtina.
Megjithatë, një rrethanë është favorizuese në këtë kohë. Është koha kur mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë zhvillohen, ose përpiqen të zhvillohen marrëdhënie të mira politike dhe fqinjësore, mbështetur kryesisht në nevojat e shqiptarëve të Kosovës. Është koha kur në ish-Jugosllavi bien nga skena politike dhe policore disa personalitete serbe, të cilët që nga viti 1944, në emër të Beogradit, në Kosovë kishin udhëhequr një sistem të dorës së fortë policore-ushtarake. Kjo është koha e një lëvizjeje arsimore, kulturore dhe shkencore, me përpjekje të botimit të arritjeve më të reja letrare, arsimore dhe shkencore në Tiranë. Në këtë kohë arrihet marrëveshja ndërmjet Universitetit të sapothemeluar të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, për mbajtjen e ligjëratave nga profesorë të Tiranës. Një prej profesorëve të Tiranës, i cili më shumë se një profesor universitar, më shumë se një shkencëtar me përmasa kombëtare dhe evropiane, bëhet një hero, për të mos thënë një mit, që përcillet nga studentët, profesorët dhe intelektualët shqiptarë nga Universiteti në hotel dhe anasjelltas është profesor Eqrem Çabej. Në këto rrethana, sigurisht bëhet edhe këmbimi i adresave mes komunikuesve të parë, për të mos thënë të gjithë atyre që në një mënyrë apo një tjetër kërkojnë mundësinë për t’i dërguar mesazhet e tyre në adresë të Profesor Çabejt. Prej vitit 1971 deri në vitin 1980, ku më shumë e ku më pak, me Profesor Eqrem Çabejn shkëmbejnë letra apo kartolina: Anton Çetta, Anton Nikë Berisha, Eric Hamp, Gani Bobi, Hasan Mekuli, Haxhi Krasniqi, Ibrahim Rugova, Isa Bajçinca, Ismail Dumoshi, Ismajl Doda, Mehdi Bardhi, Mehmet Gjevori, Murat Blaku, Nazmi Shurdhani, Rexhep Ferri, Rexhep Ismajli, Rrahman Dedaj, Skënder Gashi, Vehap Shita dhe Zef Mirdita. Një kartolinë e shkruar nga Greta Dellçeva, (nënshkruar edhe nga Mehdi Bardhi, Isa Bajçinca, Imri Badallaj, Oda Buchholz, Dalibor Brozoviq, Wilfried Fiedler, Johannes Faensen, Rexhep Ismajli, Leonard Newmark, Papa Emanuel Jordani, Irina Voronina, dhe Galja Bregibova), grup seminaristësh dhe profesorësh në ditët e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, paraqet një dëshmi tjetër të dorës së parë në letërkëmbimin me Profesor Çabejn.
Diskutime shkencore dhe kërkesa kolegiale
Komunikimi ndërmjet tyre intimizohet edhe për faktin se letërkëmbimi ndodh në rrethana shumë të veçanta: nga konferencat shkencore, nga institucionet arsimore dhe shkencore në ish-Jugosllavi dhe Evropë. Në këtë grup mesazhesh hyjnë kryesisht letrat e Profesor Rexhep Ismajlit, Ismail Dodës dhe të Skënder Gashit.
Mbështetur në tekstet e letërkëmbimit të studiuesve të Kosovës dhe Profesor Çabejt, ne këtu mund të bëjmë një tipologji të interesimeve të tyre për komunikim, e këto janë:
Tema e madhe e botimit të veprave të plota të tij (Mehmet Xhevori, Rrahman Dedaj dhe Ahmet Kelmendi);
Interesimet thjesht personale të studiuesve (Anton Nikë Berisha, Haxhi Krasniqi) dhe
Tema e interesimeve shkencore, e cila i kapërcen interesimet personale të njërit apo tjetrit dhe merr përmasa të interesimeve të përgjithshme albanologjike (Rexhep Ismajli, Ismajl Doda dhe Skënder Gashi).
Letërkëmbimi mes Profesor Çabejt dhe redaktorëve e drejtuesve të projektit të botimit të veprave të plota të Profesor Çabejt në Shtëpinë Botuese “Rilindja” hap mundësinë e identifikimit të plotë të bartësve të vërtetë të këtij projekti të rëndësishëm përtej interesave thjesht albanologjike. Prej letërkëmbimit me Profesor Çabejn mund të shihet qartë se ky projekt i përmasave kombëtare është drejtuar nga vetë Profesor Çabej, e jo nga individë apo grupe të caktuara, që përtej interesimeve gjuhësore, qenkan udhëhequr nga ideologjia e vetëdijesimit të kombit, në mos bërjes së tij.
Prej letërkëmbimit të studiuesve nga Kosova del se ideja e përgatitjes së veprave të Profesor Çabejt ka dalë si rezultat i një studimi monografik të Profesor Jup Kastratit, botuar disa vjet më parë në Buletinin e Universitetit të Shkodrës (1965), por që kishte arritur në Bibliotekën e Kosovës në vitin 1971.
Përjashto letërkëmbimin edhe të studiuesve të tjerë, si Ahmet Kelmendi, Skënder Gashi, Nazmi Rrahmani etj., i cili, përveç me probleme të botimit të veprës së tij, lidhet edhe me miqësinë personale, serinë e komunikimit me këtë temë e mbyll Rrahman Dedaj (kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve), i cili, më 6. X. 1975, e njofton Profesorin e nderuar se vepra e tij ishte kryer së radhituri dhe ishte dërguar në shtyp, me mundësi që në vëllimin e fundit (VI) të përfshiheshin edhe studime të tjera.
Ky fakt del edhe mbështetur në letrën e njërit prej redaktorëve kryesorë të “Rilindjes”, Mehmet Gjevorit, më 26 tetor 1971, të cilën ai e ka shkruar në emër të Redaksisë së Botimeve “Rilindja”, për ta marrë mendimin rreth mundësisë së botimit të veprave të plota të tij. Në mesazhin e tij nga Prishtina, të datës 26. X. 1971, Mehmet Gjevori e njofton Profesor Çabejn se Redaksia e “Rilindjes” “mendon që në planin botues të vitit 1972, të cilin është duke e përpiluar, të parashohë botimin komplet të veprave tuaja me një përgatitje shumë të mirë teknike. Për këtë punë, dmth. për mbledhjen e materialit dhe sistemimin e ndarjen e tij në disa libra, Redaksia mendon të ngarkojë 2-3 bashkëpunëtorë të jashtëm si dhe një redaktor të Shtëpisë sonë botuese”. Njëkohësisht, Gjevori e njofton Profesor Çabejn se në këtë punë kaq serioze e me rëndësi, ndihmën më të madhe do ta kishim drejtpërdrejt prej tij si autor. Njëkohësisht, kujton Gjevori, disa punimeve të mëparshme do t’u bënte “tani diku-diku ndonjë përmirësim a redaktim i nevojshëm”. Në mesazhin e tij Gjevori dëshironte ta merrte pëlqimin e mendimin e tij, njëherësh edhe sugjerimet rreth gjetjes dhe sistemimit të tërë punimeve shkencore të Profesor Çabejt.
Lajmin për fillimin e përgatitjes së gjashtë vëllimeve të veprave të Çabejt e gjejmë tre vjet më vonë, në një letër të Mehmet Gjevorit. Letra sqaron edhe disa gjëra të diskutueshme shumë vjet me radhë pas vdekjes së Çabejt: kush e përgatiti veprën e tij, në të vërtetë kush e ndërtoi konceptin e radhitjes së temave dhe vëllimeve të veprës së tij, Jup Kastrati (i cili propozohej në fillim nga Prishtina), vetë Eqrem Çabej, Ahmet Kelmendi, për të cilën ai shpesh ka deklaruar se e ka bërë, apo Redaksia e Rilindjes. Le t’i referohemi letrës së Mehmet Gjevorit.
Në letrën e tij dërguar Profesor Çabejt, Gjevori së pari na njofton se tekstet e tij Profesor Çabej i dërgonte në rrugë të ndryshme, kryesisht dora-dorës:“artikujt që na keni dërguar me Rrahmanin (Dedajn, v. j.) dhe Din Mehmetin i kemi marrë”; së dyti, se ai ishte vetë përgatitësi dhe sintetizuesi i veprave të tij (“Ju e keni kopjen e listës së punimeve, ndarë në gjashtë libra. Prandaj ju kisha lutur t’i hidhni një sy e të na shkruani mos është shënuar me tjetër titull”); dhe së treti, sepse në këtë kohë “libri i parë dhe i dytë janë radhitur. Korrekturën e tyre po e bën Sulejmani (Drini, v. j.). Mbështetur në kërkesat e Mehmet Gjevorit, vetëm vëllimi i gjashtë nuk ishte kompletuar, sepse “Për librin VI na duhet material edhe më”.
Po në këtë kohë një letër për shpjegime dhe plotësime Profesor Eqrem Çabejt ia dërgon edhe kryeredaktori i “Rilindjes”, Rrahman Dedaj, i cili kërkonte disa sqarime: Te Prapashtesat e gjuhës shqipe, “në faqen 96, nr. 151 – ua – ue, në fund të faqes mungojnë disa fjalë greqishte”; te artikulli Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e emrave të vendeve, “në faqen 222 mungon fusnota nr. 7”; te artikulli Histori gjuhësore dhe strukturë dialektore e arbëreshëve të Italisë, “faqe 26 nuk ka shpjegim fusnota 59”; te artikulli Çështja e prejardhjes së ngulimeve arbëreshe të Italisë në dritën…, “harta që gjendet në faqen 24 nuk është e qartë e nuk i lexohen shkronjat”, prandaj kërkohej të dërgohej një hartë tjetër ku duken qartë emrat e shënuara në të. Në letrën e tij Rrahman Dedaj kërkonte që “brenda muajit tetor të na dërgoni sqarime të plota me shkrim me anën e postës”, ndërsa “bashkë me këto sqarime, nëse kishte të gatshme, mund të dërgoni edhe ndonjë punim tjetër që ka të bëjë me librin e VI-të”.
Të një qëllimi dhe të një përmase tjetër ndjenjore, kulturore dhe shkencore janë mesazhet e studiuesit Anton Berisha dhe Skënder Gashi. Pasi e kishte botuar një artikull studimor për kontributin e Profesor Çabejt, Anton Berisha gjente rastin që nga Gottingeni t’i dërgonte një letër me dy-tri fjalë nderimi e respekti dhe një separat të studimit të tij, të botuar tek e përmuajshmja shkencore e Prishtinës “Përparimi”, në “të cilin ishte botuar edhe një punim i tij tejet modest për mendimin e Çabejt mbi disa probleme të letërsisë sonë gojore”. “Ju pata bërë me dije qysh në Tiranë (në ekspeditën shkencore me prof. Latifin (Mulaku, v. j.) – maj – qershor 1978), – shkruan Anton Berisha, – se jam duke shkruar diçka rreth mendimit Tuaj mbi letërsinë gojore. Një punim u botua ne “Rilindje” (i nxitur nga rrethanat e momentit apo, më mirë, lidhur me kontekstin kohor – aktual; besoj se ju ka ra në dorë), një version i shkurtër i punimit që po ju dërgoj. Pastaj, iu përvesha ngulshëm punës dhe e përgatita për ‘Përparim’ këtë version. Çka kam menduar rreth disa pikëpamjeve Tuaja mbi letërsinë tonë gojore e jo vetëm mbi të, me një mënyrë ose në një tjetër e kam thënë. Këtu më mbetet të theksoj se do ta ndiej veten aq fatlum nëse do të kem arritur të depërtoj dhe ta shkoqis sadopak mendimin Tuaj mbi disa probleme aq komplekse të artit të fjalës së folur. Them kështu, sepse vetëm ai që depërton thellë në mendimin Tuaj do të shohë drejt se sa vështirë është ta prezantosh e le më ta interpretosh mendimin e shkencëtarit e studiuesit që ka një begati dije e invencion, gjë që shihet sa qartë kur njeriu ka parasysh problemet komplekse që shtrohen dhe mënyrën e qasjen e të interpretimit”.
Në komunikimin e studiuesve nga Kosova një vend të veçantë zë studiuesi, atëherë shumë i angazhuar në fushë të hulumtimit të toponimisë, Skënder Gashi. Përmasat e këtij komunikimi Gashi i shpreh jo vetëm në letrat e tij, po edhe në kartolinat përshëndetëse.
Në letrën e parë Gashi uron Profesor Çabejn për rrugëtimin e mbarë nga ato udhëtimet mjaft të pasura shkencore që bënte Profesor Çabej në Prishtinë dhe në institucionet shkencore të gjuhësisë së përgjithshme në qendrat ndërkombëtare të Evropës. Në letrën e tij nga Vjena, studiuesi i pasionuar i gjurmimeve albanologjike e njoftonte se vazhdonte punën duke gjurmuar literaturë “që nuk e kisha njohur më parë apo që nuk pat mundësinë ta shfrytëzonte në Prishtinë, duke e plotësuar versionin e fundit të tezës së disertacionit”. Mirëpo në këtë gjendje përfundimtare të sintezës së disertacionit të tij Skënder Gashit i mungonte një prapashtesë sllave: “një gjë që më mundon e që nuk po mundem t’i jap rreh është prania e sufiksave sllavë – ce e – vic (përkatësisht) -ovit ndër emra lokalitetesh që në të vërtetë janë toponimizimi i emrave të vëllezërve shqiptarë. Më patët thënë, shkurt, se prapashtesa (o) – vit është prapashtesë greke. Po të mund të dëshmohej kjo gjë, atëherë përfundimi që do të nxirja në tezën e disertacionit do të ishte me rëndësi për onomastikën e Kosovës”, shkruante Gashi. Prandaj studiuesi ynë i lutej patriarkut të albanologjisë jo vetëm t’ia dërgonte përgjigjen, por atë ta shoqëronte edhe me literaturë të hollësishme, “me theks të veçantë në fushën e formimit të emrave të vëllazërive”.
Prej letrës së dytë të Skënder Gashit, që njëkohësisht është edhe letra e fundit e tij për Profesor Çabejn, kuptojmë se kërkesat e tij për probleme të thelluara gjuhësore (sufiksat sllavë të toponimisë dhe sidomos patronimisë shqipe), kuptojmë se Profesor Çabej i është përgjigjur nga shtrati ku po kurohej në një spital të Romës. Kjo është arsyeja që falënderimi i Skënder Gashit në letrën e tij kap tri përmasa të rëndësishme edhe për tekstin tonë: përmasën etike të bardit të albanologjisë (“Gëzohem shumë që tani shëndeti ju shkon mbarë. Ky gëzim nuk është vetëm i imi, porse i të gjithë neve që të Ju shohim punëtorin e palodhshëm dhe njëkohësisht burimin e pashtershëm të këshillave të papritueshme dhe të ndihmës së pakursyeshme për të gjithë që përpiqen t’ia shtojnë kalasë së dijes albanistike edhe nga ndonjë gurë”); përmasën shkencore të bindjes së tij në vërejtjet e përcjella në një kartolinë të shkruar në shtratin e kurimit, ndonëse pa literaturën përcjellëse, sikur kërkohej (“Kartolina Juaj, e shkruar në klinikë të Romës nga shtrati ku shëroheshit, lidhur me prapashtesën -ovit mbetet për mua shembulli madh i sakrificës dhe i ndihmës suaj për të rinjtë) dhe kërkesat e reja. Së këndejmi, marr guximin që edhe kësaj radhe me respekt të thellë t’Ju lutem për sqarimin e dy çështjeve: 1. një katund i anës së Bujanovcit quhet Lapardincë. A mund të jetë emri i këtij katundi i së njëjtës gurrë gjuhësore prej nga heq rrënjët emri i vendit Lapardha i Shqipërisë dhe si mund të sqarohen këta emra?; 2. Ndër burime raguzase të mesjetës së vonë del se banorët e viseve shqiptare mbanin edhe antroponimin Vok. Ky emër do të jetë mbase i dalë nga mbiemri shqiptar (i) vogël (si edhe mbiemrat Vogli, Voka, Vokrri, Voca, Bocrri). A mundet që në këtë familje emrash të hyjë edhe toponimi Voksh?”.
Letërkëmbimi Eqrem Çabej – Rexhep Ismaili
Në letërkëmbimin e tij me Profesor Çabejn vendin kryesor zë Profesor Rexhep Ismajli jo vetëm për shkak të numrit të madh të letrave dhe të kartolinave, por edhe për shkak të temave të shumta e serioze me të cilat merret në letrat e tij. Prej letërkëmbimit të tij mund të shihet se ky komunikim fillon në vitin 1970 dhe vazhdon pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së Profesor Çabejt.
Të para në një linjë të gjerë, diskutimet mes Profesor Çabejt dhe Profesor Ismajlit kapin tri çështje të mëdha: orientimet shkencore të Profesor Ismajlit në Paris dhe ndihma e Profesor Çabejt në caktimin e temës së doktoratës, e në këtë rrjedhë edhe të diskutimit të problemeve gjuhësore të historisë së shqipes e të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanike; botimi i veprës së Çabejt në Prishtinë dhe çështja e një Parathënie “tjetër”, si dhe gjendja e studimeve albanologjike në disa nga institucionet shkencore, sidomos në Gjermani, të lidhura ngushtë edhe me bartësit e tyre.
Çështja e parë, orientimet shkencore të Profesor Ismajlit në Paris, nën përkujdesjen e Profesor Çabejt, hedhin dritë edhe në orientimet shkencore të Profesor Çabejt dhe qëndrimit të tij ndaj personaliteteve shkencore të shkollave moderne (Martinet etj.) emrat e të cilëve ishin të padëshiruar në shkencën shqiptare. Profesor Ismajli këtë ndihmë, që nuk ishte e rastit vetëm për të, por për gjithë brezin e ri, përkatësisht të tij, e ka theksuar edhe më parë, madje duke sjellë edhe ndonjë fragment letre të tij. Diskutimet e Profesor Çabejt dhe udhëzimet që ia dërgonte Profesor Ismajlit në lidhje me temën që duhej ta diskutonte me Profesor Martinet, na dëshmojnë se bibliografia e vendosur në veprat e Çabejt nuk përfaqëson gjithnjë kulmin e dijes së tij në shkencën e linguistikës. Përkundrazi, ai përcillte dijen më të re të kohës edhe atëherë, kur emrat si Sosyr, Martinet, Sapir etj., shkenca zyrtare shqiptare i përjashtonte nga letrat shqipe nën pretekstin se ata përfaqësonin shkencën borgjeze të Evropës.
Botimi i kompletit të veprave të Profesor Eqrem Çabejt në Prishtinë ka qenë një prej projekteve më të mëdha, në mos më i madhi, madje më i vështiri në fushë të botimeve shqipe në Prishtinë deri më sot. Kjo është arsyeja pse kjo temë do ta zinte vendin e merituar në komunikimin e Rexhep Ismailit dhe Eqrem Çabejt, i cili fillon me urimet e zakonshme, vazhdon me njoftimet për mirëpritjen e tij në hapësirën shqiptare, madje me përpjekjen për popullarizimin e tij jashtë hapësirës shqiptare dhe shkon deri te komentet intime të tyre. “Para pak ditësh, shkruan Ismajli, pata një kërkesë nga Zagrebi që të shkruaj diçka për veprat Tuaja. Meqenëse e di se ajo revistë nuk ju vjen në Tiranë (është revistë kulturore “Oko”, në të deri tash janë prezantuar shumë çështje të kulturës shqiptare, ndër të tjera, vetë kam prezantuar edhe Kadarenë dhe Fatos Arapin si poetë, e pastaj në një numër edhe poezinë e sotme arbëreshe), vendosa t’Jua dërgoj kopjen e dorëshkrimit. Nuk kam mundësi tash ta përkthej, por kujtoj se kjo s’ka rëndësi. Më falni që në kopjen që u dorëzua për botim janë bërë disa ndryshime, shtesa, e këtu s’pata mundësi t’i vë. Më gëzoj shumë fakti se edhe ata e kanë hetuar rëndësinë e këtij botimi dhe duan të flasin për të”.
Në komunikimin e përditshëm në Prishtinë, shumë kohë pas botimit të veprave të Profesor Çabejt, jo një herë është theksuar një ‘si dëshirë’ e Profesor Çabejt që Profesor Rexhep Ismajli të merret me përgatitjen e veprës së tij. Tani ne këtë nuk mund as ta pohojmë as ta mohojmë dhe ky nuk është as qëllimi ynë. Këtu duam të sjellim një fakt që del nga letërkëmbimi i tyre: pakënaqësinë e Profesor Ismajlit me Parathënien e vendosur në vëllimin e parë nga Akademiku Idriz Ajeti, e cila, sipas tij, duhej të ishte “pak më eksplicite duke nisur nga metoda e deri te pikëpamjet për problemet kryesore”, si dhe gatishmërinë e tij, po të kishte kohë, që në një botim tjetër të merrej me përgatitjen e “një biografie me një parathënie të njerëzishme”.
Një temë tjetër që del në letërkëmbimin e tyre, sigurisht nga më të rëndësishmet, është gjendja e studimeve albanologjike në hapësirën evropiane. Është koha kur Profesor Çabej nuk mungon në aktivitetet shkencore me karakter ndërkombëtar, por për shkak të qëndrimit zyrtar që diktohej në jetën shkencore, nuk ishte e mundur ta shihte gjerësisht lëvizjen shkencore, përmasën e përfshirjes së shqipes në ligjëratat dhe diskutimet shkencore në katedrat e institucioneve arsimore dhe shkencore, si dhe nivelin e angazhimit të ligjëruesve të shqipes, të ballkanistikës dhe të indoevropianistikës. Në anën tjetër, Profesor Ismajli, një studiues i ri dhe me mundësi të pakufishme angazhimesh, lëviz nga njëri seminar në tjetrin dhe nga njëri institucion shkencor në tjetrin jo vetëm në hapësirën ballkanike, por edhe evropiane. Në këtë rrugëtim ai i dërgon Profesor Çabejt informata të gjëra për botimet albanologjike dhe ato me interes për linguistikën përgjithësisht, por edhe “mungesën e shqipes në ligjëratat e studimeve krahasuese, të cilat i ndiqte në Francë, Austri e Gjermani, për botimet e reja me interes edhe për gjuhësinë historike e standardin e shqipes, por edhe për degjenerimin politik të ndonjë lektorati, si ai i Bochumit, të cilin e udhëhiqte Profesor Dodići.
Sigurisht, një prej temave interesante për të cilat shkruajnë në letërkëmbimin e tyre Eqrem Çabej dhe Rexhep Ismaili janë edhe diskutimet rreth teksteve të Rexhep Ismailit me mundësi botimi në Tiranë dhe vështirësive që i dalin gjatë periudhës së parë të kërkimeve të tij shkencore në fushë të dijes në Paris, si dhe në fushë të arritjeve shkencore në Prishtinë.
Letërkëmbimi Eqrem Çabej – Ismail Doda
Letërkëmbimi i studiuesit nga Arbneshi, një oazë etnike, arsimore dhe shkencore e shqiptarëve në Mal të Zi, Ismail Dodës, fillon me një letër mjaft të gjatë prej gjashtë faqesh, të cilën ai ia nis Profesor Eqrem Çabejt, nga Arbneshi, më 30.6.1975.
Në tërësinë e komunikimit të studiuesve shqiptarë nga ish-Jugosllavia, letërkëmbimi i Ismail Dodës dhe Eqrem Çabejt paraqet pjesën më të pasur të diskutimeve shkencore.
Në letrën e tij të parë Ismail Doda ia kujton Profesor Eqrem Çabejt, se njohja e tyre kishte filluar më 1972, gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, ndonëse nëpërmjet literaturës e njihte që më parë. “Prore i mbaj në zemër këto kujtime. Ndaj sinqerisht ju falënderoj mbi gjithë atë që i dhatë kombit dhe shkencës sonë. Njëkohësisht ju uroj shëndet dhe suksese edhe në të ardhmen!” – shkruante Doda. Në këtë rrjedhë, në letrën e tij e njoftonte mjeshtrin e tij se kishte njohuri për punën që po bëhej në Prishtinë për botimin e veprës së plotë të tij, prandaj shprehej “me padurim e pres botimin e kompletit të veprave Tuaja”.
Një paragraf më vete në mesazhin e tij paraqet përshkrimi i situatave tragjike në familjen e tij (vdekja e vajzës njëvjeçare, e babait, e sëmundjes së rëndë të gruas etj.), të cilat, shkruan Ismail Doda, “u orvata t’i përballoj me durim dhe punë sistematike”. Se përpjekjet e tij vërtet ishin “sistematike”, dëshmojnë edhe të dhënat mjaft të pasura të punës së tij në këtë kohë. Gjatë kësaj kohe, pavarësisht gjendjes së rëndë familjare nëpër të cilat kalon dhe pavarësisht prej detyrave të shumta që i dalin në administrimin e shkollës, të cilën e drejton, Ismail Doda njofton Profesor Çabejn se, përkundër vështirësive, me punë sistematike dhe “vullnet të çelikosur” po përpiqej t’i kontribuonte vendit dhe shkencës albanologjike, ndërsa konsultimet dhe këshillimet, qofshin ato edhe përmes korrespondencës, ishin të një vlere të madhe. Është kjo koha kur Ismail Doda vjelë toponomastikë, frazeologji, folklor dhe fjalë të rralla, trajta nëndialektore etj., ndërsa po përgatitej të merrej me një projekt mjaft serioz në fushë të gjuhësisë shqiptare: studimin “Rreth përkimit të gjuhës së Buzukut me ligjërimet e Krajës dhe të Shestanit”, të cilën ia kishte sugjeruar Profesor Çabej më 8.12.1972 gjatë ditëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”.
Mirëpo, shkruan Doda, “momentalisht jam duke shkruar një punim mbi poezinë popullore shqiptare të Krajës për Kongresin e Folkloristëve Jugosllavë, që do të fillonte më 28 gushti 1975 në Zhablak të Malit të Zi”, dhe në këtë përpjekje të tij për të përgatitur një studim sa më sintetik dhe sa më përmbajtjesor, i dilnin disa probleme të natyrës terminologjike, kuptimore dhe historike e kulturore.
Çështja e parë për të cilën ai dëshironte të diskutonte ishte toponimi apo sikur e quante ai termi Krajë, sepse serbët e quanin Krajina. Në të vërtetë letra e Dodës hap një informacion shumë sintetik dhe saktësues për politikën serbe që udhëhiqej ndaj kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi, sidomos ndaj trashëgimisë gjuhësore të shqiptarëve në Mal të Zi.
Ismail Doda në letrën e tij dëshmon për fillimet e krijimit të trajtës serbe për emërtim të Krajës si Crnogorska Krajina. Për dallim prej Bosanska Krajinës, Negotinska Krajinës etj., shkruan Doda në letrën dërguar Profesor Çabejt, këtë (Malësinë e Mbishkodrës, v. j.) kanë zënë ta quajnë Crnogorska Krajina, në vend se të quanin Skadarska Krajina. Unë mendoj ta quaj Krajina (me shënim se në shqipe quhet Krajë-a) na Skadarskom jezeru, që do të thotë Kraja mbi Liqe të Shkodrës. Por, nuk është krejt me vend sa ky emërtim, më se di unë, para ardhjes së sllavëve në këto anë kjo krahinë u quajt Lugina e Rromeneut, sipas malit Rumia. Një shpjegim i tillë jepet në Acta Albaniae II, dok. 770:. 239. Çka mendoni Juve?
Pasi shpjegonte anët historike, etnografike dhe analizën ideo-estetike e fatin historik të heronjve të tyre, Doda e njihte Profesor Çabejn me disa materiale “mjaft kontestuese”, që të tilla vazhdonin të qëndronin që nga fillimi i shekullit XX dhe vazhdojnë të jenë në disa përmasa edhe sot. Në letrën e tij Ismail Doda kontestuese i shihte përpjekjet e studiuesve serbë për “ndikimin e këngëve popullore – kreshnike në ato shqipe, posaçërisht gegënishte, si dhe termin kreshnik, të cilin shumë shkencëtarë e konsiderojnë me prejardhje serbe”.
Mbështetur në të dhënat e hulumtuara të tij, kryesisht të materialeve të proveniencës sllave: Pavle Mijoviq, Alojz Shmaus, Radosav Medenica etj., studiuesi Ismail Doda kërkon “sqarime mbi këto mendime të këtyre shkencëtarëve”, madje edhe të një natyre që kapin përmasa të paimagjinueshme edhe për një shkencëtar si Profesor Çabej, prej të cilit kërkonte që ‘mundësisht, të njoftohej se kush ka shkruar dhe publikuar këngë nga Kraja dhe Shestani në shqipet apo edhe në gjuhë të huaja, prej kohëve të vjetra gjer më tani’(!) Me këtë rast, – vazhdonte kërkesat e tij Ismail Doda, – të më tregoni titullin e këngës, materialit, numrin e revistës, veprën, faqen, vaktin e botimit, botuesin dhe kërkesat e tjera shkencore, duke dhënë edhe mendimin Tuaj mbi to, nga aspekti ideo-estetik dhe stilistik’(!) Mbase është me interes jo vetëm për kërkuesin e kësaj letre, po edhe për studimet çabejane përgjithësisht, shënimi i Dodës në letërkëmbimin e tij, për “disa këngë popullore të Krajës të mbledhura, nga Çabej dhe të deklaruara prej tij gjatë takimit të tij me Dodën në vitin 1972. Më sa më kujtohet, ato i keni shënuar nga një kranjan gjysmë analfabet që jeton në RP të Shqipërisë. A mendoni t’i botoni së shpejti dhe kund? Edhe për to të më shkruani diçka”. Kërkesat e Ismail Dodës për Profesor Çabejn shkojnë deri atje sa ai kërkon hulumtime të tij te revistat “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, të ndaluara edhe për kërkimet etimologjike të Profesor Çabejt.
Letra e parë e Ismail Dodës mbyllet edhe me kërkesa të tjera të natyrës teknike dhe shkencore: “Pres sugjerime dhe ndihmesë rreth titullit të kumtesës, metodologjisë së punës dhe mundësisht rreth dërgimit të ndonjë literature përkatëse”.
Profesor Çabej i përgjigjet letrës së parë të Ismail Dodës pas rreth dy muajsh, duke i kërkuar njëkohësisht edhe ndjesë për vonesën. Në letrën e tij, Eqrem Çabej shpreh dhembjen e tij për humbjen e vajzës dhe babait, por edhe gëzimin për Shpresën e sapolindur. Në letrën e tij Eqrem Çabej gjithashtu e përgëzon për punën e bërë në mbledhjen e visareve folklorike, gjuhësore e toponimike të Krajës, ndërsa ndalet në mënyrë të veçantë, duke ia pohuar mendimin e dyshuar të tij për prejardhjen e emrit kreshnik: “Për sa i përket emrit kreshnik nuk ka dyshim se rrjedh prej sllav. Krajsnik dhe kuptimi i parë i fjalës ka qenë ‘kufitar’, pastaj mori zhvillim të mëtejmë në gjuhën shqipe”. Interesim të veçantë Profesor Çabej tregon edhe për çuarjen përpara të përpjekjeve të Dodës në lidhje me të folmen e Krajës, prandaj e nxit më tej duke i premtuar se do t’ia dërgonte edhe një ekzemplar të “Mesharit” për krahasim, ndërkohë që “tash për tash nuk mendoj të botoj këngët e Shestanit që kam në dorëshkrim”, përfundon letrën e tij Profesor Çabej.
Kartolina si ndërlidhje aktive e komunikimit
Komunikimi ndërmjet tyre bëhet jo në një linjë të natyrshme (adresa familjare apo institucionin ku punojnë), por nga pika të ndryshme të globit. “Adresat” e studiuesve shqiptarë janë pikat turistike, qytetet qendrat e ekskursioneve, vendpushimet turistike, në të cilat gjenden zyrtarisht apo rastësisht, si dhe adresa gjithherë zyrtare (Tirana) e Profesor Çabejt. Në këtë listë komunikimi, me pak përjashtime, hyjnë numri më i madh i letrave të studiuesve dhe kryesisht i kartolinave. Profesorë universitarë, gjuhëtarë të rinj, studiues të letërsisë, të folklorit e të etnologjisë, arkeologë dhe historianë të përkushtuar në studimet albanologjike, lexues të pasionuar të veprës së tij, i shkruajnë Profesor Çabejt nga qytetet ku kanë shkuar zyrtarisht, nga institucione ku kanë shkuar për kërkime shkencore, apo nga vende ku kanë shkuar për pushime familjare, dhe ia përcjellin urimet e tyre më të përzemërta për shëndetin e tij dhe të familjes së tij. Të kësaj natyre janë letrat e përgëzimit dhe kartolinat e dërguara nga shumë qytete të Kosovës, ish-Jugosllavisë dhe Evropës e Mesdheut.
Në kartolinat e tij nga Prishtina Anton Çetta e uron Profesor Çabejn për Vitin e Ri 1975, përkatësisht për vitin 1978 dhe, përveç në gjuhën shqipe, e bën edhe në gjuhën frënge, ndërsa nga Zagrebi shëndet e të mira i uron Gani Bobi.
Se personaliteti i Profesor Çabejt është bërë pjesë jo vetëm e studiuesve, po edhe e familjes së tyre në momente pushimi, dëshmojnë edhe letrat që Hasan Mekuli ia ka dërguar nga qyteti i Ohrit apo Igumenicës, në të cilat pushonte familjarisht, ndërsa po me këtë diskurs intim shprehen në kartolinat e tyre nga Prishtina dhe Prizreni (Haxhi Krasniqi), nga Prishtina (Ismail Dumoshi) dhe nga Gjilani, Dubrovniku, Prishtina e Gjermania Demokratike (Nazim Shurdhani), të cilët, përveç shprehjeve të zakonshme për dashurinë e miqësinë që kanë ndaj personalitetit të tij, përzemërsinë e tyre e zgjerojnë edhe me respektin që kanë ndaj familjes së tij (gruas dhe vajzës) edhe anëtarët e tjerë të familjes së tyre: baballarët, nënat, vëllezërit dhe motrat e tyre. Ndonjëri prej tyre madje nuk heziton të ankohet te Profesori i nderuar edhe për gjendjen e vështirë shëndetësore në të cilat ka kaluar familja e tij – nga Arbneshi, Kraja e Malit të Zi, Pirani i Kroacisë dhe Zhablaku i Serbisë (Ismajl Doda), ndërsa një tjetër nuk heziton që mallin e shprehur në letrat e të tjerëve dhe të tij ta përmbyllë “me lot në sy” (Nazmi Shurdhani).
Po e kësaj natyre është edhe kartolina e Murat Blakut nga Tunizia, kartolina e Rexhep Ferrit nga Budva e Malit të Zi, sidomos kartolina e gjuhëtarit të shquar amerikan Erik Hamp nga Plava e Malit të Zi. Një komunikim të dendur për nga numri i madh i kartolinave dhe përshëndetjeve, kujtimeve e përgëzimeve, përbëjnë ato që janë dërguar nga Budva e Malit të Zi, nga Poreçi i Kroacisë, nga Roma, nga Zagrebi, nga Parisi, nga Prizreni, nga Beogradi, nga Dibra, nga Gjermania Demokratike, nga Jena (Gjermania Demokratike), nga Londra, Petrovaci (Kroacia), nga Presheva, nga Rumania, nga Sfeti Stefani (Maili i Zi), nga Zara, nga Kryshevci i Serbisë, nga Munihu, nga Bukureshti, nga Deçani, nga Lenggries i Gjermanisë me autorë Rexhep Ismajlin. Ndonëse Profesor Ismajli një komunikim të dendur me Profesor Çabejn e bënte nëpërmjet letrave të shpeshta, jo rrallë nuk kursehet ta njoftojë mjeshtrin e tij edhe nëpërmjet kartolinave, për lëvizjet e tij, për pjesëmarrjen e tij në seminare e konferenca shkencore, për shqetësimet e tij familjare, për respektin që ka ai dhe familja e Profesor Çabejt në rrethin e tij familjar, për ndonjë komunikim me studiues të huaj e vendor dhe për ndonjë iniciativë të rastit. Në këtë rrjedhë do thënë se Profesor Ismajli është i vetmi komunikues me Profesor Çabejn, pas emrit të të cilit, në kartolinë jo rrallë gjenden edhe emra të tjerë: Erik Hamp, Ibrahim Rugova, Zef Mirdita, Gani Bobi etj.
Kartolina nga Prishtina të nënshkruara kur në emrin e tij e kur në emër të Redaksisë (fjala është për Redaksinë e botimit të veprës së Profesor Çabejt nga “Rilindja” në Prishtinë), i shkruan Mehmet Gjevori për probleme të natyrës teknike rreth botimit të veprave të plota të tij; Vehap Shita nga Sfeti Stefani, Zef Mirdita nga Heidelbergu i Gjermanisë Demokratike, Zagrebi e Prishtina, Ibrahim Rugova nga Parisi, Muhamet Tërnava nga Gjermania Demokratike etj. Në kartolinat e tyre ata njëkohësisht shprehin atmosferën familjare të të nënshkruarve, nderimin që atij i bëhej në familjet dhe institucionet e tyre, kujtimin që e ushqenin nga ditët kur kishin pasur rastin ta njihnin për herë të parë, nderin që do t’ua bënin në rast të një vizite rasti në familjet e tyre etj.
Në letërkëmbimin e studiuesve nga Kosova, sigurisht me shumë interes është edhe diskursi i komunikimit të tyre me Profesor Çabejn. Pothuajse në të gjitha rastet kartolinat, letrat përgëzuese (kryesisht për Vitin e Ri) dhe letrat me kërkesa e diskutime nga më të ndryshmet, nisin nga një intimitet i skajshëm kolegial, me cilësorë e epitete nga më të lartat dhe nga më të ndryshmet. Për diskursin e komunikimit është me shumë interes të lexohen vetëm paragrafët e parë a të fundit, të mesazheve të tyre, si: “Shumë i nderuari Profesor”, “Na mori malli të shihemi”. (Rexhep Ismajli), “Fort i dashur shoku Prof. Eqrem Çabej (Hasan Mekuli)”, Duke pritur me kënaqësi e mburrje përgjigjen Tuaj (Skënder Gashi), “Fort i dashur mik”, “I nderuari për jetë profesor i dashur Eqrem Çabej”, “Tungjatjeta i nderuari shoku Prof. Eqrem Çabej” (Haxhi Krasniqi), “I dashur dhe i nderuari Z. Profesor”, “Seher gehrter Herr Professor” (Zef Mirdita), “Përqafime”, “Me lot në sy” (Mehmet Shurdhani), “I ndershëm Z. Profesor” (Mehmet Gjevori)etj.
Të shikuara nga një aspekt tjetër sintetik diskursi i tyre do të mund të matej me shkallën gramatikore të shkallës sipërore të mbiemrave (në tekstin hyrës dhe përmbyllës të kartolinave apo të letrave) dhe ma shkallën sipërore të ndajfoljeve (në pjesën e brendshme të letrave dhe të ndonjërës prej kartolinave) që përcjellin mesazhet e tyre të komunikimit.
Duke përfunduar
Interesimin e studiuesve të Kosovës për veprën e Çabejt në vitet ’70 e kanë shprehur edhe numri i madh i letrave e kartolinave që ata ia kanë dërguar Profesor Çabejt nga Kosova dhe nga qytete të ndryshme të botës, në një kohë që letërkëmbimi, si për studiuesit e Kosovës ashtu edhe për ata të Shqipërisë, ishte me pasoja. Në letërkëmbimin e tyre diskutohen një varg çështjesh gjuhësore, historike, etnologjike, kulturore dhe familjare. Letërkëmbimi i tyre është i rëndësishëm njëkohësisht edhe për dokumentaritetin që përshkon, mënyrën e komunikimit (adresarin), mesazhin që bartin ato dhe diskursin e komunikimit.