LETËR – KËMBIM KRUJA – CAMAJ
Ramleh ( Aleksandrí), 10.2.54
Zotit Martin Camaj
Zotní i ndershëm, kam marrë me kohë veprën t’uej poetike “Nji fyell ndër male”, e kam kënduem dhe kam admiruem talentin t’uej qi premton shumë e mirë për letërsinë shqiptare. Kam marrë edhe katalogun e shtëpisë botimtare Mustafa Bakija, në të cilën ishin shkruem me dorë këto fjalë : “Fjalori serbo – kroat – shqyp… do t’ua dërgoj”. Këtê s’e kam marrë. Myftisë i kishte qênë shkruem se me anën e tij m’ishte nisun nji libër, por as ky s’më ka ramë në dorë, e ndoshta ka qênë shi fjalori i premtuem. Sido qi të jetë, un ju falem nderës fort.
Këtu due me folë kryesisht për punën t’uej tepër të vyeshme qi i përket fjalorit të Kristoforidhit. Më ka pasë lajmuem për këtê mâ së pari e ka shumë kohë Zefi e tash vonë Genci. Ky i dyti mâ hollsisht e tue kopjuem edhe shënimet qi kishte pasë marrë prej jush mbi atë punë. Më thonte edhe se ju paskeni pasë deshiruem nji sipërshikim t’emin përmbi atë punim. Po flas pra pikë së pari mbi këtë pikë. S’do të kishte as mâ të voglën rândsí për mue nëse ky bashkpunim i im do të bâhej me emën a pa emën a me çdo farë emni. Pengesa âsht nji tjetër, e âsht e pakapërcyeshme : âsht largsij’e madhe e jonë prej shoshoqit e vështirsit’e mëdhaja me u marrë vesht me letra e shkresa. Kam qitun pra cekën, si thohet në Shkodër, me ju dhânë vetëm do kshilla, e këtê mund t’a bâjmë me nji shkëmbim 2 – 3 e deri 4 letrash. E po filloj qysh me këtê, tue i a nisun me do parime të përgjithëshme.
- Rr(j)eshtim’i fjalvet mbas alfabetit. Auktori ka ndjekun rendin e alfabetit grek me të cilin ka shkruem. Ka shumë gabime në rreshtim. Ka fjalë të përmênduna si sinonime të nji tjetre e të paregjistrueme në rendin alfabetik. Pra ju duhet me përpiluem nji skedar të ri. Këtu do të ju porosis edhe me ndrequn, ju i pari, nji gabim të çuditshëm qi kanë bâmë të tânë fjalortarët e shqipes njâni mbas tjetrit, s’më bie ndër mnd mirë nëse duhet me përjashtuem apo jo Meyerin. Tingujt e përfaqsuem prej dý shkrolash ase prej nji shkrole me shênj të damë mbë vete, i kanë radhuem si shkrola mbë vete, gjâ krejt antiracjonale qi s’e ka asnji gjuhë tjetër, qi njoh un nemose. Abecej’e shqipes s’ka 36 shkrola, por vetëm 26 e mbi këto duhet me e bazuem rrjeshtimin alfabetik të fjalvet. Janë : a b c ç d e f g h i j k l m n o p q r s t u v x y z. Kështu kanë bâmë italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja e anglishtja. Frëngjishtja ka përjashtuem edhe ç-në tue e vûmë në radhën e c-së; por un, për shqipen, kujtoj se mbasi ç-ja âsht nji figurë e dallueme prej c-së me nji bisht nën tê, mû sikur j-ja prej i-së, duhet të zânë vênd si shkrolë më vete. Por jo kështu ë-ja, tek e cila dý pikat nuk janë tjetër veçse nji shênj diakritik njipërnji si theksat : nëse ë-ja do të përjashtohet prej rendit t’e-së, pse mos të përjashtohet edhe â-ja nga a-ja?
- Kristoforidhi âsht plot me gabime shtypi gjithë farësh, të cilat kanë hŷmë edhe te fjalorët e tjerë, mjerisht, pa u kuptuem. Natyrisht, po flas për ato gabime fjalësh qi s’janë të njohuna unjí. Për këto âsht pun’e vështirë me ju kshilluem kritere të përpikta. Nji kishte me qênë me pasun fjalorë të tjerë : Meyerin, Bashkimin, Cordignanon, Leottin, Mann-in e sidomos të parin e të mbrapmin.
- Mbasi doni me ruejtun shênjet diakritike t’Autorit, duhet t’a tfilloni zyrën e tyne, ashtu sikur po shoh në shënimet e jueja, marrë prej Gencit, për dý hundoret.
- Kujdes në përkthimin e greqishtes shqip ase frëngjisht te ato fjalë që nuk i dini vetë, tue marrë para sŷsh se shumic’e fjalvet kanë secila mâ se nji kuptim, e mund të merrni prej kuptimeve të ndryshme të greqishtes atê qi s’e ka aspak fjala shqipe.
5.“Çdo fjalë kryesore shqipe âsht e përkthyeme në gjuhën frëngjishte…” thoni në shënimet t’ueja. Natyrisht m’âsht e vështirë me e kuptuem se ç’farë fjalësh keni cilsuem ju me epitetin “kryesore”. Un kisha me e kufizuem përdorimin e frëngjishtes : a) si ndihëmtare kudo qi vetëm përkthimi shqip i greqishtes nuk ju ngîn për t’a bâmë fjalën t’onë krejt të kuptueshme; b) ke çdo fjalë shqipe qi, tue mos u njohun mirë, i a ka lëshuem vêndin ndonji neologjizme.
- Sinonimet qi do të shtoni prej fjalorësh të tjerë duhet të kenë ndër kllapa edhe emnin e autorët prej të cilvet i keni marrë.
- Ç’farë frazeologjísh e shêmbujsh keni “spjeguem në gjuhën shqipe me fraza e fjalë ekuivalente simbas spjegimit grek të Krist.”? Bie fjala Autori ka prûmë nji frasë shqipe për tfillimin e fjalës edhe atë frazë e ka përkthyem edhe greqisht ; natyrisht, këtë greqishte ju s’keni për t’a përkthyem edhe nji herë tjetër. Por do të thoni ndoshta qi Autori ka p.sh. nji proverb a ligjëresë (locution) shqipe e këtê e spjegon, jo me nji përkthim të thatë greqisht ashtu fjalë për fjalë, por disi mâ gjatë, e ju keni përkthyem këto spjegime.
- Çdo emën shtâze ase bime jo të njohun mbarë në Shqipní, do të bâjshi mirë e do t’ishte mâ lehtë për juve vetë me e spjeguem me ekuivalenten frëngjishte e mundsisht edhe me emnin shkencor latin.
Për tash këto janë kshillat qi mundem me ju dhânë. Jam gjithmonë gati me ju ndihun me ça të mundem e me ça të më lypni. Adres’e ime rrin gjithmonë ajo qi keni përdorë : Fuad Salih Myftija – Camp de César – Rue Omirolis, 6 – Alexandrie.
Këtu ka qênë botuem nji “Abetari i të Mërguemit” e mue më ndodhet nji copë me disa faqe mangut. Po ju a dërgoj, jo për vlerën qi mund të ketë nji abetar për juve, por vetëm për gjuhën shqipe qi përdor autor’i veprës, e për disa mendime të tij rreth ksaj gjuhe.
Genci dëshiron nji copë të Fyellit t’uej. Mund t’i a çoni n’adresën t’eme e un s’kam me pasun vështirsí me i a dërguem atij.
Me shumë shëndet e urime të përzêmërta për punët e çmueshme gjuhsore e letrare.
Tafë Marleka
Fort i dashuni mik,
Mora letrën t’uej të datës 13 – III – me të cilën më lajmërojshit se u kanë ra në dorë fjalorët. Jam habitë si nuk u paska ra në dorë nji letër e ême shum e gjatë, si gjegje e letrës s’uej të datës 10 – II – të këtij vjeti. Këtë letër u a kam pasë nisë tri dit para nisjes së librave. Sigurisht ka me u ra në dorë, por për mâ sigurí pikat e asaj letër tash po u a rrjeshtoj kah fundi i kësaj.
U falnderoj dhe unë për abetaren, pse gjuha e saj âsht shum interesante. U mbusha mendësh mâ tepër në nji fjalë të Dr. Bariç mbi Kristoforidhin : – On je văs Vuk Karadžic. Këtê e tham për arsye të qindrimit t’uej kundrejt autorit në fjalë. Më intereson dhe mendimi i juej mbi fjalorët qi muerët dhe njikohësisht jam shum i kënaqun që u kenka bâ qejfi për ta. Çdo gjâ që të m’a marrë mendja se âsht me randësi nga botimet këtu do të u a dërgoj – natyrisht sa të kem fuqi xhepi. Kurrfarë shpërblimi nuk due nga ju, të vetmen nderë që kisha me u a lypë âsht kjo : në qe se keni ju në bibliotekën ndonji kopje mâ tepër të fjalorit të Man – it dhe ma dërgoni kisha me u a ditë shum për nderë. Miqsisht u a la amanet : vetëm në qe se keni nji copë mâ tepër, pse nuk dishroj që të harxhoheni – tue marrë para sysh kushtet ekonomike në të cilat jetojmë. Amanetin pra e mban edhe toka e s’kam çka me u thanë mâ. Për kritikat gjuhsore dhe letrare, të cilat u paskan ra në dorë nuk dij çka me u thanë as unë. Në këto punë d.m.th. në polemika gjuhsore e letrare shqiptarët janë të njajtë gjithmonë, natyrisht me pak përjashtime. Ndoshta pse fillestarët i marrin punët gjithmonë me pasjon. Këtu në Jugosllavi âsht interesim i madh në lamën e gjuhsis shqipe. Pushteti i këtuhit ka dhanë dhe jep mundësina financjare, por ne nuk kemi ende kuadër të pjekun. Me kohë jam i bindun se do të bâhet edhe mâ tepër, pse vullneti nuk mungon.
Tash due t’u vê në dukje punën t’eme mbi fjalorin e Kristoforidhit, shkurtimisht. Atë punën e parë, d.m.th. përkthimin e fjalorit në gjuhën frëngjishte, e kam braktisë, por mundi nuk më ka shkue dam, pse kam xanë diçka për vehte dhe tash nji vjetë intensivisht punoj në mënyrën që po u a parashtroj :
I /. Transliterimi i pjesës shqipe tue i ruejtë të tana cilsinat ortografike t’autorit, me përjashtim të ndreqjes së gabimeve të shtypit – këtê e kam bâ vetëm atëherë kur kam qenë qind përqind i sigurtë se âsht gabim shtypi.
II /. Radhitja e fjalorit si mbas alfabetit t’onë të soçëm – pra kam bâ nji skedar të ri. III /. Pjesën greqishte e kam lanë krejt ashtû si âsht.
IV /. Aty ku autori e ka spjegue nji fjalë shqipe me nji ase mâ shum fjalí greqishte, këta e kam përkthye shqip tue e vu (përkthimin) ndër kllapa me germa të dallueshme, bri tekstit greqisht. Gjithashtu kam përkthye terminologjín gramatikore, të cilën Kris. e ka greqisht me termina ndërkombtar – latin.
V /. Aty këtu ndër kllapa me germa të vogla kam shtue dhe disa sinonime; këtê e kam bâ vetëm n’ato rasa ku Kris. e interpreton nji fjalë në nji kuptim të vet specifik.
(……………………….)
Shpresoj se letra e parë e eme, ku u kam shfaqë gjanë e gjatë punën tême ka me u ra në dorë, kështu që do të shifni mâ kjartë punën. Pra unë kam për qëllim me bâ nji ribotim të fjalorit të Krist. në mënyrë që të kuptohet nga masa e shqiptarve. Si i këtillë âsht parapa dhe në planin e botimeve të sivjeçëm. Ju mbi këtë punë mundeni me më dhanë këshillat mâ të vlefshme dhe çka âsht kryesore mund të gjykoni a vlen a jo nji gjâ e këtillë. Jam shum mirënjofës për këshillat e letrës së parë. Kurrkush deri më sot nuk më ka folë mbi këtë punë mâ me kompetencë se ju. Në fjalorin e Krist. ë-ja nuk âsht e veçueme nga e-ja. Habitem se si në fillim të Ungjillit Kristoforidhi i dallon; a thue do të jetë kjo pikpamje e editorve të fjalorit apo e vetë autorit? Për hir t’origjinalitetit as unë nuk i kam dallue dhe tash jam kryekëput i mendimit t’uej. Këtë gjâ do ta vê në dukje në fillim ase në hymjen e fjalorit, tue citue dhe Abetarin.
Jam i bindun se kjo punë ka me dalë me të meta, por shpresoj se tue u vu në rendin e ditës Kristoforidhi bâhet nji shërbim. Me kohë mundet të dalë ndokush tjetër mâ kompetent me bâ nji botim të tretë, por jam i mendimit se redaktimi i këtij fjalori âsht shum i vshtirë, prandej kisha me thanë se âsht mâ e mirë me e paraqitë kështu, sot për sot. N’anë tjetër ju mbi këto gjana mundni me folë shum mâ mirë se çdo kush, në të vërtetë edhe si keni folë, prandej tue ditë dëshirën t’ujë që të dalë sa me faqe të bardhë kjo punë, jam i sigurtë se keni me më këshillue si duhet.
Përfundoj tue u dërgue të falat mâ të përzemërta.
Beograd 19 – III – 54 Martin Camaj
Komentet