Ramleh, 21. VII. 1953
I dashuni mik,
Faleminderës për të dý letrat qi më dërguet. Po flas nji herë për Abetarin. Z.Pustinën e njoh vetëm me emën e i kam ndiem prej gjithkuj zânin e mirë. Megjithë këtë, desha me thânë se sado qi s’njihemi personalisht me tê jam i sigurtë qi në dash pse âsht nji barrë qi i a ngarkoni Ju e në dash për ndjenjat e tij patriotike, ai ka për të bâmë ç’t’i vijë për dore në mâ të mirën mënyrë për të. Un po i a nap udhzimet vetë se si me vepruem porsa të shtij në dorë adresën e tij. Besoj se këtu do t’a ketë ndokush.
Shkresën t’Uej qi më kërkoni, po Ju a dërgoj pa e kopjuem. E kam ruejtun se e kam çmuem si nji dokument për historin’e ksaj mërgatës s’onë politike. E mâ mirë se Ju vetë kush mund t’a ketë atë kujdes ?
Ato pak mendime qi më shkruejshi në letrën e dytë janë me vênd. As un vetë s’kam lânë rasë me kaluem pa folë po n’atë drejtim. E kuptoni sepse nuk mundem me u shprehun haptas e prandej as me Ju shkruem gjatë. Por për njerëz qi rrojnë për nji qëllim të vetëm e qi kanë zgjedhun nji rrugë të vetme për t’i a mbërrîmë atij qëllimi, mjaftojnë edhe pak fjalë për me u marrë vesht. Asnji rasë e volitshme s’do të humbet po të na e paraqesin rrethanat. Këto duken mjaft të mbara sod për sod. Ndoshta s’janë ende të pjekuna si duhet. Por kujdesi, befti, përgjesa, madje punimi për t’i shpejtuem nuk mungojnë, aty tek i kemi pështetun na shpresat t’ona.
Me sa kam mundun me marrë vesht, Ju jeni tue bâmë nji jetë mjaft të vetmueme aty. “Ke hanë e s’t’apin e ke flet e s’të ndëgjojnë mos të qittë Zoti” ka thânë i motshmi. Por s’duhet me u mërzitun. Ndër të gjitha krizat politike e shoqnore ujnat turbullohen, vërshojnë e qesin në bregt gjithë llomshtitë qi, der atëherë flêjshin përfund. Këto llomshtí në jetën politike e shoqnore quhen egoizëm, injorancë, sektarizëm, vanitet, vetpëlqim, hipokrizí e shtoni sa të doni edhe mâ këtij vargu. Por atyne qi e mbajnë veten të lamë prej këtyne veseve u përket me duruem e me punuem ku të munden e si të munden për qëllimin e shênjtë të shpëtimit t’Atdheut me vetmohim.
U gzova fort qi e paskeni vizituem e gjetun mirë Asllanin. A ka shpresë qi të miroset krejt ?
Fjala ndërkryem (trajta e drejtë ndërkryem) âsht e njohun po me atë kuptim qi e paska Luma. Ju falem nderës qi keni kujdes me më bâmë të njohuna fjalë të rralla të gojës së popullit. Ndër letra ndodh nga nji herë qi e teproj me fjalë të hueja për mos me humbun kohë, por ndër shkrimet e mija kushtue për t’u botuem, përpiqem me i rrëgjuem në nji numër minimal të nevojshëm.
Me kaqë e përshëndetjet e mija të përzêmërta.
MKruja (firma)
- S. Tue marrë vesht se do t’u niste për Romë Z. Koço Muka, e pata ndalë me i a dhânë atij këtê letër, bashkë me dokumentin për mâ shumë sigurí. Por qe se mjerisht ai u nis dje e un, tue kujtuem se i a kisha dhânë me kohë, e paskam pasë mbuluem në nji sŷth të tryezës s’eme aqë mirë, qi vetëm nji rasë e kotë m’a qiti sod nëpër duer ! Punë qi ndodhin….
31 /VII MK
Ramleh, 15.IV.1954
I dashun Profesor,[1]
Jam i sigurtë se qysh në fillim do t’habitesh sepse un po Ju shkruej n’italisht. Por arsyeja âsht. Âsht sepse letër – këmbimet janë objekte të çensurës. Rrallë herë qillon qi janë të hapuna. Por kemi vue orôe se kur janë, e gjithë përmbajtja e tyne në shqip përhapet paturpsisht nga çensorët e kombësisë s’onë. Ndërsa çensorët e kombësive të tjera mjaftohen me krye detyrën e tyne zyrtare.
Ma s’parit due me Ju dhânë nji lajm qi do t’Ju bâjë qejfin : Koloneli ynë më ka sigurue se shkrimi i Juej, i cili besohej si i humbun, âsht ende n’arkivin e tij.
Kam marrë me kohë letrën T’uej me spjegimin e disa fjalëve të dialektit të Lumës qi Ju kisha kërkue. Ju falënderoj.
Këtë herë do të flas për politikën. Kam ndjekun me përpikmëní zhvillimet e riorganizimit të Komitetit për Shqipnin’ e Lirë dhe randimin e krizës së fatzezës Lëvizje e Legalitetit, qi vjen si pasojë. (Kam këndue të tana fjalët qi janë mbajtë aty). Në bazë të gjithë atyne, për hesap t’imin, shpreh gjithë kënaqësinë t’ime për përfundimin e asaj krize me formimin e nji Lëvizjeje të re Politike Mbretnore. Âsht e vajtueshme, sigurisht, qi drejtuesit e së njâjtës politikë kombëtare, qi âsht çlirimi i Atdheut t’onë nga zgjedha e huej dhe i popullit t’onë nga kobi komunist nga nji anë dhe sigurisë së vazhdimësisë (jo rikthim, në të vërtetë) së regjimit mbretnor nga tjetra, të kenë shkaktue ndamjen e Lëvizjes në dy. Por duhet të jeni të sigurtë, ju të degës së re, qi përgjegjësi kryesor i kësaj ndamje njihet mirë. Në vetvete mendoj se, në pikën ku kishin mbërrîmë punët, veprimi i të nantëve të grupit fillestar të Lëvizjes Mbretnore, ishte e vetmja rrugë e mundëshme me u ndjekë. Tashti nuk mbetet veçse me ju urue suksesin mâ të plotë e me ju ndihmue me e mbërrîmë. Nga ana ime duhet të jeni të sigurtë se nuk do të kursej asgjâ për me ju lehtësue detyrën. Mund t’u a thuesh këtë, nëse beson, Feridit dhe Asllanit, të cilët i njoh personalisht e i çmoj. Për të tjerët âsht mâ mirë qi un të punoj në hije. Po filloj tue ju shënue disa ide të mijat themelore, të mbështetuna në përvojën t’ime të gjatë :
- Duhet të dini se tashti suksesi i juej nuk âsht vetëm nji çeshtje patriotike, por edhe
nji pikë nderi. Prandej duhet të punoni natë e ditë, me kriter e çdo sakrificë për me i a mbërrîmë.
- Ndîej për detyrë me ju thânë se nuk duhet të pritni nji gjest të hapun nga ana e
Mbretit qi të tingëllojë si anim nga njana apo tjetra palë e mbretnorve, s’paku deri në ditën në të cilën, uroj un, pjesa mâ e madhe e monarkistave militantë të rreshtohen nën të njâjtin flamur me juve.
- Ju e dini se në Kanada, s’paku simbas të dhanave të mija, ka një Rini Mbretnore qi
me kohë ka shkëputë lidhjet me Legalitetin e âsht formue me këtë emën qi keni pranue edhe ju shumë me vênd.
- Nji gjâ e tillë, ndoshta ende në përgatitje, âsht edhe në Greqi.
- Do të kishte qênë tepër e dobishme qi nji nga ju, për shumë arsye do t’ishte mâ
mirë Ju, Profesor, të vijshit këtu mâ parë, për me vazhdue mandej për Turqí e Greqí. Nëse kjo do t’ishte krejtësisht e pamundun, drejtoni të gjithë legalistëve nji paraqitje me ftesën e hapun me marrë pjesë në lëvizjen tuej. Në paraqitjen qi do të bâjshit, duhet mos me prekun pikën, në dukje të dobët e shumë të rrahun e të diskutueshme, të statutit të komitetit, për mos me i kthye brinjën kundërshtarit ; flitni vetëm për komitetin. Sa vlen me folë për statutin, nji statut i çoroditun e i marrë qi së fundi nuk ka as gjasën e nji statuti ? Nuk e kupton askush, nuk e kanë kuptue as hartuesit e tij !
- Veç shpalljes, shkrueni letra vetiake miqve tuej, tue përdorë gjithmonë shprehje
bindëse e fisnike.
- Kam ndigjue, dikush m’a ka thânë në mirëbesim, se keni mêndimin me ftue Salih
Myftinë si kryetar të përkohshëm të lëvizjes. Ideja, nëse asht e vërtetë m’u duk shumë e pjekun. Veçse ai âsht krejtësisht pa mjete udhtimi e gjallese. Duhet mandej të mbani parasŷsh se ai ka nji ndihmë zyrtare e nëse do t’i duhej me lânë Egjyptin, qoftë edhe për do kohë, këtë ndihmë do t’a humbte. Pra duhet me i sigurue mjetet vazhdimisht. Madje, shtoj un, mundësisht edhe djali i tij do t’ishte i dobishëm mes jush.
Ja, i dashun Profesor, çfarë kisha me ju thânë tash për tash. Shëndete të përzêmërta Juve e, nëse do t’i flitni për këtë gjâ edhe Feridit e me çdo mënyrë Asllanit.
I yti
MKruja (firma)
[1] Kjo letër është e shkruar në gjuhën italiane. Përkthimi në shqip mundohet të respektojë deri diku gjuhën e âutorit. (E.M.)
Komentet