Rocca di Papa, 15 mars 1956
I dashtuni Mik, z. Mustafa Kruja,
Ka shumë kohë qi kam marrë letrën e z. se juej. Shumë jam mendue si me ba. E shoshita në të gjitha anët, por e shoh se as me pikëpamjet e mija modeste nuk i mbrrihet kurgjaje. Për me m’a përforcue ket bindje ka kontribue edhe kjo:
Kur ishte Mbretnesha këtu në Romë, nji mik i emi pati nji bisedë me H.S. rreth ndamjes se Legalitetit dhe riorganizimit të mbretnorvet. Ky miku i thote H.S.-it “po pse shkruet nëpër vise të ndryshme si në Turqì, Greqì, Kanada e Amerikë “rrini asnjanës, mos u përzihni në grindjet e atyne të Romës”, kurse pjesa ma e madhe ishte e gatshme me u hjedhë n’anën t’onë simbas letravet qi patëm marrë prej tyne?”
H.S i përgjegjet: “pse dashtëm qi t’a shohin e t’a njohin vehten të dy anët. Ju mos kujtoni se na prej Egjipti nuk kishim mundësì me ba riorganizimin; nuk e kemi ba pse nuk kemi dashtë; me pak letra qi do të dërgojshim diku-diku, do t’a kishim ndreqë punën. Edhe tash qi kemi ardhë këtu në Francë, do t’a lamë punën si ka qenë ma përpara, pse hala s’i ka ardhë koha qi të bahet nji riorganizim”.
Ky asht thelbi i bisedës edhe i mendimit o Mik i dashtun. Tash po e shoh edhe unë se ku asht halli dhe vendosa mos me i shkrue Mbretit, pse e dij fare mirë se s’kam me i a mbrrijtë qëllimit; ndoshta veç ka me thanë : “edhe ky po don me më dhanë mend”.
Kurrë nuk kam pasë mendue se do t’i ndihmohej teposhtes me qëllim: kam pasë kujtue se me të vërtetë ishin disa kushte e rrethana qi nuk e lehtësojshin ndërmarrjen e riorganizimit, porse me kohë mund të ndryshonte gjendja.
Në personën e juej z. Mustafa, kemi pasë gjetë njeriun ma serjoz e ma të ndërgjegjshëm për me na ndihmue me dalë prej kësaj letargjije në të cilën kanë rà të gjithë ata qi kanë bindje se me institucjonin e monarkìs – në momentin e tashëm historik të ndërgjegjes shtetnore të shqiptarvet – mund të gjindet rruga ma e përshtatshme për me zgjidhë formën e regjimit. Mjerisht po shohim se përpjekjet e jueja për me i dhanë Lëvizjes nji riorganizim modern e të përshtatshëm me ekzigjencat e kohës nuk patën frutin qi pritej. Shumë keq na vjen. Me mbetë në ket mënyrë pa nji vijë të caktueme politike, na duket punë e shëmtuet. Kemi nevojë qi të organizohemi e jo te mbetemi si nji turmë bashibuzukësh pa parime të qarta. Mbas ndamjes qi bamë në prill te vjetit 1954 e mbas ndërhymjes qi u ba “mos me u përzie ne grindjet e atyne të Romes”, kujt i bjen barra qi t’i shtrohet punës së riorganizimit? Pa dyshim as na, as ata të Legalitetit, nuk jemi të cilsuem me i dalë në ballë punës.
Këtu në Rome punët shkojnë pështjelltas, si gjithnji.
Kemi marrë vesh se Bloku kombtar përjashtoi Eduard Liçon nga partija.
Kam marrë vesh se edhe Gjon Pjeter Gjomarkaj – qi para do kohësh pat nxjerrë nji trakt tue u ankue në drejtuesat e Blokut – ka dalë vetë prej partije, por nuk e dij nëse asht e vërtetë.
Prej Amerike Hasan Dosti i ka dërgue nji telegram ekzekutivit te Komitetit Shqipnija e lirë, qi të zgjedhin 5 vetë si delegatë n’Asamblénë e Kombevet të robnueme qi do të mbahet me 14 prill në Strasburg e se i gjashti asht ai vetë. Ekzekutivi zgjodhi këta delegatë: Këlcyrën, Kupin, Bajraktarin, Gogën, Kryeziun.
Shpresoj se kjo letër ka me ju gjetë me shëndet si â ma mirë; po ashtu edhe unë jam mirë.
Po ndalem me kaq. Prej Asllan Zenelit keni shumë të fala. Po ashtu nga unë merrni të falat ma të dashtuna e ma miqsore.
Mik i juej
Miftar Spahija
Rocca di Papa, 29 prill 1956
I dashtuni mik Z. Mustafa Kruja,
Ka disa kohe qi ju kam pasë shkrue nji letër, besoj se do të ju ketë rà në dorë.
Po ju njoftoj se dje, më 28 prill 1956, n’orën 11 para dreke, përkrahsat amerikanë i komunikuen Ekzekutivit se “komiteti kombtàr Shqipnija e lirë e ka kryem funksjonin e vet, prandej nuk e njohim mâ me këtë përbamje. Europa e lirë do të marrë përsipër me sajue nji tjetër Komitet, por ky do të jetë i përbamë prej teknikësh. Ndërkaq na do të vazhdojmë të ju apim edhe dy rroga për deri në qershuer, mandej le të shohë gjithkush punën e vet”. Ky ka qenë komunikimi qi banë.
Ka qenë nji gja fare e papritun, jo pse nuk parashikohej se nji ditë prej ditësh do të shembej ky komitet, por nuk dihej koha. Ka qenë ba me të vërtetë qesharak. Disa njerëz qi, ne fruer të vjetit 1954, patën ba nji memorandum tue u ankue se Komiteti nuk ishte ba demokratikisht, nuk duhej të rrijshin ma. Por ata vazhduen të rrijnë edhe u munduen për me e diskreditue me gjithfarë mënyrash. Asnji herë nuk u ba nji gja serjoze, asnji herë nuk u ba nji bisedë qi të kishte nji karakter kombtàr por u muerën me bizantinizma e me intriga shumë t’ulta. Nji prej antarvet të konsultativit qi banonte në zyrë te Komitetit ka pasë qenë ba objekt sulmi pse mbante nji mace; e kjo bisedë bahej herë mbas here a duhet t’a mbajë ky antàr macen në komitet apo jo. Me mbrrijtë deri kaq poshtë, nuk ka qenë nji punë aspak e hieshme; e pra Komiteti ka pasë rasa për me ba biseda serjoze kombtare; asht paraqitë çashtja e shpërnguljes se kosovarvet nga tokat e tyne për në Turkì e asnji herë nuk asht bisedue; janë ba kërkesa kohë mbas kohe prej Greqìs për Shqipnìn e jugut e prap asnji herë nuk e kanë marrë nëpër dorë; baheshin thirrje prej, refugjatësh shqiptarë të strehuem në Jugosllavì e kurkush nuk e muer me zemër ket thirrje. Gjendja ishte ba e padurueshme; nuk mund të vazhdonte në ket mënyrë. Ky qe epilogu i palavdishëm i këtìj komiteti të shkretë; keq u nis e keq mbaroi. Tash të shohim se çfarë drejtimi do të merret; urojmë qi të bahet nji gja e mirë për të mbarën e emigracjonit e të popullit në Shqipnì.
Nuk po zgjatem ma tepër, po ndalem me kaq tue ju urue shëndet të mirë, e tue ju dërgue përshëndetjet e mija ma miqsore; po ashtu edhe prej Asllan Zenelit keni shumë të fala.
I juej Miftar Spahija
Cannes, 9 – 5 – 1956,
I dashuni Z. Profesor,
I kam marrë letrat t’ueja të dyja. Faleminderës qi s’më harroni. Politika shqiptare përjashta muer atë rrugë qi u kishte hije dirigjentëve të saj. Nuk duhet me u shkandullue, duhet me marrë mësim. Shqipnia ka ekzistuem nëpër ândrrat e pak idealistëve, dashtë Zoti e ardhtë nji ditë qi t’ekzistojë ndër zêmrat e gjithë shqiptarvet. Shqiptari ka thânë gjithë jetën un e akcili, ashtu ka thânë edhe un e Shqipnija. Ka për të pasun Shqipní vetëm atëherë kur të jemi mësuem me thânë të gjithë Shqipnija e un, nji shumicë Shqipnija mbasandej un e nji pakicë Shqipnija edhe pa mue.
S’po ju a them për lavd, se ju e dini vetë, se e kam parapamë këtë përfundim. Të kisha bâmë si më thonte mêndja s’do të kisha shpenzuem asnji fije frymë ; por tue i ndëgjuem mâ fort zêmrës se përvojës personale e mësimit të historisë, së hershme e së vonë, i a kam shtuem vetes vënerë e nga nji herë edhe kam shpërthyem, me letra private apo me gazetë. E kam dijtun se ishte kot, por zêmra s’më lênte.
Tash thonë se do t’a ndreqin të huejt dashamirë prap, tue ndjekun rrugë e kanale të reja. Të huejt s’kanë ndrequn gjâ kurrë e s’mund të ndreqin gjâ pa dashun e pa qênë të dênjë vetë Shqiptarët. “Kal’i huej të zdryp n’ujë” asht fjalë e vjetër e e përjetshme. Por janë shumë ata qi e kuptojnë vetëm kur të kenë zdrypun e të jenë bâmë qullë. Pra edhe n’u bâftë gjâ ndryshe, e mirë s’ka si bâhet me këtë brumë : me krunde s’gatuhet bukë.
Kush pikllohet për të keqen e Shqipnisë duhet të pikllohet edhe për fatkeqsit’ e Shqiptarve të mirë. Prandej, ditën qi ndjeva dekën e komitetit m’erdh keq mâ tepër për disa miq të pafajshëm qi kishin gjetun atje nji strehë në këtë ditë mjerimi.
Më vjen keq që u shpreha me kaq pesimizëm, por vërshova se isha mbushun e tue e dijtë qi flas me nji patriot të pjekun.
Mbas dý a tri ditësh kemi bajram. Si juve vetë ashtu edhe Asllan Zenelit ju dërgoj urimet e mija të përzêmërta e ju falem miqsisht.
M.Kruja (firma)
Komentet