Në Muzeun Historik kushtuar Skënderbeut duhet të vendoset domosdoshmërish edhe letra origjinale e Nolit, të cilën ia dërgoi Dr. Agim Lekës sipas kërkesës së tij. Ajo letër i shërbeu Dr.Lekës për të argumentuar dhe dokumentuar protestën drejtuar Editorit të Enciklopedisë më të madhe Britanike për të korrigjuar origjinën e Skënderbeut nga serbe në autentike shqiptare. I ndarë prej më shumë se 74 vitesh nga vendlindja, nuk mungoi të ngrinte zërin dhe të shkruante në organet më të njohura të shtypit botëror; letra, artikuj, peticione, në emër të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Nuk duhet harruar kontributi i Dr.Lekës me rëndësi kombëtare: PROTESTA që i bëri asaj Enciklopedie për të bërë ndryshimin nga një gabim i shkruar, në fakt, historik.
Në letrën dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave në Tiranë, Prof.Aleks Buda 1988 së bashku me tërë dokumentacionin përkatës, i thekson ndër të tjera, rëndësinë e ruajtjes së letërkëmbimit të tij me Fan Nolin, në kohën kur Ai ishte në komunikim të drejtë për drejtë me te. Ndër të tjera i shkruan Prof.Budës: “Këtu brenda do të gjeni letrën origjinale të Peshkop Nolit, të cilit i isha drejtuar në kapacitetin e tij si historian i Gjergj Kastriotit, Skënderbej dhe të cilën letër dhe dokumentim e përdora për PROTESTËN time Enciklopedisë në fjalë. Letra drejtuar Editorit të Enciklopedisë Britanike është njoftim nga ana Dr.Lekës e një gabimi të shkruar në te, lidhur me prejardhjen e Skënderbeut, në të cilën theksohet se si një legjendë është dhënë si fakt historik. Kështu fillon një maratonë letrash me Fan Nolin dhe Enciklopedinë Britanike që zgjati nga viti 1961-1967, kohë në të cilën përfshihet edhe vdekja e Nolit që mund të shkaktonte ndonjë paqartësi. Por Dr.Leka e kishte në dorë letrën e F.NOLIT ku thuhej në anglisht: “I dashur Dr.Leka: Faleminderit për letrën 11 gushtit. Origjina e Skënderbeut dhe legjenda për origjinën serbe janë diskutuar në librin “Histori e Skënderbeut”, fq.19-20. Po ju bashkëngjis një kopje të këtyre dy faqeve. Siç mund ta dini ‘Histori e Skënderbeut’, ka qenë disertacioni im, për Ph.D. Degree në Universitetin e Bostonit. Ajo është botuar në vitin 1947 nga Vatra, 30 Huntington Ave, Boston 16 Massachusetts. Autori i librit ku çështja diskutohet është Fr.Athanase Gegaj, ‘L’Albanie et l’Invasion Turque au XV-e Siècle”. Ishte tezë doktorale, publikuar nga Universiteti i Louvain, Belgjikë, më 1937. Gjithë çfarë duhet të bëni është të tërhiqni vëmendjen e editorëve të ‘Enciklopedisë Britanike’ për këtë”.
Këmbëngulja e Dr.Lekës ishte e pandërprerë deri sa pritjes së gjatë i erdhi përgjigjja nga Helen, L. Carlock editorial Assistant e Enciklopedisë Britanike, e cila i shkruan se në janar të vitit 1967 do të rishkruhet artikulli i Skënderbeut, sipas autorit Tajar Zavalani dhe ku citohet edhe libri i Noli në bibliografi.
KUSH ISHTE AGIM LEKA
Burim frymëzimi që në rininë e tij kanë qenë rrënjët e familjes.
Dr. Leka, nuk mund të ishte ndryshe, në qëndrimet e tij, sepse ai ishte djali i Av.Rakip Lekës, Student i Zosimeas dhe më vonë i drejtësisë në Universitetin e Stambollit. Ishte i dyti në listën e studentëve shqiptarë që firmosën PROTESTËN e dërguar sulltanit kundër alfabetit arab the në favor të alfabetit latin për gjuhën shqipe me 1908. Ishte përsëri në listën e PROTESTËS të studentëve me 1911, kur ndodhi incidenti në parlamentin turk, goditja pas shpine e Ismail Qemalit, në kohën kur Ai po fliste në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Av. Rakip Leka ishte me origjinë nga Borshi. Një fshat i përmendur për trimëri dhe i shkruar në histori me shkronja të arta, sidomos gjatë periudhës së Skënderbeut. Fatkeqësisht një fshat që ishte bërë shkrumb e hi edhe me shumë fshatra të tjera, nga andartët grek me 1914. Megjithatë, Av.Leka nuk u step nga kjo mynxyrë, krenar për vendlindjen, erdhi dhe e ndërtoi shtëpinë përsëri në fshat. Duke parë se sa vlerë të madhe kishte shkolla shqipe në atë vend, Ai mendonte se vetëm përhapja e arsimit në gjuhën shqipe do ta shpëtonte atë vend nga helenizimi i grabitqarëve grek. Vetëm shkollimi do të çonte përpara emancipimin e shoqërisë shqiptare dhe përparimin e kombit. Në këto kushte, shtëpinë e ndërtuar prej tij e la ta përdornin si shkollë, ku përmendet me respekt dhe sot shtëpia-shkollë e Rakip Lekës. Me idetë e tij përparimtare, Av.Leka iu bashkua lëvizjes demokratike të Fan Nolit, prej së cilës më vonë pati pasoja, por i përballoi me dinjitet. Një frymëzim tjetër, i Riu Leka e merr nga Shkodra, siç e shkruan vetë: “Shkodra ka qenë nëpër shekuj ndriçim diturie dhe një kështjellë krenarie për urtësinë dhe trimërinë shqiptare, për më tepër mishëron lidhjen historike si mburojë e qytetërimit perëndimor.
Nuk ishte e papritur që gjatë sundimit të Italisë Fashiste, kur penda helmuese e priftit italian Fulvio Cordignano sulmoi bërthamën e ekzistencës shqiptare në revistën famëkeqe “Rivista d’Albania” mars 1941, përgjigjja e rreptë doli nga ky qytet historik, nga Shkodra e Teutës, me dy broshura, të cilat me mendimin tim përfaqësojnë fillimin e qëndresës së hapur nga penda shqiptare, kundër sundimit fashist: Broshura “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e kombit shqiptar” nga Nikë Barcolla, pseudonim i Dom Nikollë Mazrrekut. Dhe broshura nga profesorët e Shkodrës “Cordignano në gjyq përpara botës” frymëzuan rininë e Tiranës të bënin demonstrata kundër Italisë Fashiste. Atëherë edhe 18 vjeçari Leka bashkohet me protestën e studentëve, profesorëve dhe klerikëve patriotë nga Shkodra. Më ka surprizuar simpatia e Dr.Lekës pas gegërishtes letrare të Dom Nikollës, kur thoshte se ai ‘fliste një gegërishte të pastër, të ëmbël, ku mbizotëronte idealizmi i tij për atdheun”. Si pjesëmarrës i Konferencës së Mukjes, si ithtar i ideologut nacionalist Mit’hat Frashëri, si nxënës i profesorit të nderuar në Liceun e Korçës, Abaz Ermenji, bashkoi apelin e tij me heroin e rezistencës, Major Abaz Kupin, i cili në vitin 1943, në malet e Krujës, kërkoi një front të përbashkët me të gjitha grupet nacionaliste shqiptare, për t’i bërë ballë sllavokomunizmit. Në atë kohë ishte shumë aktiv në shkrime, parulla, trakte, peticione, që botoheshin te gazeta “LIRIA” e Musine Kokalarit. Këtë qëndrim antikomunist, A.Leka e mbajti edhe kur ishte jashtë Shqipërisë.
Në shtator të vitit 1957 boton në “The Neë York Times” me pseudonimin ILLYRIKUS, artikullin “Për lirinë shqiptare kërkohet një politikë pozitive Amerikane” e nxitur nga vizita e Harrison Salisbury në shqipëri dhe intervista me kryeministrin, M.Shehu. Me 17 Korrik 1971, në ” New York Times”. kur u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë e Greqisë, ku vuri në dukje persekutimet greke në Çamëri në mbrojtje të integritetit tokësor të vendit. Nuk mund të përfshihen në një shkrim të gjithë artikujt protestues të Dr.Lekës për çështjen kombëtare, por po veçoj dy të fundit në mbrojtje të individëve të përfshirë në aspektin nacional. Çdo protestë e Dr. Lekës kishte një tematikë, atë kombëtare, kishte një argument, dokumentin historik, të drejtën ndërkombëtare, kishte një qëllim, zgjidhjen e problemeve etnike. Prandaj mund ta themi me krenari që ishte Doktori, që me publicistikën e tij u përpoq të shëronte plagët e kombit.
Komentet