Aleksandrí, 6 Fruer 1950
I dashuni Atë,
Letra e jote me 20 dhetuer më ka ra në dorë mbas nji mueji, me postë të zakonshme e jo ajrore. Kështu mora vesht për ç’ përgjegje flitshe në letrën tjetër të mâvonshme e t’ ardhun para ksaj me postë ajrore për punë të pasaportit. Ksaj i u përgjegja mejherë e shpresoj qi të ketë rá në dorë letra e ime. Tash po u përgjigjem me sa dij e me sa më merr mêndja atyne pikave historike qi po më pyet.
Nuk dij e deri tash s’e kam ndie asnji herë qi Esad Toptani të ketë qênë mason. Për mue s’ka as gjasë – nuk po them mundsí – kjo gjâ. Këtë mendim e pështes në faktin qi Esadi ka qênë besimtar e aso kohe, sidomos për nji besimtar të thjeshtë, me qênë mason ishte si me qênë i pafé. Pra për mue edhe vetëm me këtë arsyetim gishti masonik në vrasën e tij bie poshtë.
Po unë edhe pa këtê e dij mirë se si âsht vramë Esad Pasha. Avni Rustemi, qi e kam njohun shumë mirë, nuk ka qênë frymzue prej kurrkuj tjetër, as shqiptar as të huej, posë zêmrës së tij fisnike e patriotike deri aty e kthe dalë. Ishte djalosh i rí, idealist i kulluet e s’prânte tue fshâmë përpara shpektakullit të përvajtueshëm të gjêndjes së Shqipnís s’asohershme e të rreziqeve qi i u kërcnojshin përmbrênda e përjashta. Ishte student në magistero[1] të Romës, por s’i epej, jo me studjue, por as me hângër e me pimë si gjithkush. Kur ka vendosun ai me shkue e me vramë Esadin në Paris, krejt Shqipnija e mesme kishte hymë kryekëput nën influencën esadjane. E kur them Shqipnija e mesme do të kuptojsh virtualisht krejt viset ndërmjet Drinit e Vjosës, veç 9 bajrakve të Zhubës e të Mirditës e Pukës. Qeverija e Tiranës me Sulejman Delvinën kryeministër e Ahmet Zogun ministër të mbrêndshëm kishte mbetun e pafuqishme kundrejt çetavet esadiste qi bridhshin lirisht deri ke muret e kryeqytetit.
Avniu donte me shkue në Paris, e kishte damë vetë me veti. Por ishte i papasun e s’ kishte pare as për shpenzime rruge as për banim atje, deri qi t’i vinte ora e gjestit qi kishte damë me krye. I çilet nji shoqi qi shpresonte se mund t’ i ndihmonte. Por as ky s’ paska pasun apo për arsye tjetër, s’ e dij, edhe paska vojt ‘ e i a ka kallzue punën mikut të vet politik n’atë kohë, ministrit të mbrêndshëm Ahmet Zogut. Ky patjetër i epka atij për Avnín 4000, s’ dij a lira italjane apo frang France. Me këto pare niset Avniu prej Tirane për Romë, ku ndalet pak dit e ku i bien n’erë punës edhe 3-4 nacjonalista tjerë, e mbandej çán për Paris. I avitet Esadit me anën e sekretarit privat të tij Stavro s’dij kushit prej Kavaje kinse për nji bursë studimesh n’atë kryeqytet. Kështu nxûni banimin e viktimës së tij (Hotel Ritz, në mos u gabofsha) edhe nji ditë vojt’e e priti poshtë në hall[2] e kur Pasha duel jashtë, tue i u hudhë automobilit, e ndoq mbrapa e i briti: “Ndalu, tradhtar i Atdheut!” edhe qiti mbë tê nuk dij sa herë me revolen a pistolen qi kishte pasë blé, nuk e dij a në Romë apo në Paris. Këta janë faktet qi dij un të vrasës së Esad Pashë Toptanit.
DORZIM’I SHKODRËS. Historikisht duket nji fakt përgjithsisht i pranuem qi Shkodra për mungesë municjoni e heje nuk mund të qëndronte mâ shumë se edhe pak, fort pak dit tjera kur âsht dorzue. Pra ai dorzim, si fakt në vetveti, jo veç qi s’mund të zêhet tradhtí, por madje nji ndodhí ushtarake e shkëlqyeshme për Komandantin. Tradhtija qëndron ngjeti, në akordin politik të fshehtë ndërmjet Esadit e Malazezvet, ndoshta edhe me pjesmarrjen e ndoj delegati sërb ase edhe rus, për sa i përket s’ ardhmes së Shkodrës. E vërteta âsht qi eksistenca e nji akordi të këtilë mue deri sot nuk më ka resultue as prej botimesh qi janë bâmë as prej bisedimesh diplomatike qi janë zhvillue ndër konferenca të ndryshme rreth fatit të Shqipnís përgjithsisht e të Shkodrës posaçe. Veçse mbas nji bisedimi personal e nji me nji me Esadin në Tiranë pak dit mbasi kishte lëshue Shkodrën, për veti kam dalë i bindun atças, qi ky, së paku me gojë, Shkodrën u a kishte premtue Malazezvet. Prandej edhe, ndonse mik i tij me shpirt e me krye prej axhet e prej babet, qyshë atë minutë u bâna anmik aktiv e i papajtueshëm me tê. Edhe mund të besohet ndoshta qi akordi të ketë qênë verbal. Sepse: 1) Esad Pashë Toptani, qi ishte tue dorzue kalán e rrethueme, ishte nji gjeneral tyrk e si i tilë po e bânte dorzimin, ndërsa ajo kalá i përkitte nji vêndi en principe [3] të damë prej Tyrqijet qysh me kushtet e armpushimit qi kjo kishte nënshkrue me Shtetet balkanikë. Ç’ vjeftë diplomatike, pra, do të kishte për Slavët nji dokument i nënshkruem prej tij? Do të kishte, po, nji vjeftë vetëm faqe Esadit personalisht kur ky t’ishte bâmë Princ i Shqipnís, siç i ishte premtue nga ana e Slavëvet për shpërblim të Shkodrës e për t’a pasun Sërbt vasal të vetin. Pra Slavët e kishin në dorë Esadin: për me i a njohun princnín do t’ i lypshin mâ parë Shkodrën, ndryshe Esadi princ s’u bânte, mbasi e vetmja përkrahje internacjonale qi do të kishte ishte ajo. E qe se pse mund t’ a pranoj qi marrveshtja do të ketë qênë verbale përsa i përket ksaj pike. Kam lexue kopjen tyrqisht të protokollit të dorzimit të Shkodrës. E shkëlqyeshme, asnji gjysë fjale për pronarín e qytetit, vetëm klauza ushtarake.
A ka marrë Esadi pare prej Malazezvet për lëshimin e Shkodrës? Un s’e dij. Por, megjithë qi pyetja e Jote ishte vetëm kjo, un fola përgjithsisht mbi lëshimin e Shkodrës, nergut për me konkludue qi për mue kjo punë s’ka asnji rândsí të posaçme. Ç’ janë, tekembramja, nji gjysë miljoni frang ar për nji Shtet, edhe të vogël si Mal’ i Zí, qi âsht tue bjerrë me qinda djelmsh për gjithë ditë e qi nuk i din me sigurí kushtet e mbrêndshme ushtarake të qytetit të rrethuem? Pra Esadi ato pare mundet me i pasë marrë, e pse jo, edhe me nji bluff[4], pa premtue kurrgjâ për të ardhëshmen e qytetit, por vetëm për dorzimin e këtij ushtarakisht, mbasi për tê pruejtja ishte bâmë tashmâ e pamundshme. Për historjanin, mbas mendimit t’ em, randsí kanë përgjegjet e qe këtyne pyetjeve:
1) A kishte mundsí Shkodra me i qëndrue mâ gjatë rrethimit sërbo-malazez? Edhe sa kohë ende?
2) Mbrênda atyne ditve se, pa pikë dyshimi, çâshtje ditsh ka qênë qi Shkodra mund të mbahej ende, a kishte mundsí ushtarake ase diplomatike qi të shpëtonte ajo definitivisht prej pushtimit?
3) A ka bâmë komandanti i projës nji akord politik me Slavët për avenirin e Shkodrës, me shkrim ase verbal?
Vetëm pyetja e dytë s’e ka përgjegjen t’ eme në sa kam shkrue mâ nalt. Ushtarakisht pa dyshim Slavët do t’ a kishin mbajtun rrethimin edhe për shumë kohë e të rrethuemit s’ishin në gjêndje me qëndrue as me e thye anmikun. Âsht thânë, por un s’jam në gjêndje as t’ a vërtetoj as t’ a përgënjeshtroj, se Fuqít e mëdhá mbrênda pak ditve do t’i kishin shtrëngue Slavët me u tërhjekun. Për vërtetimin e ksaj pike historjanit i duhet me studjue botimet e mundsisht dokumentat diplomatikë qi i përkasin. Âsht nji pikë me rândsí, jo aqë për gjykimin e protagonistit sa për historín në vetveti. Sepse nji komandant i rrethuem pa kurrfarë lidhjeje me botën e jashtme nuk mund t’ a dinte se ç’ ishte tue rrjedhun ndër qarqet diplomatike.
Shênj shum’ i keq e komprometues për Esadin, shumë mâ i rândë se paret qi mund të ketë marrë, âsht vrasa e Hasan Rizás. Pse e vrau? Ç’ qëllim djallzuer kishte? Vetëm për ambicjonin e tij me qênë komandant ai? Jo, objektivisht âsht tepër vështirë me e pranue.
Me kaq roli i Esad Pashë Toptanit në dorzimin e Shkodrës për mue, dmth për aqë sa mundem un, âsht i spjeguem. Të vijmë, pra… ke xhevahiret e Krist Malokit. Fakti historik për të cilin po më pyet në lidhje me pohimet e atij njeriu âsht esencjalisht i vërtetë. Fara e nji ideje kombtare shqiptare ka fillue me u mbjellë ndër ne me anën e shkrimit shqip e të propagandës politike nëpër këtë shkrim. E këtê e kanë fillue Shqiptarët e jashtëm e ata i kanë dhânë hovin mâ të madhin. Un vetë, p.sh., plot para 50 vjetsh, tue qênë fëmijë në Krujën t’eme ende, e kam marrë vesht se ka nji shkrim shqip e e kam nxânë këtê ndër qarqet bektashijane prej “abetares” së Frashërit e mbandej jam frymzue me idét kombtare deri 15 vjeç e mâ vonë, gjithmonë tinëz, në gjymnaz të Janinës prej veprave të Neimit: Istoria e Skënder Beut, Qerbelaja, Lulet e verës; e prej “Shqipëria ç’ka qênë, ç’është e ç’do të jetë” të Samiut. Botimet divulgative shqip, mâ të parat, i kemi prej patrijotvet orthodoks në Rumaní e n’ Egjypt. Pra nuk âsht nji eksagjerim me pohue se lëvizja e përlindjes shqiptare ka fillue prej Shqiptarve të jashtëm, tue i marrë edhe Frashrijotët për të këtilë, me gjithë qi ata kanë jetue në Stamboll, jashta Shqipnijet po, por jo në mërgim.
Me kaq besoj se Të kam vullëndue. Këtë letër, si atê mâ të parën kso doret, kam me t’a nisun të porositun, mbasi letrat i shkruej pa kopje e do të më vinte keq qi këto të Tujat të humbatshin. Nuk mund t’i përsris mâ, mund të shkruej sa të duesh, por me përsritun s’kam durim. Madje do të lutem qi, si t’a keshë përdorë për qëllimet e lavdueshme qi ke me to, të m’ i ruejsh n’arqivën t’Ânde nemose për djelmt e mij. Korrespendenca e ime me Tý po bâhet përherë mâ interesante.
Si të kam shkrue, pasaportin T’a kam porositun e pa tjetër ke për t’a marrë.
Tjetër s’më jet me Të thânë, posë përshëndetjeve të mija krejt miqsore.
MKruja
Aleksandrí, 9 Mars 1950
I dashuni Atë,
Tue pritun qi të më vinte nga Kajroja pasaporta e Jote u vonova pakëz me i u përgjegjun edhe letrës me 12 fruer. Pasaportën ende s’ ma kanë dërgue. Mos u çudit se jemi n’Orjent këtu! Sod i shkrova prap nji letër Ministrit t’onë atje. “Shpresoj se do të dalë nji pasaportë e fortë, qi të mundem me e përdorë për atë qëllimin t’em e jo vetëm për Austrí, por edhe për shtete tjera, po qe nevoja.” po thue. Ti po i a bân si arusha kur i a kishte ânda dardhat e prandej thonte qi do të bâjshin! Un e dij se s’Të kam dhânë shpresa të mëdhá për vjeftën e ksaj pasaporte. Dihet vjefta e saj: âsht pasaporta e nji Legate Mbretnore qi mezi qëndron mbë kâmbë këtu në këtë vênd veç per legge d’inerzia,[5] me fjalë tjera veç pse Egjypti s’e ka njohun regjimin komunist shqiptar e prandej s’e ka pamë të arsyeshme me mbyllun atê të Mbretnís, mbasi edhe Mbreti vetë gjindet po këtu. Pra pasaporta e ksaj legate disi ka me ecun aty-këtu për tolerancë e jo pse âsht juridikisht vërte nji pasaportë e rregullt. Italija refuzon me dhânë vizë për kthim në vênd të vet mbi këtë pasaportë. Por ndoshta Ti, me ndihmën e Pushteteve kishtare t’atyshme mundesh me e marrë. E po mujte me marrë këtê, qi me u kthye prap n’ Italí âsht e domosdoshme, nuk besoj se ke me gjetë vështirësí me hymë në çdo Shtet qi të duesh. Se zakonisht a ke vizën për kthim n’ atë Shtet ku ke qênë dhe a t’a ka dhânë mandej edhe një tjetër për me hŷmë në tokën e tij, tjerët nuk e shikojnë mâ tepër hollë, mbasi sigurohen qi s’u jet peng në derë tue mos mujtun me kthye mâ ku ishe e mbasi viza e nji Shteti të parë qi të ka lânë me hymë mbrênda vjyen si nji dishmí e mirë edhe për tjerët. Do t’ a keshë këndue ndokund ndër gazeta qi ONU-ja âsht tue hartue nji shtatut politik për refugjatët e atëherë kemi me pasun pasaportë të fortë fort madje. Por durim, veç!
Tash po kapim argumentat t’anë historikë.
Lum na për librat qi këndojmë edhe flêjmë të qetë se diç kemi nxânë prej sish! Franz Ferdinandin e paska vramë Masonerija për sektarizëm të vet, të parën luftë botore e paska shkaktue po ajo e po për qëllimet e veta: kështu po shkrueka nji auktor gjerman. E pra kjo racë a ky komb ka famë serjoziteti për historí. Tash dorasi dihet se kush ka qênë në vrasën e Princit trashigimtar t’ Austro-Hungarís, dihen edhe shokët e tij, dihet edhe qi vrasën e ka organizue Bela Ruka, tue mbyllë Pašici me shokët e tij njânin sŷ. Këta të tânë munden me pasë qênë masona, por mue për veti gjâ s’ma mbush mênden posë dokumentash authentikë qi ajo vrasë s’u bâ për nacjonalizëm serbe, por për masonerí. Ndoshta ka pasun masonë qi e kanë influencue atë vrasë, atë komplot, qi i kanë frymë zjarmit të ndezun ndër zêmrat e patriotve serbë. Por me sa dij un deri më sod Franz Ferdinandit i a ka hângër kryet kryesisht nji programë politike qi ka pasun e qi do të forconte Austrín e si konsekvencë do t’u pritte shpresat Serbvet edhe për shum kohë për me krijue Jugoslavín qi kishin në zêmër. Plan’i Franz Ferdinandit ishte zvëndsimi i dualizmës austro-hungare me nji trializëm austro – hungaro – slave, me vullëndimin e plotë të kombeve slave qi rrojshin nën Austrín e Hungarín. Nga kjo pikpamje nuk besoj as qi Franz Ferdinandi do të kishte qênë hajr’ i Shqipnís, mbasi nji qeverí austro – hungaro – slave , eventualisht me nji kryeministër a ministër të jashtëm slav, nuk besoj se do të përkrahte aq fort Shqipnín kundra Serbvet, në rasë nevoje, me gjithë sympathín qi mund të kishte personalisht mbreti i Austro-Hungaro-Slavís për Shqiptarët. Sido qoftë s’po e kemi fjalën ke mund t’ ishte e do t’ ishte, por te si qe e si u bâ. Gjithashtu edhe për luftën botore un besoj se sikur mos të kishte qênë mënija frênge antigjermane, ambicja frênge për kthimin e Alsace-Loraines Francës dhe Poincaré-u në fuqí, as ajo s’ do t’ ishte bâmë, me gjithë vrasën e Franz Ferdinandit e planet infernale të Masonerís internacjonale. Kjo e fundit në të gjitha ndodhít e mëdhá të historís, ka nja nji shekull e këndej sidomos, mund të ketë ushtrue ndonji farë influence, por un nuk e besoj kurrë qi kjo influencë të ketë qênë decizive veçse ndonji herë, theorikisht të thomi, per caso.[6]
E qe tash nji fakt qi na përket neve e qi kemi mënyrë t’a kontrollojmë për s’ afri. Esad Pasha në nji kafe të Vjenës në prillin e 1914-s paska paralajmue atentatin e Franz Ferdinandit! Esad Pasha, pjestar kryesuer i qeverís së Princ Wiedit qi ka zdrypun në Durrës me 7 mars 1914, s’e ka qitun kâmbën përjashta Shqipnijet deri q’aty kah mueji i korrikut t’asaj vjete, kur e kapi princi si të pabesë e u shtrëngue me u a dorzue Italjanvet. Esad Pasha në Vjenë nuk besoj të ketë shkelë kurrë në nji kafe. Esad Pasha e mbante veten si nji princ orjental e n’Evropë veç ndër sallone hotelesh të mëdhá u shihte në shoqní, por jo nëpër kafet, sado luksi qi të kenë qênë.
Ahmeti e ka dashun me gjithë shpirt vrasën e Esadit, pavarsisht prej ndihmës qi – si hypothesë – mund t’a ketë dhânë edhe pa dijtun sepse po e ep, e ka dashun atë vrasë: a) pse qyshë aso kohe i ka pasun gati në trû planet e tija me u bâmë mbret i Shqipnís; b) pse, edhe me kê mos t’i mbushet mêndja për shkakun e parë, kur u vrá Esadi, ai ishte factotum[7] i qeverís shqiptare t’asaj kohe e vrasa e Esadit ishte i vetmi mjet për t’a shpëtue Shqipnín prej kaosit të esadizmës. Sa për mue, jo veç qi ka pasun arsye t’a dojë atë vrasë për interesë të vet e të Vêndit, por edhe e ka dijtun mirëfillit sepse po i epte paret për Avni Rustemin.
Të tâna lëvizjet kundra Zogut ministër, kryeministër, president e mbret janë bâmë me inicjativë shqiptare e asnji s’ ka qënë e financueme prej së jashtmi. Vetëm atê të Dukagjinit, me Dom Loro Cakën në krye, e ka deshirue Beligradi e prandej e ka lehtësue tërthoras vetëm për ricatto[8] kundra Zogut, i cili si u installue në Tiranë nuk i duel Pašićit me shokë aq i shtruem vullnetit të tyne, sa nji načelnik[9] i nji province jugoslave, siç kishin shpresue si psikologë të këqij qi u diftuen me nji ambicjoz shqiptar typash të naltë e kalibri të madh. Kështu mund t’i përgjigjem, shkurt e premas, për aq sa dij un pyetjes s’ Ate. Jugoslavija na ka qitun ngatrresa shpesh herë me agjenta të vogjël e të blémë aty-këtu gjatë kufînit, herë në nji vênd e herë në nji tjetër me qëllime të ndryshme. I ka ndihmue kryengritjes së Mirditës qi leu vetvetiu prej ignorancës së Mehdi Frashërit, Ministrit të Mbrêndshëm t’asaj kohe, në dash si administrator e në dash si psikolog. Italija pat organizue nji kryengritje për në 1939 për t’ a bâmë shkak okupimi, siç resulton qartë nga Ditarët e Cianos. Desht Zoti e rrethanat ndihmuen qi Italija mos të kishte nevojë për kët’ armë tradhtore, se ndryshe shumë patrijotve shqiptarë s’do t’u kishte mbetun rrugë tjetër veçse me luftue për krahash me kundrështarin e tyne, Zogun, kundra Italjanvet, me vramë veten ase me dekun për jetë të jetës moralisht, si tradhtorë, qoftë edhe pa dashun. Ndër nji kso kategorísh do të kishem pasë hymë edhe un, i dashuni mik. Zoti më ruejti e i a dij për nderë të madhe fort. Ishte edhe e drejtë qi të më ruente. Se kam ruejtun edhe vetveten, bashkë me patrijotët tjerë qi ishin jashtë me mue. Un, si përfaqsues i të gjithve, kishem lypun prej delegatit të Romës Giovanni Giro patti chiari ed amicizia cara,[10] marrveshtje me karta të hapta për gjithça kishin ndër mënd me kërkue prej nesh kur t’ a kishim fitue kryengritjen e marrë fuqín në dorë. Âsht historí e gjatë, por fundi qe ky qi Italjanët gabuen e i zbuluen kartat e tyne me të vërtetë e na të jashtmit i refuzuem të tâna, nji për nji. “Me këto kushte”, i pata thânë Giros në hotelin Excelsior-Gallia të Milanit, “njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnís!”.
Me kaq po i apim fund edhe ksaj here. Pasaportën kam me T’a nisun mbë vete porsa t’a marr.
Ti ke shkrue “Ju përshëndetem”. Çâshtje gjuhe, tash. Na Krutanët thomi përshëndetem me dikê, “verbo riflessivo reciproco,[11] u përshëndeta me akcilin, dmth. un përshëndeta atê e ai mue. Mbandej me i u falë kuj me shëndet, i falem (edhe i fal) me shëndet, fáliu (edhe fali) me shëndet akcilit. U zgjata kaqë për me të bâmë me u kujtue nëse e ke ndie kund në popull formën qi ke përdorë. E tash pra un po vijoj n’ atë t’emen tue Të thânë Të falem me shëndet.
MKruja
[1] It. : shkollë pedagogjike
[2] Anglisht : hyrje
[3] Fr. : në parim
[4] Ang. : bllof, term i lojës së pokerit, kur shtohet pazari pa pasë letra të mira në dorë.
[5] It. : për ligj inercie.
[6] It. : rastësisht
[7] It. : i plotfuqishëm, qi ka në dorë të bâjë gjithshka.
[8] It. : përfrikësim
[9] Serbisht : shef policie
[10] It. : marrëveshje të qarta e miqësi të shtrenjtë
[11] It. : folje vetvetore e ndërsjelltë
Komentet