Mik i dashun,
Letra e Juej dt. 23 mars ka mbrrijtë gadi para nji mueji në Beligrad, por unë nuk u gjindsha këtu. Kam dalë jashta Beligradi tash dy muej për të mujtë me punue në fjalor, qetësisht, prandej letra e Juej në dorë t’eme ra para gjashtë ditësh. Ju falnderoj shum për këshillat e nevojshme si për fjalor si për at gabimin e U dhe JU. Ju e dini se në shkollën Saverjane, ku kam mbarue gjimnazin, kjo trajtë na mësohej n’at kohë po ashtu si thoni Ju, por Kristoforidhi më ka bâ me e ndrrue. Kam vu oroe se këtu paska hy në modë kjo formë. Aman sa keq kishte me m’ardhë po qe se ky gabim ka hy edhe në poemthin!
Para do ditësh pashë nji përkthim t’Uejin, të librit të Gjorgjeviqit mbi ne. Un njof shum mirë të nipin, nji djalë shum inteligjent me mendime kryekëput kosmopolite. Qesh dhe e ven në lojë gjyshin për naivitetin e tij. Ma ka provue me fakte se familja e tyne âsht origjinë shqiptare dhe se llagapi i tyne nuk âsht Gjorgjeviq por FURKA. I pari i tyne ka pasë shum dele, âsht martue me nji vllahe dhe ka fillue me u marrë me tregtí, tue lanë kështu blegtorín dhe bjeshkët e Nemuna. I nipi habitet si ka mujtë me folë ashtu kundra vehtes Vladani. Ai merret me psikologji dhe fillon me e spjegue n’at mënyrë.
Fjalorin e Kristoforidhit e kanë parapa në planin e botimeve si ribotim, prandej jam lëshue me të tana forcat me e pregatitë sa mâ parë. U gëzova kur lexova në letrën t’Uej se dhe si botim i dytë po qe se pregatitet ky fjaluer bahet punë e madhe. Përvoja tri vjeçare në këtë punë më ka vërtetue se mâ e mira punë qi mund të bahet për Kristoforidhin âsht kjo. Në këtë letër po Ju dërgoj nji fletë të punimit, pa e zgjedhë që të jetë tipike, bile faqen që e kam përduersh në vijim të punës. Prej kësaj faqe keni me pa kjartas punën që bâj, por po Ju rrjeshtoj dhe disa parime të cilave u jam përmbajtë:
ά) Transliterimi besnik i origjinalit; β) Renditja e fjalëve si mbas alfabetit t’onë të soçëm, ose kam bâ nj skedar të ri; γ) ato gabime, që duken se janë fare gabime shtypi i kam ndreqë; δ) Kristoforidhi nuk ka nji sistem të caktuem në shenjat e pikzimit, unë jam mundue me mbajtë nji sistem; ε) Terminologjin gramatikore fjalori e ka në gjuhën greke, unë e kam përkthye në latinishte; ζ ) në disa vende auktori ( p.sh. në faqen 140 fjala KAMSHË ase fjala DALLANDYSHË-A faqe 91 etj) si gjuhë spjeguese përdor vetëm greqishten, në këto rasa për brí tekstit grek vê dhe përkthimin në gjuhën shqipe (ndër kllapa me gërma të vogla). Në disa vende ndër kllapa kam shtue dhe disa sinonime, gjetë ndër fjalorë të tjerë por këtë e kam bâ fort rrallë. Këtë përkthim e kam bâ në mënyrë që fjalori të jetë sa mâ i përdorshëm në shkolla shqipe këtu, ku greqishten nuk e kuptojnë; η) Shenjat fonetike, në fjalor janë fare në rregull, unë i kam lanë ashtu si janë.
Ju lutem fort për çdo gjâ, që të mos Ju pëlqejë më lajmroni sa mâ parë. Këshillat e Jueja do t’i marr para sysh se me të vërtetë kurkush deri më sot nuk më ka folë me kaq kompetencë mbi këtë fjalor. Të jeni të bindun se sot ase nesër (bile kam me u mundue në parathanien e fjalorit) të çfaqi botnisht ndihmën e Juej. Jam vetëdijës se për këso punësh jam ende i papjekun, por nevoja bân qi magjypi t’i dalë zot Dinit.
Gencit shumë të fala. Poemthin do të ja dërgoj. Këtë vjetë do të shtypi nji kolekcjon poezish, të cilat G. kanë me i pëlqye mâ fort se Fyelli. Po u intereson poezija e eme shumkuj këtu, por po më kritikojnë si anakronist në tematikë: POLITIKA në numrin e nji Majit. Ju përshëndes me nderim.
Beligrad 12 – V – 1954 Martin Camaj
Fort i dashuni mik,
Mora letrën t’uej dt 14 – VII – 1954. Tash e mora vesht se më paskeni pasë dërgue dhe nji letër mbi çka Ju kam pasë pyetë dhe e cila nuk më ka ra në dorë. Nejse! Prej kësaj po marr vesht se si Ju mendoni qi të botohet fjalori i Kristoforidhit. Kjo mënyrë më pëlqen shumë, por për mue âsht shum vështirë me e redaktue Kristoforidhin, pse mâ së parit nuk e ndiej vedin aq të fortë për nji punë të këtillë, së dytit dhe po të kisha fitue nji përvojë aq të madhe tash katër vjet, ç’kur punoj në këtë fjalor, mbi Kristo., po shof se, si i ri qi jam, kam duert e lidhuna. Qe p.sh. kam hjekë të zit e ullinit me e mprojtë pikpamjen e sugjerueme nga Ju mbi Ë-n dhe E-n. Pra Instituti albanologjik, me të cilin kam dhe kontratën për botimin e fjalorit, lyp kategorikisht qi fjalori i Kristoforidhit të shtypet si ribotim ase si botim i dytë pa kurrfarë redaktimi posë ndreqjeve të gabimeve të shtypit. Pra puna e eme në këtë fjalor mbetet si pregatitës i leksikonit të Kristo. për botimin e dytë. Instituti, i sugjeruem nga Riza kryesisht, më ka dhanë autorizimin qi të paraqes bashkë me punim dhe nji studim të gjatë mbi të metat dhe meritat e Kristoforidhit dhe me ç’kriter kritik do të merret vepra në fjalë. Prandej shum mendime t’Ueja mbi Kristoforidhin, të shprehuna në revistën Leka dhe me letra kam me i përdorë në këtë studim. Pikpamjen e E-s dhe Ë-s do t’a mproj deri në fund pse më duket e drejtë. Studimin e kam menden me e shtrue mbas metodës së Mario Roques, qi ka praktikue në studimin e bâmë mbi Bardhin, natyrisht tue i a përshtatë natyrës së veprës së Kristoforidhit. Këtu kishit mujtë me ndihmue pa masë, sidomos mbi parimet gjuhsore të Kristo., tue marrë parasysh dhe influencimin e tij nga greqishtja. Kam marrë shumë shënime gjatë punës. Shof se nji farë Simon Shuteriqit paska qenë shum i entuzjazmuem bash për këto influencime greke. Xhuvani shum gjana ase pikpamje të Kristoforidhit i ka paraqitë si të vetat ( deri sa ai nuk thotë se kështu ka mendue dhe Krist.).
Në këtë punë dishroj me qenë i drejtuem nga Ju dhe këtë ndihmë, me e ditë se bâhet deti kos, do t’a shfaqi botnisht. Pasunin gjuhsore t’Uejën, të mbledhun me decenje tue Ju kushtue mund dhe kohë, duhet me e çmue. Fjalën e vet objektive kanë me e thanë mbi këta vetëm brezat e ardhëshme, me pa ansí të plotë, por edhe na, me sa mundsí kemi, do të mundohemi me Ju a njoftë, pse, si fillestar, unë po e shof se sa mund i madh e kujdes u deshka në këto punë.
Në këto dit del nga shtypi nji libër i vogël vargjesh prej meje me titull “ KANGA E VËRRINIT”. Mbrenda jave do të Ju a dërgoj bashkë me disa libra të Selman Rizës dhe katalogun e Shtëpisë botuese MUSTAFA BAKIJA. Djali i Korçës më ka pasë premtue nji libër dhe s’ma dërgoi. Shum Ju falënderoj për fjalorin e Mann-it, të cilin e mora. Por ndera mâ e madhe për mue asht përvoja dhe këshillat shkencore, të cilat i çmoj shumë. Pra, tue pasë parasysh dhe nji fjalí t’Uejën: “dhe nji botim i Kristoforidhit do me thânë shumë”, do të jem i kënaqun dhe me kaq. Mbrenda njizet ditësh kam me Ju dërgue edhe nr. Jubilar të Jetës së Re, qi do të dalë për së shpejti. Në katalog shikoni dhe për çdo gjâ qi Ju intereson më shkrueni.
Ju përshëndes me nderim e miqsisht.
I Jueji
Martin Camaj
- Camaj : via delle Azalee 128/35Centocelle – Roma
Komentet